nju jorku është magazina më e madhe e vdekjes
plot mjeshtër dhe çirakë punojnë ditë e natë për ta ngjallur
i ka dalë punë me infarktin, hemoragjinë, depresionin e madh
përsosen makineritë dhe aparaturat me teknologji të re
e gjithë kjo punë vigane bëhet që vdekja të ngjallet
duan të sjellin vdekjen në jetë, vdekjen dhe ferrin ta kthejnë në show
se vdekja kishte vdekur dhe jetës i mungonte pupla egjiptiane e peshores
që vë në provë drejtpeshimin absolut
po të vdesë vdekja nju jorkut do t’i mungojë e vërteta
se ai rron me të përsosurën që s’u be dot e tillë
për të përpiqet nju jorku
të kolaudojë dhe zotin në qiell, i cili dërgon mistikën e tmerrshme
shpejt kujto vdekjen me një shenjë diskrete, se vdekja do të sjellë përsosjen
dhe ai po punon ditë e natë t’i kujtojë njeriut të thjeshtë
se nxitimi i tij për të fituar para nuk do të thotë përjetësi
se nju jorku e bën përpjekjen po prap miti i gilgameshit mbetet
mësim i përjetshëm i vdekjes
dhe i jetës
nju jorku ka vdekur me kohë që të fitojë të mistershmen jetë
siç e do ai, të pafundme, të pandërprerë, të mallkuar dhe të mirë
dhe i vdekur ngjallet dhe bashkë me ngjalljen vdekjen vdes dhe bashkë me vdekjen jetën lind
kështu i shkon më tepër nju jorkut, këtij gjiganti të përjetësisë
po përjetësi s’ka
e tha gilgameshi këtë mistikë
e tha prej kohësh që s’mbahen mend
po s’është gabim që nju jorku të përpiqet dhe një herë
t’ia fillojë nga ngjallja e vdekjes
të kuptojë misterin
prej vdekjes si lind jeta
dhe ta mbërthejë jetën dhe vdekjen ta lerë të shkojë në errësirën absolute
me jetë të mbërthyer si gilgamesh teknologjik
shekujt t’i përshkojë
dhe t’i mund!
po kjo ëndërr është ende
se nju jorku nuk zgjohet
se nju jorku nuk fle
gjithmonë fiton
gjithmonë humb
nju jorku