Si ministër i kësaj mazhorance, si anëtar i këtij kabineti, si sendërtues, materializues i një akti, në konceptin tonë madhor, të vendosjes së drejtësisë në vend, dua të them që në fillim dy gjëra.
Së pari, ndjehem krenar që e kemi sjellë këtë akt sot këtu, ndjehem krenar, sepse zgjidhim një padrejtësi 68-vjeçare, duke zgjidhur në të njëjtën kohë edhe problemet e atyre që kanë hyrë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm dhe prej 68 vjetësh i zotërojnë këto shtëpi.
Kemi sjellë një zgjidhje që është përfundimtare. Nuk është një zgjidhje që e sollëm befas! Kemi që në vitin 2006 që po punojmë për këtë zgjidhje. Kemi marrë nga njësitë e qeverisjes vendore, nga bashkitë e vendit, shumë prej tyre të drejtuara nga socialistë, listat e të gjithë qiramarrësve në shtëpitë e pronarëve; kemi filluar të përpunojmë kuadrin ligjor dhe administrativ; kemi filluar që nga viti 2009 të vëmë në dispozicion të qiraxhinjve kredi me interes zero, si instrument nga i cili mund të përfitojnë, të strehohen në atë që nesër do të jetë pronë e tyre, dhe jo pronë e tjetërkujt. Për të zgjidhur kështu problemin e atyre që kanë që nga viti 1944, që presin t’u lirohet shtëpia, por edhe problemin e atyre që aktualisht banojnë në këto shtëpi.
Kemi sjellë një zgjidhje të ligjshme, në asnjë pikë në konflikt me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të kohës, ka qenë në konflikt flagrant interesi, i kredituar nga qeveria socialiste, si banor në shtëpi ish-pronari. Megjthatë, kemi respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ky akt nuk konfliktohet në asnjë rrethanë me të. Kemi respektuar dy parime bazë kushtetuese. Parimin e të drejtës së pronës, një parim bazik për të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike të planetit dhe parimin e sigurisë juridike.
U kemi garantuar qeraxhinjve sigurinë. U kemi vënë në dispozicion kredi me interes zero, ndërkohë që të gjithë qytetarët e thjeshtë të vendit, janë të detyruar që t’i adresohen bankave me një interes që varion nga 10 deri në 12 përqind. Dhe, po të bëni një kalkulim, është një vlerë monetare që e tejkalon vlerën e apartamentit që do të blejnë, të cilën shteti ua fal. Ua fal dhe u jep mundësinë që të bëhen pronarë të shtëpive të tyre dhe jo shtëpive të tjetërkujt.
Kemi marrë një masë që shkon në favor të shtetit shqiptar, jo të qeverisë shqiptare. Vetëm tre vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për çështjet e shtëpive të zëna të pronarëve të ligjshëm, konkretisht rastet Beshiri, Treska dhe Vrioni, shteti shqiptar është dënuar përkatësisht me 450, 74 dhe 126 mijë euro. Në tre raste, shteti shqiptar është penalizuar nga Gjykata Europiane në një vlerë prej 650 mijë euro. Projektojini tre rastet në tre mijë, sa është vlera. Sa është kosto që shoqëria shqiptare duhet të paguajë për të mbajtur në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm, “nomenklaturën” e dikurshme të regjimit komunist?!
Sa është kosto, që çdo qytetar shqiptar duhet të paguajë për të mbajtur në shtëpitë e pronarëve, biznesmenët e Partisë Socialiste.
Do t’ju jap raste:
Agron Papuli, biznesmen, pronar i ish-stabilimentit “Mihal Duri”, pronar fshatrash turistikë, me investime në të katër anët e Shqipërisë, mban shtëpinë e pronarit dhe ju keni guximin dhe vini dhe thoni që ky është hallexhi!!!
Spartak Melcka, biznesmen, me fshatra turistikë dhe hotele, ka shtëpi pronari, dhe ju keni guximin dhe thoni që ky është një “ditëzi” që nuk ka mundësi të strehohet dhe t’i lirojë shtëpinë të zotit!!!
Dikush nga ju foli për njerzillëkun. Do t’ju tregoj diçka. Ka qenë një biznesmen në Durrës që quhej Aristidh Leka. E groposën deri në fyt dhe, pasi i kishin marrë gjithçka, i morën edhe unazën e martesës. Në pallatin e Aristidh Lekës sot jeton Adriatik Muka, ish-kryetar dege, Basri Bedini, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, familja e Lilo Zenelit një ndër shefat e Ministrisë së Brendshme dhe xhelatët e diktaturës, Qemal Klosi, (as Fatos Klosi nuk paska mundësi ta strehojë babain), Beshir Laçi, Kryetar Komiteti, Shemsi Spaho, zëvendës/kryetar dege, Shefki Hoxha, Sekretar Komiteti partie.
Në shtëpinë e Erebarëve në Tiranë, Gëzim Erebara vdiq pa e marrë dot shtëpinë e tij, jeton familja e Bato Karafilit, njëri nga monstrat e Sigurimit të Shtetit.
Në shtëpinë e familjes Krroqi, jeton biznesmeni Sokol Muço Saliu dhe Muço Saliu, për ata që s’e kanë njohur, ka qenë një nga kryekriminelët e Sigurimit të Shtetit. I vdiq në duar gjatë torturave Ali Begeja. E hodhi kufomën nga dritarja e birucave dhe tha që u vetëvra. I biri është biznesmen, jeton prej 15 vjetësh në Suedi dhe familja e Gjon Krroqit nuk e gëzon dot shtëpinë e tij, sepse i biri i Muço Saliut i ka vënë drynin dhe ka ikur prej 15 vjetësh. Dhe ju keni guximin dhe thoni që të lirosh shpinë e Gjon Krroqit nuk është njerëzore?!?!
E veja e Gjylani Shehut, jeton prej 15 vjetësh në Kanada, por prej 15 vjetësh mban të mbyllur pronën e Xhaferr Vilës, i cili nuk e gëzon dot shtëpinë e tij, megjithëse qiraxhiu është në Kanada.
Në rrugën “Fortuzi”, në pronën e familjes Kondi apo Hatibi, që në 40 vjet mori emrin “Pallati i Gjeneralëve”, një e vetmuar me emrin Hariklla Korini, mban katër dhoma të mbyllura. Po aty, Xhuxhi Bitraj, person i vetëm mban 150 metër katrorë dhe pronari nuk guxon të hyjë dot atje. Dhe ju thoni që kjo është drejtësi sociale?!?! Një individ i vetëm mund të mbajë 160m/2 pronë të tjetër kujt, ndërkohë që nuk di nëse shumica juaj e ka apo jo kaq sipërfaqe banimi.
E njëjta gjë me Agim Kapaj, jeton në Itali prej 15 vjetësh, mban shtëpinë mbyllur. Idajet Elmazi, katër dhoma një ish-oficer Sigurimi i vetëm.
E njëjta gjë në Durrës me pronën e Llambi Martos. Djali i ish-shefit të Policisë së Durrësit, Rexhep Kajosha mban 6 dhoma një njeri i vetëm dhe pronarët e ligjshëm duhet të presin pafundësisht??!
Dhe ju, në vend që të mbështesni nismën, nxisni në fakt protestat e gjoja shoqatës së qeraxhinjve. Po kë nxorrët në protestë?!
Familjen e Luan Babametos, ish-ministër; familjen e Rrahman Hankut, ish-ministër; familjen e Petro Dodes, ish-kryetar i Planit të Shtetit, familjen e Prokop Murrës, ish-ministër, familjen e Skënder Kosovës, hierark i Sigurimit, familjen e Sotir Koçollarit; të Bashkimeve Profesionale, familjen e Kristo Themelkos, familjen e Koço Priftit, kryetar i Gjykatës kundër kriminelëve të luftës, ish-pronarëve, familjen e Aleks Verlit, ish-ministër; familjen e Pilo Peristerit, anëtar i Byrosë Politike; familjen e Sul Bahollit, Sekretar i Parë dhe ministër; familjen e Vasil Nathanailit, ish-ministër, që rri në shtëpinë e Jorgo Kllapit, ndërkohë që ky i fundit detyrohet të rri në Korçë. Ka vilën në mes të Tiranës, ku banon një ish-ministër i Enver Hoxhës dhe nuk jeton dot këtu, jeton në magazina, në Korçë.
-Kush është drejtësia sociale, kush është paqja sociale që kërkoni ju?
Bëmë një verifikim: nga 251 shtëpi që verifikuam, 93 prej tyre janë të kyçura. Nuk jeton askush. Thjesht i mbajnë mbyllur! Dhe ju çfarë bëni?! Ju nxirrni dy përfaqësues të pushtetit vendor që dalin dhe i thonë pronarëve të ligjshëm të këtij vendi, faljani shtëpitë, pronën tuaj, qiraxhinjve. T’ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë. Ky kryetari i Bashkisë së Durrësit, i cili ka ndërtuar 15 pallate në atë qytet, a i ka falur një apartament të vetëm dikujt? Atëherë ky njeri që ka ndërtuar 15 pallate me çfarë morali qytetar i drejtohet pronarëve dhe i thotë, faljani shtëpitë tuaja, faljani shtëpitë atyre që ju groposën nëpër bodrume!
Mos hajdeni këtu të thoni broçkulla për gjoja strategjinë socialiste të pronave se nuk gënjeni dot njeri. Mos hajdeni këtu e të bëni sikur u këputet shpirti për pronarët, se nuk gënjeni dot askënd syresh.
Ju jeni klasorë dhe jeni vetëm në vijim të asaj që kryetari juaj ka shpallur publikisht.
Sepse ka dy momente publike që nuk i fshihni dot. Deklaratën e zotit Rama, i cili i pyetur në 2007 nga Agim Toro, kryetari i Shoqatës së Pronarëve, për strategjinë që do të ndiqte, iu përgjigj: “t’i qërrohu te partia jote”.
Së dyti, deklaratën që zoti Rama bëri gjatë intervistës me gazetaren Mimoza Picari në vitin 2009, “Pronat nuk janë prioriteti ynë”.
Ky është qëndrimi që keni ju dhe është ky qëndrim kryekëput klasor.
Na akuzoni për cinizëm. Nuk po themi në asnjë rast që këta qeraxhinj të dalin rrugëve. Ju urojmë pleqëri të mbarë të gjithë atyre që janë të moshuar. Por, ama duhet të vendosim drejtësinë në vend. Po u japim mundësi të blejnë shtëpitë e tyre dhe shteti do t’u subvencionojë kredinë. Një mundësi që nuk e kanë pasur kurrë, një mundësi që nuk ua dhatë ju që i konsideroni fletë votimi të kuqe. Po u japim mundësi të blejnë shtëpi, të kenë pronën e tyre dhe të lirojnë pronën e tjetrit. Ky nuk është cinizëm, por është përgjegjësi qeverisëse ndaj një kontigjenti të popullsisë.
Ne nuk mund t’u themi qeraxhinjve “rrini sa të doni në shtëpitë e pronarëve” dhe pronarëve t’u themi “vdisni në bodrume, duke parë pronat tuaja me dylbi”.
Ju po vazhdoni të kërkoni luftën e klasave. Ndërkohë, ne po kthejmë në këtë vend paqen sociale, paqen sociale mes dy grupimeve që janë shumë të pabarabartë.
Nuk mund të vijë paqja mes dy grupimeve si status quo, ku njeri të jetojë dhe të vdesë në bodrum dhe tjetri të gëzojë pafundësisht një pronë që nuk i përket.
Paqja sociale vjen kur secili merr atë që i takon. Kur qeraxhinjtë marrin mundësinë për strehim dhe kur pronarët marrin pronën e tyre.
Dhe unë i garantoj se pronarët do ta marrin pronën e tyre. Nuk do të ketë asnjë instrument që t’i bllokojë. Nga data 1 nëntor, Enti Kombëtar i Banesave do të verë në veprim të gjithë mekanizmat dhe instrumentat për zbatimin e aktit.
Pronarët të marrin atë që e kanë të tyren, që e kanë paguar me gjakun e familjarëve të vdekur nëpër tortura e nëpër burgje. Ndërsa qeraxhinjtë, ata që kanë vërtet nevojë për ndihmë, do të marrin kredinë e subvencionuar nga shteti.
Secili do të shkojë në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e tij dhe jo në shtëpinë e tjetrit. Kjo është paqe sociale, kjo është drejtësi.
Sokoli kishte nje vlere te dyfishte, i ri qe vinte nga nje familje komunistash, pavaresisht se gjyshi nga e ema, Dashnor Mamaqi, ra nga fiku dhe vdiq ne Burg. Djale i mire dhe i zgjuar. I jati, oficer i larte i marines, ndau te emen, qe nderkaq e internuan, e cila me pare ishte gazetare tek “Adriatiku” dhe shkruante himne per Partine e shokun Enver, lere pastaj sa e kishte per zemer luften e klasave .Koli, njohu nga afer ligesine dhe idiotsine e regjimit. Me pas edhe ai u be pjese e ingranazheve te sistemit partiak, nga i cili nuk mund te dalesh dot vecse horizontal. Ne qe e njihnim e dime sa njeri i mire ishte. I qofte dheu i lehte.