Gazetari dhe fotografi Vudi Xhymshiti reagon ndaj një produksioni të Televizionit të Shqipërisë Top Channel. Në një shkrim autorial titulluar “Top Channel narrator i rremë i historisë së Kosovës”, Xhymshiti shkruan se “Top Channel nuk na informoi për sulmet në Banjë, por i maskoi ato.
Në vend të gazetarisë, ofroi spektakël sentimental. Kur e vërteta hesht, propaganda flet më qartë se kurrë. Dhe unë nuk e duroj dot.”, shkruan ai.
Më poshtë Vudi Xhymshiti kujton “muajin e përvjetorit të dytë të sulmit të Banjës së veriut të Mitrovicës, një plagë ende e hapur dhe një kujtesë e dhunshme e brishtësisë së paqes në Ballkan. Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb, i udhëhequr nga Milan Radojiçiq dhe i mbështetur nga Beogradi, ndërmori sulmin më serioz mbi sovranitetin e Kosovës që prej përfundimit të luftës.”… dhe “Në një moment të tillë, kur historia ende është e nxehtë, kur përvjetori ngre pyetje mbi të kaluarën dhe të ardhmen, mediat kanë detyrën jo vetëm të informojnë, por të dokumentojnë me integritet. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë Top Channel me një prodhim që e quan “reportazh”, një shëtitje televizive e gjatë me Grida Duman, kamera, ministri i Kosovës dhe një narrativë emocionale që i ngjan më shumë një videologu udhëtimi sesa një dokumentari me integritet gazetaresk.”
Vudi Xhymshiti nenvizon se “kjo nuk është gazetari” dhe se “produkti i Top Channel nuk është gazetari. Ai nuk ka strukturë hulumtuese që e kërkon të vërtetën, nuk ka kontekst historik, nuk ka burime të pavarura. …Në vend të pyetjeve, kemi konstatime emocionale. Në vend të analizës, kemi koment të shpejtë.”
—–
Vudi Xhymshiti
London-based Photographer & Journalist
Founder of VX Pictures – https://www.vxpictures.com, THE FRONTLINER Magazine — https://frontliner.uk, and Gunpowder Chronicles — https://www.thegpc.uk/about