Alain Berset, Këshilltari Federal Ministër i Departamentit të Çështjeve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Zv/President i Zvicrës ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë ku ka patur takime me Ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Zoti Berset është pritur edhe nga Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj.
Z.Berset në faqen e tij në rrjetin social shkruan edhe në shqip:
“Hap i rëndësishëm për qytetarët zviceranë dhe shqiptarë: marrëveshja për sigurimet sociale nënshkruar me Delina Ibrahimaj shënon konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona. Shkëmbime të shkëlqyera edhe me Zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj dhe Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.”
Edhe Delina Ibrahimaj nga ana e saj po në rrjeshtin social shkruan:
“Së bashku me Ministrin zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset, nënshkruam marrëveshjen për sigurimet shoqërore që siguron trajtimin dhe përfitimin social, të barabartë për qytetarët e të dy vendeve.”
Dmth që shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër, do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributive.
Më tutje ministrja Delina Ibrahimaj shkruan në rrjetin social:
Takimi me Ministrin Berset konfirmoi edhe një herë vullentin për të forcuar bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona.
Ndër vite Konfederta Zviceriane ka ofruar mbështetje financiare për zhvillimin ekonomik e mirëqenien sociale, për sektorë prioritarët, si dhe për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019.
Aktualisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë po mbështetet nga qeveria Zviceriane në fushën e punësimit, zhvillimit të arsimit profesional, politikat e zhvillimit ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave dhe pronësisë industriale.”
Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi sapo parlamentet e të dy shteteve do ta miratojnë atë.
Edhe Ministrja Manastirliu vlerësoi kontributin e qeverisë së Zvicrës për mbështetjen e qeverisë shqiptare gjatë periudhës së pandemisë, për kontributin për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, teksa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë ka qenë I shkëlqyer me qeverinë zviceriane, ndaj gjej rastin t’iu falenderoj sepse falë këtij bashkëpunimi, kemi ngritur medele shumë të mira të qendrave të kujdesit parësor, të cilat më pas I kemi replikuar në një program kombëtar të rehabilitimit të tyre. Jam e kënaqur që do të nisim fazën e dytë të këtij bashkëpunimi dhe jemi të gatshëm ta forcojmë bashkëpunimin tonë, drejt objektivit të mbulimit shëndetësor universal. Forcimi I kapaciteteve të burimeve njerëzore është një tjetër cështje për ne e një rëndësie parësore, ku duam të fokusojmë bashkëpunimin me qeverinë zviceriane”, tha Manastirliu.
Komentet