Emri që takohet me veprën
Me Ram Gecin, shumëkush e ka pasur njohjen e parë pikërisht kështu: përpara se t’i japësh dorën për takim; në një rrugë të ndërtuar prej tij ku ke udhëtuar; në një urë të ngritur prej tij që të ka shkurtuar largësinë, në një sallë ku është nderuar libri apo një veprimtari; në një ndihmë të tij që ka mbërritur në kohën e duhur.
Pra, emri i Ram Gecit ka ardhur përmes punës dhe, pastaj, përmes dëshirës për të njohur njeriun që qëndron pas saj.
Në shkrime të mbledhura e të dedikuara për Ram Gecin takohen zëra të ndryshëm: publicistë, studiues, drejtues shoqatash, bashkëvendas e bashkëpunëtorë. Secili sjell një pjesë të portretit të tij, në profile e me fjalë të ndryshme. Njëri ndalet te sipërmarrësi i suksesshëm, tjetri te ndihma humanitare për vendlindjen; dikush kujton një takim letrar në hotelin e tij në qendër të Tiranës, dikush tjetër një festë në bjeshkën alpine të Sylbicës apo në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Kur këto dëshmi shkrimore lexohen së bashku, del qartë në pah një vijimësi domethënëse: Ram Geci e ka mbajtur të lidhur rrugëtimin e vet me njerëzit dhe vendet prej të cilave ka marrë forcë.
Bytyçi, Paci, Kukësi, Laçi dhe Tirana janë ndalesa ndërvite të këtij rrugëtimi të tij. Në to gjenden fillimet, shkollimi, përvoja e punës dhe hapësira e sipërmarrjeve të mavonshme. Më tej, harta zgjerohet me rrugë e vepra ndërtimi, me hotelerinë, me veprimtari kulturore dhe me lidhje që shtrihen përtej kufirit shtetëror.
Në prag të Konventës Ndërkombëtare Alpine për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet me 4-5 dhjetor 2026, Ram Geci na vjen edhe si mikpritësi i saj në “Tirana International Hotel & Conference Centre”, ku do të vijnë personalitete nga Parlamenti Europia, organizma ndërkombëtare botërore, nga institucione shtetërore të BP, nga Trupi Diplomatik në Tiranë e Rajon, etj.
Portreti i tij përmban vite përpjekjesh, marrëdhënie të ruajtura dhe kontribute që kanë lënë kujtime konkrete te përfituesit.
Në gjuhën e vendlindjes së tij, vlerësimi për njeriun humanist, të dobishëm e të rëndësishëm, përmblidhet shpesh në pak fjalë: “T’u rrittë ndera!”. Për Ram Gecin, ky urim përsëritet nga njerëz të ndryshëm. Pas tij gjenden arsye që meritojnë të tregohen.
Bytyçi që e merr kudo me vete
Ram Geci vjen nga Bytyçi sojnik i Malësisë së Gjakovës, nga kjo hapësirë zë e zemër madhe, ku lidhja me shtëpinë dhe me emrin e familjes mbetet pjesë e jetës, edhe kur puna të çon larg, në një qendër të madhe industriale si Laci apo në një metropol si Tirana kryeqytet.
Në të dhënat biografike që sjell Dr. Skënder Demaliaj, rrëfen se Ram Geci është rritur në Pac, shkolluar në Kukës, ka punuar në Kam të Tropojës dhe në Laç të Kurbinit, e – në dekadat e fundit në Tiranë.
Ibrahim Hajdarmataj kujton, ndërkaq, lidhjen e tij me shkollën e mesme të Pacit, ku ka qenë nxënës, me minierën e kromit të Kamit, me përkushtimet, sakrificat, nderet e shumta e meritat e tij të larta.
Këto pika na japin vijën e përgjithshme të formimit të tij nga fëmijëria me burrnim të parakohshëm deri tek e sotmja: një personalitet i formatit të madh të biznesit e humanizmit shqiptar.
Në materialet shkrimore të botuara ndërvite për ndihmat humanitare përmenden me nderim prindërit e tij, Alia dhe Raza. Mirësia e tyre lidhet nga autorët me bujarinë e të birit të tyre, humanistit Ram Geci. Kjo është një mënyrë e njohur e kujtesës malësore: kur vlerësohet një punë e mirë, kujtohet edhe dera ku njeriu është rritur. Përmes saj shprehet bindja se edukata e shtëpisë vazhdon të jetojë në sjelljen e mavonshme.
Vendlindja, për Ram Gecin, shfaqet në zgjedhje të prekshme: në mbështetjen për shkollën, në ndihmën për familjet e Bytyçit, në festat që i mbledhin bashkarisht banorët dhe të larguarit nga treva krahinore e administrative. Këto veprime tregojnë një marrëdhënie të ruajtur me kohën. Ai ka ndryshuar vendbanim, fushë veprimtarie e përmasa pune, por e ka mbajtur të hapur rrugën drejt Viliqit, Pacit e Bytyçit, njerëzve të tij.
Në një nga shkrimet, Dr. Demaliaj përmend mirënjohjen e tij për të afërmit që i kanë qëndruar pranë në vështirësi, ndër ta djemtë e xhaxhait, Muhameti, Shabani dhe Qerimi, si dhe tezja e tij. Ky detaj e bën më njerëzor rrëfimin e suksesit gecjan. Në jetë ka njerëz që të ndihmojnë kur rruga është ende e pasigurtë; t’i kujtosh edhe pasi ke ecur përpara është një cilësi më vete, më vehte, është sojni, fisnikëri.
Prandaj Bytyçi në portretin e Ram Gecit mbetet një prani e gjallë. Atje ai njihet me emër e me familje, qysh në shekujt e mahershëm se familja e tij ishte “Oxhak” nga ma të njohurit në Malësi të Gjakovës e rrethinat e saj – prej nga Shkupi në Shkodër. Ai njihet dhe me kujtime jetësore e shkollore, dhe me punë të sotme.
Suksesi i tij merr kështu edhe kuptimin e një kthimi të vazhdueshëm te njerëzit që e kanë njohur në fillim, në fillimet e tij në vrri e në bjeshkë, nga djepi tek diplomat arsimore, nga “miniera” e zemrës e kujtesës së tij tek mineralet e Kamit e në Laç.
Fillimet dhe shkolla e Sipërmarrjes
Në shkrimin e tij të prillit 2017, publicisti e studiuesi i njohur, Dëfrim Cani i Dibrës, e lidh veprimtarinë e kompanisë “Geci” me vitin 1992. Kjo e vendos fillimin e sipërmarrjes së tij në një kohë ndryshimesh të mëdha për Shqipërinë, kur puna private kërkonte orientim të ri dhe aftësi për të marrë përgjegjësi në kushte të panjohura. Asokohe, prej atëherit, Ram Geci hyri në këtë rrugë me përvojën e punës dhe me dëshirën për të ngritur diçka të vetën, të tijën, e – mbasandejna- edhe për kohën e për breznitë shqiptare.
Dr. Skënder Demaliaj shkruan se, kur filloi biznesin, ai nuk kishte përfunduar studime për ekonomi dhe financë. Përgatitja e tij si sipërmarrës u zhvillua në praktikë, përmes vendimeve, bashkëpunimit me specialistët dhe ndjekjes së përditshme të punëve. Kjo përvojë kërkon aftësinë për të mësuar pa u shkëputur nga detyrimet që ke marrë përsipër.
Një ndërmarrje ndërtimi private biznesore rritet bashkë me kërkesat që duhet të përballojë, sepse shtimi i mjeteve kërkon mirëmbajtje e personel të përgatitur; shtimi i projekteve kërkon organizim dhe kontroll; zgjerimi në një fushë tjetër kërkon njohuri të tjera. Në këtë proces, drejtuesi duhet të kuptojë se ku mund të vendosë vet dhe ku duhet të dëgjojë dijen e profesionistit.
Pikërisht këtu ndalen disa nga autorët që kanë shkruar për Ram Gecin si një sipërmarrës i suksesshëm. Ata përmendin këmbënguljen, përcaktimin e përparësive dhe interesimin e tij për hollësitë e punës. Në portretin që e ndërton Demaliaj, dita e sipërmarrësit lidhet me objektiva konkrete, me ndjekjen e zbatimit dhe me rishikimin e asaj që ka mbetur pas. Kjo e afron figurën e tij me procesin e përditshëm që prodhon rezultatin.
Nga fillimet e kompanisë së tij te sipërmarrjet infrastrukturore madhore, si në Rrugën e Kombit, në Unaza e Tiranës, etj. dhe më pas – te investimet në hoteleri elitare, shfaqet një zgjerim i fushës së veprimit të tij në fushat e biznesit. Çdo hap ka kërkuar burime dhe aftësi të reja. Për Ram Gecin, shkolla e sipërmarrjes ka vazhduar brenda vet punës: duke marrë përsipër një detyrë, duke mbledhur njerëzit e duhur dhe duke qëndruar pranë saj deri në përfundim.
Rrugët dhe urat që afrojnë njerëzit
Në hartën e punëve që përmenden në shkrimet për kompaninë “Geci”, një nga kompanitë më të njohura në Shqipëri e Rajonin Ballkanik, gjenden segmente të Rrugës së Kombit, rruga Kukës-Krumë, Dragobi-Valbonë, punime në drejtim të Voskopojës, ura e Gomsiqes dhe ndërhyrje rikonstrukturore në rrjetin rrugor kryeqytetas të Tiranës etj. etj. Kjo shtrirje e ka bërë emrin e kompanisë së tij, të njohur për udhëtarë e banorë të krahinave të ndryshme. Secili e lidh atë me një vend dhe me një nevojë konkrete.
Sigurisht, në një rrugë malore e alpine, puna përballet me terrenin, me ujërat dhe me motin. Pas projektit vijnë matjet, gërmimet, veprat mbrojtëse e shtresat rrugore. Për udhëtarin, të gjitha këto përmblidhen në mundësinë për të mbërritur ma lehtë, ndërsa për banorin, rruga hyn në përditshmëri jetësore përmes shkollës, shërbimit shëndetësor, tregut dhe lidhjeve me familjarët.
Dëfrim Cani e sheh këtë marrëdhënie si një komunikim qytetar përmes veprës. Ai tregon se nuk e kishte takuar personalisht Ram Gecin, por e njihte punën e sipërmarrjes së tij në hapësirat ku kishte udhëtuar. Është një dëshmi me peshë në këtë portret: njohja vjen nga përdorimi i veprës, nga ajo që njeriu sheh dhe përjeton në jetën e zakonshme.
Në një shkrim timin, vite ma herët, e kam quajtur Ram Gecin “Njeriu i Autostradave”. Ky emërtim buron nga prania e tij në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, edhe autostradore, kombëtare shqiptare. Brenda tij duhet lexuar edhe puna e inxhinierëve, e drejtuesve teknikë, e makineristëve dhe e punëtorëve. Një segment rrugor e mban gjurmën e një përpjekjeje të përbashkët, të organizuar nën përgjegjësinë e sipërmarrjes.
Lidhja Dragobi-Valbonë e të tjera në Veriun Alpin Shqiptar, ka një afërsi të veçantë me frymën alpine të këtij portreti për Ram Gecin. Ajo të çon në një trevë ku natyra, banorët dhe mikpritja janë pjesë e së njëjtës përvojë. Çdo rrugë që afron vizitorin e turistin me malet alpine sjell edhe përgjegjësi për mënyrën si zhvillohet turizmi alpin e malor. Në këtë pikë, puna infrastrukturore e Ram Gecit takohet me pyetjet që shtrojmë për të ardhmen e krahinave tona malore alpine
Drejtuesi mes bashkëpunëtorëve
Dihet se pas emrit të një kompanie qëndrojnë njerëz me profesione, përvoja dhe përgjegjësi të ndryshme. Në rastin e Ram Gecit, materialet i përmendin vazhdimisht stafin teknik dhe punonjësit si pjesë të domosdoshme të arritjeve. Kjo e bën më të plotë figurën e sipërmarrësit Ram Geci, sepse aftësia drejtuese provohet në mënyrën se si bashkohen përpjekjet e të tjerëve dhe si mbahen në një ritëm pune.
Dëfrim Cani, në një portretizim të tij, i përshkruan kapacitetet mekanike dhe ekipin njerëzor që i vë ato në shërbim të projekteve. Dr. Demaliaj, në një material tjetër, sjell të dhëna për qindra punonjës dhe një grup drejtuesish teknikë. Shifrat u përkasin kohëve kur janë shkruar këto dëshmi; kuptimi i përbashkët i tyre është se sipërmarrja ka kërkuar një organizim të gjerë, përtej mundësive të një individi të vetëm.
Në marrëdhëniet me njerëzit, Demaliaj e përshkruan Ram Gecin si dëgjues të vëmendshëm, me të folur të qetë dhe me aftësi për të krijuar afërsi. Sipas tij, ai interesohet për mendimin e bashkëpunëtorëve dhe i vlerëson sipas aftësive. Ky përshkrim lidhet me një nevojë të zakonshme të çdo pune të madhe: drejtuesi duhet të marrë në kohë informacionin e saktë dhe punonjësi duhet të mund ta thotë atë hapur e qartë.
Një hollësi domethënëse shfaqet në rrëfimin për hotelin e ri në qendrën kryesore të Tiranës kryeqytet. Autori përmend vështirësi në gjetjen e specialistëve për punime të veçanta dhe nevojën për të riplanifikuar afatet. Këtu portreti fiton besueshmëri njerëzore. Edhe një sipërmarrës me përvojë përballet me pengesa; mënyra si kërkon zgjidhje tregon më shumë sesa një paraqitje pa vështirësi.
Njeriu që drejton ndërtime mëson të llogarisë kohën, materialet dhe koston. Ai duhet të njohë edhe mundësitë e njerëzve. Në dëshmitë për Ram Gecin, kjo marrëdhënie zë vend të dukshëm. Përkushtimi i stafit të Hotel Tirana International gjatë veprimtarive kulturore të shumta e përditore, i vënë në dukje miradije e vlerësimi nga organizatorët, na lejon të shohim se puna e drejtuesit vazhdon te sjellja dhe përgjegjësia e bashkëpunëtorëve të tij.
Mikpritja në zemër të Tiranës
“Tirana International Hotel & Conference Centre” është një nga vendet ku puna e Ram Gecit ka marrë një formë të afërt për publikun shqiptar të gjithkahshëm dhe për të huajt prej gjithkundit. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, hoteli njihet prej kohësh e gjerësisht edhe si “15-katëshi”. Për shumë nga autorët e materialeve shkrimore të publikuara në media tradicionale e sociale, emri i Ram Gecit lidhet me qëndrime, takime e veprimtari ku kanë qenë pjesëmarrës. Kështu, ndërtesa hotelore hyn në kujtesën e njerëzve përmes ngjarjeve që ka mikpritur aty.
Hoteleria kërkon një përkujdesje të ndryshme nga kantieri ndërtimor. Këtu puna shihet në pritjen e vizitorit, në pastërtinë e dhomës, në përgatitjen e sallës dhe në zgjidhjen edhe të një kërkese të vogël. Gjithçka duhet të funksionojë në çastin kur nevojitet. Përvoja e drejtimit provohet çdo ditë përballë njerëzve që vijnë me pritshmëri e nevoja të ndryshme.
Në shkrimet e Ibrahim Hajdarmatajt përmenden mjediset e hotelit si hapësira të veprimtarive akademike, diplomatike dhe kulturore. Përmes tyre, sipërmarrja hoteliere lidhet me jetën publike të qytetit metropolitan, të Shqipërisë Natyrale, të Rajonit Ballkanik e kudo tjetër në hapësira globale. Një sallë merr kuptim nga njerëzit që ulen në të dhe nga fjala që shkëmbejnë: një libër që promovohet, një çështje që diskutohet, një përvojë që ndahet me të tjerët.
Mustaf Abazi, në shënimin e janarit 2022, rrëfen vizitën te kompania “Geci” dhe te mjediset e zgjerimit të hotelit të ri “InterContinental”. Në bisedën e tij me Ram Gecin, vend kryesor zënë investimet dhe projektet për Shqipërinë. Është ky këndvështrimi i një përfaqësuesi të biznesit të Diasporës, që e vlerëson sipërmarrjen edhe përmes lidhjes me vendin e origjinës dhe mundësive që ajo krijon këtu me shembullin e Ram Gecit për të ba Shqipërinë sa ma të bukur me hotelet e saj kryeqytetas, me rrugët e saj (inter)urbane.
Për ne, që merremi me librin, gazetën dhe organizimin e takimeve e kuvendeve, një mjedis mikpritës ka vlerë të drejtpërdrejtë. Ai u jep mundësi njerëzve të mblidhen dhe iu krijon kushte ta zhvillojnë bisedën me dinjitet, sikurse në veprimtarinë tona ndërkombëtare “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” me mbi 300 të ftuar nderi deri edhe nga Amerika e Australia. Në këtë përvojë të përsëritur mbështetet edhe cilësimi i Ram Gecit si mikpritës. Është një cilësi që merr përmbajtje te dera e hapur, te puna e stafit dhe te kujdesi për veprimtarinë që zhvillohet brenda hotelit të tij, në sallat nga ma të mirat në Shqipëri e Rajonin Ballkanik e kontinental europian.
Guximi për të hyrë në një përmasë tjetër
Zgjerimi i kompleksit hotelier dhe projekti i lidhur me emrin “InterContinental” përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në materialet shkrimore e ekranore për Ram Gecin.
Në kronikën televizive të gazetares Nertila Dosti, të 5 korrikut 2022, përshkruhet nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes “Geci Group” dhe përfaqësuesve të markës ndërkombëtare hoteliere. Ngjarja paraqitet si hap i guximshëm drejt një niveli tjetër të shërbimit hotelier në Tiranë.
Në atë kronikë, Ram Geci shpreh shpresën për rezultate pozitive dhe për risinë që projekti do të sillte për kryeqytetin. Në fjalën e tij ndihet përgjegjësia e investitorit që ka marrë një vendim të madh dhe pret ta shohë të realizuar sa ma shpejt e sa ma mirë. Qëndrimi është i lidhur fort e mirë me punën përpara, me atë që duhet ndërtuar dhe vënë në funksion plotor e meritor.
Materialet e Dr. Demaliajt e trajtojnë më tej këtë investim, duke përmendur zgjerimin e kapaciteteve pritëse dhe të konferencave, ku në to projekti përshkruhet me dhoma e suita, salla të madhësive të ndryshme dhe shërbime për qëndrimin e vizitorëve e turistëve, si dhe të ndërmarrësve të veprimtarive të ndryshme akademike, diplomatike, kulturore. Këto janë të dhëna të paraqitjes së projektit në shkrimet përkatëse, të cilat tregojnë përmasën e angazhimit që sipërmarrësi Ram Geci ka zgjedhur të marrë përsipër në rrugëtimin e tij lartësor.
Një investim i tillë e lidh godinën me jetën që pritet të zhvillohet brenda saj. Konferencat sjellin pjesëmarrës, shërbimet kërkojnë profesionistë dhe çdo vizitor krijon një përshtypje për qytetin ku është pritur. Në këtë kuptim, interesi i sipërmarrësit takohet me interesin e Tiranës kryeqytetase për të ofruar kushte të mira mikpritjeje.
Në portretin e Ram Gecit, guximi për të investuar shoqërohet me këmbënguljen për të ndjekur zbatimin. Dëshmia për vonesat dhe kërkimin e specialistëve e vendosë këtë ambicie në terrenin e vërtetë të punës. Projekti kërkon vendime të vazhdueshme, durim dhe përshtatje. Këtu shohim një njeri që, edhe pasi ka ngritur një sipërmarrje të njohur, vazhdon të marrë përsipër detyra që i kërkojnë të mësojë dhe të punojë ma tej, ma shumë, ma lart.
Prilli i ndihmës për Vendlindjen
Në fillim të prillit 2020, kur Pandemia famëkeqe e kishte vështirësuar keqas jetën e përditshme, ndihma e Ram Gecit mbërriti te familjet e Bytyçit dhe të Berishës së Brigjeve. Dëshmitë e Ibrahim Hajdarmatajt dhe shkrimet e mia për atë kohë të jashtëzakonshme i përmendin rreth 300 pako me ushqime dhe produkte të kujdesit shtëpiak. Çdo pako kishte një vlerë të raportuar prej 4 mijë lekësh të reja.
Në to gjendeshin miell, vaj, sheqer, oriz, makarona dhe artikuj të tjerë të nevojshëm. Shpërndarja e përfshiu Pacin, Viliqin, Vladin, Çorrajt, Zherkën, Kepenekun, Zogajt e Prushin, si dhe Berishën e Brigjeve. Në shkrimet e kohës përshkruhet bashkëpunimi me Bashkinë e Tropojës dhe me komisionet vendore për t’i çuar pakot te familjet trojenike alpine.
Kujtim Hajdarmataj e kujton porosinë që ndihma të shkonte në çdo familje që jetonte në Bytyç e Berishë. Kjo hollësi tregon shtrirjen e mendimit të donatorit: të mos mbetej asnjë shtëpi jashtë vëmendjes në një kohë pasigurie pandemike kritike. Në një krahinë me vendbanime të shpërndara, përkujdesja provohet edhe nga rruga që bën ndihma për të mbërritur në derën e fundit.
Në të njëjtën periudhë, sipas materialeve, kompania “Geci” dha edhe 100 pako të tilla për familje në nevojë në territorin e Bashkisë së Matit. Ky veprim e zgjeron hartën e solidaritetit humanitar të Ram Gecit edhe përtej vendlindjes së tij. Nevoja e njeriut u bë arsye e mjaftueshme për t’iu gjendur pranë, edhe kur mungonte lidhja e drejtpërdrejtë e krahinës apo e fisit.
Në rrëfimet për ato ditë kanë mbetur urime nga përfituesit dhe bashkëvendasit. Ata e falënderojnë Ram Gecin, kujtojnë prindërit e tij dhe i urojnë shëndet familjes. Kjo është gjuha me të cilën komuniteti e përkthen ndihmën në mirënjohje. Pakot u përdorën për nevojat e përditshme; kujtimi i njeriut që iu gjend pranë mbeti ma gjatë. Në portretin e tij, prilli 2020 është një dëshmi e qartë e humanizmit të ushtruar në kohën kur kishte më shumë nevojë për të.
Shkolla dhe festat e kujtesës
Ndër kontributet për të cilat gazetari e mësuesi veteran bytycas, Ibrahim Hajdarmataj, e vlerëson Ram Gecin, është mbështetja për rikonstruksionin e shkollës së mesme të Pacit, kryeqendra e sotme e Njësisë Administrative Bytyç. Për ish-nxënësin e saj, Ram Geci, kthimi te shkolla përmes një pune të dobishme ruan një lidhje me formimin e vet. Për nxënësit që vijnë më pas, përfitimi është i përditshëm: një mjedis më i përshtatshëm ku zhvillohet mësimi.
Një shkollë në një krahinë alpine lidhet ngushtë me jetën e komunitetit, sepse aty takohen brezat dhe ruhen kujtime që vazhdojnë edhe pasi nxënësit shpërndahen në qytete e vende të tjera. Mbështetja që Ram Geci i ka dhënë asaj tregon se lidhjen me vendlindjen e ka kthyer edhe në kujdes për ata që vazhdojnë të rriten atje.
Një tjetër hapësirë e kësaj marrëdhënieje është “Festa e Bjeshkëve” në Sylbicë të Bytyçit. Materialet shkrimore e përmendin sponsorizimin e dekorit, programit dhe drekës për pjesëmarrësit. Ibrahim Hajdarmataj veçon Festën e 4 gushtit 2021, ku mblidheshin bjeshkatarë alpinë, banorë nga vrrini dhe të ardhur nga Diaspora. Këtu kontributi merr kuptimin e mundësisë për t’u takuar sërish.
E njëjta frymë shfaqet në mbështetjen për “Festën e Bytyçit” në Dajt, të lidhur me Plisin e Bardhë dhe traditat e vendlindjes. Vendi i takimit ndryshon, por njerëzit marrin me vete kujtesën, këngën dhe mënyrën e të nderuarit të mikut. Në këto veprimtari traditore e kombëtare, brezat e rinj mund të njohin bashkëvendasit dhe të dëgjojnë historitë që përndryshe mbeten brenda familjeve.
Kontributi për shkollën dhe ai për Festën në Dajt të Tiranës apo Sylbicë të Bytyçit kanë një afërsi të natyrshme. Të dyja mbajnë gjallë lidhjen mes brezave. Njëri u shërben dijes dhe përgatitjes, tjetri i jep hapësirë kujtesës dhe gëzimit të përbashkët. Ram Geci, në dëshmitë e njerëzve të Bytyçit, del si mbështetës i të dyjave. Kjo e shpjegon afërsinë me të cilën flasin për të: e kanë parë pranë nevojës së përditshme edhe pranë ditës kur krahina mblidhet për të festuar.
Përkrah librit dhe veprimtarive…
Më janar dhe në gusht 2025 , në sallën «Akernia» të Tirana International Hotel, u zhvillua veprimtaria «Takim me shkrimtarin tonë, Besnik Mustafaj», organizuar nga Shoqata “Tropoja” me kryetar Prof. Dr. Ing. Adil Neziraj dhe promovimi madhor i veprës “Dr. Ibrahim Rugova – Arkitekti i Pavarësisë së Kososvës”- organizuar nga Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing” me pronar e drejtor personalitetin e shquar Ramiz Tafilaj në Hjuston të Teksasit (SHBA). Në shkrimiet e mia për ato ditë kam shënuar praninë e mbi 300 të ftuarve në secilën prej tyre dhe mbështetjen e Ram Gecit për sallën e shërbimet që e bënë të mundur takimin në atë formë elitare panshqiptare.
Kujtoj përgatitjen e mjedisit, pajisjet për paraqitjet, mikrofonat, kujdesin teknik dhe përkushtimin e personelit. Për organizatorin, këto janë pjesë thelbësore të mbarëvajtjes së një veprimtarie. Kur funksionojnë si duhet, fjala e shkrimtarit dhe vëmendja e pjesëmarrësve zënë vendin që u takon. Mbështetja e sipërmarrësit hyn kështu në shërbim të takimit mes krijuesit dhe lexuesit.
Dr. Skënder Demaliaj sjell edhe dëshminë e promovimit të 20 librave të tij në këtë hotel. Së bashku me ndihmën për botime të tjera, këto raste tregojnë një interesim të përsëritur për jetën kulturore. Libri ka nevojë për autorin dhe lexuesin, por ka nevojë edhe për njerëz që ndihmojnë të shtypet, të paraqitet dhe të mbërrijë te publiku.
Me dhjetra botues e krijues përgjatë çdo viti shprehin mirënjohjen për mundësitë elitare e humanitare që të ofron Ram Geci me shpirtmirësinë e tij për njerëzit e letrave, për veprat e tyre librore, për veprimtaritë e tyre promovuese.
Një interesim të lartë e kemi pas edhe ne, si “Gazeta e Alpeve”, në organizimin e veprimtarisë ndërkombëtare “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” dhe po manifestohet edhe në përgaditjet për “Konventa Ndërkombëtare Alpine” (“Alpet e Malet në Shek. XXI”, me tematikë për bashkëpunimin dhe integrimin europian, rajonal e ndërkufitar, diplomacinë alpine, trashëgiminë kulturore, mjedisin dhe biodiversitetin; zhvillimin dhe turizmin e qëndrueshëm; komunitetet malore e alpine dhe rininë; ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen nga fatëkeqësitë natyrore; bujqësinë, blegtorinë dhe ekonominë alpine e malore; ujërat, pyjet dhe burimet natyrore; shkencën, edukimin dhe inovacionin bashkëkohor për Alpet dhe Malet.
Në këtë mënyrë, bujaria e Ram Gecit merr edhe trajtën e një shërbimi për leximin dhe komunikimin mes komuniteteve.
Ura me Gjakovën dhe Diasporën
Në tetor 2023, nga Gjakova, Halil Ahmeti – veteran i arsimit kombëtar në Kosovë e Shqipëri, veteran i Luftës së Kosovës, piktor, publicist, ish deputet, veprimtar i shquar, i përcolli Ram Gecit një falënderim në emër të Shoqatës “Drini, Gjakovë-Shkodër”. Në atë shkrim ai rendit raste konkrete të mbështetjes dhe kujton lidhjen e sipërmarrësit me shoqatën, ku mban cilësimin ”Anëtar Nderi”. Dëshmia na çon përtej kufirit, në një hapësirë marrëdhëniesh që ka vazhduar ndër vite.
Ahmeti i përmend 10 abonime dhuratë në “Gazeta e Alpeve” për shoqatën e tyre në Gjakovë të Repubikën e Kosovës. Krahas tyre, kujton mbështetjen për përvjetorin e pestë të themelimit, Festivalin “DriniFest” dhe Katalogun “8 vjet punë dhe përkushtim i Korridorit Adriatik-Alpe”. Secili prej këtyre kontributeve lidhet me një nevojë të veçantë të veprimtarisë kulturore dhe shoqërore.
Një detaj tjetër është akomodimi treditor në Tirana International Hotel i pesë anëtarëve të shoqatës, pjesëmarrës në Festivalin “Imazhi Shqiptar”. Mikpritja këtu ka një rezultat të qartë: u krijon kushte njerëzve të jenë të pranishëm në një veprimtari larg vendbanimit të tyre. Shpesh, pikërisht këto shërbime praktike, e bëjnë të mundur pjesëmarrjen dhe vazhdimin e bashkëpunimit.
Fjalët e Halil Ahmetit mbajnë edhe ndjesinë e afërsisë së Kosovës dardane me Shqipërinë. Ai e vlerëson ndihmën si shenjë, se shoqata e tyre mbetet e lidhur me vendlindjen e Ram Gecit dhe me shtetin amë. Përmes këtij këndvështrimi kuptojmë se një kontribut financiar mund të përjetohet edhe si përkatësi, si vëmendje që vjen nga ana tjetër e kufirit shtetëror.
Në shënimin e Mustaf Abazit shfaqet një tjetër lidhje, ajo me botën e biznesit të Diasporës Shqiptare në Gjermani. Vizita dhe biseda e tij me Ram Gecin për investimet e projektet sjellin interesimin e shqiptarit që jeton jashtë për atë që ndërtohet në Atdhe. Nga Gjakova te Diaspora, portreti i Ram Gecit zgjerohet me marrëdhënie konkrete dhe me dëshmi njerëzish që e njohin kontributin e tij në rrethana të ndryshme. Kjo është një hapësirë ku emri i Ram Gecit udhëton bashkë me mirënjohjen që ka krijuar.
Ndera e mikpritësit dhe masa e njeriut
Më 4-5 dhjetor 2026, Konventa Ndërkombëtare Alpine do të mbledhin në “Tirana International Hotel & Conference Centre” pjesëmarrës të jetës publike, të kulturës, të dijes dhe të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e të Europës, nga Parlamenti Europian, Organizata Ndërkombëtare Botërore, Trupi Diplomatik, etj. Ram Geci do të jetë mikpritësi i këtij Takimi të Madh, sepse kjo veprimtari ndërkombëtare do të mbahet në mjediset e këtij hoteli në qendër të Tiranës, në sallën e bukur “Consortium”. Për Organizatorët, kjo marrëdhënie ka afërsinë që krijohet me njeriun i cili vë në dispozicion një mjedis ku fjala mund të shkëmbehet dhe njerëzit mund të njihen më mirë, punërat marrin lartësi, me apele e projekte në vazhdimësi.
Portreti i Ram Gecit, megjithatë, shtrihet në një kohë shumë më të gjatë. Ai fillon te Paci dhe familja, vazhdon me përvojën e punës, me themelimin e sipërmarrjes, me rrugët dhe hotelerinë. Përmban prillin e ndihmave, shkollën e vendlindjes, librat, festat në bjeshkë dhe lidhjet me Gjakovën. Etj. Këto ngjarje i japin përmbajtje vlerësimit që kemi për të sot.
Dr. Skënder Demaliaj ndalet shpesh te humanizmi dhe komunikimi. Ibrahim Hajdarmataj flet me mirënjohjen e bashkëvendasit që ka parë ndihmën të mbërrijë në trevën e shtëpitë e Bytyçit. Dëfrim Cani e njeh përmes veprave, Mustaf Abazi përmes takimit dhe projekteve, Halil Ahmeti përmes bashkëpunimit me shoqatën. Kronika e Nertila Dostit sjell një çast të rëndësishëm të investimit hotelier. Shkrimet e mia ruajnë kujtime nga ndihmat dhe jeta kulturore. Secili zë e ndriçon nga afër një anë të njeriut format madh bashkëkohor Ram Geci.
Prej këtyre dëshmive del një Ram Geci i lidhur me punën dhe me përgjegjësitë që ajo sjell. Arritjet e tij marrin vlerë edhe në përdorimin që gjejnë te të tjerët: te udhëtari që kalon rrugën, te punonjësi që ka një vend pune, te nxënësi i shkollës së Pacit dhe te familja që mori ndihmë në ditë të vështira.
Në fund, më kthehet urimi i vendlindjes. Është i thjeshtë dhe ka brenda kujtesën e punëve të mira: “T’u rrittë ndera, o Ram Geci!”. Në faqet e këtij portreti kemi ndjekur disa prej arsyeve përse ai urim është thënë. Njeriu vazhdon punën; njerëzit mbajnë mend.
Tiranë, 1 nëntor 2026
Pershendetje dhe mirenjohje per publikimin e ketij shkrimi kushtuar prof. Muratit, si njeri fisnik, gazetar dhe krijues pasionat, duke perfshirw kulturen dhe çeshtjen kombetare. Faleminderit, sepse Profesori yne meriton me shume nderime, madje edhe shteterore.