Gazetari Naser Pajaziti ka vlerësuar lart guximin dhe masovitetin e rinisë studentore shqiptare sot në Shkup, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës është mbrojtje e dinjitetit kombëtar dhe të drejtës së tyre akademike.
Ja mesazhi i plotë:
Zemra mal me këtë rini që nuk përkulet!
Sot studentët shqiptarë na kujtuan se kush është forca e vërtetë e këtij vendi. Në një marsh dinjitoz dhe masiv, ata u rreshtuan në mbrojtje të asaj që është më e shenjtë: dinjitetit dhe gjuhës sonë amtare.
Kur integriteti takon guximin, politikanët e “stivuar” në karriget e tyre e kuptojnë se llogaritë i kanë bërë gabim. Kërkesa e studentëve nuk është lëshime politike, por kërkesë për drejtësi – dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, e cila nuk mund të mbetet peng i burokracive apo vullneteve të mbrapshta politike.
Nuk ka pushtet që mposht dritën e rinisë. Ata që tentuan t’i nënçmojnë apo t’i heshtin, sot morën leksionin më të mirë: Vendin jua treguan aty ku e keni – jashtë vullnetit të popullit dhe larg realitetit të kësaj rinie që nuk bën kompromis me të drejtat e saj.
Zëri i tyre sot ishte kumbues: Gjuha shqipe në provimet juridike nuk është dëshirë, është ligj!(INA)