Ndarjen nga jeta të profesor Haki Bunjakut e mora me dhimbje të madhe. Ajo më rikthen në kujtesë figurën e një intelektuali të përkushtuar, pedagogu të respektuar dhe qytetari që gjatë gjithë jetës së tij mbeti i lidhur me fatin dhe të ardhmen e vendit.
Në një nga takimet e fundit që pata me të në Gjilan, pata rastin të rikujtoja nga afër thjeshtësinë dhe urtësinë që e karakterizonte. Ai u nda nga kjo jetë pa e realizuar edhe dëshirën e një vizite të përbashkët në Desivojcë dhe vazhdimin e bisedave tona për kujtimet dhe idetë rreth vendlindjes sonë të dashur, përjetimet e tij nga regjimi i atëhershëm jugosllav, si dhe për Gjilanin dhe Kosovën.
Hakiu për vite me radhë u përball me vështirësi shëndetësore, por për asnjë çast nuk u dorëzua. Ai gjithmonë dukej i qetë dhe i kthjellët, por edhe i rreptë kur vinte fjala te mbrojtja e mendimit parimor – i njëjtë si gjithmonë në mënyrën se si e shihte jetën dhe zhvillimet në vend.
Bisedat tona natyrshëm ktheheshin te përjetimet e së kaluarës: te vitet kur ai ishte arsimtar në Desivojcë dhe më vonë profesor në Gjilan, por edhe te realiteti politik, ekonomik dhe shoqëror në Gjilan, në Kamenicë dhe në gjithë Kosovën. Largimi i detyruar i tij nga vendlindja mbeti për të një plagë e rëndë, sepse ai e donte arsimin, nxënësit e tij, kulturën dhe zhvillimin e Kosovës, si dhe emancipimin e trevave tona. Mirëpo regjimi jugosllav, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve të tij që flisnin shqip, ia ngushtoi hapësirën e veprimit intelektual dhe ai u detyrua të marrë rrugën e emigrimit.
Deri në frymën e fundit të jetës së tij jetoi në Zvicër, por me mendje dhe shpirt mbeti gjithmonë te vendlindja dhe te Gjilani.
Si çdo herë, Haki Bunjaku shprehte shqetësimin dhe përkushtimin e tij për zhvillimin e vendit. Ai dëshironte që Kosova të përparonte më shpejt, që gjendja ekonomike dhe sociale e qytetarëve të përmirësohej dhe që shoqëria jonë të ndërtonte më shumë respekt për njerëzit që i kanë shërbyer me ndershmëri vendit të tyre. Ishte zëri i një intelektuali që nuk fliste për interes personal, por për të mirën e përgjithshme.
Profesor Hakiu ishte nga ata njerëz me të cilët bisedat nuk mbaronin lehtë. Ato mund të zgjasnin me orë të tëra, sepse ai kishte përvojë, kujtesë dhe mbi të gjitha një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj shoqërisë. Breza të tërë nxënësish e studentësh e mbajnë mend si një profesor serioz, të drejtë dhe të përkushtuar ndaj dijes dhe edukimit.
Sot, kur ai ka kaluar në botën e amshueshme, mbetet kujtimi për një figurë që përfaqësonte tipin e intelektualit të heshtur, por të qëndrueshëm në bindjet e tij – një njeri që e deshi vendin e vet dhe që përpiqej gjithmonë të shihte përpara.
Shoqëria jonë ka nevojë të kujtojë dhe të nderojë figura të tilla, sepse nëpërmjet tyre ruhet memoria morale dhe qytetare e një kohe.
Kujtimi për profesor Haki Bunjakun do të mbetet i respektuar ndër ata që e njohën dhe ndër brezat që ai edukoi.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.