VOAL

VOAL

Enton Abilekaj: Këtë qeveri e kanë vendosur për herë të parë oligarkët

September 6, 2021

Komentet

Pse ky kompleks të themi se mbrojmë shqiptarët kudo ku ndodhen- Nga GENC BURIMI

Një gjë nuk duhet lënë pa komentuar me ashpërsinë e duhur, përtej çështjes së lumit Ibër, që Serbia projekton ta devijojë për të martirizuar Kosovën. Aspekti edhe më revoltues, sipas opinionit tim, është kur Beogradi na thotë, nëpërmjet ministrit të tij të Jashtëm, se Shqipëria duhet ta qepë gojën, meqenëse ky lumë nuk kalon nëpër territorin e saj. Dhe nëse Shqipëria guxon dhe flet, ajo, sipas Beogradit, dëshmon në këtë mënyrë se i fryn ëndrrës së Shqipërisë së Madhe.

Surrealiste! Por edhe më surrealiste është kur nuk hasim në asnjë deklaratë kundërpërgjigjeje të politikanëve në Shqipëri këto ditë, duke filluar nga Kryeministri, për t’i rikujtuar Serbisë këtë të vërtetë elementare: se ajo ia autorizon vetes, dhe me shumë të drejtë, të shqetësohet se çfarë ndodh me serbët kudo në Ballkan, nga Kosova në Mal të Zi e deri tek ata në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa Tiranës, Beogradi, pa pikë turpi, ia mohon ta ushtrojë edhe ajo këtë të drejtë elementare, që Shqipëria të shqetësohet për atë që ndodh me shqiptarët jashtë kufijve të saj. Për më tepër, ka shumë shqiptarë që jetojnë në Kosovë të pajisur me pasaportë shqiptare, ashtu siç ka shumë serbë në Mal të Zi që kanë edhe pasaportë serbe.

Një shembull tjetër: a nuk shqetësohet Greqia, vend i BE-së, natë e ditë jo vetëm se çfarë ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, por edhe me qipriotët që flasin greqisht? Nëse Turqia do t’i bënte një bllokadë detare apo ajrore Nikozisë për ta penguar atë në transport, Greqia e para do të reagonte shumë ashpër dhe më shumë se çdo vend tjetër, sepse bëhet fjalë për shtetas që flasin greqisht dhe që ajo i mbron para së gjithash.

Dhe Greqia pikërisht kështu reagoi në mbështetje të Nikozisë në çështjen konfliktuale, kur Turqia kërkonte t’i zaptonte zonat detare me hidrokarbure. Askush nuk u dëgjua të thoshte: “Pse fut hundët Greqia?”, sepse pikërisht janë grekë ata që banojnë në Qipron greke.

Atëherë, pse klasa jonë politike e lejon që Beogradi t’i thotë Tiranës të qepë gojën, kur Serbia po përgatitet t’i bëjë bllokadë uji Kosovës, domethënë shumicës shqiptare që banon aty?

Ndaj nuk ka nevojë dhe vend për justifikime të panevojshme të Edi Ramës, nëse po tregohemi apo jo “shqiptaromëdhenj” duke kritikuar Serbinë për horrorin që po përgatitet t’u gatuajë shqiptarëve të Kosovës me çështjen e ujit.

Duhet thënë ballëhapur, gojëplot dhe pa më të voglin kompleks se Shqipëria mbron energjikisht të drejtat e të gjithë atyre që kanë identitet shqiptar, kudo ku ndodhen, ashtu siç e bën çdo vend tjetër në botë ndaj komuniteteve me të cilat ndajnë të njëjtin identitet etnik, gjuhësor, historik dhe kulturor.

Serbia s’mund t’i kërkojë kurrë Shqipërisë të mos bëjë atë që vetë Serbia bën për serbët jashtë saj.

Por edhe nëse na kërkon të heshtim, kujt i bëhet vonë?

Qentë le të lehin…

Vlora e kthyer në ‘një prostitutë’ të pasjellshme turistike! – Nga IRENA BEQIRAJ

Pas shumë vitesh vendosa të kaloj 3 ditë verore në qytetin tim të lindjes. Trafiku më detyroi ti kaloj këto tre ditë jo në shtëpinë e prindërve por në hotel afër detit.

Në ketë konvikt të madh betoni pa identitet nuk di si ta quaj veten vendase apo turiste .
Në Vlorën ku turizmi është shndërruar në një akt frenetik performance e dukje nën markën e turizmit elitar nuk mungojnë pishina prive për ata që harxhojnë 35,000 mijë lekë në klub, edhe për të pirë një kafe duhet të paguash 3,000 lekë vëtëm për hyrje, shprehja e Cecilie Hollberg, drejtoreshës së Gallerisë dell’Accademia në Firence, e cila thotë: “Sapo qyteti bëhet prostitutë, është e vështirë të kthehet përsëri në virgjëreshë”, është kaq aktuale.

Në Vlorën turistike, e keqpërdorur nga pronarë e menaxherë resortesh dallkaukë e të pasjellshëm, edhe deti m’u duk larg edhe pse isha afër tij . Pranë detit ku u rrita ditët nuk janë më furra të buta ngrohtësie, edhe netët nuk janë në ninulla valësh ku mendja mund të qetësohet. Në buzë të detit ku u rrita të rrethuar tanimë nga katrahura e betonit, lulëzon çmenduria pa kuptim e të ashtuquajturit turizëm elitar të ofruar nga një tufë dallkaukësh të pangopur .

Këto ishin 3 ditët e fundit në Vlorë …….. në këtë qytet nuk dihem më vlonjate , por refuzoj të quhem edhe turiste e qytetit tim fatkeqësisht të kthyer në një prostitutë të pasjellshme!

A po bëhet mosnjohja e Kosovës aset diplomatik i Ukrainës?

Doruntina Baftiu

Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Serbisë nuk janë strategjike, por interesat e ndërsjella që i kanë afruar dy vendet po ndikojnë edhe në mënyrën se si Kievi e trajton çështjen e pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë.

I gjithë ky diskutim u nxit pas vizitës së parë zyrtare të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ai tha se respekton integritetin territorial të partnerëve dhe se qëndrimi i Ukrainës ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës “mbetet i pandryshuar”.

Kateryna Shymkevych, eksperte në Qendrën Analitike për Studime Ballkanike me bazë në Ukrainë, thotë se Kievi e sheh bashkëpunimin me Beogradin si të dobishëm për furnizimin me municion, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për ta afruar Serbinë, qoftë edhe pjesërisht, me Perëndimin.

Ndërsa Serbia, thotë ajo, ka nevojë për marrëdhënie më të mira me Gjermaninë dhe Francën, dhe e sheh Ukrainën si një urë drejt BE-së, Ukraina ka interesa konkrete në raport me furnizimin me armë dhe municion dhe dëshiron të mbajë një kanal komunikimi me një vend tradicionalisht prorus.

“Ukraina qartësisht e kupton se Serbia është një vend prorus, por t’i thuash Brukselit se ne nuk do të bashkëpunojmë me Serbinë nuk është një opsion i zbatueshëm”, thotë Shymkevych për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm shprehet edhe Yevhen Mahda, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikat Botërore në Kiev.

Ai thotë se Ukraina dhe Serbia nuk mund të quhen partnerë strategjikë, dhe vlersëon se ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ai që realisht përfitoi më shumë nga vizita e Zelenskyt.

Por Mahda s’e përjashton që edhe Ukraina ka interesa në këtë marrëdhënie.

“Shkurtimisht, [Ukraina përfiton] furnizime me municion dhe perspektivën e përdorimit të Serbisë si kanal për negociata me Rusinë”, thotë ai për REL-in.

E, në këtë ekuacion interesash hyn edhe çështja e Kosovës, me mosnjohjen e saj nga Ukraina që ishte një nga pikat e diskutimit gjatë vizitës së Zelenskyt në Beograd.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Jerevan gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në maj të vitit 2026.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Jerevan gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në maj të vitit 2026.

Pse nuk e njeh Ukraina Kosovën?

Kievi e arsyeton qëndrimin mosnjohës ndaj pavarësisë së Kosovës duke u thirrur në parimin e integritetit territorial, dhe në frikën se njohja mund të përdoret nga Rusia si precedent për territoret ukrainase të pushtuara.

Por, Kosova argumenton se krahasimi nuk qëndron: në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në një analizë të publikuar këtë javë për Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Ilazi argumenton se Kosova dhe territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia nuk janë raste të krahasueshme, dhe se Ukraina nuk duhet të krijojë “paralele fiktive” mes tyre.

Kosova, tregon ai, fitoi pavarësinë pas viteve të represionit, luftës, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit. Krimea, në anën tjetër, u pushtua dhe u aneksua nga Rusia përmes forcës ushtarake.

Krimea, një gadishull në Detin e Zi, është pjesë e Ukrainës sipas së drejtës ndërkombëtare, por që nga viti 2014 ndodhet nën kontrollin e Rusisë. Në shkurt dhe mars të atij viti, forcat ruse morën kontrollin e institucioneve dhe pikave strategjike në gadishull, ndërsa më 16 mars u mbajt një referendum i organizuar nën kontrollin rus. Më pas, Rusia e aneksoi Krimenë dhe Sevastopolin më 18 mars 2014.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e hodhi poshtë referendumin dhe ndryshimin e statusit të territorit, duke riafirmuar integritetin territorial të Ukrainës.

Ukraina e konsideron Krimenë territor të saj të pushtuar përkohësisht dhe vazhdon të kërkojë rikthimin e saj nën kontrollin ukrainas.

Rusia, ndërkaq, e konsideron Krimenë pjesë të Federatës Ruse dhe e ka integruar territorin në sistemin e saj administrativ, ligjor dhe institucional. OKB-ja dhe shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar nuk e njohin aneksimin rus; rezolutat e OKB-së vazhdojnë ta trajtojnë Krimenë dhe Sevastopolin si pjesë të Ukrainës.

Edhe profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka, e vendos këtë dallim në qendër të kritikës së tij.

Sipas tij, “nuk ka paralele mes Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara”, dhe Ukraina do të ishte më mirë ta njihte Kosovën sesa të krijonte krahasime që, në fund, mund t’i shërbejnë interesave të Rusisë për të justifikuar pushtimin e territoreve ukrainase.

“Në këtë kontekst, mendoj se komenti i panevojshëm dhe jomiqësor i Ukrainës për pavarësinë e Kosovës jo vetëm që i jep legjitimitet qasjes penguese të Serbisë, por gjithashtu u ofron edhe një tjetër justifikim pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i dha fund luftës gati dyvjeçare.

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash mbi 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian – por jo edhe Kina, Rusia, e pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja).

Këtë argument e theksoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, duke thënë se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri, dhe çlirimi më 1999 erdhi pas “vitesh të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca disa ditë më parë.

Për më tepër, Visoka thotë se Kosova ka bërë mjaftueshëm për Ukrainën që Kievi ta konsiderojë njohjen, ndonëse pranon se vendimi ukrainas mund të varet nga përfundimi i luftës dhe drejtimi strategjik që do të marrë vendi.

“Bezdisja dhe reagimi i Kosovës ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd janë të matura dhe të kuptueshme. Ekziston një kufi për mbështetjen e njëanshme ndaj Ukrainës dhe Kosova mund të ketë arritur tashmë në atë pikë”, thotë Visoka.

Kosova e ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus, duke u rreshtuar me sanksionet perëndimore, duke ofruar ndihmë dhe strehim për ukrainasit, dhe duke mbështetur politikisht Kievin.

Por, për Kateryna Shymkevych nga Qendra Analitike për Studime Ballkanike, reagimi ndaj deklaratës së Zelenskyt është “i pajustifikuar”.

“Autoritetet ukrainase nuk kanë premtuar kurrë se do ta njohin Kosovën. Kjo mund të jetë një e vërtetë e hidhur, por është e vërteta”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Shymkevych thotë se për Ukrainën shqetësimi nuk lidhet vetëm me Serbinë – ai lidhet edhe me mënyrën se si Rusia e përdor Kosovën si precedent. Moska, shpjegon ajo, e ka përdorur opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën për të mbështetur argumentet e veta rreth Krimesë, Donjeckut dhe Luhanskut. Donjecku dhe Luhansku janë dy rajone në lindje të Ukrainës, të cilat Rusia pretendon se i ka aneksuar, por që ndërkombëtarisht njihen si pjesë e territorit ukrainas.

Kështu, për Kievin, thotë ajo, ekziston një dilemë reale: njohja e Kosovës mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet me shumicën e vendeve, por mund t’i japë Rusisë një tjetër argument propagandistik.

“Kjo mund të krijojë kaos edhe më të madh në sistemin ndërkombëtar, duke çuar potencialisht në luftëra civile, në erozionin e mëtejshëm apo edhe në shkatërrimin e plotë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, thotë ajo.

Mahda e thekson si pasojë të vetme mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me shtetet e BE-së që aktualisht s’e njohin Kosovën.

“Brenda Ukrainës, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë asnjë pasojë negative”, shton ai, duke thënë se për këtë u bind gjatë vizitës së tij në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, Shymkevych thekson se mosnjohja nuk e ka penguar Ukrainën të ndërtojë marrëdhënie gjithnjë e më të afërta me Kosovën.

Ajo përmend bashkëpunimin në misionin e paqeruajtësve ukrainas në KFOR deri në vitin 2022, njohjen e pasaportave të Kosovës për qëllime humanitare, lidhjet ekonomike e tregtare, dhe rrjetet e ekspertëve që punojnë kundër propagandës dhe dezinformimit.

Në vitin 2025, Ukraina emëroi edhe një përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri dhe Kosovë.

Në një intervistë të dhënë të hënën për Radion Evropa e Lirë, kreu i Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, tha se qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës mund të ndryshojë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, varësisht “nga qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të tij anëtare”.

Ideja e Vuçiqit për Ibrin: Kërcënim politik apo skenar real me pasoja për Kosovën?

Ura e Bërnjakut mbi Liqenin e Ujmanit.

 

Sandra Cvetkoviq, Jovana Kërstiq

Paralajmërimi i Bashkimit Evropian, reagimet e ashpra në Kosovë dhe përplasja mes zyrtarëve në Tiranë e Beograd pasuan deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Bashkimi Evropian paralajmëroi se deklaratat e zyrtarëve serbë nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në BE.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumenjve, si dhe veprimet që nuk janë në përputhje me këtë synim, duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit reagoi lidhur me këtë çështje, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit në mënyrë që lumi ta anashkalonte Kosovën do të ndërpriste prurjet e ujit në Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë për një skenar në të cilin furnizimi me ujë do të ndërpritej menjëherë”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Kosovë, Alban Kuriqi.

Për Dushan Janjiqin nga organizata joqeveritare Forumi për Marrëdhënie Etnike, retorika e Vuçiqit është e rrezikshme, krijon atmosferë të keqe dhe mund të ndikojë edhe në pozitën e serbëve në veri të Kosovës.

“Ai tani po e përdor këtë për ta zgjatur disi pushtetin apo për të fituar diçka në zgjedhje, por rreziku është i madh. Ta përdorësh këtë si një mantrë ideologjike-propagandistike është e rrezikshme”, vlerëson Janjiq.

Deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit vijnë në një kohë kur ai po përballet me kritika nga një pjesë e opinionit publik në Serbi, sipas të cilave nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur pronën e serbëve në veri të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës nisën më 21 korrik rrënimin e shtëpive të ndërtuara pa leje pranë Liqenit të Ujmanit në veri të vendit, zonë e banuar me shumicë serbe.

Autoritetet në Prishtinë i konsiderojnë deklaratat e Vuçiqit si shantazh politik dhe kërcënim, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi, hyn në Kosovë, ku rrjedh për rreth 82 kilometra, dhe më pas rikthehet në Serbi.

Ai furnizon me ujë liqenin artificial të Ujmanit, i cili shtrihet në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rreth dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Kosovës.

Realitet apo demagogji politike?

Profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Kosovë, Alban Kuriqi, thotë se mundësia e ndërprerjes së prurjeve të ujit në Ujman duhet parë para së gjithash si një vendim politik.

Ai shpjegon se një projekt i tillë do të ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar teknikisht dhe shumë i kushtueshëm.

“Megjithatë, nga një perspektivë afatgjatë inxhinierike, devijimi i pjesshëm ose marrja e një sasie të konsiderueshme uji në rrjedhën e sipërme është teknikisht e mundshme dhe për këtë arsye nuk duhet të hidhet poshtë plotësisht si e pamundur”, thotë Kuriqi.

Por, sipas tij, kjo do të kërkonte infrastrukturë të madhe hidroteknike.

Do të duhej të ndërtohej një digë për devijimin e ujit, objekte për marrjen e ujit dhe një kanal, tubacion ose tunel i madh për ta transportuar atë drejt një pellgu tjetër ujëmbledhës apo një rezervuari tjetër.

“Nëse transportimi me gravitet nuk do të ishte i mundur, do të nevojitej edhe infrastrukturë e konsiderueshme pompimi, si dhe energji për funksionimin e saj”.

“Një projekt i tillë do të kërkonte gjithashtu studime të hollësishme topografike, gjeologjike, hidrologjike dhe mjedisore, mjete të konsiderueshme financiare dhe shumë kohë për ndërtim”, thotë Kuriqi.

Cilat do të ishin pasojat?

Uji nga Liqeni i Ujmanit furnizon sistemin Ibër-Lepenc, i cili siguron ujë për objekte industriale dhe mundëson ujitjen e tokave bujqësore.

Prej tij furnizohen me ujë disa qytete të Kosovës. Uji përdoret gjithashtu nga hidrocentrali i Ujmanit, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës e shfrytëzon atë për ftohjen e termocentraleve.

“Ujmani varet në masë të madhe nga këto prurje nga rrjedha e sipërme. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se pothuajse i gjithë uji që Ibri sjell në Ujman vjen nga Mali i Zi dhe Serbia”, thotë Kuriqi.

“Prurja mesatare afatgjatë në rezervuar vlerësohet në rreth 11 metra kub për sekondë, megjithëse ajo ndryshon ndjeshëm mes viteve me reshje dhe atyre të thata, si dhe sipas stinëve”, shton ai.

Kuriqi shpjegon se rezervuari i Ujmanit ka kapacitet të konsiderueshëm për ruajtjen e ujit, prandaj zvogëlimi i prurjeve nuk do të nënkuptonte që Kosova do të mbetej menjëherë pa furnizim me ujë.

Megjithatë, ai paralajmëron se një zvogëlim i madh dhe afatgjatë i prurjeve do të kishte pasoja serioze për Kosovën.

“Kjo do ta zvogëlonte prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe, me kalimin e kohës, do të kërkonte vendime gjithnjë e më të vështira për ndarjen e ujit mes furnizimit të popullsisë, prodhimit të energjisë elektrike, industrisë, bujqësisë dhe sigurimit të rrjedhës ekologjike”.

“Pasojat, rrjedhimisht, do të vareshin në masë të madhe nga shkalla dhe kohëzgjatja e zvogëlimit të prurjeve, si dhe nga niveli i ujit në rezervuar në momentin kur do të fillonte një zvogëlim i tillë”, thotë ai.

Një nga instrumentet kryesore globale që rregullon çështjet e ujërave ndërkufitare është Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Serbia është palë në këtë konventë. Kosova nuk është, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Konventa, ndër të tjera, përcakton parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Përplasja e ministrave në rrjetet sociale

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nxiti një përplasje në rrjetin social X mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se uji nuk mund të përdoret si instrument i presionit politik apo si mjet për ndëshkimin e një vendi apo popullsie tjetër.

Ai theksoi se “Shqipëria mbështet fuqishëm të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore”.

Ndaj kësaj deklarate reagoi shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, duke thënë se Serbia do të vendosë vetë se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore.

“Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, duke shpërfillur presionin sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, ngre në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje për motivet politike që qëndrojnë prapa ndërhyrjes së saj”, shkroi Gjuriq.

Për këtë çështje reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili qëndrimet e Beogradit i përshkroi si “folklor politik”.

“Lumi Ibër, krejtësisht i pavetëdijshëm për të gjitha hartografitë tona historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, tha Rama.

Kërcënim dhe presion politik?

Për autoritetet e Kosovës, ideja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit është “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.

“[Hidrosistemi] Ibër-Lepenc dhe Liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”, paralajmëroi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Më herët, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e kishte cilësuar “shqetësuese” deklaratën e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

“Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër”, tha Pacolli.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se me ngritjen e kësaj ideje nuk po kërcënon askënd, por vetëm po “merret me rrjedhat ujore në territorin e Republikës së Serbisë”.

“Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, e pastaj do të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha ai.

Dushan Janjiq kujton se një veprim i tillë nuk do të kishte pasoja vetëm për shqiptarët.

“Si t’ia shpjegojmë tani atij [Vuçiqit] se në veri të Kosovës jetojnë edhe serbë?”, thotë me ironi Janjiq.

Liqeni i Ujmanit ndodhet kryesisht në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ndërsa një pjesë më e vogël e tij shtrihet në komunën e Tutinit në Serbi.

Ideja ishte përmendur edhe më herët

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.

Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, Vuçiq tha se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullsisë në Serbi.

Ai kishte thënë atëherë se ishte kundër një ideje të tillë, duke theksuar se nuk dëshironte që “natyra të përdorej për qëllime politike”.

Dushan Janjiq thotë se edhe në mesin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve kishte shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, por se në fund ishte hequr dorë nga kjo ide.

“Pra, kjo në vetvete nuk është diçka e re. Ekzistojnë projekte të tilla dhe ato hyjnë në atë që quhet gjeopolitikë. Sidomos te këto lloje ideologjish nacionaliste, ku ke një udhëheqës që mendon se mund ta ndryshojë gjithë botën”, thotë Janjiq.

“Kjo është ëndrra e tij [e Vuçiqit] – se kur ke pushtet, mund ta ndryshosh edhe rrjedhën e lumit, edhe lëvizjen e tokës”, shton ai.

Çfarë ndodhi me “modelin e Kolumbias” për Ujmanin?

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve mes tyre, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump.

Një nga pikat e marrëveshjes kishte të bënte edhe me Liqenin e Ujmanit.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një studim fizibiliteti për menaxhimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, sipas modelit të marrëveshjes për digat në lumin Kolumbia në veriperëndim të Paqësorit.

Marrëveshja për lumin Kolumbia ishte arritur në vitin 1961 dhe, në bazë të saj, u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin amerikan të Montanës.

Studimi propozonte, ndër të tjera, edhe krijimin e një komisioni për lumin Ibër, i cili do ta lehtësonte diskutimin ndërmjet palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Megjithatë, propozimi nuk është zbatuar deri më sot.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë ka ndodhur me këtë plan dhe nëse ai vazhdon të jetë aktual.

“Standard i dyfishtë”- Gazeta gjermane ngre pyetjen: Greqia dorëzoi bashkëpunëtorin e tij, por pse SHBA nuk e ekstradon Artur Shehun?

Sipas artikullit, Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka konfirmuar nëse ka marrë një kërkesë nga Tirana për ndalimin ose ekstradimin e Shehut.

TIRANA- Gazeta gjermane “Junge Welt” i ka kushtuar një artikull biznesmenit shqiptar Artur Shehu, emri i të cilit është lidhur me shitjen e tokave në ishullin e Sazanit për projektin luksoz të Jared Kushnerit. Artikulli ngre pikëpyetje mbi faktin se Shehu, ndaj të cilit ekziston një urdhër-arrest për akuza që lidhen me trafikimin e kokainës, pastrimin e parave dhe falsifikimin e dokumenteve, ndodhet në Miami dhe deri tani nuk është bërë publik ndonjë veprim i autoriteteve amerikane për ndalimin apo ekstradimin e tij.

Sipas artikullit, Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka konfirmuar nëse ka marrë një kërkesë nga Tirana për ndalimin ose ekstradimin e Shehut. Gazeta thekson se në prill, Shehu ia shiti pronat bregdetare Albania Land Development, kompanisë që qëndron pas projektit të Kushnerit, gjë e cila ndezi protestat qytetare të cilat po vazhdojnë prej 73 ditësh. Të ardhurat, 110 milionë euro sipas dokumenteve u ngrinë në llogarinë e noterit përpara se paratë të arrinin tek Shehu.

Nga ana tjetër, avokati i tij Kujtim Cakrani pretendon se familja e ka pasur tokën në pronësi që nga koha osmane dhe se shitja është kryer në mënyrë të ligjshme, ndërsa vetë Shehu e quajti pronësinë e tij “të padiskutueshme” në një program televiziv. Artikulli krahason rastin e tij me atë të Ilir Shtufit, një tjetër person i hetuar në të njëjtën dosje.

Më 30 korrik, Gjykata e Apelit e Selanikut miratoi ekstradimin e Ilir Shtufit, një ndërtues pallatesh të larta në Tiranë. Ai ishte arrestuar në qershor në një hotel në qytetin grek pas një informacioni nga Interpoli. Pikërisht në këtë pikë media gjermane ngre pyetje: Pse një i bashkëpandehur po ekstradohet nga Greqia, ndërsa personi kryesor i hetimit vazhdon të jetojë në SHBA?

Artikulli i plotë nga Junge Welt

Një urdhër arresti për pastrim parash të lidhur me trafikimin e kokainës, i lëshuar në një vend kandidat për në BE. Dhe një rezidencë e njohur: një pronë multi-milion dollarëshe në Miami Beach, në Gjirin Biscayne. Artur Shehu, njeriu që shiti tokën në ishullin e Sazanit për resortin luksoz në Shqipëri të promovuar nga Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit amerikan, ka jetuar me të dy që nga qershori. Dhe askush në anën tjetër të Atlantikut nuk duket se po nxitohet t’i pajtojë të dy.

Afate të ndryshme zbatoheshin për të bashkëpandehurin e tij. Më 30 korrik, Gjykata e Apelit e Selanikut miratoi ekstradimin e Ilir Shtufit, një ndërtues pallatesh të larta në Tiranë. Ai ishte arrestuar në qershor në një hotel në qytetin grek pas një informacioni nga Interpoli. Shtufi, të cilin mediat shqiptare e lidhin me djalin e liderit të opozitës Sali Berishë, u mbrojt duke pretenduar se po persekutohej politikisht. Ai do të jetë i pandehuri i parë në rastin “Aruba” që do të ekstradohet nga jashtë në Prokurorinë Speciale të Shqipërisë (SPAK). Nga 20 urdhër-arreste të SPAK-ut, gjashtë janë ekzekutuar deri më tani.

Pra, kush është Shehu, subjekti i këtij rasti?

Një sipërmarrës i cili, sipas një hulumtimi nga Miami Neë Times dhe rrjeti OCCRP, kaloi vite duke blerë tokë bregdetare në atdheun e tij nga Florida. Avokati i tij tregon historinë si më poshtë: Në vitin 1998, Shehu kërkoi azil politik në SHBA pasi “bandat kriminale” vranë vëllain dhe xhaxhain e tij para syve të tij – Reuters nuk ishte në gjendje ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë. Ai nuk u dënua kurrë. Megjithatë, që në vitin 2013, dokumentet gjyqësore të shqyrtuara nga CBS Neës tregojnë se banorët e Zvërnecit kundërshtuan pronësinë e tij mbi pronat – laguna është shtëpia e dhjetëra specieve të kafshëve të rrezikuara.

Dosja hetimore prej 200 faqesh, e datës 12 qershor dhe e shqyrtuar nga Reuters , ofron përgjigjen e hetuesve. SPAK akuzon Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij për kontrabandë kokaine të Amerikës së Jugut në portet evropiane dhe investim të fitimeve në një perandori të pasurive të paluajtshme: blerjen e tokës duke përdorur mjete të paligjshme dhe dokumente të falsifikuara pronësie duke “krijuar tituj të rremë ose duke zgjeruar artificialisht sipërfaqet e tokës”. Hetimi është rezultat i operacioneve të përgjimit që synojnë trafikimin e drogës. 

Në prill, Shehu ia shiti pronat bregdetare Albania Land Development, kompanisë që qëndron pas projektit të Kushnerit. Të ardhurat – 110 milionë euro sipas dokumenteve të para nga Reuters – u ngrinë në llogarinë e noterit përpara se paratë të arrinin tek ai. Dosja nuk përmban akuza kundër Kushnerit, kompanive të projektit apo investitorëve. Partneri shqiptar i Kushnerit, Sazan Real Estate Development, i tha Neësëeek se “nuk ishte objekt i ndonjë hetimi” dhe se blerjet e tokës ishin të ligjshme.

Mbrojtja i hedh poshtë të gjitha akuzat. “Asgjë nga ato që janë pretenduar për karakterin e z. Shehu nuk është e vërtetë: ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh”, tha avokati Kujtim Cakrani për Reuters . Familja e ka në pronësi tokën që nga koha osmane dhe shitja ishte e ligjshme. Vetë Shehu e quajti pronësinë e tij “të padiskutueshme” në një program televiziv shqiptar. Ai e shiti tokën nëpërmjet një ndërmjetësi; ai nuk e di se kush e bleu atë në fund. Një duzinë banorësh të Zvërnecit i paraqitën Reuters titujt e tyre të pronësisë dhe dokumentet tatimore; avokati i tyre ligjor synon të kërkojë një urdhër gjykate për të ndaluar ndërtimin.

Këtu historia pushon së qeni thjesht një histori shqiptare. Cakrani konfirmoi se klienti i tij ishte në dijeni të urdhrit të arrestit dhe nuk ishte i shqetësuar për të. Kur u pyet nga Reuters, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së nuk pranoi të komentonte nëse ishte marrë ndonjëherë një kërkesë nga Tirana për të gjetur ose ndaluar Shehun në Miami. Rezultati është një standard i dyfishtë: Greqia ekstradon një të bashkëpandehur brenda shtatë javësh. SHBA-të, ku jeton i dyshuari kryesor dhe ku dhëndri i presidentit po promovon projektin, as nuk kanë nevojë të përgjigjen.

Politikanët shqiptarë po e trajtojnë emrin me kujdes ndërpartiak. Mediat në Tiranë theksojnë se Shehu shërbeu në Gardën e Republikës nën Presidentin Berishë dhe se pronat u blenë gjatë viteve të qeverive demokratike; megjithatë, projekti u miratua nga qeveria aktuale e Edi Ramës, dorëheqja e të cilit është kërkuar në protestat që kanë vazhduar prej muajsh. Opozita po proteston kundër resortit – Berisha mbetet dukshëm i heshtur për emrin Shehu. Në Tiranë, po bëhen përgatitje për marrjen e parë në pyetje. Burri në Miami nuk ka arsye të nxitohet për momentin./Dosja.al

Zjarri “pushtoi“ Krujën- “Reuters” në qytetin historik: Banorët luftojnë kundër flakëve me mjete rrethanore (VIDEO)

Agjencia e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një kronikë situatës së zjarreve në Krujë, ku thekson se banorët iu bashkuan përpjekjeve për shuarjen e flakëve me mjete rrethanore.

Sipas Reuters, banorët e zonës iu bashkuan zjarrfikësve dhe forcave ushtarake të hënën në luftën kundër një zjarri të madh që kërcënonte qytetin e Krujës, rreth 30 kilometra në veri të kryeqytetit, Tiranës.

Banori i zonës, Shaban Hasani, u pa duke përdorur degë pemësh për të larguar flakët që po i afroheshin banesës së tij, ndërsa helikopterët e ushtrisë shqiptare hidhnin ujë nga lart.

Flaka, e cila ka përfshirë pyjet me pisha rreth qytetit historik të Krujës, vijon prej disa ditësh, me zjarrfikësit që punojnë pa ndërprerje për të parandaluar përhapjen e flakëve në zonat e populluara.

Tre helikopterë u panë në përpjekje për të shuar zjarret deri në muzg të hënën, por erërat e forta nxitën përhapjen e flakëve në zonë.

Shërbimet e emergjencës kanë paralajmëruar për ditë më sfiduese, me temperatura të larta që vazhdojnë dhe dhjetëra zjarre që ndizen në të gjithë Shqipërinë çdo ditë. Zjarrfikësit thuhet se po përballen me mbi 20 zjarre në ditë në të gjithë vendin, disa në zona të largëta me terren të thyer që ndërlikon përpjekjet e zjarrfikësve.bw

Cinizmi i Zelenskit dhe naiviteti i politikes kosovare Nga Melazim Koci

Ka diçka thellësisht ironike në atë që po ndodh sot mes Kosovës dhe Ukrainës. Në qendër të Prishtinës valon një flamur gjigant ukrainas me mbishkrimin “Free Ukraine”.

Kosova është solidarizuar fuqishëm me Ukrainën nga dita e parë e agresionit të Rusisë.

Mjerisht sot nga Beogradi vjen përgjigja e Zelenskit: “Ukraina nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Kjo histori bëhet edhe më domethenëse për faktin që Kievi dy herë refuzoj të ftonte Kosovën në takimet Ukrainë – Evropë Juglindore.

Kjo është pjesa ku duhet të fillojë debati në Prishtinë. Jo sepse Kosova duhet të braktisë solidaritetin për Ukrainën që po lufton për lirinë dhe ekzistencë e saj. Është një parim që Kosova e njeh më mirë se shumë të tjerë. Por pikërisht se njeh atë ndjenjë, duhet të ketë edhe dinjëtetin për të kërkuar reciprocitet.

Solidariteti është virtyt. Por solidariteti pa reciprocitet është naivitet.

Në cinizmin e tij ndaj Kosovës Zelenski shkon edhe më larg dhe thotë: “ne respektojmë të drejtën ndërkombëtare”.

A do të thotë kjo se SHBA/BE paskan shkelur të drejtën ndërkombëtare kur kanë njohur Kosovën!

Zelenski duket se ka problem me kujtesën historike. Ka harruar se Kosova u çlirua nga lufta e UÇK-së dhe nga ndërhyrja e NATO-s, së cilës sot i kërkon ndihmë për mbijetesën e Ukrainës.

Të akuzosh, qoftë edhe tërthorazi, NATO-n për shkelje të rendit ndërkombëtar dhe, në të njejtën kohë, të presësh që e njejta të të mbrojë nga agresioni është injorancë politike.

Sa për takimet Zelenski -Vuçiq, ato mund të prodhojnë buzëqeshje para kamerave, deklarata dhe ndonjë rezultat afatshkurtër. Por historinë nuk e shkruajnë fotografitë e takimeve.

Fatin e Kosovës dhe të Ukrainës e përcaktojnë fuqitë që kanë peshë reale strategjike: Uashingtoni dhe Moska.

Të tjerat janë përralla politike të një ish – komediani që duket se nuk e kupton që politika ndërkombëtare nuk është skenë humori.

A është Ron Yeffet njeriu që Edi Rama po përgatit për Aeroportin e Vlorës?

Ndërsa priti më shumë se një vit që Belinda Balluku t’i mbaronte punë me aeroportin e Vlorës, Edi Rama vendosi të ndërhyjë vetë në konflikt duke marrë mbi supe barrën e vendimmarrjes anulimin e kontratës me MABCO. Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës me kompaninë koncesionare, një vendim që e çon Shqipërinë drejt një arbitrazhi ndërkombëtar, ku Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se do të kërkojë deri në 700 milionë euro dëmshpërblim.

Nëse kjo ndodh, do të ishte fatura më e madhe që një qeveri shqiptare rrezikon të prodhojë nga prishja e një kontrate, duke kaluar shumëfish edhe rastin Becchetti, ku shteti shqiptar u detyrua të paguante rreth 130 milionë euro.

Pikërisht këtu lind pyetja që deri tani ka mbetur pa përgjigje. Nëse koncesioni i hiqet MABCO-s, kush do ta marrë në administrim Aeroportin e Vlorës? Qeveria nuk ka bërë publik asnjë plan, por kronologjia e ngjarjeve të muajve të fundit ngre dyshime që nuk mund të anashkalohen.

Më 29 maj 2026 ministri Enea Karakaçi i dërgoi kompanisë koncesionare një ultimatum 30-ditor, duke paralajmëruar se kontrata mund të zgjidhej. Vetëm 13 ditë më vonë, më 11 qershor, u themelua kompania TIMAK AVIATION, ndërsa më 18 qershor ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Nuk është vetëm koha e krijimit të kompanisë që tërheq vëmendjen. Edhe objekti i saj i aktivitetit duket i ndërtuar posaçërisht për sektorin aeroportual. Sipas ekstraktit të QKB-së, TIMAK AVIATION nuk kufizohet te fluturimet charter apo transporti ajror, por parashikon menaxhimin e terminaleve, shërbimet “ground handling”, asistencën aeroportuale, si dhe projektimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e aeroporteve, heliporteve dhe infrastrukturës së aviacionit. Me fjalë të tjera, është një kompani që në letër ka pothuajse çdo aktivitet që nevojitet për të operuar një aeroport.

Edhe struktura e pronësisë nuk kalon pa u vënë re. Ekstrakti tregon se kompania zotërohet në masën 50% nga biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe 50% nga Arjeta Puca, ndërsa administratore është kjo e fundit.

Emri i Ron Yeffet nuk është i panjohur. Ai ka hyrë vitet e fundit në disa projekte strategjike në Shqipëri dhe konsiderohet si një biznesmen me marrëdhënie të afërta me qeverinë. Pikërisht për këtë arsye, krijimi i një kompanie me objekt kaq specifik vetëm pak ditë pasi qeveria nisi lëvizjet për prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje.

Natyrisht, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të provojë se TIMAK AVIATION do të marrë Aeroportin e Vlorës. Nuk ka një vendim qeverie, nuk ka një procedurë të shpallur dhe nuk ka një kontratë që ta lidhë kompaninë me projektin. Por kjo nuk i zbeh faktet. Për më tepër që kohët e fundit ndaj biznesmenit Behgjet Pacolli nuk ka munguar interesi i kompanive të tjera, që janë afruar për t’ia blerë konçensionin, gjithnjë duke i bërë të qartë se ishte çështje kohe para se shteti të vepronte për prishjen e kontratës.

Si për çudi, ndërsa hetimet e SPAK janë shtrirë edhe ne dosje të tenderave të vegjël, me disa qindra mijëra euro, për këtë çështje që mban erë, prokuroria speciale është në vendnumëro. Nëse arbitrazhi ndërkombëtar i jep të drejtë Behgjet Pacollit dhe Shqipëria përballet me një tjetër faturë qindra milionëshe, kush do të mbajë përgjegjësi? Përvoja e deritanishme tregon se në Shqipëri pasi qeveria i prish kontratat, faturën e kripur të dëmshpërblimit e paguajnë taksapaguesit, ndërsa SPAK kthen kokën në anën tjetër./ Lapsi

Haxhiu dhe Hoxha kundërshtojnë idenë për ndryshimin e Ibrit, Gjuriq akuzon Shqipërinë për “ndërhyrje”

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Haxhiu e ka cilësuar si “absurde”, “kërcënuese” dhe qasje “shoviniste” idenë e përmendur sërish nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë, dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu, duke kërkuar që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.

Edhe ministri i Shqipërisë, Hoxha, shkroi në Facebook se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti apo të vendoset në mënyrë të njëanshme.

“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, tha Hoxha.

Ndaj deklaratës së Hoxhës reagoi ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke e akuzuar Shqipërinë se po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga, siç tha ai, shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe e cilësoi reagimin si “ndërhyrje të motivuar politikisht”.

“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime, as askush tjetër jashtë Serbisë”, tha Gjuriq në një postim në X.

Reagimet vijnë një ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka filluar punën konkrete në drejtim të kësaj ideje.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq më 9 gusht gjatë një vizite në një punishte në Beograd.

Tutje, Vuçiq ka folur sërish për këtë temë të hënën duke thënë se “nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë”.

“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo, dhe kaq. Unë nuk kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, tha Vuçiq për media, siç ka cituar media serbe, Tanjug.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.

Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq kishte thënë se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullatës në Serbi.

Ai kishte thënë atëherë se vetë kishte qenë kundër saj.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku mbush liqenin artificial të Ujmanit. Dy të tretat e këtij liqeni gjenden në territorin e Kosovës. Uji nga ky sistem furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët e intervistuar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundur, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do të dëmtonte Kosovën, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin jo-navigacional të ujërave ndërkombëtare.

Ajo përcakton, ndër të tjera, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe obligimin për të mos shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj shteteve të tjera. Kosova nuk është palë e kësaj konvente, pasi nuk është anëtare e OKB-së.

Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!- Nga Florim Zeqa

 

Fillimisht më duhet t’i sqaroj lexuesit e rreshtave të mëposhtëm, se qëllimi i këtij shkrimi nuk është mbështetja për liderin e LVV-së dhe as kundërshtimi ndaj liderëve të tjerë partiakë, por dalja nga labirinthi politik!

 

Vakum total i sistemit politik!

 

Situata e krijuar ditëve të fundit në Kosovës, për më tepër se shqetësuese është edhe paradoksale: Kosova ka mbetur pa Ushtrues Detyre të Presidentit, pa Komandantin Suprem të FSK-së, pa Kryesi dhe pa Kryetar të Kuvendit, pa Kryeministër dhe pa Qeveri! Ky, për më tepër se vakum institucional, paraqet rrënim të sistemit politik në vendin tonë!

 

Fenomeni i pengimit në vijimësi i fituesit absolut të zgjedhjeve për krijimin e institucioneve të reja shtetërore duhet të merrë fund sa më shpejtë dhe sa më parë, sa nuk është bërë tepër vonë për shtetin e Kosovës!

Në anën tjetër, edhe shtyerja në pafundësi e seancës për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës nga ana e partisë fituese, ka irrituar qytetarët e vendit!

 

Përgjegjës kryesor dhe të vetmit për situatën e re (të vjetër) bllokuese të krijuar në Kosovë janë partitë parlamentare dhe të zgjedhurit e popullit, të kthyer në pengje të liderëve partiak!

Përseritja e situatave bllokuese në Kuvend, përveqse shkelje e të gjitha rregullave dhe normave demokratike është edhe dhunim i vullnetit të elektoratit.

Është dhunim i vullnetit të 36 % të elektoratit të dalë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndryshe, nuk ka si të quhen përpos dhunues mosrespektuesit e vullnetit të qytetarëve dhe verdiktit popullor për qeverisjen e vendit.

Mos respektimi i rezultatit zgjedhor paraqet shkeljen e parë dhe më flagrante të aktit më të lartë juridik të vendit-Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Me prolongim të seancave dhe me dhunë fizike në Kuvend po vazhdohet me shkeljet serike të Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit!

 

 

Reforma e harruar, urgjente për dalje nga kriza e thellë politike

 

Reforma zgjedhore e filluar në vitin 2010, e bllokuar nga qeveritë e kaluara dhe e harruar së fundmi nga pushtetarët aktualë duhet të ri-inicohet nga deputetët e legjislatures së 11-të, për të shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!

Por, për të ardhur deri tek kjo, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi me marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit.

Pastaj, ligjvënësit të fillojnë urgjentisht ndryshimet Kushtetuese, përkatësisht ligjin dhe aktet nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin nga sistemi Parlamentar në atë Presidencial, i cili përveqse imperativ i ngutshëm kohorë, ka mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi i një sistemi të dështuar qeverisës 26 vjeçarë!

Sistemi Presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!

Sistemi Presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht krahun e djathtë dhe të majtë në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa në sistemin Parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është jashtëzakonisht e madhe, në sistemin Presidencial evitohet ajo mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse të vendit.

Sistemet Presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që dallohen nga sistemet Parlamentare, pasiqë tek këto forma të qeverisjes fuqia politike dhe ekzekutive bartet nga Kryeministri tek Presidenti i shtetit të pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

E veçanta e sistemit Presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e popullit. I zgjedhuri i popullit është fuqiplotë dhe nuk mund të shkarkohet nga detyra nga ana e parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme qeverisëse.

Presidenti edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të njëjtën kohë.

Presidenti është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese i institucioneve shtetërore në përgjithësi.

 

Sistemi presidencial, i përshtatshëm për Kosovën

 

Sistemini qeverisës Presidencial, i adaptuar për rrethanat e Kosovës do të ishte model i suksesshëm, i cili do të garantonte stabilitet politik dhe mirëqeverisje të vendit.

Përfaqësimi në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani, me kontrabandim të deputetëve në Kuvend. Kompetencat ekzekutive i merr Presidenti bashkë me politikën e jashtme, ndërsa kryeministri merret më shumë me çështjet e brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës, etj.

Sistemi Presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë (pavarësimin e plotë të prokuorive dhe gjykatave.

Ajo çka është më kryesorja, sistemi Presidencial garanton pavarësi më të gjërë të institucioneve shtetërore edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht ndaj përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë.

Që i bie, se përfaqësitë diplomatike nuk mund të marrin më vendime për Kosovën, pra roli i tyre është reprezentativ dhe këshillues për drejtuesit shtetëror!

 

Ridizajnim i Kushtetutës së vendit konformë kërkesave të kohës

 

Sistemi parlamentar, gjegjësisht Republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.

Probleme të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj, e të mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë paralamentare.

Jo vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për shumë arsye të tjera, legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka për detyrë të themelojë urgjentisht një komision të pavarur (jasht) parlamentar, të përbërë nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar Kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për evitimin e ngërçeve paszgjedhore.

Përfundimisht, sistemi Presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxjerrte Kosovën nga “çarku i mbyllur” politik.

Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike vendore, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike!

 

Përveç krizës së thellë politike në të cilën e kanë katandisur vendin politikanët e papërgjegjshëm, shtetin e Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash si ajo: ekonomike, energjetike, financiare, shëndetësore dhe arsimore, etj, ku shteti i Kosovës është duke përjetuar momentet më të vështira të krizës morale në Parlament!

 

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

 

ZELENSKI NË BEOGRAD- Nga XHAFER SHATRI

Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb sesa kur budallenjtë flasin në emër të patriotëve.
Kjo pastaj duket në gjithçka, edhe në qëndrimin ndaj marrëdhënieve mes shteteve.
Sulmi i budalltë i shypeve ndaj presidentit ukrainas, Zelenskit, pas vizitës së tij në Beograd, është një shembull i kësaj fatkeqësie…
Vizita e kryetarit ukrainas në Serbi realisht nuk i sjell asgjë të keqe Kosovës.
Ai tash e gati pesë vjet është në luftë me Rusinë dhe ka nevojë për municion. Serbia prodhon municion dhe armë konvencionale. Ukraina ka nevojë për to. U krye puna.
Një kanalist, e bir kanalisti, shkoi edhe më larg: Kosova po ia mbyll vetes dyert në Ukrainë.
Rrenë sa bjeshka.
Në gjendjen ku ndodhet, Ukraina nuk e njeh Kosovën – dhe kjo për shumë arsye.
Nuk është fundi i botës.
Ukraina po i bën një shërbim të madh Evropës, e vetvetiu edhe Kosovës.
Po ia thyen kurrizin Rusisë.
Falë Ukrainës, tash Rusia po ndahet nga Evropa me pesë shtete ushtarakisht të fuqishme, që ia ndalin turrin drejt Evropës përgjithmonë: Suedia, Finlanda, Polonia, Ukraina, Rumania… Ky është një brez sigurie që më parë nuk ka mundur as të imagjinohet.
NATO-ja nuk ka më nevojë të lodhet me Rusinë…
Kjo është tepër e rëndësishme. Prandaj mos e prekni flamurin heroik të Ukrainës. Por nderojeni sa herë të ndodheni pranë tij.
E për sa i përket grimasave ngadhënjyese të Vuçiqit, ju siguroj se ai më me kënaqësi do ta merrte ngryk Bollën e madhe se Zelenskin, por kështu ia ka kërkuar regjia e Teatrit të madh të gjeopolitikës. E vozhdi i gjatë është aktor që nuk ia prish regjizorit tymin e duhanit. Sepse e do pushtetin më shumë se këndoqoftë tjetër.
Të tjerat janë përralla kanalistësh, që, aktualisht, problem kryesor në jetën e tyre e kanë pse Albin Kurti po i fiton votat.
Ndërsa Kosova e ka një hall krejt tjetër: pse Albin Kurti nuk po di çka të bëjë me votat që po ia jep populli.
Në këtë dynja, kurrkush pa halle…

Dy mijë vjet mësime dhe ende nuk kemi nxënë!- Nga Lutfi Dervishi

 

1. Përshtajta me natyrën

Kur romakët ndërtuan rrugën Egnatia, aty ku ishte e mundur, ndoqën rrjedhën e lumit dhe nuk tentuan ta përshtatnin Shkumbinin me projektin e tyre. Sot po bëjmë të kundërtën.

2. Porti historik i vendit

Grekët dhe romakët nuk e zgjodhën rastësisht Durrësin. Epidamni-Dyrrahu ishte port i rëndësishëm që nga shekulli VII p.e.s. dhe më vonë u bë pikënisja e rrugës Egnatia. Durrësi lindi e u rrit si qytet prá prej portit. Sot, ne po e çmontojmë atë.

3. Të moçmit ndërtonin në kodra

Mjafton të shohësh shpërndarjen historike të vendbanimeve: kodra, shpate, tarraca natyrore e vende të mbrojtura. Poshtë liheshin tokat pjellore dhe zonat që përmbyteshin. Në kodër ishe i mbrojtur, me ajrim të mirë e kullim natyror. Sot ku gjejmë shesh, bëjmë përshesh.

4. Lumit nuk i merrej prona

Fushat aluvionale janë krijuar pikërisht sepse lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë depozituar sedimente gjatë shekujve. Kur i grabit pronën lumit, një ditë ai do ta marrë, pa të njoftuar dhe pa të paraqitur certifikatën e pronësisë.

5. Urat shekullore

Ura e Mesit mbi lumin Kir është shembull i shkëlqyer: 108 metra e gjatë, me 13 harqe. Harqet nuk ishin dekor; ato lejonin kalimin e lirë të ujit kur rriteshin prurjet. (Urat u ndërtuan pa tender!)

6. Qytetet e dinin çfarë ishte hija. Orientimi i ndërtesave, oborret, pemët, muret e trasha dhe materialet natyrore ishin përgjigja ndaj klimës përpara se të shpikeshin kondicionerët. Edhe kur planifikohej kryeqyteti në shekullin e kaluar, arkitektët kishin parasysh korridoret e ajrit dhe lëvizjen e Diellit. Sot kemi lagje që nuk shohin kurrë dritë, ku betoni po i merr frymën qytetit.

7. Toka si pasuri

Nga veriu në jug, toka bujqësore trajtohej si pasuri e rrallë, jo si territor ndërtimi. Pa ekskavatorë e pa betonarme, njerëzit vëzhgonin me kujdes ku kalonte lumi, ku rrëshqiste mali, nga frynte era dhe ku ishte toka më pjellore.

Sot kemi teknologji shumë më të zhvilluar se romakët, bizantinët e osmanët, por po shkatërrojmë të vetmen vatër që kemi për të jetuar.


Send this to a friend