Më 21 korrik 2014 kam botuar shkrimin “Shën 8 Qershori” me nëntitull “Shënim ditor”, kushtuar fatit të votës së 8 Qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. Te interpretimi kushtetues i kësaj vote i ka rrënjët edhe kriza aktuale e votës në këtë vend. Shkrimin po e ribotoj me titullin “Shën 8 Qershori 2014”:
Hashim Thaçi, nëse arrinte ta kuptonte në kohë votën e 8 qershorit 2014, do të kishte pasur mundësinë, shansin të shkonte kryelartë në opozitë me “Misionin e Ri” të tij. Këtë unë e kam nënvizuar në një nga shkrimet e mia të mëparshme. Duke mos e kuptuar këtë votë dhe duke u përpjekur ta pengojë e t’i kundërvihet asaj, Hashim Thaçi e humbi këtë mundësi, këtë shans. Në rastin e parë, ai do të kishte dalë më i fituari i “Misionit të Ri”, në rastin e dytë ai del më i humburi.
Siç e kam shprehur më herët, unë do të kisha dashur që 8 qershori të kishte qenë një revolucion me votë. Për të qenë e tillë kjo datë, atëherë do të nevojitej një pjesëmarrje sa më e lartë, sa më masive në votime.
Në mediat perëndimore ngulm0het se pjesëmarrja jo e lartë vinte për shkak se votuesit ishin të frustruar nga atmosfera e krijuar prej regjimit gjysmëautokratik, siç e quanin institucione eksperte perëndimore, që sundon në Kosovë. Kështu që vota e 8 qershorit ishte një votë e druajtur. Megjithëkëtë, vota e 8 qershorit ishte lakonike, ishte tejet lakonike. Duke mos ia dhënë mundësinë asnjë formacioni të qeveriste i vetëm në katër vitet e ardhshme, praktikisht ia hiqte mundësinë për monopolin e pushtetit Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Hashim Thaçit. Vota e partive të tjera ishte gati sa dyfishi i asaj që fitoi “Misioni i Ri” i PDK-së dhe i Hashimit. Ishte normale sa dhe e natyrshme e logjike që ky fryt i 8 qershorit të çonte tek një koalicion paszgjedhor. Dhe ky koalicion paszgjedhor, për herë të parë, formohej nga vetë formacionet politike të Kosovës, pa ndërhyrjen dhe pa ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë. Sepse, dihet, Kosova që nga zgjedhjet e para parlamentare (2001) gjithnjë është qeverisur nga koalicione paszgjedhore të realizuara nëpërmjet ngulmimit të ndërkombëtarëve.
Faktori ndërkombëtar e priti mirë faktin që koalicioni paszgjedhor krijohej nga vetë formacionet politike të Kosovës. Siç u deklarua në zyrat e ndërkombëtarëve në Prishtinë, ndërkombëtarët u befasuan në një sens tjetër. Sepse, thanë ata, ne kishim pasë pritur që PDK të ishte marrë vesh para mbajtjes së zgjedhjeve që të kishte koalicion paszgjedhor me AAK-në.
Koalicionin paszgjedhor, pra, nuk e krijoi formacioni i Thaçit, “Misioni i Ri”, me 37 deputetë, por e krijoi LDK, me 30 deputetë, duke i bashkuar këta me deputetët e AAK (11) dhe të NISMA (6) dhe duke arritur të krijojnë kështu grupin më të madh parlamentar LDK-AAK-NISMA, me 47 deputetë. Ky është realiteti me të cilin formacionet e dala nga vota e 8 qershorit shkonin në seancën konstituive të 17 korrikut 2014.
Në këtë seancë, u pa një PDK tërësisht jashtë realitetit, tërësisht e çoroditur, tërësisht qesharake, në përpjekjen e saj për të shtrembëruar apo për të përmbysur 8 qershorin, për ta bërë të paqenë 8 qershorin, një përpjekje kjo më se donkishoteske. Për ta kaluar këtë situatë, si në ditët e para pas 8 qershorit, kur nxitej vajtja në Kushtetuese, PDK do të përdorte metoda nastradineske, duke trokitur përsëri në Kushtetuese.
PDK e Thaçi harrojnë se, nëse ata nuk e kanë kuptuar dot 8 qershorin, Kosova, fryt i së cilës është 8 qershori, i ka kuptuar mirë përpjekjet, synimet dhe mëtimet shtrembëruese, përmbysëse dhe uzurpuese të PDK e të Thaçit ndaj 8 qershorit.
Donkishotizmi i 17 korrikut, i PDK dhe i Thaçit, që synoi të bllokonte punimet e Kuvendit të Kosovës, u pasua nga nastradinizmi i tyre dy ditë më vonë, çka synon që t’iu japë atyre kohë të mëtejshme në dispozicion, në mënyrë që të realizohet e parealizueshmje, të mundësohet e pamundshmja.
Nga 8 qershori kanë kaluar tashmë gjashtë-shtatë javë. Në këto gjashtë-shtatë javë Thaçi dhe PDK nuk kanë kursyer mjet diversioni, yshtjeje, joshjeje e të tjera ndaj LDK-së, AAK-së, NISMA-s, VV-së në mënyrë që ta shthurin koalicion paszgjedhor dhe ta arrijnë njërin nga dy qëllimet e tyre, secili më joogurmirë se tjetri – ose të arrijnë ata një qeverisje të tretë, ose Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Asnjë Kushtetutë në botë nuk ia jepte në dispozicion një mandatari të mundshëm një periudhë kohore kaq të madhe. Aq më tepër nuk ia jepte në dispozicion një mandatari të djegur qysh të nesërmen e votimeve. Vetëm një Kushtetutë që nuk ekziston mund t’ia jepte dhe të vazhdojë t’ia japë përtej çdo lejimi.
Edhe qëllimi i ndërmjetëm, ai që Kosova të humbasë sa më shumë kohë deri në ndërtimin e institucioneve të tjera dhe që kjo kohë gradualisht të kthehet në favor të Thaçit e të PDK-së është thjesht një utopi, natyrisht, një utopi shumë e dëmshme dhe shumë e kushtueshme, një lojë e ligë me durimin proverbial të Kosovës.
Thaçi dhe PDK, në këtë kontekst, rezulton se i kuptojnë keq edhe koniunkturat në Kosovë dhe jashtë saj. Ato nuk mund të përdoren as të keqpërdoren më.
8 qershori tregoi fare qartë se koha nuk punon për pushtetmbajtësit. Dhe çdo ditë kjo e vërtetë vetëm sa përforcohet. Derisa të vijë momenti kur koha të punojë vetëm kundër tyre, krejtësisht kundër tyre.
Thaçi kishte mundësinë, shansin të shkonte kryelartë në opozitë me “Misionin e Ri” të tij. Tashti i mbetet shansi të shkojë me bisht në shalë dhe të përballet në partinë e tij me përgjegjësitë e humbjes. Sepse ai nuk deshi ta kuptojë dhe nuk deshi ta respektojë shenjtërinë e votës së 8 qershorit