Në zemrën tënde tani hyj
Si në muze ku gjithçka hesht,
Gjithnjë një stinë tash ka aty,
Pak gjysëm dimër, pak gjysëm vjeshtë.
Prarim i lodhur, kohë e shkuar,
Mermer i krisur, ditë plot etje,
Kështjellë e njohur e rrethuar
Pushtuar nga ëndrra, ti mbete.
Armët i shoh dhe qesh me vete,
Skica luftimesh, net pa gjumë,
Një zë më vjen nga koha tjetër:
“Isha apo s’isha unë?!”
Statuja të thyera, të gjymtuara
Pa zë më shohin, flasin me sy
Qajnë ngadalë, të penduara
Është vonë u them, paçi qetësi.
Është vonë, është vonë përsërit muri,
Dhe unë dal ashtu në heshtje,
Le pas statujat që qajnë në kor,
Stinë pandryshim, gjithçka fundvjeshte.
Dhe era fryn tek portë e hapur,
Tek ajo portë që quhet zemër.
Eshtë vonë, është vonë thërret fundvjeshta
Që kish dikur tëndin emër.