Në tre pasditet e ditëve të Hëna të njëpasnjëshme, më 17 dhe më 24 Nëntor sikurse edhe në atë të 1 Dhjetorit, socialisti Taulant Balla patronazhon apo dhe mbase e ka detyrë partie të numërojë pjesëmarrësit në Foltoren e Berishës përpara ndërtesës së kryeministrisë. Nuk mund ta gjesh hë për hë arsyen dhe pasionin e këtij politikani të lartë të PS si Kryetar i Grupit Parlamentar që mesa duket punon deri në orët e vona në zyrat e ish KQ të PPSH*. Madje dhe në këto tre dalje ai ka këndin më të mirë nga çdo grup tjetër xhirimi mbi bulevard. Zyrën Muze të Enver Hoxhës. Prej aty merr frymëzimin nostalgjik dhe nis e i numëron pa përjashtim të gjithë tubuesit pranë Berishës. Por jo vetëm i dhënë pas numrave, vërtetësia e statuseve të menjëhershme në rrjetet sociale nxisin komentet. Në të treja herët me plot zell ATSH-ja i përcjell si lajme zyrtare (ashtu direkt copy-paste nga FB. Ku edhe fjala dasma/dasmë bëhet dasëm). Ky motivim dhe veprimet e Ballës janë plotësisht të justifikuara kur ai tregon se sa energji shpenzon për të monitoruar dhe bllokuar kundërshtarin në seancat e Kuvendit, ku shpesh gjak nxehja e debatit dhe mohimi i fjalës së opozitës në foltoren brenda rrethohet me gardistë (kujtoni dy kryetaret Nikolla e Spiropali dhe së fundi kryetarin Peleshi), por edhe pas Kuvendit nga zyra e të parit të byrosë politike komuniste.
Në të tria herët Taulant Balla për të mos qënë përsëritës i të njëjtit mesazh me statuset, ka marrë ndihmë editoriale me titujt propagandë që ia ka përshtatur ATSH-ja dhe ku ndjehet një penë përshkallëzuese nga ironia politike tek gjoja humori shkodran dhe nga humori në gjeopolitikë.
Titujt e kuruar janë:
Balla: Protesta, Berisha ia doli ta fundosë PD
Balla për protestën e opozitës: Sot nuk erdhën dot ca nga krushqit e javës së kaluar
Balla për protestën e opozitës: Më pak “krushq”, shpallën armiq aleatët amerikanë
A t’i jetë bërë ves thua?
Apo vënia në lojë e opozitës pasdite i jep më shumë kredi Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS në këtë periudhë ku ngjarjet e rënda të korrupsionit kanë përfshirë majën e qeverisë?
Le të presim të Hënën e ardhshme.
Përshtypje publikut nuk janë më statuset e Ballës, por organizimi i kohës dhe i angazhimeve të tij ndërmjet të Hënave dhe seancave plenare të Kuvendit. I zgjedhur gjashtë herë që prej 2005 Taulant Balla është jo vetëm Kryetar i Grupit Parlamentar të PS për së dyti, por ai ka ndërruar dhe ka provuar poste afatshkurtra si ai i Ministrit të Brendshëm (2023-2024) dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (2024-2025), pa harruar se krah detyrave politike të PS, Z. Balla në jetëshkrimin e tij përshkruhet se është drejtues politik i Partisë Socialiste për të gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë. Pikërisht ky funksion i tij na bën të kuptojmë se përse jo vetëm mes tre të Hënave, ai ka mundësi të jetë në stadiume ku luan kombëtarja shqiptare e futbollit (Andorra), të gjindet mes bizneseve të bashkatdhetarëve në qytete të Italisë apo në Londër, sikurse ta marrë edhe “ministren” Diella për ta paraqitur në Athinë.
Ja se si jepet një fragment lajmi prej ATSH-s më 21 Nëntor, 2025 “Bashkë me Ministren Diella sonte Athinë, në Festën Kombëtare të Shqipërisë për t’u takuar me ministra të qeverisë greke, deputetë, ambasadorë dhe shumë motra dhe vëllezër shqiptarë që jetojnë në Greqi”.
Në se duket një realitet apo shfaqje absurde bashkë publiku s’ka përse ndjejë keqardhje për kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria në qoftë se hesht, sepse të tillë përfaqësues dolën nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025. Edhe sikur Foltorja e Berishës, tubimet e demokratëve dhe të opozitës siç kundërshtarët e etiketojnë, ndërgjegjësimi i publikut mjafton të reagojë kundër propagandës dhe të zgjohet përpara shkallës së re që kanë arritur korrupsioni dhe krimi. Të ndjejnë se stabiliteti i vendit preket edhe nga fenomene natyrore të zakonshme që shndërrohen në fatkeqësi dhe emergjenca sepse korrupsioni dhe përvetësimet e paligjshme kanë gërryer gjithshka. Thellimi i varfërisë dhe i shpopullimit, po ashtu edhe mplakja e popullatës, shërbimi i dobët shëndetësor dhe formimi i cunguar arsimor i brezit të ri bëhen pjesë e një krize më të madhe ekonomike e shoqërore ku shtetasit nuk kanë më një të ardhme të sigurtë, sepse tek e fundit kjo kategori politikanësh është lejuar të dalë disa herë nga zgjedhjet. Dhe pushteti që është shtrënguar gjithnjë e më shumë tek parti-shteti, gradualisht veç të tjera lirive që i ndërpret përmes taksave, gjobave dhe frikës si qëllim kryesor ka ndalimin e fjalës e lirë.
________________
*KQ të PPSH- Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë- njihet si organi më i lartë politik i periudhës mes dy kongreseve. Dora e fortë që udhëheq, kontrollon të gjithë veprimtarinë institucionale dhe median, zgjedh Byronë Politike për të siguruar drejtim (pushtet), të pandërprerë.

1 Dhjetor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)