Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detajet në lidhje me operacionin e përbashkët antidrogë me Prokurorinë e Brescias, në kuadër të së cilit u godit një grup i strukturuar kriminal , i dyshuar për trafik droge e pastrim parash.
SPAK bën me dije se në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 24 urdhër arreste prej të cilave janë ekzekutuar 10 prej tyre, mes të arrestuarve edhe Oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, si dhe shtetasit, Asti Llupi, Erald Salla, Altin Shehaj.
Si funksiononte grupi kriminal
Sipas organit të akuzës, ky grup i strukturuar kriminal, i nisur nga territori shqiptar me degëzime organike në territorin italian, dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në Europë (pjesën veriore të saj), përmes rrugëve detare, duke e eksportuar, përmes rrugëve tokësore në automjete të tonazhit të rëndë, drejt Italisë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, në një vlerë mbi 1.300 kg. Kjo sasi pasi ka hyrë në territorin italian, dyshohet se është ruajtur dhe magazinuar, për t’u shpërndarë në 6 baza logjistike operative, të krijuara nga grupi kriminal, në të gjithë territorin italian.
Në brendësi të këtyre bazave që përdoreshin për për ruajtjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike, personat përgjegjës, dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e sasive të lëndëve narkotike dhe me mbledhjen e parave ‘cash’, të përfituar nga shitja.
Shuma e konsiderueshme e parave të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike dyshohet se është transferuar tek drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’ (korrierë /transportues financiarë), të cilët bëjnë pjesë në grupin kriminal, ku bënin pjesë edhe disa shoferëve të autobuzëve, që vepronin në linjën Itali- Shqipëri.
Roli i oficerit Igli Haxhiaj
Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat provojnë se shtetasi Igli Haxhiaj, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale për procedimin penal në fjalë u ka zbuluar personave të dyshuar, të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor”.
Sipas organit të akuzës, Igli Haxhiaj, ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.
Ndërkohë sipas burimeve për mediat, në momentin e ekzekutimit të urdhrit, Haxhiaj ndodhej në ambientet e Akademisë së Policisë, ku ishte i angazhuar në një kurs tre-mujor specializimi për Antiterrorin.
Masat e sigurisë
Sipas SPAK, për 24 personat (emrat e të cilëve ende nuk bëhen me dije të gjithë) është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane teksa është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri, 3 prej të cilëve janë arrestuar, konkretisht:
-Asti Llupi,
-Erald Salla
-Altin Shehaj.
Ndërkohë, përveç masave të sigurisë, të caktuara sot, gjatë veprimtarisë hetimore të kryer nga autoritetet italiane janë arrestuar në flagrancë 10 subjekte, të cilat janë pjesë e grupit kriminal.
Sekuestrimet
Nga ky operacion janë sekuestruar:
-Mbi 550.000 euro ‘cash’
-10 autovetura
-1 pistoletë gjysmë-automatike
-130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë) e cila në rast se do të hidhej në treg mund të arrinte vlerën e rreth 12 milionë eurove.BN