Prezantimi i amendamentit në mbështetje të Kosovës nga Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast, konfirmon dy gjëra shumë të rëndësishme.
Hidhet poshtë histeria e armiqve të Kosovës, kundërshtarëve politikë të qeverisë në detyrë të KM Kurtit dhe opinionistëve të shitur se me një deklaratë të pafavorshme nga Ambasada apo ndonjë zyrtar amerikan, prishen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Amerikës.
Theksohet rëndësia e aktivitetit të përhershëm të lobimit në Amerikë për të siguruar mbështetje për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, në këtë rast rezultat i punës me përkushtim të shoqatës “Albanians for America” në bashkëpunim edhe me kongresmenin e mirënjohur, mikun e shqiptarëve, Keith Self.
Interesat strategjike amerikane sajohen nëpërmjet bashkëpunimit midis Administratës aktuale dhe Kongresit të SHBA-së. Ky është një proces i vazhdueshëm që mund ta ndryshojë politikën amerikane ngadalë në varësi të interesave afatgjata të vendit, pas analizave të gjera nga ekspertët dhe zyrtarët e zgjedhur. Administrata amerikane ka hapësirë për ndryshime taktike që megjithatë synojnë të përshtaten me ato strategjike.
Paraqitja e këtij amendamenti në Kongres u dërgon një mesazh të qartë pesë shteteve evropiane që ende nuk e njohin Kosovën se Amerika nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se vonesa e tyre e paarsyeshme në njohjen e saj nuk do ta ndryshojë realitetin se Kosova është një shtet përjetësisht i pavarur.
Ky amendament, nëse miratohet nga Kongresi Amerikan, do t’i jepte një goditje të rëndë ëndrrave të kota të Serbisë dhe miqve të saj për t’u kthyer në Kosovë. Edhe nëse nuk miratohet, do të ketë rëndësi të madhe në dekurajimin e armiqve të Kosovës. Ky është amandamenti i shpresës dhe përkrahjes amerikane.
Nuk ka dyshim se Amerika është drita dhe shpresa e Kosovës dhe e gjithë kombit shqiptar. Fuqia dhe rëndësia e Amerikës janë të qarta. Por, si një vend i të gjithëve, edhe armiqtë tanë mund të depërtojnë këtu. Për t’i bllokuar ata, ne duhet të punojmë me Amerikën në mënyrë të përhershme.
Për gati katër dekada bashkëpunimi intensiv me Amerikën, Kosova ka pasur mbështetje të jashtëzakonshme, por edhe probleme, veçanërisht me degën ekzekutive, me disa zyrtarë të administratave të ndryshme. Disa të ndikuar nga Serbia, të tjerë për interesa gjeo-politike të shkëputjes së Serbisë nga Rusia, ato taktike të ruajtjes së paqes relative në Ballkan ose lënies së përgjegjësisë në kompetencat e Evropës.
Është interesante që shumë ambasadorë amerikanë që kanë shërbyer në Beograd kanë mbajtur anën e Serbisë, si Zimmerman, Eagleburger, Montgomery, Hill etj. Serbia gjithmonë ka gjetur një mënyrë për të përvehtësuar diplomatët e huaj në mënyra të ndryshme.
Megjithatë, Kosova gjithmonë ka gjetur mënyrën për të kapërcyer problemet me pak diplomatë amerikanë të padrejtë, pa u nënshtruar dhe pa dëmtuar shtetin. Aktiviteti i lobimit përmes Kongresit Amerikan e ka ndihmuar shumë Kosovën. Për këtë, për dekada të tëra, është dalluar Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga legjendat e lobimit në Uashington, Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.
Në këtë moment vendimtar, liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, duhet të vazhdojnë me guxim drejtimin që e kan filluar dhe mbajtur për gati pesë vjetë. Qëndrimet e tyre, ndonjëherë të kundërta me ato amerikane, duhet të argumentohen me respekt dhe në takime të mbyllura. Fakte kanë sa të duan.
Kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur dhe ndërtuar shtetin e Kosovës. Opozita është ende në mjegull. Ata duhet të bashkohen me pozitën kundër agresionit serb sot, sepse nesër do të jetë tepër vonë. Nesër do të pendohen.
Në fund të fundit, Amerika aspiron dhe anon nga drejtësia. Kosova është një shtet i suksesshëm i krijuar nga Amerika. Interesat tona strategjike përputhen me ato të Amerikës. Kosova dhe Amerika bashkë përgjithmonë!