Ka kohë që shoqëria në tërësi dhe veçanërisht fëmijët, të rinjtë dhe adoleshentët janë vënë nën një “bombardim të egër” dhe shoqëruar me sulmin e ashpër të deformimeve të sjelljes sociale dhe perceptimeve individuale për seksualitetin dhe pornografinë. Efektet dëmtuese të shëndetit social të shoqërisë dhe mënyrës së ndërtimit të raporteve individuale me seksualitetin, “vojerizmin seksual” dhe përhapjen intensive të të gjithë formave të pornografisë janë zgjeruar deri në kufijtë e një patologjie sociale. Nuk është e vetme, por përgjegjësia sociale e kësaj epidemie pornografike, e shfaqur në të gjitha format e mundshme dhe në të gjithë sistemin e komunikimit social, është një nga faktorët që po ndikon në deformimin ekzistencial të sistemit të kulturës qytetare, disiplinës seksuale, lidhjeve dhe marrëdhënieve intime. Është e vërtetë që në sistemin e vlerave, normave morale dhe fenomenologjisë së jetës seksuale në shoqërinë shqiptare, në këto tri dekada e gjysmë kanë ndodhur ndryshime thelbësore konceptuale, bërë përmbysje të raporteve të njeriut me kulturën seksuale dhe jetën intime, të paimagjinuara më parë në këto përmasa.
Ka shumë komponentë që kanë lidhje dhe ndikim të fortë ekzistencial në mënyrën, format dhe problemet e erotizmit, që kanë sjellë forma të reja të strukturës së lidhjeve erotike dhe disiplinës së jetës seksuale, të cilat në epokën e lirisë dhe të drejtave të zgjeruara të njeriut janë bërë më dinamike, të lëvizshme, të ndryshueshme. Shpesh kaotike e të paqarta dhe jo aq shumë të lehta për t’i përkufizuar nga pikëpamja sociale dhe optikë sociologjike. E gjithë kjo situatë është e shfaqur sidomos në një fenomen të dukshëm, sikurse është realiteti i zgjerimit të pornografisë, kinematografike, televizive dhe virtuale përmes rrjeteve sociale. Sipas filozofit Jean Boudrillars (Zhan Bodrijar), pornografizimi i shoqërisë është një fakt dhe realitet social që shfaqet në zgjerimin e përmasave të pornografisë deri në “nivelet e obezitetit” maksimal të saj. Kjo është ana e dukshme materiale e dimensioneve empirike të pornografisë, e cila ka vendin e vet kur aplikohet me sens mase e kulturë qytetare, si mjet kulturor, mbase esencial në lidhjet dhe marrëdhënie e kënaqësisë intime, përmes përdorimit të saj të kufizuar në hapësirë dhe kohë, duke e dimensionuar atë në kufijtë e shijeve personale dhe nevojave të vojerizmit individual. Por realitete flasin ndryshe dhe raportet e njeriut me pornografinë janë bërë toksike, të deformuara dhe me pasoja morale, psikologjike, shëndetësore e sociale. Ndikimi i pornografisë është bërë shumë i gjerë.
Ai ka dalë përtej kornizave të evidentimit empirik dhe përkufizimit nominal të termit, ka marrë zgjerim në hapësirat sociale, është bërë një “limfë” që shfaqet gjerësisht në jetën e përditshme, në ekrane dhe ambiente të argëtimit social dhe intim, saqë me të drejtë sociologët e kohës postmoderne, kanë filluar ta sintetizojnë këtë situatë sociale si shfaqje të një përmase të re, që ata e konsiderojnë si tendencë për “pornografizimin e shoqërisë” në tërësi. Kjo do të thotë se në jetën e sotme shoqërore, ka ndryshuar radikalisht lidhja dhe marrëdhënia midis ertotizmit dhe pornografisë, e cila “…nuk është gjë tjetër veçse përdhosje e erotizmit të vërtetë human”. Sociologët këtë fenomen e konsiderojnë si “krizë brilante të ekspozimit anormal” të elementëve biologjikë të intimitetit në publik, pa asnjë mbrojtje morale apo filtër social. Qëndrimi ynë ndaj kësaj dukurie nuk është konservator apo mesjetar. Evolucioni edhe në këtë aspekt ka qenë, por më i përmbajtur dhe më periferik në raport me nevojat e tjera të jetës sociale të njeriut. Shoqëria shqiptare e kaluar ka pasur normat e veta morale të mënyrës si operonte apo edhe ekspozonte intimitetin në ambiente sociale e private të përcaktuara.
Është e vërtetë që në shumë aspekte bota erotike e shqiptarit, ka qenë e mbingarkuar me doza të konservatorzimit dhe asketizmit, mbi “veshjes me ambalazhe morale” të rënda e konservatore të intimitetit, të rënduara përtej kufijve të lirisë dhe të drejtave të njeriut për jetën personale dhe botën e intimitetit. Por tani janë kapërcyer kufijtë e ngushtë të dikurshëm, kur seksualiteti dhe intimiteti përbënin “sekret të frikshëm” ideologjik e shoqëror, kur pamjet dhe ligjërimet për këtë “botë misterioze” ishin rrepësisht të ndaluara. Shoqëria shqiptare e kishte shumë të ekzagjeruar moralin puritan, që shtypte të gjithë komponentët e ekspozimit të intimitetit në marrëdhëniet erotike. Sot situata jo vetëm ka ndryshuar, por nga pikëpamja sociale efektet e pornografisë janë bërë më intensive dhe të agravuara, ngaqë sikurse duket, pornografia është bërë një “mall” që gjendet me lehtësi, përdoret gjerësisht, duke u kthyer në epidemi, që është vënë në dispozicion publik për përdorim me lehtësi të habitshme në çdo kohë dhe nga të gjitha moshat. Kaq shumë është rritur densiteti dhe intensiteti i shfaqjeve pornografike, saqë tashmë flitet për një fenomen social pandemik, që shfaqet si prirje konsistente që po e bën të pranueshme realitetin e përmasave shqetësuese të “pornografizimit të shoqërisë”. Duke diagnostikuar këtë situatë të ndikimit të pornografisë në jetën e sotme sociale, duke vlerësuar peshën e fenomenit të zgjerimit të kulturës së “imperializmit pornografik”, filozofi francez Alain Badiou thotë se, “Kapitalizmi e ashpërson pornografizimin e shoqërisë, duke ekspozuar çdo gjë si mall vitrine. Duke mos njohur funksionin tjetër të seksualitetit, ai e përdhos erosin në porno”. “Agonia e erosit” f. 10
Pjesa më e madhe dhe e shëndetshme e shoqërisë shqiptare e ka shqetësim dhe shpesh ka bërë reagime sociale, kulturore, pedagogjike e mediatike për deformimet që ka marrë kultura humane. Sepse lidhjet e intimitetit njerëzor, përveç faktorëve të tjerë, përfshirë edhe frytet e ëmbla e të hidhura të “importimit” të efekteve të “revolucionit seksual”, janë cenuar nga një pornografizim i ekzagjeruar, që po dëmton rëndë magjinë e intimitetit, e cila është një “botë” endemike e sociale njerëzore që ka misteret e veta, që jo domosdoshmërish janë të lidhura me ekspozimin publik. Pornografia kaotike jashtë çdo kodi të disiplinës kulturore sociale e shumëfishuar dhe e përhapur tashmë pa limit po shoqërohet me tendencat banale e pornografizimit të shoqërisë. Ajo po shkallmon esencën e intimitetit, përmes shfaqjeve banale të lakuriqësisë dhe misterin e tjetrit, duke e kthyer pornografinë në mjet për dukje, atraksion mercantilist për qëllime të tregtimit të trupit apo për konsum ekzibicional.
Pornografia e shfaqur si infeksion social dhe element i pornografizimit ka kthyer marrëdhëniet intime, relacionet erotike jashtë kufijve të intimitetit, duke i kthyer ato në marrëdhënie tregtare, publike e ekzibicionale. Kjo është arsyeja, që po përballemi me këtë zgjerim të papërmbajtur të pornografisë, rritjen e numrit të shikuesve, “admiruesve” të saj. Kjo e shoqëruar me pasoja sociale, sikurse është ulja e moshës së lidhjeve, marrëdhënieve seksuale dhe pornografike në të gjithë trajtat, format. Prandaj si sociolog ndihem i shqetësuar për efektet dhe kundërefektet e saj. Sepse si shoqëri nuk kemi asnjë imunitet që të ndihemi të mbrojtur nga fenomeni, dukuria sociale e pornografizimit të shoqërisë. Pa bërë moralin e strucit, fenomeni është evident dhe në zgjerim eruptiv. Atë e ndeshim kudo në revista e botime pornografike, që janë të banalizuara por të “justifikuara”, nën argumentimin e maskuar, e “ambalazhuar” keq me etiketën humane të përhapjes së kulturës së seksualitetit, si pjesë e kulturës së njeriut. E vërteta është ndryshe.
Në shoqërinë tonë shfaqjet e pornografisë kudo ku ai mund të shfaqet, është bërë strategji dhe modus vineti agresiv, ka dalë jashtë kontrollit human dhe përtej paradigmave morale kudo, në kanalet televizive, kinematografi, rrjetet e komunikimit social, “muret” e internetit, revista e botime specifike etj.. Nuk ka pse të mos e pranojmë të vërtetën. Kur flasim për një gjendje të “pornografizimit të shoqërisë”, kjo do të thotë se pornografia, bashkë me të ekspozimi i skenave licenzioze “live” të marrëdhënieve seksuale në ambiente publike, është epidemi që duhet të na shqetësojë. Familjen, shkollën, median, institucionet e edukimit dhe formimit publik, të gjitha në një pjesë të konsiderueshme, fajtorë dhe përgjegjës për këtë situatë të pornografizimit të shoqërisë. Sepse efektet nuk janë vetëm vizuale e psikologjike. Pornografia po bëhet një faktor, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nxit dhunën fizike, arrivizmin seksual, akseleron veprimet depresive, instiktive e autoagresive, sidomos veprimet banale, eksentrike e të pakontrolluara tek adoleshentët.
Një nga rreziqet e pornografizimit të jetës shoqërore është se pornografia nuk është një veprimtari pasive, inerte, pa ndikime në jetën sociale. Përkundrazi, ajo ka efekte për sjelljen, dinjitetin e njeriut human, për normat morale standarde, të pranuara të qytetërimit tonë, duke ndikuar në shfaqjet e dhunës sociale apo virale. Përdorimi banal, pa kriter dhe jo në vendin e duhur të erotizmit, ekzibicionet mediatike e skenat publike të intimitetit seksual është një limfë toksike, që cenon rëndë paradigmat morale tradicionale e moderne të jetës morale dhe disiplinës seksuale. Zgjerimi i patologjisë së “pornografizimit” është një mjet degradues me synime tinëzare e shkatërrimtare, që synon “asgjësimin me butësi”, me heshtje sociale, adoptim individual, pa shqetësim social të normave morale, që janë garante të shëndetit të shoqërisë shqiptare.
/Gazeta Panorama