Ishte viti 1963, kur mamën time të sapodiplomume për mësuesi, e caktun me punë në Troshan, një fshat i dëgjum për ateherë ky, i ndodhun në kufi të Shkodrës dhe Lezhës, si me dasht me qenë lidhësi i këtyre dy qendrave të hershme urbane. Shkolla e fshatit ishte vendosë në një ambient të kishës, e ndërsa mësuesit, gjithsejt gjashtë vetë dhe pothuajse të një moshe, pra të sapo shkollum e hedhë në jetë, për me bujtë ishin rregullu po ashtu në një pjesë të qelës së priftit.
Banorët e kësaj zone të nënShkodrës, apo Zadrimës siç thirret ma së shumti ky vend i bekum prej zotit me të mira, ishin mjaft arsimdashës, e pikërisht prej këndej vinte dhe i shumkulturuari Patër Gjergj Fishta.
Mbas jo pak vështirësish e situatash të sikletëshme për të si bijë e një ish familjeje tregtarësh e pronarë tokash, mama arrin me u diplomu, dhe menjiherë edhe me u emru, si duket “falë zotit ma shumë se robit”, me punë në profesonin e vet, të andërrum që në fmininë e saj. Them kjo mrekulli për të erdh falë “zotit”, jo si besimtare që jam a s’jam, por për faktin se shumë shpejt andrra do t’i ndërpritej sa pa fillu me u ba e vërtetë, e mësuesinë nuk do ta linin ta ushtronte ma deri pas viteve 90.
Kisha shkollë apo shkolla kishë e këtij fshati, kishte një hapësirë përqark saj, një si minifermë,me gjedh, shpend e bagëti si dhe disa parcela të punueme me tepër kujdes, mbjellë me lloj-lloj zarzavatesh e perimesh, e anash tyre dru frutorë, hardhi rrushi si dhe plot peme për hije, bukuri e ajër të pastër. Të gjitha këto ishin mbjellë e mbaheshin me shumë përkushtim nga vetë prifti, Patër Filip Mazreku, një klerik ky shumë i njohun e i nderum – (kishte dhanë dikur mësim në kolegjin e juzeitëvë) , por po aq dhe i sulmumë e i dënum ma vonë prej të pafeve, duke mbartë mbi shpinë jo pak por pesë vite të egërta burgu.
Orët e “punës së dorës” zhilloheshin hareshëm jashtë klasës, pikërisht në këtë eden natyror, të lakmueshëm prej të gjithëve ne që rasti na kishte bashku, të mëdhejve e të vegjëlve. Mama mezi çpriste edhe ajo ta drejtonte klasën e saj me katundarë vocrrakë në pastrimin e barnave të këqia, madje edhe me prashitë, por gëzimi ma i madh ishte momenti kur vinte koha me vjelë prodhimet, të tanë bashkë me në krye padër Filipin.
Nuk kishte kalu shumë kohë nga shkuarja e mamës sime si mësuese rishtare në këtë shkollë kishë dhe prifti, Padër Filipi fton të gjithë kolektivin e mesuesve “kojshi” për një vizitë në pjesën tjetër të qelës, apo në hapësirat ku ai banonte. Në dhomën ku mysafirët u ulën, e gjithë faqja përballë derës sa hyje ishte zaptu nga një pikturë e madhe, realizu me bojna uji direkt në mur. Në atë peisazh panoramë dallohej menjëherë nji urë e gjatë dhe e harkume, e ndame në dy pjesë, të cilat ma shumë se pjesë të urës ishin dy periudha jete të vetë patër Filipit, e para e shkollimit të tij për teologji dhe e dyta e ushtrimit të urdhërit t’ shërbyesit të zotit. Numrat e viteve shoqnoheshin përbri me fjalë jetshkrime. Po të afroheshe syni të rrokte ndër to edhe emra nxanësish të dikurshëm të Padër Filipit, të cilëve dikur u kishte mësu muzikë si Zadeja , Daija, Kapedani, etj.
Pasi na sajdisi me fruta të bollshme për atë stinë – tregon mama – për me ba gëzuar na hapi ndër sy nji shishe ven, e cila që nga pamja dukej se ishte shumë e vjetër, le ma kur e provum.
Fillum të prezantoheshim simas radhës së rastit, me emra dhe mbiemra familjesh. U vu re qart se u ndal së pyetmi ma gjatë nji shoqen tonë, e quajtun Hire Mjeda, për të cilën edhe ne vet aty e morëm vesht se ishte e bija e Kolë Mjedës, deputetit të Shkodrës në parlamentin e 1921. Mbasi unë fola dy fjalë për vedin, menjëherë, gati si me dashtë me m’ ndërpre, Padër Filipi më pyeti direkt:- Mbiemni asht shumë i njoftun për mu, a keni t’ bajn me Ruzhdi Beg Bushatin?
Ndërkohe mama ime ishte vet mbesa e tij. Qetë, por me sytë që i morën menjëherë nji xixllim, Ai u shpreh me nji normalitet të habitshëm, se kishin vuajt denimin bashkë dhe për nji kohë madje kishin nda bashkë të njëjten qeli burgu. Kaq dhe nuk foli ma gjatë me mu. Në kohën në vazhdim, e ndjeva dukshëm përkujdesin e veçantë të tij për mua- tregon mama. Më mbante afër, shpesh me ftonte veçant, me pyeste gjanë e gjat՞ e kishte qejf me nda me mu diçka nga e kaluemja. Dija pak për axhën tem n’ at kohë, ndofta ngaqë kishte vdek pak kohë mbasi kishte dalë nga burgu. Dhe siduket, nga bisedat e Padër Filipit për të, axha m’u ba ma i plotë dhe Padër Filipi ma i afërt, saqë ndonjiherë me duket se ishin ba nji, axhapader.
Vjeshta kaloi e bukur në këtë parajsë ku bashkëjetonim njerëz, kafshë e bimsi. Fillun shinat dhe përnjiherë i ftohti u shtru ranshëm. Gjatë dimnit duke mos mujt me shku pranë familjeve tona, ai vend na u ba shpi e dytë.
Mesnatën e Krishtlindjes, Padër Filipi na ftoi me e prit n’ kishë. Ne si grup të rinjsh na vendosi në hapsinën e vogël të katit të dytë, aty nga ku rroknim të gjithë sallën dhe njerëzit që hynin n’kishë. Mesha filloi madhështore, dhe si nji situatë jo aq familjare për disa nga ne, na bani shumë përshtypje , shoqnu kjo me ekzaltime të zashme apo komente mes nesh. Dhe rrallë, përnjiherë edhe me ikje nga situata, zhurmushëm në muhabete për qejfin tonë. Këtë gja e kuptum vetëm atëherë kur pamë se kokat e njerëzve të drejtum nga ne u ngritën disa herë.
Pas meshës, kur u mblodhëm në dhomën e ndenjës të ftum prej Padër Filipit, ishim të gjithë si të mpimë. Entuziasmi na kishte ra e prisnim tan zor për ndonji qortim. Ndërkohe, si me na lexu fund e kry, ai njeri sa autoritar po aq dhe i butë, veshun ngri me veladonin e ceremonisë dhe rrethu prej veglash muzikore, të cilat na I kishte provu herë mas here se i binte mrekullisht të tanave, zuni vend në piano dhe filloi me këndu si nji i ri, të famshmen kanconetë italiane “ la campagnola bella “ . Të gjith u gjallnum si me buton se kanga ishte familjare për ne, e ma se shumti kjo e lumturoi Hiren, që e interpretoi kangen si nji profesioniste me e pase zili të tanë. Kaq u desht, dhe nata e fillueme me solemnitet me u mbyll në të zbardh me hare dhe gëzim për jetën.
Denata
Komentet