Një kafene mes gjelbërimit dhe qetësisë së Liqenit Artificial të Tiranës ishte prej vitesh vendi i preferuar i gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Çdo mëngjes Kadarenë do e gjeje pikërisht aty te “Juvenilja”, ku përpos kafes së mëngjesit, ai takonte miq e admirues së tij.
Kafja e fundit e Kadaresë në këtë vend u konsumua të hënën e një dite qershori. Pikërisht më 24 qershor 2024, një javë para se zemra e tij të ndalonte së rrahuri. Ndërsa sot, më 28 janar, në ditën kur ai do të mbushte 90 vjeç, miqtë, familjarët dhe shoqja e tij e jetës, Helena Kadare, e kanë përjetësuar kujtimin e tij përmes një statuje, pikërisht në vendin ku ai ulej çdo ditë për të shijuar kafen.
Helena Kadare, gruaja e shkrimtarit u ul sot pikërisht në tavolinën që ai ulej gjithmonë për të “konsumuar” kështu një kafe të “fundit” me Kadarenë.
Kjo skulpturë u derdhur në bronz u realizua me mjeshtëri nga skulptori Henri Nimani, ndërkohë që ideja ka qenë e aktorit të mirënjohur Timo Flloko, me mbështetjen dhe bekimin e miqve të familjes Kadare.
Sot, kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.
Kadare ka lënë pas një trashëgimi të vyer, dhjetëra libra, shkrime e poezi, një identitet për kohën dhe atëherë kur për popullin ishte e pamundur të shihte përtej kufijve. Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, Ismail Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.

Fjala e Zonjës Helena Kadare.
Te nderuar dhe te dashur miq dhe dashamirës ,
Inisiativa e miqve te familjes sone, Behar Male, Skender Brataj dhe Timo Flloko, per te përkujtuar sot ketu, ne diten e ditëlindjes se Ismailit, me kete shtatore te mrekullueshme, veper e skulptorit te talentuar, Henri Mimani, me obligon t’ju shpreh nje mirenjohje te thelle shpirterore dhe nje vlerësim po aq te thelle familjar.
Do te ishte dashur te ishte ketu, bashke me mua edhe familja ime, vajzat e mia, mbesa dhe nipi im, sikurse dhe dhendri. Por pikerisht sot, ne Paris, po zhvillohet ceremonia e vendosjes se nje pllake perkujtimore me emrin e Ismailit, ne porten e banesës ku ne jetuam per 34 vjet, ne Boulevard Saint Michel Nr.63 , ku dhe u shkrua nje pjese e rendesishme e vepres se tij. Me kete rast, dua t’i shpreh nje mirenjohje te thelle Frances per kete nderim te posacem si dhe per mikepritjen dhe vlerësimin qe ajo i beri Ismailit ne tere keto vite te qëndrimit tone atje.
Natyrisht, kur behet fjale per figuren e Ismail Kadarese, une jam e ndjeshme ndaj te gjithe atyre qe e kane dashur dhe vleresuar vepren e tij letrare .
Ismail Kadare eshte nje shkrimtar shqiptar , qe e ngriti metaforën e tij letrare ne nivelin e frymëmarrjes kombëtare, qe do te thote se ai e përshkroi ne vepren e tij fatin e shqiptarit dhe te Shqiperise ne tere rrjedhen e historisë se saj.
Te gjithe e dime se historia jone ka qene lufte per te mbijetuar, per te ekzistuar ne tallazet dramatike dhe shpesh tragjike te jetes se saj.
Ashtu siç mbijetoi shqiptari dhe Shqiperia, mbijetoi edhe vete Ismaili, jeta e te cilit, ne thelb, ishte jeta e Shqiperise qe kerkonte liri, barazi dhe progres, per te qene ne nje radhe ne perparimin botëror, ne themelet e te cilit qendron edhe Historia jone.
Edhe nje here falemnderit dhe respekt per ju te gjithe.