Posa ka kaluar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, një datë që për gjithë shqiptarët kudo në botë mbart një peshë të veçantë historike dhe emocionale.
Në këtë rast të rëndësishëm është e domosdoshme të njohim edhe kontributin e atyre që, përtej kufijve të atdheut, punojnë me përkushtim për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.
Një ndër këto figura frymëzuese është mësuesja beratase Alma Hani e cila plot zell e dituri ka marrë përsipër një mision fisnik pranë Shkollës Shqipe në Hanau të Gjermanisë.
Sot, pata kënaqësinë të bisedojë me të për sfidat dhe arritjet në këtë rrugëtim dhe emocionet që përjeton me rastin e festes së pavarësisë së Kosovës.
Pyetje: Zonja Hani, si mësuese e mësimit plotësues, çfarë domethënie ka për ju dhe nxënësit tuaj 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës?
Alma Hani: Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke kurorëzuar përpjekjet e gjata dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar për liri dhe shtetësi. Ky akt historik ishte fryt i rezistencës së vazhdueshme kundër shtypjes dhe i përkushtimit për një të ardhme më të drejtë e më të sigurt. Pavarësia e Kosovës është një simbol i vullnetit të pathyeshëm të popullit të saj për të jetuar i lirë dhe sovran. Ajo u njoh nga shumë vende të botës, duke e konsoliduar Kosovën si një shtet të ri evropian me synime për paqe, zhvillim dhe integrim ndërkombëtar. Edhe sot, pavarësia mbetet një përgjegjësi dhe një ideal për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe të denjë për brezat e ardhshëm.
Për nxënësit e mësimit plotësues, është një mundësi e artë për t’u njohur jo vetëm me gjuhën shqipe por edhe me historinë e vendit të tyre dhe për të ndjerë krenar me identitetin e tyre shqiptar.
Pyetje: Si e festuat këtë ditë në klasën tuaj?
Alma Hani: (Në pamundësi tjetër) Ditën e hënë më 17 Shkurt 2025 ne mësueset organizuam një festë në mjediset e klasës ku mbahet mësimi i gjuhës shqipe. Në te kishte pjesëmarrje të gjerë të nxënësve, prindërve që u mblodhën të festojmë së bashku 17 Shkurtin Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në fytyrat e fëmijëve shihej gëzimi sidomos tek ata që recituan, kënduan, vallëzuan, krijuan flamurin e Kosovës dhe kartolina me shkrime në gjuhën shqipe.
Pyetje: Si reagojnë nxënësit kur mësojnë për këtë festë?
Alma Hani: Fëmijët janë shumë kureshtarë dhe entuziastë. Për disa prej tyre, është hera e parë që dëgjojnë për detajet e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë. Ata ndihen krenarë dhe shpesh tregojnë histori nga familjet e tyre për ndihmën që kanë dhënë për Kosovën. Kjo i lidh më shumë me kulturën e tyre dhe forcon ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Pyetje: A mendoni se është e rëndësishme që brezat e rinj në mërgatë të njohin historinë e Kosovës?
Alma Hani: Patjetër! Sa përpjekje, luftë e sakrifica janë dashur nga populli i shqiptar i Kosovës të fitonte lirinë edhe pavarësinë. Fëmijë tanë duhet ta dinë historinë e Kosovës. Njohja e historisë është çelësi për ruajtjen e identitetit kombëtar. Fëmijët e mërgatës rriten në një mjedis ku kultura gjermane është dominonte, prandaj është thelbësore që përmes shkollës shqipe të mbajmë gjallë lidhjen e tyre me atdheun. Duke mësuar për të kaluarën, ata formojnë një lidhje më të fortë me vendin e origjinës dhe bëhen ambasadorë të vlerave dhe kulturës sonë në botë.
Pyetje: Cili është mesazhi juaj për këtë 17 Shkurt për shqiptarët, sidomos për ata që jetojnë jashtë Kosovës?
Alma Hani: Mesazhi im është që shqiptarët mos ta harrojnë kurrë rrugën e gjatë e të mundimshme që kanë kaluar për të arritur deri këtu. Pavarësia e Kosovës është një arritje e madhe, por mbetet përgjegjësia e të gjithë nesh, brenda dhe jashtë vendit, që ta forcojmë dhe ta zhvillojmë më tej. Fëmijëve tanë t’u mësojmë dashurinë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, sepse vetëm kështu do ta ruajmë identitetin tonë kombëtar. Të gjithë bashkë qytetarëve të Republikës së Kosovës i uroj: Gëzuar 17 Shkurtin! Dardania qoftë gjithmonë e lirë, e begatë, e sigurt dhe krenare!



18. 02. 2025 Nexhmije Mehmetaj