Më 26 shkurt 1951, në një nga netët më të errëta të historisë së pasluftës shqiptare, u pushkatua pa gjyq shkencëtarja e shquar shqiptare, Sabiha Kasimati.
Ishte vetëm 39 vjeç. E vetmja grua në listën e 22 intelektualëve të dënuar me vdekje pas incidentit të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë. U ekzekutua pranë urës së Beshirit dhe u hodh në një varr të përbashkët, si për t’u zhdukur jo vetëm trupi, por edhe kujtesa. Sot, 75 vjet më pas, emri i saj është rikthyer si simbol i dijes së vrarë dhe i dinjitetit që nuk u përkul. E lindur në Edirne më 1912, vajza e një mjeku shqiptar, Sabiha u rrit në një familje ku kultura shqiptare dhe ajo evropiane bashkëjetonin natyrshëm. Kur familja u kthye në atdhe, ajo u bë vajza e parë që ndoqi Liceu Francez i Korçës, institucionin më elitar të kohës.
Shkëlqeu në mësime, zotëronte disa gjuhë të huaja dhe spikati për karakterin e fortë e mendimin kritik. Në vitin 1936 fitoi bursë për studime në Itali, në Università degli Studi di Torino. U diplomua me rezultate maksimale dhe mbrojti doktoraturën me një temë që do të mbetej themelore për shkencën shqiptare: studimin e faunës së peshqve të ujërave të ëmbla të Shqipërisë. Në një kohë kur prania e grave në shkencë ishte përjashtim, ajo u kthye në atdhe jo për karrierë personale, por për t’i shërbyer dijes kombëtare. Kasimati konsiderohet themeluese e ihtiologjisë shqiptare. Punoi në Institutin e Shkencave, realizoi kërkime në terren, studioi liqenet, lumenjtë dhe biodiversitetin e vendit.
Vepra e saj “Peshku i Shqipërisë” mbetet një gur themeli për studimet e mëvonshme biologjike. Por si shumë intelektualë të formuar në Perëndim, ajo nuk ishte thjesht një studiuese e përkushtuar. Ishte mendje e lirë. Dhe mendja e lirë, në Shqipërinë e fillimviteve ’50, ishte rrezik. Pas shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë, regjimi i Enver Hoxha reagoi me terror. U hartua një listë me 22 intelektualë që do të pushkatoheshin pa gjyq, si “armiq të popullit”. Mes tyre ishte edhe Sabiha Kasimati. Nuk pati proces gjyqësor. Nuk pati mbrojtje. Nuk pati prova. Vetëm një vendim politik për të frikësuar shoqërinë dhe për të dhënë një mesazh: askush nuk ishte i paprekshëm, as shkenca, as gratë, as elita. Natën e 26 shkurtit 1951, ajo u ekzekutua pranë urës së Beshirit. Trupi iu hodh në një varr të përbashkët. Për dekada, familja dhe shoqëria nuk patën as varr ku të vendosnin një tufë lulesh.
KUSH ISHTE SABIHA KASIMATI
Sabiha Kasimati, e bija e doktor Abdurrahman Kasimati, u lind më 15 shtator 1912 në Edirne të Turqisë. Familja zhvendoset në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta. Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931, duke qenë vajza e parë që kreu atë lice.
Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Drejtuesit e Universitetit i ofruan asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe. Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945.
Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, apo profesor Stanisllav Zuber (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri). Ndërsa kryente studime të thelluara dhe botonte libra në fushën e shkencave biologjike, Sabiha Kasimati u bë dëshmitare sesi lufta e klasave po merrte jetët e intelektualëve të vendit që dyshoheshin për qëndrime kundër sistemit komunist që ishte kthyer në një makineri gjakatare. Kasimati shprehej hapur kundër sistemit që në vitet e para kur u ekzekutua grupi i parë i deputetëve. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.
Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”. Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim. “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët? Por Enveri iu përgjigj: ‘Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin”. Pas pak ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë gjatë një bisede mes tyre i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.
VENDIMI PËR ELIMINIMIN
Vendimi për ekzekutimet e 22 intelektualëve u mor në Byronë Politike të PPSH, në mbledhjen e datës 20.02.1951. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe byroja ia miratoi njëzëri, bashkë me komandantin (E. Hoxhën), pra, i kishte duart e lira. Pa miratimin e diktatorit, nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke u vënë nga një kryq përpara. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Pas shpërthimit të një kallëpi dinamiti në ishAmbasadën Sovjetike, (që dyshohet se ishte vepër e Sigurimit të Shtetit), u urdhërua arrestimi i rreth 300 personave.
Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Arrestimet që u bënë menjëherë, sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër arrest të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër arrestimet dhe procesverbalet e “gjykimit”). Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.(Arkivi i Ministrisë së Brendshme). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951 dhe u dënuan me vdekje. Mes të ndaluarve dhunshëm, në mes të natës, ishte edhe Sabiha Kasimati. Për katër ditë u torturua në mënyrën më të egër në Hetuesinë e Tiranës, deri në mbrëmjen e 26 shkurtit. Me një fletë në duar që mbante firmën e Mehmet Shehut, hetuesit shkuan qeli më qeli dhe “përzgjodhën” 22 persona, mes tyre ishte edhe Sabihaja. Vendimi ishte marrë me propozim të Enver Hoxhës dhe miratim nga e gjithë elita e Byrosë Politike e kohës. Ata duhet të ekzekutoheshin pa gjyq, ndërsa familjet e tyre të internoheshin në zona të thella të vendit.
Në momentin e pushkatimit në fshatin Mënik të Tiranës, banorët kujtojnë britmat e Sabiha Kasimatit, pasi e kuptoi se po pushkatoheshin. Dyshohet se plumbat e parë të batareve së armëve nuk e vranë Sabihanë, më pas e goditën me qytat e armëve. Mbi të, edhe 21 trupat e tjerë u hodh një pirg dheu për t’i varrosur masivisht. Diktatori Enver Hoxha nuk vrau vetëm një grua intelektuale dhe shkencëtare në fushën e saj, por zhduku përgjithnjë edhe një dëshmitare që njihte mirë të shkuarën e tij të errët. Emri i saj duhej fshirë përgjithnjë, kjo edhe për një motiv “kryesor”, jo vetëm si e dyshuar për qëndrime antikomuniste, por si një intelektuale që e njihte mirë Enver Hoxhën dhe veprimtarinë e tij në kufijtë e perversitetit. Diktatori Enver Hoxha dhe Sabiha Kasimati kishin studiuar të dy në Liceun Francez në Korçë dhe për më shumë ishin nga Gjirokastra. Më pas secili prej tyre kishte marrë rrugë të tjera deri në ekzekutimin barbar të shkencëtares Sabiha Kasimati.
VJEDHJA E VEPRËS
Tragjedia nuk mbaroi me pushkatimin. Gjatë regjimit komunist, studimet dhe dorëshkrimet e saj u botuan me emra të tjerë. Kontributi i saj u zhvesh nga autorësia. Emri i saj u zhduk nga tekstet, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Ishte një vrasje e dytë – ajo e kujtesës. Vetëm pas rënies së komunizmit figura e saj nisi të rivlerësohej. Dokumentet dolën në dritë. Emri iu kthye veprës. Në 60-vjetorin e vrasjes, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, një akt simbolik që nuk e zhbën krimin, por e rikthen dinjitetin. 75-vjetori i ekzekutimit të Sabiha Kasimatit nuk është vetëm një datë përkujtimore. Është një pasqyrë për mënyrën si një regjim mund të frikësohet nga dija. Si mund të trembet nga një grua e arsimuar, e pavarur, e pakompromis.
Në historinë shqiptare ka shumë figura të persekutuara, por rasti i saj mbetet i veçantë: një shkencëtare e re, me formim evropian, që zgjodhi të ndërtonte shkencën kombëtare dhe u pushkatua pa gjyq. Sot, kur flasim për barazi gjinore, për fuqizim të grave në shkencë, për integrim evropian, emri i saj duhet të jetë më shumë se një pllakë përkujtimore. Duhet të jetë pjesë e teksteve shkollore, e laboratorëve, e bursave që mbajnë emrin e saj. Sepse historia e Sabiha Kasimatit është historia e një Shqipërie që mund të kishte qenë ndryshe. Diktatura e pushkatoi trupin. Por 75 vjet më pas, emri i saj jeton si kujtesë, si ndërgjegje dhe si sfidë për të mos lejuar kurrë më që dija të shpallet armik.
Ai urdhër i lëshuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për pushkatimin e 22 personave si të “akuzuar” për terrorizëm, nuk vrau vetëm ata njerëz, fati i të cilëve ishte i destinuar të fundosej nga armët e regjimit. Sistemi nuk u mori vetëm jetën atyre, por goditi dijen, sulmoi intektualizmin dhe rrënoi klasën e pasur. U gjet si shkak hedhja e një bombe në ish-Ambasadën e Bashkimit Sovjetik për të nisur spastrimin e njerëzve të ditur specialistë në fusha të ndryshme, që dyshoheshin si kundërshtarë të sistemit komunist. Duke analizuar se çfarë personifikonin të pushkatuarit 26 shkurtit 1951, u kuptua qartë se që të gjithë ishin rrethuar nga lapsi i kuq dhe pritej vetëm momenti që t’u dorëzoheshin për pushkatim agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Formimi profesional i shumë prej të pushkatuarve tregoi se nuk ishte vetëm një krim i zakonshëm nga dosja e zezë e komunizmit, por plumbat e derdhur mbi trupin e 22 personave synonin të vrisnin frymën antikomuniste.
/Gazeta Panorama