Ne gazetarëve na bie të përballemi me shkelësit e ligjit, me profiterët, klientët që i mbron shteti hibrid i Edi Ramës me aleatët e tij deri në NYC.
I nderuar z.Lek Mirakaj,
Keni botuar dje, më 30 Nëntor një prononcim tek Dielli, të cilit do t’i përgjigjem, por përpara Ju sjell respektin që kemi si shqiptarë, gazetarë dhe botues të Voal.ch.
Ju jeni një prej dëshmitarëve të tragjedisë kombëtare shqiptare nën diktaturë, ku familja juaj ka vuajtur 950 vjet vrasje, hetuesi, burgje dhe internime! Pra, jeni një monument i gjallë i viktimave shqiptare nën regjimin stalinist më brutal dhe monstruoz të Europës Lindore. Keni filluar kalvarin e vuajtjeve që kur ishit 2 vjeçar, i keni lindur fëmijët dhe i keni rritur në internim dhe përgjatë këtyre tre dekadave tranzicion keni mbajtur qendrime koherente, që kanë rezonuar gjithonë me interesin kombëtar të shqiptarëve.
Kur themi shqiptarë, kemi parasysh çdo shqiptar të ndershëm, pavarësisht bindjeve ideologjike dhe fetare, por që është ndarë, konvertuar dhe e ka dënuar të shkuarën diktatoriale.
Përpara se t’i referohem prononcimit në fjalë, dua të them se tek Voal.ch kemi botuar shumë qendrime Tuajat në përgjigje të situatave dramatike që vazhdon e përjeton Shqipëria dhe shqiptarët të keqqeverisur nga një klasë politike e papërgjegjëshme dhe me skeletë në dollapë nga e shkuara.
Po sjell këtu disa thekse prej këtyre qendrimeve:
Më 28 qershor 2021, Ju Z.Lek Mirakaj shkruani: “Katër vjet më parë gjatë një takimi në Vatër, i pata shprehur Lulzim Bashës bindjen se rruga drejt qeverisjes së vendit kalon duke u mbeshtetur fort te idealet e Dhjetorit 1990 dhe bashkëpunimi i sinqertë me ish të përndjekurit politikë, që ndjehen të anashkaluar. Nuk ju sjell ne qeveri aleanca e dyshimtë me të majtën, po bashkëpunimi me 30% të poullatës që, po të ndjehet pjesë e përfaqësuar në parti, jo parti e saj, do ju japë fitoren….Të pretendosh se është bërë dekomunistizimi, është gënjeshtër.“
Pra, Ju keni kuptuar se Lulzim Basha ka hyrë në alenca të dyshimta me të majtën dhe keni parashikuar humbjen e 25 prillit 2021, që në vitin 2017, kur Lulzim Basha e braktisi çadrën e grevës dhe u fut në aleancë me Edi Ramën. Ju po ashtu e keni parë me pasoja për vendin, faktin që ende nuk është kryer procesi i dekomunistizmit, përkundrazi bijtë e nomenklaturës komuniste qeverisin sot Shqipërinë.
Të pretendosh se është bërë dekomunistizimi, është gënjeshtër – Nga LEK MIRAKAJ
Në shkrimin tuaj të datës 15 mars 2021, një muaj e pak para zgjedhjeve, ju shkruani midis të tjerave:
“Jemi para Prillit dhe shqiptarve i jane vene perball dy modele, te zgjedhin midis PD qe me gjithë gabimet e te kaluares vjen ne keto zgjedhje me figura si Alizotin apo Fratari apo Enveristeve te perfaqesuar nga z.Bozo apo z.Ruçi. Pretendimi se te dy palet jane te njejta eshte nje mashtrim i perdorur nga soc.kom. Nuk mund te jene njesoj ,nje parti qe vjen ne keto zgjedhje me nje numer te konsiderushem ish te perndjekurish dhe nje parti ku mbizotëron adhurimi per diktatorin.”
Pra jeni Ju që nxirrni në spikamë pa asnjë lloj dyshimi se Edi Rama nuk është një kryeministër mbi partinë, por kryeministri i një partie ende të pakonvertuar, çka bie ndesh me një sistem demokratik, por edhe me shtresën e të përndjekurve politik, viktimave të regjimit diktatorial.
Zonja Bozo na ndihmoi me siqeritetin e saj: Me ENVERIZMIN APO NDRYSHIMIN Nga Lek Mirakaj
“Më datën 23 qershor 2021, Ju z.Lek shkruani:
“Edi Rama deshtoi me te ashtuquajturin “Samit të Diaspores”. Ministri i Diasporas Pandeli Majko deshtoi ne turin e tij ne Amerike se nuk respektoi Vatren, e konsideronte armike.”
Lek Mirakaj: Ministri i Diasporas Pandeli Majko dështoi ne turin e tij ne Amerike se nuk respektoi Vatren, e konsideronte armike
Me këtë deklarim ju shprehni qartë se është qeveria e Edi Ramës, që tash ka hyrë në mandatin e tretë, me ministrat e tij që vijon t’i konsiderojë armiq Vatrën dhe Vatranët, përmes politikave të ndarje-përçarjes.
Kemi pa fund deklarimet Tuajat, që ne editorët e Voal.ch, i kemi botuar si model i përgjegjshmërisë, patriotizmit dhe integritetit, sepse në çdo kohë pavarësisht situatave keni mbajtur qendrime shumë korrekte përpara ndërgjegjes tuaj dhe Zotit atje lart.
Tani do të kthehem tek deklarata që keni botuar dje tek Dielli, që më duket, për mendimin tim, se del jashtë koherencës tuaj.
E filloni kështu: “Ka disa dite qe Vatra eshte bere objekt i sulmeve qe vijne nga ambjente qe nuk kane asnje lidhje me Vatren. Thene troç, po kerkohet qe Vatra te behet pjese e debatit dhe konfliktit qe ka perfshire PD-ne.”
– Jo, Z.Lek, kjo nuk mendoj se është kështu. Vatra kritikohet nga ambjente që kanë pasur dhe kanë gjithmonë lidhje me Vatrën, e kam fjalën për Vatrën e Etërve dhe për lidhje shpirtërore edhe kur Shqipëria ishte e izoluar në burgun e diktaturës, po ashtu edhe sot si komunitet kontribues Shqiptaro-Amerikan.
Ju vetë, pa teser partie të PD, edhe unë që po i shkruaj këto rradhë, pa teser partie, sikur edhe 30% popullsia e të përndjekurve, që gjithmonë kemi qenë dhe jemi në krah të PD-së për arsyen që vetë e theksoni, si parti që rrëzoi sistemin monist dhe Ju bashkë me Familjen, sikur mijra të tjerë, Ju bëri të mundur që të shpëtonin nga internimi 45 vjeçar e të vinin në Perëndim, SHBA dhe BE.
Vatra ka rrëshkitur jo sot, por ka disa vjet që është në krizë identiteti. Vatra u ça në dy pjesë, para dy vjetësh, shkoi në gjyqe, njëra Vatër akuzoi tjetrën dhe anasjelltas, tani rezulton që të jetë pajtuar, por nuk është bërë asnjë sqarim publik si e qysh, pra nuk plasi sot, është diçka e grumbulluar, shkelje statuti, shkelje Kanunores, shkelje konstitucioni të trashëgimisë të Vatrës. Pra “rrëmujën” nuk e kanë krijuar të huajt, as të jashtmit, por vetë Vatranët.
Në prononcimin tuaj Ju Z.Lek shkruani se: “Vatra eshte organizate me karakter anti komunist dhe rreshtohet gjithmon ne mbrojtje te demokracise, por nuk perfshihet ne problemet e brendeshme te partive politike, me perjashtim te rasteve kur gjykon se cenohen interesat kombetare.”
Po de jure kështu është, por de fakto puna qendron ndryshe. Problemi sot nuk është një diskrepancë brenda partive, konkretisht brenda PD-së, pasi Ju keni shprehur një dyshim që katër vjet më parë, se Lulzim Basha është i lidhur me Edi Ramën. Këtu është në pyetje pluralizmi dhe zhdukja e opozitës, pra problemi nuk është i vogël, hyn direkt në interesin kombëtar, sepse Edi Rama me Lulzim Bashën e kanë asgjësuar opozitën, jo më me burgje, por në mënyrë moderne, përmes nëntokës si dhe duke shtrirë tentakulat deri në diasporë e deri tek Vatra dhe Dielli, pra deri tek ju.
Në deklaratën e botuar dje tek Dielli Ju shkruani: “Vatra konsideron si cenim te interesave kombetare kur pengohet lirija e fjales dhe zgjedhjes, kur mitizohet figura kriminale e diktatorit dhe organet ligjzbatuese heshtin.” –
Po Vatra e Etërve, e Faik Konicës, e Nolit, e Kristo Kirkës, e Bahri Omarit, Arshi Pipës etj., pra Vatra e vlerave mbron këto standarte që Ju përmendni, ndërsa Ju e dini shumë mirë se kreu i Vatrës prej 25 majit censuron shkrimet e botuesve të Voal.ch, duke shkelur Amendamendin e parë të Kushtetutës Amerikane.
Vatra shkeli statutin kur bashkëpunoi me portalin qeveritar të Pandeli Majkos. Kanunoren e shkeli edhe anëtarja e kryesisë së Vatrës, edhe editori i sapozgjedhur, sepse nuk ka liri fjale në mediume qeveritare të centralizuar nga Edi Rama dhe levat e tij deri në New York. Ju vetë jeni shprehur për Pandeli Majkon se ai dështoi me diasporën në Amerikë.
Vatra ka zgjedhur rrugën e heshtjes:
Vatra heshti edhe kur disa ditë më parë deputeti i PS, pikërisht në Festën e Pavarësisë, më 28 Nëntor 2021, në flamurin shqiptar vendosi portretin e diktatorit.
Vatra heshti po ashtu kur DASH nderoi Ardian Dvoranin, ish prokuror i diktaturës si “Kampion i Antikorrupsionit”.
Vatra nuk iu bashkangjit peticionit të Diasporës në SHBA dhe Kanada, dërguar Sekretarit të Shtetit, z.Anthony J. Blinken, që DASH ta anullonte nderin ndaj Dvoranit.
Vatra heshti kur kryetari i sapozgjedhur, ndërsa iu kundërvu fraksionit të Vatrës me gjyqe dhe konflikt të hapur, shkoi edhe u takua me Gramoz Ruçin, për të cilin Ju me të drejtë nuk e konsideroni institucion të shtetit demokratik shqiptar, por përfaqësues të diktaturës edhe pas tridhjet vjet tranzicion, ku Ju vetë shpreheni qartë se në Shqipëri ende nuk është bërë dekomunistizmi.
Në prononcimin tuaj botuar dje tek Dielli Ju shkruani se “individe qe nuk kane asnje lidhje me Vatren i japin te drejten vehtes te kritikojne Vatren se ne festen e indipendences i konsideron te gjithë shqiptaret njesoj.”
I nderuari Z.Lek nuk mendoj kështu. Ju lutem që të jeni koherent me vetë Lek Mirakajn, kur thoni se Vatra është një organizatë antikomuniste, konservatore, e vlerave demokratike, kur Ju vetë e denonconi Edi Ramën; Jeni Ju vetë që e kërkoni bashkimin e opozitës për të mundur Edi Ramën që ka vjedhur zgjedhjet, që ka vendosur kontrollin e patronazhistëve. Të Edi Ramës që bashkë me Vuçiç, zëdhënësin e Milosheviçit mbështet Open Ballkan duke iu kundërvënë interesave kombëtare dhe rajonale për paqe dhe stabilitet.
Ju shkruani se “Vatra me respektin ndaj institucioneve te shtetit shqiptar nuk ka bere asgje me teper se parite politike kane bere ne Atdhe.”
Për cilin shtet e keni fjalën Z.Lek, për cilat institucione, të Edi Ramës, që e ka shpallur Vatrën armike ?! Që Vatra paska respektuar institucionet e qeverisë së Edi Ramës, i cili ka kapur çdo shtyllë të shtetit duke asgjësuar opozitën dhe sistemin ? Për institucionet e shtetit monist të Edi Ramës e keni fjalën ?!
Vatra nuk kishte se përse të imitonte partitë në Shqipëri, por e kishte për detyrë që të mbështeste bazën e PD, që janë njerëz të thjeshtë, qytetarë të përvuajtur, përfaqësues të shtresës së të përndjekurve që gjallërojnë Foltoret prej dy muajsh. Baza nuk është Sali Berisha, baza është populli opozitar i tradhtuar, i mbetur pa përfaqësues, sepse Lulzim Basha është i kapur nga Edi Rama, çka Ju vetë e keni konstatuar, që katër vjet më parë. Në Shqipërinë e sotme ku është eleminuar pluralizmi dhe populli opozitar kërkon të drejtën elementare, që të ekzistojë!
Përpara gjithë kësaj drame kombëtare, kur në Shqipëri pensionistët memzi marrin frymë me nga 170 $ në muaj, Vatra bën gala qejfi dhe ndan dekorata për të marrë me të mirë pjesëtarë të komunitetit. Për çfarë i ndani dekoratat apo për shtetin demonkratik që ka sot Shqipëria! Se keni mbajtur fjalën e Etërve të Vatrës, që Nëna të mos ketë frikë, se ju paska juve!
Vatra e ka humbur shpirtin e protestës;
Vatra nuk lejon që tek Dielli të botohen kritika për Edi Ramën;
Vatra kontrollon dhe nuk lejon mendimin e lirë kur i bëhet thirrje DASH që të marrë në vemendje situatën në Shqipëri që po degjeneron çdo ditë e më shumë,
pra Vatra ka dalë nga orbita e saj e natyrshme.
Sa për pjesmarrjen në festimet e 28 Nëntorit, që Ju i konsideroni sukses apo mbështetje për Vatrën, kjo përkthehet mbështetje për Vatrën e Etërve, se Vatra është pronë e komunitetit Shqiptaro-Amerikan, është trashëgimi e vyer dhe jo pronë e dikujt.
Nëse Vatra sot hap ua portën përfaqësuesve të shtetit rrumpallë – sikur e thoni vetë – dhe ndërkohë ua mbyll portën të tjerëve, qytetarëve të lirë, kritikëve të Edi Ramës dhe viktimave të diktaturës, dmth Vatra nuk është në rregull.
Mos harroni, se gjatë qeverisjes tetëvjeçare të Edi Ramës janë me dhjetra mijë shqiptarë që kanë braktisur Atdheun për në Perëndim që i kanë ikur keqqeverisjes dhe korrupsionit masiv, ku ministrat e Edi Ramës ose kanë lidhje mafien, ose me Ndragetën.
Ju vë në dukje se kjo situatë që Vatra e mbulon me gjethe fiku rëndon pikërisht tek shqiptarët, ndërsa ne gazetarëve na bie të përballemi me shkelësit e ligjit, me profiterët, klientët që i mbron shteti hibrid i Edi Ramës me aleatët e tij deri në NYC.
Me festimet e Ditës së Flamurit po shfrytëzohet ndjenja e atdhedashurisë e gjithë komunitetit Shqiptaro-Amerikan, ndërkohë që çmimet e biletave të darkave janë shumë të shtrenjta, sa disa pensione mujore të pensionistëve në Shqipëri përfitimet e të cilave shkojnë në xhepa individësh pa u përdorur për asnjë kauzë të rëndësisë kombëtare.
I nderuar Z.Lek Mirakaj,
besoj se do të më mirëkuptoni, në fakt, unë mbroj 100 % qendrimet tuaja të shprehur publikisht çka nuk përkon me qendrimin tuaj më të fundit në deklaratën e botuar dje më 30 nëntor tek Dielli, organi i Vatrës që sot identifikohet me censorin dhe Ju për këtë të paktën keni djeni të plotë.
Me nderime
Elida Buçpapaj
Në linkun e poshtëm është prononcimi i z.Lek Mirakaj botuar dje tek Dielli.
Vatra konsideron si cenim te interesave kombetare kur pengohet lirija e fjales, mitizohet figura kriminale e diktatorit dhe organet ligjzbatuese heshtin Nga Lek Mirakaj
Komentet