Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti i Rusisë Vladimir Putin pret “rezultatet zyrtare” për të uruar presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët në kryeqytetin Moskë, Peskov bëri vlerësime lidhur me çështjen se përse Putin nuk ka uruar Joe Biden i cili njoftoi zgjedhjen e tij si presidenti i 46-të i SHBA-së.
Peskov tha se Rusia do të respektojë preferencën e popullit amerikan për presidentin e ri. “Shpresojmë që të normalizojmë marrëdhëniet reciproke me presidentin amerikan të radhës. Krahas kësaj, shumë çështje lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet tona dypalëshe janë në interes të të dy vendeve si dhe të gjithë botës”, tha ai.
Duke përmendur temën përse Putin nuk ka uruar Biden-in i cili ka njoftuar se është zgjedhur president, Peskov theksoi: “E shohim të drejtë që të presim shpalljen e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve”.
Ndërsa pas rikujtimit se Putin ka uruar menjëherë Donald Trumpin pas zgjedhjeve të mëparshme, Peskov tha: “Në mes ka një ndryshim të dukshëm. Siç e dini presidenti aktual ka njoftuar se do të ketë një proces ligjor lidhur me zgjedhjet. Si rrjedhojë situata aktuale është më e ndryshme”.
Trump ka njoftuar se do të parashtrojë shumë padi, duke pretenduar se në disa rajone të SHBA-së janë bërë parregullsi në zgjedhje.
Komentet