“Putin të mos testojë raketa, por të sjellë paqen”
Publikuar 12:10, 27 Tetor 2025
Kjo është raketa “Burevestnik”, për të cilën Moska pretendon se është shkatërrimtare, fluturon deri në 14 mijë kilometra dhe godet objektiva në çdo cep të territorit të Shteteve të Bashkuara me fuqi shkatërruese.
Posedimi i një arme të tillë nga Rusia u bë publik gjatë fundjavës nga mediat ruse, përmes këtyre filmimeve, ku shfaqet shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valeri Gerasimov, teksa informon presidentin Vladimir Putin për testimin me sukses të kësaj arme.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump nuk trembet prej saj, siç shprehet në këtë deklaratë audio për gazetarët.
“Ata e dinë mirë se ne kemi një nëndetëse bërthamore para brigjeve të tyre, më e madhja në botë. Nuk është nevoja për fluturime 14 mijë kilometra. Në vend që të testojë raketa, Putin t’i japë fund luftës që e nisi sa për një javë dhe zgjati 4 vite.”
Deklaratën, Trump e bëri gjatë fluturimit me avion nga Malajzia në Japoni. Gjatë turneut në lindje të Azisë, Trump do të takohet me presidentin e Kinës (me kinezët) Shi Xhinpin, të cilit, ndër të tjera, i ka thënë se do t’i kërkojë ndihmë për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë me Vladimir Putinin.
Shfaqja e raketës “Burevestnik”, e fuqishme nga Rusia, ndodhi pasi Trump ashpërsoi qëndrimin ndaj Moskës për Ukrainën, duke i vendosur sanksionet e para ekonomike, i zhgënjyer që Putin nuk po hedh asnjë hap drejt paqes.