Të dashur vëllezër dhe motra.
Mos të vetë mashtrohemi, situata është kritike. Kam frikë se po ecim drejt një gabimi kardinal dhe historia nuk do të na falë këtë gabim.
Nuk gjej asnjë kënaqësi, përkundrazi ndihem shumë keq, kur kolegëve të mi shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese, njerëzve të gjakut tonë, ju drejtohem me fjalët “vejani gishtin kokës dhe kujdes nga gjykimi dhe dënimi i popullit”. E di mirë sa të rënda janë këto fjalë, prandaj ato fjalë më dalin vetëm si klithma të fundit të një shtrëngimi e sikleti të madh që ndiej në shpirt.
I njoh mirë këta pesë gjykatës shqiptarë dhe e di që nuk janë më patriotë se unë apo ju, e di që nuk ia mendojnë të keqen këtij populli, por, si produkt i një shkolle juridike që i ka mësuar të mendojnë vetëm në një formë të caktuar e pa kujdes ndaj detajeve kritike, të mbështetur edhe nga dalldia e inateve primitive që ka krijuar kjo krizë politike, kam frikë se janë duke ecur drejt një vetë mashtrimi kardinal, e që historia nuk do ta gjykojë ndryshe pos si një akt i rëndë tradhtie.
Po ashtu nuk ndihem mirë që zotëri Lumir Abdixhikut, Kryetarit të LDK-së, partisë që është hisedarë prijatarë në themelimin e këtij shteti, ndihem i detyruar t’ia tërheq vërejtjen që të mos ecë rrugës së Esat Pashizmit. Unë e di që Lumiri nuk është një shqiptar i keq dhe as nuk është tradhtar. Kushdo që i ka lexuar fjalimet e Esat Pashait në parlamentin osman e kupton lehtë që ai njeri nuk ka qenë më pak shqiptar se rivali i tij Ismail Qemajli, por historia Esatin e gjykon si tradhtar për shkak se i udhëhequr nga interesat e tij të ngushta për pushtet ka çuar ujë në mulli të armikut.
Bashkangjitur me këtë shënim timin do ta gjeni një tabelë krahasuese me 38 shtete evropiane, ku janë të paraqitura detajet e rregullimit kushtetues të procedurës së konstituimit të Kuvendit. Në versionin PDF, këtë tabelë do t’ia shpërndajë të gjithë gazetarëve dhe kujtdo tjetër që mundem.
Në këtë tabelë do të mund të shihni që, në të gjithë Evropën, mos zgjedhja e menjëhershme e njërit prej nënkryetarëve të Kuvendit e pamundëson vetëm konstituimin e parlamentit të Bosnje dhe Hercegovinës. Dhe kjo ndodh sepse Bosnja dhe Hercegovina është e organizuar si një shtet multietnik, pra një shtet i komuniteteve të barabarta etnike.
Edhe Belgjika është një shtet multietnik, por, meqenëse flamanët, valonët dhe gjermanët janë pak më normal se ne ballkanasit, ata kanë rënë dakord që mos ta teprojnë me mekanizma bllokues me fuqi vetoje, prandaj proceset atje ecin para vetëm me zgjedhjen e Kryetarit ndërkaq Kryesia e Kuvendit mund të plotësohet edhe më vonë.
Bosnja dhe Hercegovina aplikon formën më rigide, si produkt i një mosbesimi absolut mes komuniteteve të ndryshme etnike, prandaj atje edhe aplikohet parimi që pa zgjedhjen e përfaqësuesit të vetëm njërit komunitet etnik nuk vlen as zgjedhja e dy përfaqësuesve nga dy komunitetet e tjera etnike. Pak a shumë si ai konstatimi fatkeq i Lutfi Hazirit se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u realizuar të drejtat e të gjitha palëve.
Ky parim për të cilin flet Lutfi Haziri vlen në Bosnjë dhe Hercegovinë, por nuk vlen në Kosovë sepse ne nuk jemi një shtet multietnik si Bosnja dhe Hercegovina. Ne jemi vetëm një shoqëri multietnike brenda një shteti unitar.
Kuptojeni që kushtetuta është një dokument i menduar mirë dhe jo me vakume imagjinare kushtetuese. Profesor Arsim Barjami, edhe pse çuditërisht e ka zgjedhur heshtjen, ka shumë të drejtë kur thotë që kushtetutën e kemi shkruar për t’u përdorur nga njerëz të rritur e të përgjegjshëm që bëjnë lexim te drejtë dhe jo që shpikin gjëra në rrugë e sipër e pastaj e fajësojnë kushtetutën.
Kushtetuta është në rregull, ju jeni ata që nuk janë në rregull!
Paragrafi 1 i nenit 1 të Kushtetutës e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. Ky formulim, i pari në hierarkinë e brendshme të kushtetutës, është shtylla e një shteti unitar që sovranitetin e vet nuk e ndan me askënd dhe kjo vlen si në formë ashtu edhe në përmbajtje.
Paragrafi 2 i nenit 1 të Kushtetutës e përcakton Kosovën si shtet të shtetasve të vet dhe jo shtet të komuniteteve të veta etnike, pra Kosova është shtet i qytetarëve të barabartë dhe jo i komuniteteve etnike të barabarta. Pra, Kosova nuk ka sistem konsocial të organizimit shtetëror siç është Bosnja dhe Hercegovina, si rasti më rigid i këtij organizimi shtetëror, apo Belgjika si një rast më i butë. Neni 3 e përcakton qartë që Kosova është vetëm shoqëri multietnike dhe nëse nenin 3 e lexoni me kujdes do ta shihni që aty e kemi vendosur që shqiptarët janë të parët në mesin e të barabartëve.
Në shtete unitare, ku bën pjesë edhe Kosova, për gjithçka vendos shumica, përpos në rastet ku vetë shumica vendos që fjalën e fundit ta delegojë te pakica. Në mesin e shteteve unitare, ky rregullim specifik i delegimit të fjalës së fundit nga shumica te pakica ekziston vetëm në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut që të dyja janë shtete unitare, ku komuniteti shumicë është pajtuar, që për çështjet që prekin direkt interesat e komuniteteve etnike jo shumicë, të aplikohet parimi i Badinterit si mbrojtje nga majorizimi. Në Kosovë ky parim aplikohet te ligjet me interes vital dhe te procesi i çfarëdo ndryshimi kushtetues. As edhe një presje e vënë gabim nuk mund të hiqet nga kushtetuta pa pëlqimin edhe të deputetëve serb.
Nëse e shikojmë me kujdes, Kosova është shumë më liberale se Maqedonia e Veriut. Edhe pse në Maqedoni të Veriut shqiptarët janë rreth 30% e popullsisë, ata nuk e kanë fjalën e fundit në procesin e të gjitha ndryshimeve kushtetuese. Shqiptarët mund t’i bllokojnë vetëm ato ndryshime kushtetuese që i prekin të drejtat që kushtetuta ua garanton, ndërkaq për ndryshime të tjera ata mund të mos pyeten fare. Pos kësaj, në Kosovë gjuhë e shtetit është shqipja dhe serbishtja, si dy gjuhë plotësisht të barabarta, ndërkaq në Maqedoni të Veriut gjuha e shtetit është vetëm maqedonishtja kurse shqipja është vetëm gjuhë në përdorim zyrtar sipas parakushteve të caktuara të definuara me ligj.
Në Maqedoni, shqiptarët nuk e kanë fuqinë që ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit nëse për çfarëdo arsye nuk zgjidhet dot përfaqësuesi i tyre në Kryesinë e Kuvendit. Nëse maqedonasit dehen në dalldi nacionaliste dhe nuk duan ta votojnë asnjë kandidat shqiptar as për Kryetar e as për nënkryetar të Kuvendit, shqiptarët atje janë tërësisht të pafuqishëm. Pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, pavarësisht faktit se ekziston kriteri kushtetues që një shqiptar patjetër të jetë në Kryesi të Kuvendit, edhe nëse nuk zgjidhet nënkryetari shqiptar Kuvendi i Maqedonis së Veriut konsiderohet i konstituar dhe i vazhdon punimet.
Tani le të ma shpjegon dikush, në Kosovë, ku të gjitha pakicat bashkë janë më pak se 10 përqind, pse pakica serbe duhet ta ketë fuqinë që ta bllokojë Kuvendin nëse patjetër nuk zgjidhet menjëherë, që në seancën konstituive, nënkryetari serb apo hajt edhe të dy nënkryetarët që u takojnë pakicave?
Fatkeqësisht, pesë gjykatësit shqiptarë, njerëzit e gjakut tonë, nenin 67 të kushtetutës janë duke e lexuar sikur Kosova paska organizim shtetëror si Bosnja dhe Hercegovina. Ata po thonë, dhe po citoj, Kuvendi konstituohet vetëm pasi zgjidhet Kryetari dhe pasi zgjidhen nënkryetarët, sipas paragrafit 3, dhe nënkryetarët, sipas paragrafit 4 të nenit 67.
Kjo në shikim të parë duket pa zarar, por nuk është ashtu. Për atë Zot të madh, për hir të gjithë atij gjaku që është derdhur, kushtoni kujdes detajit, sepse djalli fshihet pikërisht në këto detaje.
Interpretimi sipas këtyre formulimeve të përdorura aktualisht nga Gjykata Kushtetuese nënkupton se, sipas Gjykatës, paragrafi 4 është kundërpeshë juridike e paragrafit 3, pra dy nënkryetarët që duhet të zgjidhen sipas paragrafit 4 e kanë fuqinë e njëjtë sa tre nënkryetarët që duhet të zgjidhen sipas paragrafit 3. Dhe kjo është gabim. Por, fatkeqësisht nuk mbaron vetëm me kaq, këta pesë gjykatës po shkojnë edhe më larg. Këta po thonë që nëse nuk zgjidhet vetëm njëri nga dy nënkryetarët e paragrafit 4 kjo e zhvlerëson zgjedhjen e katër të tjerëve. Prandaj, duke e lexuar dhe kuptuar kështu, në emër të LDK-së Lutfi Haziri del dhe thotë Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u realizuar të drejtat e të gjitha palëve.
Kush e shpiki këtë kusht kushtetues që pa realizmin e të drejtave të vetëm njërës palë (lexo pala serbe) nuk mund të realizohen as të drejtat e palëve të tjera (lexo pala shqiptare dhe në këtë rast me ne janë edhe komunitet jo serbe)?
Kjo gjë nuk ekziston askund në kushtetutë.
E kam lexuar me kujdes ankesën e Listës Serbe. Ata nuk po merren vetëm me procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit serb. Ata nuk po kërkojnë që Gjykata të thotë “Zotëri Basha, ju keni gabuar me procedurën e ndjekur, prandaj ju urdhërojmë ta përsërisni procedurën sipas këtyre udhëzimeve…”, pra diçka e lokalizuar dhe pa implikime tjera.
Jo, Lista Serbe po kërkon përsëritje të procedurës, po kërkon qe Gjykata t’i detyrojë deputetët shqiptarë që ta votojnë kandidatin e tyre dhe po kërkon që Gjykata të riafirmojë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur, që në seancën konstituive, edhe nënkryetari serb i Kuvendit.
Dhe fatkeqësisht, në arsyetimin për masë të përkohshme, Gjykata Kushtetuese po pajtohet me të tri pretendimet e Listës Serbe. Pesë gjykatësit shqiptarë janë dorëzuar dhe po sillen thuajse Kosova ka sistem konsocial të organizimit të shtetit, thuajse ne jemi Bosnje dhe Hercegovinë ku serbët vërtet kanë veto të garantuar me kushtetutë.
Ata edhe mund të jenë dorëzuar dhe edhe mund të përpiqen që me një Aktgjykim ta ndryshojnë karakterin themelor të këtij shteti, por kjo gjë do të përbënte devijim të pafalshëm nga kontrata themelore që Gjykata Kushtetuese ka me popullin e Kosovës, si sovrani i vetëm prej kujt burojnë të gjitha autorizimet dhe kompetencat. Pra, ky Aktgjykim me automatizëm do të ishte i paligjshëm dhe këta gjykatës duhet të nxirren nga zyrat duke u tërhequr zvarrë si tradhtarët më të poshtër.
Por hajt, le të supozojmë që po i falim dhe, njësoj si në mars të vitit 1989, po besojmë që asgjë e keqe nuk do të ndodhë dhe nuk po humbim asgjë. Le ta besojmë edhe njëherë që disi i kemi hyrë në hak Serbisë dhe se kjo gjë vërtet duhet bërë. Në këtë skenar, ku edhe unë duartrokas sa liberal dhe sa modern jemi ne shqiptarët që serbëve po u japim këtë të drejtë madhore, atëherë te jeni të sigurt që na pret kjo si më poshtë.
Nëse Gjykata Kushtetuese i pajis serbët me këtë fuqi vetoje, që kushtetuta nuk ua njeh, ky precedent do të prodhojë këto pasoja katastrofike juridike dhe politike:
Pajisja me këtë fuqi vetoje, 10 deputetët serb i bën KINGMAKER në Kuvend të Kosovës. Dhe mos ta mashtrojmë veten se serbët janë flamanët apo valonët e Belgjikës.
Në një pikë jo shumë të largët në të ardhmen, me synimin që të zgjerojnë të drejtat e tyre si popull, të mbrojtur nga ky precedent kushtetues, do ta shantazhojnë konstituimin e Kuvendit thjesht duke mos dhënë kandidat për nënkryetar Kuvendi.
Pastaj, nëse Serbia do që të na detyrojë ta pranojmë Asociacionin me kompetenca ekzekutive sipas dizajnit të tyre, pra një Republika Srpska brenda Kosovës, atëherë Beogradi i urdhëron këta 10 deputetë që pas dhënies së betimit të shpallin bojkot deri në plotësimin e kësaj kërkese të Beogradit.
Ehhhh, çka do të bëjmë ne atëherë?
Ja po ua shpjegoj edhe këtë.
Do të ngrihemi në këmbë i madh e i vogël e do të themi, JO, NUK BËN, NUK MUNDENI, KJO QË PO BËNI JU ËSHTË KUNDËR KUSHTETUESE etj. Por, precedenti kushtetues tashmë do të jetë i vendosur, do të jetë ligj. Dhe kur të shkojmë te ndërkombëtarët të ankohemi, ata do të na thonë “SO SORRY BUT YOU KNOW IT’S IN THE CONSTITUTION, IT’S THE RULE OF LAW”.
Dhe pastaj, përballë pasojave të marrëzisë sonë dhe përballë pafuqisë juridike për të ndryshuar situatën, situata do të eskalojë përtej bilahit, populli do të revoltohet e mbase do nisi edhe luftë, dhe në të gjithë atë situatë absurde e të padrejtë, ne do të shihemi si fajtorë e agresorë.
Ka njerëz naiv, injorantë por edhe të poshtër, që po thonë se Kadri Kryeziu vetëm po vetë promovohet sepse po do që të bëhet këshilltar, deputet, President apo kushedi se çka. Mos harroni që Kadri Kryeziu i ka 68 vjet. Unë jam vetëm një pensionist që jeton në lagjen Arbana në Prizren. Nuk jam unë ndonjë faktor i madh me fuqi që t’i prishë punë dikujt dhe, si burrë plak, nuk i hy kujt në punë.
Nuk e kam as përplasje egosh me Enver Hasanin, sepse ai po e interpreton nenin 67 njësoj si Gjykata Kushtetuese. Jam i gatshëm që ta marr mbi vete damkën e të padijshmit, analfabetit e çkado që të duan, vetëm aman mos i shkoni kësaj marrëzie deri në fund.
Aman, për hatër të fëmijëve tuaj, hapni sytë!
Dhe tani pjesa më e rëndësishme.
Më kanë pyetur shumë prej jush, si është zgjidhja për të dalë nga kjo situatë?
Është e thjeshtë.
Aktgjykimi duhet t’i ketë dy pjesë, pjesën me interes vital shtetëror dhe pjesën procedurale.
Pesë gjykatësit shqiptarë nuk duhet të harrojnë që arsyeja pse jemi kujdesur që në kolegjin e gjykatës kushtetuese gjithmonë të ketë një shumicë të pastër shqiptare është pikërisht që të mos lejohen aventura dhe përpjekje për t’i tjetërsuar parimet themelore të shtetit. Gjykatësit shqiptarë nuk e kanë për detyrë vetëm ta interpretojnë kushtetutën, por pjesë e kontratës së tyre themelore me popullin e Kosovës është edhe detyra që ta mbrojnë këtë shtet. E kanë detyrë të shenjtë.
Te pjesa e Aktgjykimit ku preken çështje me interes vital shtetëror, Gjykata Kushtetuese duhet t’ia përkujtojë parashtruesit të kërkesës që, sipas nenit 1 dhe 3, Kosova nuk është shtet multietnik me sistem konsocial të organizimit të shtetit, rrjedhimisht paragrafi 4 i nenit 67 nuk është kundërpeshë juridike dhe politike e paragrafit 3 të nenit 67, gjegjësisht Kuvendi mund të konsiderohet i konstituar me përmbushjen e tre kushteve: dhënia e betimit, zgjedhja e Kryetarit dhe plotësimi i kuorumit të nevojshëm për funksionimin e Kryesisë sipas kriterit të përcaktuar me rregullore, si një formulë që ekziston kudo në Evropë.
Me këtë Gjykata Kushtetuese e kryen misionin e vet të shenjtë në mbrojtje të parimeve themelore të organizimit kushtetues të këtij shteti. Me kaq, pesë gjykatësit shqiptarë e kryejnë me nder detyrën e tyre patriotike, dalin faqebardhë dhe për mua do të jenë heronj.
Pastaj te pjesa e dytë, te pjesa procedurale, Gjykata Kushtetuese mund të merret me votime në pako, votime pa pako, votime me pizhama, votime me brekë plazhi, votime me bikini, e me çka të duan, sepse atëherë vërtet posti i nënkryetarit serb bëhet tërësisht i parëndësishëm siç edhe do të duhej të ishte. Edhe sikur të gabojnë në interpretim të procedurave, dëmi do të jetë i lokalizuar dhe pa zarar të madh.
Dhe krejtësisht në fund.
Liderët e pesë partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend duhet urgjentisht ta lënë anash betejën e tyre politike dhe të ulin tensionet. Kemi mbërritur në pikën kur është bërë e parëndësishme se kush ka të drejtë dhe kush nuk ka, apo kush është bllokuesi i vërtetë i situatës e kush nuk është. Kjo çështje e ka humbur tërësisht kuptimin dhe është kthyer në absurd dhe marrëzi. Secila parti duhet të jetë e vetëdijshme për detyrën që kanë ndaj atdheut dhe secila duhet ta japë pjesën e vet të kontributit për qetësim të situatës dhe për dalje nga kjo krizë që po i dridh themelet e e shtetit.
Dhe kjo vlen për të gjithë, dhe sidomos për VETËVENDOSJEn, sepse ata janë forca më e madhe politike, gjegjësisht si partia më e madhe ata e kanë për detyrë ta tejkalojnë vetveten dhe të udhëheqin.