-Meditim rreth një libri të ri me poezi –

Librin poetik ‘’ Kangët e babës’’ të Bislim Ahmetajt fillova ta lexoj një pasdite vere, pas një pauze bukur të gjatë prej leximit, nuk di pse do kohë ndihesha shpirtërisht trishtë, korriku , muaji kur vite më parë kam humbur babën tim krejt të ri më sjell vazhdimisht pështjellim ndjenjash dhe çaste zbrazëtire që dua ti mbush veç me gjëra të bukura…
Përballë, në bibliotekën ngjitur sytë më shkuan tek libri që kohë më parë ma kishte sjellë Bislimi në Tropojë, në ballinën e tij pashë siluetën e babait të tij ndërsa shndrrohet për një moment në një fragment drite që saora e zbardh shfaqjen e dukshme të librit të renditur në raftin e librave që presin për tu zgjedhur prej meje.
Diçka u drodh brenda meje, para disa ditësh kisha mbaruar poemën time dedikim ‘’Poema e babës’’ kushtuar atit tim dhe menjëherë më joshi libri ta marr në duar dhe ta përfundoj me një frymë deri në mbrëmje, kur muzgu pushtoi objektet jashtë dhe më ngjau se drita e këtyre vargjeve e shtyu papritur muzgun tej maleve dhe përsëri dita u rikthye jashtë…
Ky është një fluturim i çmendur prej poeti kishte me thanë dikush po të ma lexonte shpejt ndjenjën e butë që më mbushi krahërorin energji dhe shpresë, ndëra Bislim Ahmetaj shkruan:
Kur mbush krozhnen plot yje
Druaj se do t’jetë mshefë hana
Do t’ketë mbrri drita
Do t’jetë fshi reja
Do m’dalë gjumi
Dhe yjeandrra
Do t’më digjet n’sy..
Poezia e bukur, e cila lind spontane, pa sforco dhe krejt natyrshëm prej shpirti, pa nevojën e përpunimit të gjatë në laboratorin e krijuesit i ngjan një fruti të egër, të gjetur majë shkrepi, fshehur thellë gjelbërimit, e cila ka shije të papërsëritshme dhe të lë të befasuar si diçka e rrallë.
Shumë poezi të këtij libri janë të tilla, fakti që autori i beson vargut të sapolindur dhe e sjell shqeto para lexuesit me guxim dhe frymë prej rebeli, me etjen dhe forcën goditëse të ndjenjave fisnike për babën e përtej tij si simbol, për nanën, vllaznit, atdheun dhe fatet e tij, për të shkuarën dhe të ardhmen e çuditshme në faqen e kësaj bote kaq të mbrapshtë është kaq domethënës.
Ideja se duhet me dekë i bukur
Se duhet me dekë i lumtun
Se duhet me dekë i ri…
S’mu ka hjekë sysh…
Autori sa është i ri, sa duket i vjetër, sa është fëmijë, sa është serioz dhe politikan, pastaj menjëherë rikthehet si romantik i njomë dhe i pafajshëm, sa shkon lart në bjeshkën e tij magjepsëse, sa gjendet ballë halleve të ditës në rrugët e protestave, sa shfaqet serioz dhe bindës në katedra universitetesh, sa marrëmënd metaforash të mrekullueshme, sa çmendet dhe shan padrejtësinë, shndrruar në sistem, sipas tij.
E tillë shfaqet dhe poezia e tij, e cila ndrron tone dhe ngjyra sipas sjelljes së tij si njeri i zakonshëm e si poet, njeri i angazhuar i ditës dhe liriku i andërrt i alpeve, ku shpesh shpërfaqet flakë muza dhe karakteri i tij.
Një çast kthimi në qytetin e tij të lindjes dhe përmes kangës së qyqeve ngujuar mbi halorë përshkruan tronditshëm realitetin prekës dhe fatin e çuditshëm të tij, të atdheut dhe qytetarit në rrugëtoren e fortë të jetës, personifikim përmes saj i çastit historik dhe individual e bën poezinë e Ahmetajt aktuale dhe të dukshëm angazhimin dhe kontributin e tij qytetar:
Qyqja e qytetit tim vajton
Shumëmë më dhimbshëm
Se qyqja e qytetit tend
Po aq trishtueshëm mbi atë rrem të thatë
Ku qajnë papra
Qyqet e qytetit të qyqanave…
Poezia ‘’Në qytetin tonë’’ spikat ethshëm vranësinë e zhvillimeve të kohës, dëshpërimin e vonesave në zhvillimet demokratike dhe poeti si zëdhënës legjitim i bashkëatdhetarëve të tij, të shkuar dhe të ardhur, vuan pamundësinë e prespektivës dhe hapësirës së lirisë së merituar:
Në qytetin tonë
Zogjtë lindin të ftohur
Zogjtë nuk këndojnë ma, gërhasin
Fluturat lindin
Me krahë të grisur…
Ndonjëherë ta kujton Nerudën, më pas Bukovskin dhe Frostin me detajet e imta dhe therëse që karakterizojnë të shkuarën dhe të sotmen, por edhe Agollin me humorin therës, ironinë majë buzës, përtej buzëqeshjes së hidhur skajuar pas cigares së fikur…
Pastaj në libër ndryshon ritmi, dashnia ja mbrrin si diell i bukur mbi vranësirën e muzgtë dhe trishtimin social dhe shpirtëror, i jep frymë të re dhe dritë të prajtë rrethanave jetësore dhe ditëve të poetit e më pas të lexuesit të tij besnik, një fllad i mirëseardhur që i jep librit hijeshi dhe poezisë së tij pasion dhe qartësi të ëmbël:
Gjithë verës
Ndërtova fole
Për zogjtë e dashnive të mia…
Poezitë ‘’Maria’’; ‘’E dashura ime si shenjat e pikësimit’’; ‘’Im atë qe burrë fisnik’’’Babës’’’,përbëjnë një mbyllje dinjitoze të librit të ri të Ahmetajt, një hap solid në kulmin e krijimtarisë së tij letrare. Baba si figurë, si histori e marrëdhenjeve me të birin dhe botën, e shkuara dhe e tashmja e parë në fokusin e përvojës dhe dashnisë së natyrshme prindërore, por edhe si lajtmotiv dinjitoz poetik e bën librin të afërt dhe intim për çdo kategori lexuesish, gjuha e shlirë sipas frymës tematike, me timber të ngrohtë të dialektit, ndonjëherë edhe përtej lirizmit të tij të zakonshëm, ushqyer me notat e forta të realitetit aktual, alternimi i duhur i strukturës së vargut dhe peshës së tij emocionale i japin këtij libri vlerë të natyrshme dhe lehtësisht të pranueshme në mesin e botimeve të reja të këtij viti.
Librin poetik ‘’ Kangët e babës’’ të Bislim Ahmetajt fillova ta lexoj një pasdite vere dhe e përfundova në mbrëmje, mbushur shpirtërisht dhe estetikisht, duke kuptuar se shpesh mungesat tona të dashnisë dhe humbjet e njerëzve tanë më të dashur, kur bëhen pjesë e kredos dhe besimit, burim frymëzimi dhe mbështetje poetike japin vepra që kanë rrugën e shtruar për kah lexuesi, i cili gjen menjëherë veten dhe dramat e tij jetësore në vargjet e tij, duke u bërë një me shpirtin e poetit.
A nuk është ky një standart për ta vendosur një liber të tillë në raftin e zgjedhur të çdo biblioteke?!
Tropojë, 28 Korrik 2025