VOAL

VOAL

SHBA: FBI parandalon komplotin e pashembullt për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit

October 9, 2020

Komentet

Protestat anti-qeveritare në Tiranë hyjnë në ditën e 127, qytetarët nuk tërhiqen nga kërkesat: Dorëheqje e Ramës dhe qeveri teknike!

Qytetarë dhe aktivistë mblidhen sot në Tiranë për të zhvilluar protestën e tyre të 127-të radhazi, në vijim të tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas më shumë se katër muajsh qëndrese të pandërprerë, organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e aksionit opozitar dhe përsëritjen e kërkesave të tyre kryesore politike.

Përitja e sotme vjen menjëherë pas tubimit të 126-të, ku protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt bulevardit kryesor dhe rrugëve të kryeqytetit. Gjatë marshimit të djeshëm, pjesëmarrësit lëshuan thirrje të forta kundër ekzekutivit dhe kërkuan ndryshimin e menjëhershëm të kursit politik të vendit.

Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara godinës së Kryeministrisë nuk munguan as akuzat e drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Përmes deklaratave të forta për korrupsion galopant, një prej protestueseve kërkoi hapur arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa në përfundim u bë thirrje për një pjesëmarrje akoma më të madhe popullore në ditët në vijim.

Prej javësh, platforma e protestuesve mbetet e artikuluar qartë: largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor për përgatitjen e zgjedhjeve, si dhe reformimi i sistemit politik bashkë me shfuqizimin e disa nismave ligjore kontestuese. BW

“Yeffet, Ard Veliu, Balluku! Ramës po i bien ‘gurët e shahut’” 126 ditë revoltë, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit: Boll është boll!

Sot mbahet protesta e 126-të qytetare në Tiranë, në vijim të tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas më shumë se katër muajsh protestash të pandërprera, qytetarët dhe aktivistët rikthehen sërish në shesh, duke paralajmëruar vijimin e qëndresës dhe përsëritjen e kërkesave të tyre politike.

Protesta e radhës vjen një ditë pas tubimit të 125-të, ku qytetarët u mblodhën nw shehsin “Skwnderbej” dhe më pas marshuan në rrugët e kryeqytetit. Gjatë protestës së djeshme u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e Ramës dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit. Në fund të tubimit u bë thirrja për pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim.

Në protestën e 125-të nuk munguan as deklaratat dhe akuzat e forta ndaj zyrtarëve të qeverisë. Një prej protestueseve kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa deklaratat e saj u shoqëruan me akuza për korrupsion ndaj qeverisë.

Protestuesit kanë përsëritur prej javësh se kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime në sistemin politik dhe shfuqizimi i disa nismave ligjore që ata i kundërshtojnë.

Edhe gjatë tubimit të djeshëm, pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës. bw

UGSHPD: 3 SHTATOR – 2 TETOR, 2026 (Rama i ka shpallur luftë demokratëve Evropianë dhe atyre të SHBA-së)

 
Në plot një muaj kryeministri i Shqipërisë Rama i paska shpallë luftë demokratëve pa e kuptuar. 
I ka shpallë luftë jo kundërshtarëve të përjetshëm që i ka në parlament, por atyre ndërkombëtarë. 
Në listë EDP (The European Democratic Party) i është shtuar edhe Demokratët në SHBA.
Po e nisim me të fundit. Demokratët e SHBA-së të cilët pas një muaji ndodhen përpara kutive të votimit kundër republikanëve, Rama ju është drejtuar pa u kuptuar mirë shkaku. Nga sipërfaqësorja e veprimtarive pak ditë pas kthimit nga OKB-ja nuk kemi ndonjë veprimtari për t’u shënuar veç një takimi të kryetarit të GPS Taulant Balla që në Nju Jork ishte edhe shoqërues pranë hotelit, por edhe kur i jepej mundësia postonte ndonjë takim të improvizuar bashkë me ambasadorin Bushati. Mëngjesin e së Martës 22 Shtator, 2026 në 0rën 09:26, pas informacionit se ndaj Drejtoreshës së SHISH ishte lëshuar nga SPAK ‘urdhër arresti shtëpiak’, kryeministri në fund të postimit ‘X’ shkruante:-“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.“
Ky rresht i fundit i shkruar, fundosi gjithë humorin e javës së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të delegacionit zyrtar dhe kreut mes padurimit dhe ngecjes për t’u kthyer në atdhe për ta parë nga afër gjendjen, shëndetin e qeverisë dhe shpirtin e aleatëve. Ulje-ngritjet emocionale testuan tërësisht javën politike që pasoi duke shënuar dy tre ndalesa tranzite në Aeroportin e Rinasit ku drejtimet ishin Nju Jork kthim dhe Bruksel vajtje ardhje. Pas fjalës në OKB, video-mesazhit për median dhe publikun me kthimin në Rinas ku veç pranimit se drejtoresha e shërbimeve sekrete tashmë: “…kishte hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveç se ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend“, serioziteti i kësaj të parës si shprehje e mbrojtësit të drejtësisë menjëherë i vuri kundërpeshën dhe sinjalin se rasti në fjalë ende i prezumuar për pafajësi deri në daljen e vendimit të formës së prerë nga gjykata të cilësohej prej kryeministrit Rama “turlilloj fantazish konspirative nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën“. Thelbi i këtij reagimi synoi të tregonte se kryeministri është i distancuar me 180° si nga qëndrimi për të shprehur “përgjegjësinë personale” po ashtu edhe për vendosjen e mburojës numerike me të (83-1), të deputetëve socialistë për të siguruar mbrojtjen politike (mbajtjen e njëri-tjetrit) në Kuvend.
Vizitat nga Ursula von der Leyen Presidente e KE-n dhe ambasadorit të SHBA-së Erik Wendt dhanë dy mesazhe. Europa kërkon “Integrimin dhe Planin e Rritjes“ ndërsa SHBA të theksuar prej dy vitesh “thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar“. 
 
Nuk mund ta themi me siguri se çfarë kuptimi dhe përmbajtje ka koha e zgjedhur për të lëshuar si titull në ATSH dhe mediat “Rama demokrateve amerikanë: Mos na përdorni për t’u hakmarrë ndaj Trumpit“, ku në një kohë jep dëshirën për një fitore të Kongresit nga demokratët  në zgjedhjet Nëntorit në SHBA duke e rifutur veten në vëmendje mes zhvillimeve që lidhin politikën dhe investimet ende të pa miratuara për kuadrin shkencor mjedisor siç janë Sazani dhe Zvërneci në Shqipëri të penguara dhe të njohura ndërkombëtarisht nga  protestat e pandërprera në ditën e 125-të të njohura me emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Jemi ende në një test dhe periudhë njohje kur në Tiranë ka mbërritur ambasadori i SHBA-së. Zoti Eric Wendt ka realizuar takime me presidentin, kryeministrin, ministrin e jashtëm, ministrin e mbrojtjes kryetarin e Kuvendit, sikurse dha edhe në një pritje zyrtare për fillimin e veprimtarisë së tij, por ku vu re mungesa e dy drejtuesve kryesor të mazhorancës dhe opozitës Rama dhe Berisha për shkak të angazhimeve (apo mos marrjes së ftesës). Përtej qartësimeve shaka-ironia e Ramës se:-“U kam thënë miqve të mi demokratë në Amerikë që, nëse nuk arrini ta mundni Trumpin në Amerikë, mos vini në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë“, e tejkalon pasjen e shëndoshë të marrëdhënieve jo sepse taktikisht zgjidhet një media e huaj si  ‘WELT’*, por konfidenca e tepruar me mediat për të shpërndarë  sinjalet se deri ku se janë prerë ndjesitë.
Në të vërtetë po t’i kërkosh ndjesitë ato janë aty në shesh prej 125 ditësh.
Poshtë zyrës dhe në çdo kusht moti dhe kohe vizitorësh.
Në gjithë Shqipërinë dhe në shumë vende të Evropës jo thjeshtë i njohur si “Revolucioni i Flamingove”, por si Shqipëria nuk është për shitje!”.
Kjo frazë ka brenda energjinë e qytetarëve shqiptarë të bashkuar në Shqipëri dhe diasporë, që nuk të lejojnë O kryeministër që t’i marrësh autorësinë e ndryshimit dhe të zhvillimit të vendit.
“Shqipëria nuk është për Shitje”, ka thyer çdo investim mediatik dhe digjital të propagandës së shtetit duke i kaluar kufijtë.
Kur në krye të këtij shënimi u shprehëm se Rama i ka shpallë luftë demokratëve Evropianë dhe atyre të SHBA-së, kjo është e vërtetë. E theksuar veçanërisht prej 1 muaji sepse përpjekjet autoritare për ta përçarë një lëvizje me shpirt të ri kundër korrupsionit, Rilindja në pushtet prej 14 vitesh nuk e kishte parashikuar. Si shembull do të përmendim Sekretari e Përgjithshëm Sandro Gozi i EDP-s (The European Democratic Party), i cili pak para vizitës së Ursula von der Leyen drejtoi shqetësimin se Presidentja e KE-së:-“…duhet të pyesë Edi Ramën se çfarë po ndodh në Shqipëri”. Si politikan i qendrës dhe pro integrimit Sandro Gozi ka qenë i mirë informuar me zhvillimet e protestës që në muajt e parë. Ashpërsisht ai e ka “bombarduar” Ramën përmes rrjeteve sociale për qëndrimin ndaj protestës në Tiranë ku veçanërisht ka qortuar veprimet e dhunshme (ndaj palëve), ushtrimin e censurës dhe ndalimin e fjalës së lirë në media, rrjetet sociale dhe në manifestime duke nënvizuar edhe situatat e sulmit që kryeministri Rama i ka bërë Demokratëve Evropianë me shprehjen :- “Në katër nga gjashtë postimet tuaja të fundit, ju sulmoni demokratët evropianë”.
Jo vetëm as majtas dhe as  djathtas, por i izoluar në mbulimin me korrupsion Rama nuk gjen dot rrugëdalje.
 
 _____________
* Rrjeti Global i Reporterëve të Axel Springer bashkon gazetarë nga redaksitë e ndryshme të Axel Springer – përfshirë BILD, BUSINESS INSIDER, FAKT, ONET, POLITICO, THE TELEGRAPH dhe WELT.
2 Tetor, 2026
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Sot dita e 125 e protestës, qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Rama: Poshtë narko-shteti

Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyjnë sot në ditën e 125-të, ndërsa qytetarët dhe aktivistët shprehen të vendosur për të vijuar tubimet.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe largimi i qeverisë aktuale, me synimin për krijimin e një qeverie teknike. Krahas ndryshimeve në drejtimin e vendit, ata kërkojnë edhe rishikimin dhe anulimin e disa ligjeve, të cilat sipas tyre nuk janë në interes të qytetarëve shqiptarë.

Edhe gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit.

Organizatorët dhe protestuesit kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke e mbajtur në fokus kërkesën për ndryshime politike dhe krijimin e një qeverie teknike. Protestuesit akuzojnë qeverinë e kryeministrit Rama për korrupsion të përhapur gjerësisht në çdo fushë të administratës. bw

UGSHPD: TË GJITHË NË NJË MENDJE, TË GJITHË NË NJË NGJYRË,  TË GJITHË SI NJË BLLOK 

 (Erion Malaj PS:-…moment më të mirë Shqipëria në rajon dhe ndërkombëtarisht nuk ka pasur ndonjëherë si aktor në politikën e jashtme)
 
Nënkryetari në Komisionin Parlamentar për Kulturën Turizmin dhe Diasporën Erion Malaj (PS), gjatësisë në seancën e 1 Tetorit, i ofroi një vështrim ndryshe përsa i përket leximit të Raportit të DASH i cili u paraqit në hapje me qëllim përditësues nga kryetarja Ina Zhupa (PD-ASHM).

Raporti i dalë në fund të muajit Shtator, 2026, veç nxjerrjes në pah të disa treguesve që inkurajohen si pozitivë shtron përkrah tyre vendos dhe vjen i freskët mbi çështjet shqetësuese të vendit siç nënvizohen; korrupsioni i përhapur, pastrimi i parave dhe pasiguria juridike e pronave duke u cilësuar ndër kryesorët që bëhen pengesë për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetarëve shqiptarë.
Të gjitha këto të numëruara dhe të thëna në forma të tërthorta dhe të drejtpërdrejta në rastin e një kryeministri autokrat 14 vjeçar me një qeveri që ka “shpikur pasqyra” më parë se të gjejë përgjigjet ndaj  kërkesave  të protestave, tani pas 4 muajsh kanë ardhur përballë një presioni të përditshëm nga skandalet. Shpërthyese në një masë sepse janë të lidhura me krimin ekonomik dhe korrupsionin e deri tek narkotrafiku si pjesë e krimit të organizuar që kanë depërtuar në çështjet e ndjeshme të Sigurisë Kombëtare. E gjitha kjo na bën të kuptojmë qartë se cili është roli i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025.


Erion Malaj (PS) në një kundër përgjigje është shprehur se :-
 “Po të të jap një përgjigje për Departamentin Amerikan të Shtetit. Tani më bën pak çudi që ju e thërrisni në lojë departamentin se është si të thërrasësh një ‘arbitër’ që të ka nxjerrë njëherë me karton të kuq. Po nuk ka problem. Kjo është punë për ju. Ndërkohë që ajo që më bën përshtypje është që ju vazhdoni të mos keni asgjë të re nga ‘Fronti i Perëndimit’. Ju nuk as nuk shikoni as nuk dëgjoni se çfarë thonë nivelet më të larta të politikës ndërkombëtare, qoftë perëndimit këtu afër, pra Bashkimit Europian, qoftë atij të largët, siç ishte ardhja dhe dhe zyrtarizimi i ambasadorit të ri amerikan dhe takimi i tij me kryeministrin e vendit. Siç ju thashë dhe kolegu dje ju tha, që ju duhet të shqetësoheni nëse do të keni takime si drejtues të partisë tuaj flas jo ju personalisht me këtë ambasador dhe nga ana tjetër të na akuzosh ne për gjëra të pa qëna nuk ka kuptim sepse këto janë deklarata politike që mund t’i bëni në një konferencë për shtyp ndërkohë që ë vazhdoni t’i bëni në komision për kulturën, turizmin dhe diasporën.“  

Debati vijoi nga Malaj duke kulmuar me atë që:-“…
moment më të mirë Shqipëria në rajon dhe ndërkombëtarisht nuk ka pasur ndonjëherë si aktor në politikën e jashtme. Nuk ka pasur asnjëherë dhe të gjitha këto arritje janë konfirmuar edhe dje nga presidentja e Komisionit Europian, tha, ato fjalë që ne themi herë të tjera, kur i themi ne s’ju pëlqejnë, kur i thonë ata si dëgjoni, problemin gjejeni tek vetja.”  . Faleminderit“.
Jo pa qëllim e zbardhëm këtë pjesë debati sepse duhet kuptuar se në video dhe përpara mikrofonit në mjediset e Kuvendit dhe në komisionet e punës legjislative, secili deputet/e është i regjistruar (on record), mbi qëndrimet politike të partisë që përfaqëson dhe kryesisht veten përpara zgjedhësve.  
Shtjellimi i Malajt na la të kuptojmë se kriza e përgjithshme mbi korrupsionin është një ‘perceptimin‘ i gabuar dhe se është opozita ajo që i ka fajet. Ky arsyetim u dha edhe nga deputetja e PS Briseida Çakërri dhe në çdo komision parlamentar që të shkosh dhe të dëgjosh mazhorancën madje dhe të zbresësh në sallën plenare të Kuvendit ku debatohet dhe hidhen për votim ligjet, përvetësimi i tezave të Pasqyrës ka thyer çdo rekord. Të gjithë në një mendje,  të gjithë  me një ngjyrë,  të gjithë  si një bllok.

Nuk qeveris opozita, Zoti Malaj (?!)…
Ajo që miqtë ndërkombëtarë u thonë juve është se Rilindja Socialiste me modelin e pasqyrave e ka mbytur transparencën.

Transparenca është Përgjegjësia
Ndërsa Pasqyra është Pengesa. 

Ky është realiteti mes një mazhorance të indoktrinuar e cila e ‘percepton‘ të drejtë drejtësinë dhe të pavarur atëherë kur nuk e prek pushtetin e Ramës, ku mesa duket alarmi për :-“… çështjet si korrupsioni i përhapur, pastrimi i parave dhe pasiguria juridike e pronave”, pa dalë nga salla me miq përcillet në shtyp dhe konsiderohet si arritje dhe si merita.

Le t’i ndajmë gjërat.

Le të flasim për gjërat një kohë kur Raporti i DASH-it, Shtator 2026 ende nuk kishte mbërritur, por të dhënat dhe analizat bëheshin.

A nuk janë hetimet e filluara tek AKSHI më të përforcuara sot me zbulimin e një grupi të strukturuar kriminal që ka vepruar për dhe në shërbim të asaj pjese të administratës shtetërore ku qeveria dhe kryeministri janë përgjegjësit kryesor?

 
Tre janë çështjet shumë të rëndësishme në të; Prona, Investimi dhe Vota?
Pandashmërisht; 
Prona, Investimi dhe Vota janë; ekonomia, buxheti, mirëqenia, zhvillimi, jetesa, siguria, arsimi, shëndeti etj. etj. deri tek lehtësia e qytetarit që do të zgjedhë vetë qeverisjen, i lirë, por kjo nuk ka ndodhur sepse paratë nuk gjinden, janë përvetësuar dhe puna nuk është kryer.

Prona, Investimi dhe Vota janë  këto tre shtylla që janë lëkundur pa përjashtim…

Por se deri në çfarë mase është dëmtuar siguria kombëtare në se dikush nga gazetarët “guxon” dhe pyet, me bishtin ndër shalë kryeministri dhe të ftuarit e mbyllin konferencën për shtyp pavarësisht se sa hyrje dhe atmosferë feste propaganda ndërton.
Thënë ndryshe, profesionistë për të kontrolluar rrëfimin. 
Megjithatë dita e 123 e protestës sikurse edhe  fillimi i ditës së 124 kishin qytetarinë e tyre të përballjes me burokracinë evropiane dhe shqiptare që shumë nga premtimet ende nuk i kanë mbajtur, madje edhe mungesën e disa prej tyre që kanë tejkaluar afatet e realizimit duket se i mbulojnë me premtime edhe më të mëdha. 
Sipas ATSH dhe propagandës vizitat e ditëve të fundit janë përcjellë edhe me artikuj dhe fotografi ilustruese mes të cilave, gati një vallëzim me Ursulan  ku shkruhet se:-“…Shqipëria dhe Mali i Zi mund të dërgojnë një komisioner në Bruksel përpara anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian“. Por nëse pritshmëritë nuk realizohen, një herë, pas dy vitesh dhe premtohen kufij afrimi ba një përmirësim cilësor të jetës dhe shërbimeve, atëherë i be që shqiptarët të kënaqen me pak, ose premtimet të kthehen në zhgënjim.
 
Përse protesta live u anashkalua?
 
Megjithatë ky rrëfim sado i stërholluar dhe i ngurtë i propagandës të duket i ka lënë gjurmët e veta kur bëhet fjalë për Skandalin e Sigurisë Kombëtare. 
 
Harresa apo serioziteti i trajtimit është çështja.
 
Mund të kujtojmë se po ky kryeministër dy javë më parë, në pushimet mes dy skandaleve, ose pak ditë përpara ngjarjes së lëshimit të urdhrit të arrestit për Drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni gjatë një programi të përshtatur shterrues me 300 pyetje (në rreth 260 minuta), Rama e mbylli që në 10-11 minutëshin e parë atë që do të mbulohej ose harrohej gjatë 250 minutave të  tjera, “Neglizhencën”…
Shumë gazetarë investigativ pas plasjes së skandalit Agasi-Hyseni (bota e krimit – siguria kombëtare), sollën në vëmendje qetësinë me të cilën kryeministri Rama e kishte përcjellë fjalën neglizhencë. Si do që të ishte kuptimi brenda asaj fjalie i fjalës neglizhent, Shqipëria u vu përpara një fakti i cili nuk mund të injorohet. Kryeministri dhe Shefja e Shërbimit Sekret Kombëtar ndodheshin jashtë shtetit në udhëtime pune kur SPAK, kishte lëshuar njoftimin për masën e arrestit. Dikush e quan çështje poshtëruese dhe prapa shpine, ndërsa dikush tjetër emrgjente.

Gjatë atij fillim dialogu Rama parashtronte se të tre ish drejtuesit e Shërbimit Informativ nën vartësinë e tij (kryeministrit), mund të dëshmonin lidhur me rutinën e punës si një agjenci nën vartësi të kryeministrit duke pohuar se:-“…unë këtë proçes të raportimit edhe të bashkëbisedimit me drejtuesit e  shërbimit e kisha thuajse plotësisht të deleguar tek drejtorja e kabinetit dhe merrja vetëm informacione shumë të rezervuara dhe shumë speciale që kishin të bënin me aleatat dhe aleancat tona. Për pjesën tjetër kam qenë jashtëzakonisht neglizhent për shkak se nuk e kam këtë. Unë besoj shumë tek njerëzit.” 

Neglizhenca nuk është më një fjalë goje dhe as masa zbutëse përmes një Pakete Ligjore në Kodin Penal të sapo propozuar kur zbulohet se Drejtues ja e SHISH ka lidhje me koordinatorë të botës së krimit që kanë patur direkt lidhje tek AKSHI, i gjithë informacioni dhe të dhënat më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë.
 

Në qoftë se nuk kuptohet vetëm edhe për kaq se e kujt është përgjegjësia dhe se vendimmarrja parlamentare i shërben jo qytetarëve shqiptarë dhe jo ligjit, por atyre që udhëzohen dhe e ushtrojnë forcën e kartonit atëherë nuk mbetet e vështirë të dallosh se prej nga vjen abuzimi dhe arrogancaa e pushtetit. Në politikë mazhoranca socialiste falë kronometrit, kartonit dhe truprojave të gardës nuk gjen dot një rrugë pajtimi, konsensus. Fjalët si merita, transparenca dhe gjithpërfshirja janë pjesë e propagandës që fshehin varfërinë, korrupsionin dhe krimin.

Kur këto dy realitete janë kaq në kontrast dhe zgjedhjet e përgjithshme që janë tre vite larg, dhe po aq larg si një dekadë edhe BE-ja, nevoja për ndryshim dhe krijimi i kushteve për një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme është e domosdoshme dhe vendimtare.


Zgjedhje të reja të parakohshme nënkupton atë që PS ka nevojë të kuptojë se kjo forcë politike sot po përfaqësohet nga elita e rilindësve socialistë (RS), ai bllok betoni që ka i ndërprerë rrugën zhvillimit dhe orientimit Evropian e më gjerë me luftën hibride brenda llojit, atë të pasqyrave që është shndërruar pak nga pak në besnikëri fanatike dhe jo të gjithë e kanë kuptuar atë.
Ishin interesante debatet gjatë 25 minutave të para të Komisionit-KTD për ta eksploruar tryezën e debatit politik. brenda një komisioni. 

Kur njëra palë përpiqet që të parashtrojë argumentin se si vendet mike sot e vënë theksin tek ato çështje që të japin të kuptosh se përse Shqipëria ka nevojë të ndryshojë, mbrojtësit e mosndryshimit janë bërë modës dhe besnikë për vazhdimin e qeverisjes nga parti-shteti.
 
Kjo seancë  që nuk zuri vend në pasqyrimet e ditës dhe të propagandës kryesisht, sipas njoftimit të Kuvendit kishte  Seancë dëgjimore me grupet e interesit (transmetuesit televizivë) për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr.35/2016, ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat‘ e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar.
 Shumë e rëndësishme për nga rëndësia, por edhe si për ironi të fatit për kohën kur zhvillohet pasi në mes të korrupsionit AUTORËSIA është anonime, ose është vetëm një dorë që e lëviz.
 
 
1 Tetor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kamberi: Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike

Përfaqësuesit e partive shqiptare nga Lugina në jug të Serbisë priten në takim në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 29 shtator 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Përfaqësuesit e partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në jug të Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për të marrë pjesë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor.

Në listën e përbashkët, e quajtur “Koalicioni Shqiptar”, do të marrin pjesë tetë parti që kanë këshilltarë komunalë në këto tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, tha për Radion Evropa e Lirë Shaip Kamberi, lider i Partisë për Veprim Demokratik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shqiptarët në Serbi duhet t’i kenë “të paktën 5 vende të garantuara” në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ishte përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Serbisë.

Cilat parti nënshkruan marrëveshje?

Marrëveshjen në kryeqytetin kosovar Prishtinë e kanë nënshkruar Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, Alternativa për Ndryshim e Visar Memetit, Partia Demokratike e Nagip Arifit, Partia Demokratike Shqiptare e Agim Sabedinit, Lëvizja për Përparim Demokratik e Shqiprim Musliut, Lëvizja për Reforma e Sami Salihut, Alternativa për Luginën e Armend Aliut dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Naser Azirit.

Këto parti janë nënshkruese të marrëveshjes, sipas dokumentit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e publikoi në Facebook.

I pyetur se çfarë do të jetë baza e pjesëmarrjes së tyre, Kamberi tha se ajo do të jetë respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë.

“Jemi dakorduar që baza e kërkesave tona të jetë plani me shtatë pika, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në qershor të vitit 2013, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme, të cilat, me ndërmjetësimin e OSBE-së, janë nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

Plani me shtatë pika parasheh përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.

Ai parasheh gjithashtu decentralizimin në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe masat për ndërtimin e besimit, si dhe çështjet që lidhen me arsimin, mediat, kulturën, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Listës “Koalicionit Shqiptar” do t’i prijë Shaip Kamberi. Bartësi i dytë do të jetë nga Alternativa për Ndryshim, ndërsa i treti nga Partia Demokratike.

Sipas Kamberit, është arritur marrëveshje edhe për veprimin e përbashkët pas zgjedhjeve.

“Deputetët do të qëndrojnë së bashku dhe do të përpiqen që, me disa parti të tjera me të cilat na lidh veprimi i përbashkët, të formojnë grup parlamentar”, shtoi ai.

Çfarë tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 30 shtator se pjesëmarrja e përbashkët në listën “Koalicioni Shqiptar” mund të jetë një hap i rëndësishëm dhe historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës në luftën “kundër diskriminimit dhe përjashtimit, si dhe kundër spastrimit etnik administrativ [në Serbi]”.

Kurti përsëriti qëndrimin se pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Serbi duhet të kenë të njëjtat të drejta si pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfshirë edhe vendet e rezervuara për pakicat në Kuvend.

“Serbëve në Kosovë u garantohen 10 nga gjithsej 120 vendet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sipas kësaj qasjeje, shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të kenë së paku pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 vende deputetësh”, tha Kurti.

Kurti, në një postim në Facebook, tha se Kosova do t’i mbështesë shqiptarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në “realizimin e të drejtave të tyre dhe ruajtjen e identitetit”.

I pyetur për vlerësimin e Kurtit lidhur me vendet e garantuara në Kuvend, Kamberi tha se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi luftojnë për një, më së shumti dy mandate, e në disa raste edhe për tre, dhe se ai konsideron se kjo është “shumë larg asaj se sa shqiptarë ka në Serbi”.

Janjiq: Hap i mirë politik

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd tha për Radion Evropa e Lirë se arritja e marrëveshjes politike mes subjekteve politike shqiptare në Serbi është “një hap i mirë politik”, pasi ata do të sigurojnë numrin maksimal të votave.

Ai vlerëson se në arritjen e marrëveshjes ka kontribuar, me shumë gjasë, “autoriteti” i kryeministrit të Kosovës, Kurti.

Janjiq thekson gjithashtu se, nëse pas zgjedhjeve të tetorit rezultati mes listës “Serbia e Bashkuar” të Aleksandar Vuçiqit dhe listës studentore “Studentët fitojnë” është i ngushtë, pakica shqiptare ka siguruar fuqi më të madhe në vendimmarrjen se kë do ta mbështesë.

Sipas vlerësimit të tij, “barrën më të madhe” të kësaj marrëveshjeje e kanë bartur partitë që deri më tani kanë bashkëpunuar me autoritetet në Serbi.

Nga ana tjetër, Janjiq konsideron se shqiptarët në Serbi nuk mund të kenë vende të rezervuara në Kuvend, siç kërkon kryeministri i Kosovës, Kurti, duke u bazuar në vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb.

Ai kujton se shqiptarët në Serbi kanë Këshillin Kombëtar.

“Me përcaktimin e vendeve të garantuara në bazë të numrit të banorëve, shqiptarët nuk do të merrnin më shumë se tri. Modeli i vendeve të garantuara u jepet komuniteteve të vogla, si polakët, sllovakët dhe kroatët, dhe jepet në bazë të marrëveshjeve ndërshtetërore”, tha Janjiq.

Janjiq tha gjithashtu se pakica shqiptare komunikon me Kosovën, pasi e konsideron atë shtet amë, ndërsa autoritetet në Serbi, sipas tij, si shtet amë të tyre e konsiderojnë Shqipërinë.

Kjo nuk është hera e parë që dikush nga Kosova ose Shqipëria ndërmjetëson në arritjen e një marrëveshjeje mes partive shqiptare nga jugu i Serbisë.

Kështu, përfaqësuesit politikë nga tri komunat në jug të Serbisë nënshkruan në vitin 2020, në Tiranë, një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të ministrit të atëhershëm në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajt.

 

Sot protesta e 124 kundër qeverisë! Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Sot shënohet dita e 124 e  protestave kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët dhe aktivistë kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në qendër të kërkesave të tyre është edhe anulimi i disa ligjeve, për të cilat protestuesit pretendojnë se cenojnë interesat e shqiptarëve.

Gjatë protestës së një dite më parë, pjesëmarrësit përcollën disa thirrje kundër kryeministrit dhe qeverisë. Ndër sloganet e përdorura ishin “Arrestoni Ramën” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”.

Po ashtu diten e djeshme protesta u zhvillua edhe gjate vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ku iu përcoll mesazhi se “nuk ka Shqiperi në BE me Edi Ramën”.

Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë tubimet, duke kërkuar ndryshime politike, ndërsa protesta mbetet e fokusuar te kërkesa për largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike.

Panorama

OECD: Shqipëria ka rrjetin rrugor dhe hekurudhor më të dobët në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria ka dendësinë më të ulët të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor dhe është i vetmi vend i rajonit ku dendësia e rrjetit rrugor ka rënë gjatë dekadës së fundit. Edhe rrjeti hekurudhor është tkurrur, me rënien më të fortë në rajon, mbi 28% krahasuar me periudhën 2014-2016, sipas raportit të OECD-së Raporti i Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026.

Në infrastrukturën rrugore, Shqipëria regjistron vetëm 13 kilometra rrugë për 100 km² territor, niveli më i ulët ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në skajin tjetër qëndron Mali i Zi me 74 km rrugë për 100 km². OECD vëren se dendësia rrugore ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar në pjesën tjetër të rajonit, ndërsa Shqipëria është e vetmja ekonomi që ka shënuar rënie gjatë periudhës së analizuar.

Situata është edhe më e dobët në hekurudha. Shqipëria ka vetëm 0.9 km linjë hekurudhore për 100 km², përsëri niveli më i ulët në rajon. Për krahasim, Serbia, që kryeson Ballkanin Perëndimor, arrin në 4 km për 100 km². OECD llogarit se dendësia e rrjetit hekurudhor shqiptar është zvogëluar me mbi 28% që nga 2014-2016, rënia më e fortë ndër vendet e rajonit.

Dobësia e hekurudhës nuk kufizohet vetëm te gjatësia e rrjetit. OECD e rendit Shqipërinë, së bashku me Kosovën, ndër ekonomitë ku transporti hekurudhor i mallrave mbetet margjinal, me volume të papërfillshme. Kjo e lë pjesën më të madhe të transportit të mallrave të varur nga rrjeti rrugor dhe kufizon përdorimin e një alternative që në vendet e BE-së luan rol më të madh në tregti dhe logjistikë.

Hekurudha2
Hekurudha2

Të dy treguesit ndihmojnë të shpjegohet pse Infrastruktura dhe Ndërlidhja është klasteri ku Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor. OECD thekson se, pavarësisht progresit të rajonit në disa elementë të infrastrukturës, hendeku me vendet fqinje të BE-së mbetet i madh dhe Shqipëria ka rezultatin më të ulët ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

OECD e konsideron pikërisht infrastrukturën e transportit si një nga dobësitë kryesore të konvergjencës me BE-në. Rezultati i Shqipërisë në klasterin “Infrastruktura dhe Ndërlidhja” është vetëm 33 pikë kundrejt mesatares 100 të BE-së, duke e renditur 6-ta nga 6 ekonomitë e rajonit. Dendësia e rrugëve vlerësohet në vetëm 7.6% të nivelit të BE-së, ndërsa ajo hekurudhore në 16.1%.

Megjithatë, hendeku nuk është i njëjtë në të gjithë infrastrukturën. Shqipëria ka arritur praktikisht nivelin e BE-së në mbulimin 4G dhe ka përmirësuar ndjeshëm kostot e energjisë elektrike, por këto përparime nuk kanë kompensuar dobësinë e transportit fizik. OECD e përmbledh këtë kontrast duke e cilësuar transportin shqiptar si të pazhvilluar, me aktivitet hekurudhor të mallrave marginal dhe me shpejtësinë broadband më të ulët në rajon./ekofin.al

Korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti! DASH ngre alarmin për klimën e biznesit në Shqipëri: Investitorët e huaj po zhvaten

Departamenti Amerikan i Shtetit ngre shqetësime të forta për klimën e investimeve në Shqipëri, duke evidentuar korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, konkurrencën e pandershme dhe problemet me pronën si disa prej pengesave kryesore për biznesin.

Në raportin për Klimën e Investimeve për vitin 2026, DASH vëren se Shqipëria ruan stabilitetin makroekonomik, ka shënuar rritje ekonomike dhe ka një kuadër ligjor që në përgjithësi nuk diskriminon investitorët e huaj. Por panorama ndryshon kur analizohet mënyra se si funksionojnë në praktikë tregu dhe institucionet.

Sipas raportit, investitorët e huaj vazhdojnë ta konsiderojnë Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes. Mes problemeve që ata evidentojnë janë korrupsioni në sektorin publik dhe në gjyqësor, problemet në prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, pastrimi i parave, informaliteti, ndryshimet e shpeshta fiskale, pasiguria mbi pronën dhe dobësitë në zbatimin e kontratave.

Një nga konstatimet më të forta lidhet me ndikimin e ekonomisë kriminale në treg. DASH thekson se të ardhurat e paligjshme që vijnë nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal shtrembërojnë konkurrencën.

Por raporti shkon edhe më tej. Investitorët raportojnë rreziqe zhvatjeje që lidhen me administratën publike, median dhe grupet kriminale.

Në lupën e DASH janë vendosur edhe partneritetet publike-private. Sipas raportit, kontratat PPP kufizojnë mundësitë për konkurrencë dhe vuajnë nga analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike.
Kritika ka edhe për investimet strategjike. DASH evidenton se relativisht pak investitorë të huaj kanë përfituar statusin e investitorit strategjik dhe se kjo ka ushqyer perceptimin mes investitorëve të huaj se ligji ka favorizuar kryesisht kompani vendase me lidhje të afërta me shumicën qeverisëse.

Një kapitull i veçantë i kushtohet korrupsionit. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se ai vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe të pengojë Shqipërinë që të arrijë potencialin e saj të plotë.
Korrupsioni, krimi i organizuar dhe problematikat e lidhura me to renditen nga investitorët e huaj mes shqetësimeve më të mëdha për mjedisin e biznesit. DASH kërkon gjithashtu bashkëpunim më të mirë mes institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe për të adresuar atë që raporti e cilëson si një “kulturë të përhapur të pandëshkueshmërisë”.

Ndërkohë, raporti vlerëson punën e SPAK dhe BKH në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë çështjet ndaj zyrtarëve të lartë aktualë dhe të mëparshëm.

Probleme evidentohen edhe në sistemin gjyqësor. Investitorët e huaj ankohen se korrupsioni në drejtësi dhe procedurat joefikase të gjykatave dobësojnë mbrojtjen e investimeve, duke bërë që në shumë raste të kërkohet arbitrazhi ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve me shtetin shqiptar.
Një tjetër pikë e nxehtë mbeten pronat. Sipas DASH, individët dhe investitorët vazhdojnë të hasin vështirësi të konsiderueshme në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, ndërsa sektori perceptohet si një prej më të ekspozuarve ndaj korrupsionit. Vetëm 10% e hartave kadastrale rezultonin të digjitalizuara, ndërsa rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkonin ende verifikim për saktësinë.

Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria, megjithëse doli nga “lista gri” e FATF në vitin 2023, vijon të jetë në kategorinë “Major Money Laundering Jurisdictions” në raportin amerikan të vitit 2025 për kontrollin ndërkombëtar të narkotikëve.
Një tjetër shqetësim është emigracioni. DASH, duke iu referuar të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, shkruan se rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare punon jashtë vendit, ndërsa mungesa e punonjësve të kualifikuar po kthehet në pengesë për biznesin.

Megjithatë, raporti evidenton edhe tregues pozitivë. Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, ndërsa investimet e huaja direkte arritën nivelin rekord prej 1.84 miliardë dollarësh. Stoku i investimeve të huaja arriti në 17 miliardë dollarë, ndërsa janë rritur edhe investimet amerikane.

Por përtej rritjes së flukseve financiare, raporti amerikan e vendos theksin te problemet strukturore që vazhdojnë të rëndojnë klimën e biznesit: korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, dobësitë e gjyqësorit, pasiguria mbi pronën dhe konkurrenca e shtrembëruar. gsh

UGSHPD: KUR MIQTË TË ZËNË DERËN

 

Faqja e ATSH deri pas mesdite bëhet edhe më interesante. Në lajmet kryesore kemi zhvillime të brendëshme dhe të jashtëme. Tek i kqyr ato për nga renditja të bien në sy tituj dhe foto ilustruese për ato që po zhvillohen , janë zhvilluar sikurse dhe pritet të mbahen. Në pamje të parë duken interesante dhe të nivelit të lartë këto lajme përmes angazhimeve të kryeministrit dhe të qeverisë si psh takimi me ambasadori e SHBA-së Eric Wendt në pritjet me kryeministrin Rama dhe ministrin Hoxha (MEPJ)

Gjithashtu bëhet e ditur edhe vizita e  Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila nis nga Tirana po sot pasdite vizitën e saj të gjashtë vjetore në rajon me në agjendë të ngjeshur takimesh dhe është njoftuar se nesër ajo udhëton drejt Prishtinës.

“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku. Ambasadori Eric Wendt u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”, thuhet në një njoftim të ambasadës së SHBA-së përmes Facebook-ut.

Ndërsa komisionerja Ursula von der Leyen veç takimeve me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama do të shikojë edhe ndonjëri objekt investimi të BE-së në Kryeqytet bëhet e ditur sipas ATSH-s

Për sa kohë këto takime kanë paraqitur interes në pasqyrimet mediatike, ajo që këto vizita i lidh me zhvillimet e fundit të partneritetit të Shqipërisë me NATO-n dhe BE-në janë edhe sinjalet për zhvillimet e fundit në SHISH.

Regjistri i zërit duket i ulur, por jo i heshtur e ndoshta në dyer të mbyllura.

Mbase një konferencë për shtyp do të mund të zbardhte diçka, megjithatë koha mund ta tregojë.

Pyetja që ngrihet është se:- A ka ende ndikim propaganda qeveritare mbi lajmet?

Dy të tjera pas kësaj janë:

Përse ende zyra e shtypit të kryeministrit nuk ka dalë ende me një lajm mbi takimin e ambasadorit të ri Të SHBA-së Wendt me Kryeministrin Rama?

…dhe e dyta paneli i Brukselit dje mbi Turizmin i organizuar nga Euronews 2026 kishte një hapësirë dhe vend në ATSH dhe mediat goxha të madh. Ishte prania e kryeministrit Rama. Po sot që Euronews 2026 zhvillon Ditën mbi Mbrojtjen dhe Hapësirën lajmet ende nuk bëjnë të ditur se me çfarë niveli përfaqësimi është Shqipëria atje?

Deri në një lajm apo përgjigje lë të mbetemi tek rrethanat ku shpesh shprehja popullore të nxjerr nga situatat “Erdhën miq e ma zunë derën”…

 

30 Shtator, 2026

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“Po u lëviz dheu nën këmbë” Sot mbahet protesta e 123-të kundër qeverisë, qytetarët rikthehen në shesh, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protesta qytetare kundër qeverisë zhvillohet sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 123-të të tubimeve të njëpasnjëshme. Pas protestës së djeshme, që u zhvillua në ditën e 122-të dhe u shoqërua me marshim në rrugët e kryeqytetit, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të përcjellë kërkesat e tyre politike dhe sociale. Edhe në protestën e 122-të pjesëmarrësit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një prej thirrjeve të përsëritura ishte edhe “Arrestoni Ramën”.

Tubimet kanë vijuar prej më shumë se katër muajsh, ndërsa protestuesit deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qëndresa. Në protestën e 121-të, të zhvilluar më 28 shtator, marshimi nisi pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë dhe vijoi në drejtim të Qytetit Studenti. BalkanWeb raportoi se gjatë marshimit u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit dhe se protestuesit kërkuan vijimin e revoltës.

Në qendër të protestave vijon të jetë kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshimin e situatës politike në vend. Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas platformës së tyre, do të kishte për detyrë përgatitjen e kushteve për zgjedhjet e ardhshme.

Në protestat e ditëve të fundit janë përsëritur edhe kërkesat për ndryshime në sistemin politik dhe institucional, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i protestave të fundit ka qenë përfshirja e të rinjve dhe studentëve. Gjatë protestës së 121-të, marshimi u zhvendos drejt Qytetit Studenti, ndërsa aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se synimi ishte që studentët t’i bashkoheshin më fuqishëm protestës.

“Ne presim që studentët t’i bashkohen fuqishëm protestës. Sot ishte për ta, ndaj e çuam marshimin drejt Qytetit Studenti”, deklaroi Xhemalaj, duke shtuar se organizatorët kërkojnë që energjia e të rinjve të kanalizohet në protestë.

Edhe gjatë protestës së 122-të u dëgjuan thirrje për përfshirjen e rinisë, ndërsa pjesëmarrësit vijuan të përsërisnin sloganin “Pa rini nuk ka Shqipëri”. bw

UGSHPD: MEDIA, BARIU BALLA DHE CHAT-GPT-ja  (Delja e Zezë)

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mes gazetarëve kur është pyetur rreth çështjeve të drejtësisë pasi ka relativizuar më parë se korrupsioni ekziston kudo (në Evropë), dhe jo vetëm në Shqipëri e duke dashur të përforcojë idenë e “përgjegjësive personale” është shprehur se Partia Socialiste “nuk bën avokatin mbrojtës për asnjë zyrtari nën hetim.”
Si “njohës” i ligjeve ai luan shumë me procesin pavarësisht dëmit institucional, social dhe ekonomik që sjell kjo mendësi qeverisëse kur nënkupton se mbi cilin person bie “barra e provës” dhe se është i pafajshëm deri sa të provohet i tillë.
Pra në teori dhe ralativizëm dhe jo të mbështetur mbi në realitetin e jetës ku provat dhe skandalet dalin çdo ditë edhe për rastet më të freskëta Balla thotë se:-“Hyni në çhat GPT, ku i keni telefonat? Ja ku e ka telefonin gazetarja. Hyni, hyni në Chat GPT dhe pyetini Chat GPT-n. Kush është ‘Delja e Zezë ‘e Europës sa i përket paraburgimit dhe besoj që Chat GPT-ja do japi përgjigjen. ‘Delja e Zezë’ e Europës për sa i përket paraburgimit është Shqipëria.”
A nuk është ky adresim një frymë “populizmi” dhe “gjyqësie popullore”?
Çfarë do të bëjnë njerëzit me shifrat kur vullneti politik bllokon dhe udhëzon drejtësinë dhe a nuk është ky pikërisht kontrolli dhe goditja e institucioneve demokratike?
Megjithëatë ja plotësuam dëshirën kryetarit të GPS Balla dhe e kërkuam “Delen e zezë” në Chat GPT.

Mes metaforave dhe ironisë zbuluam edhe shifra ku shkruhet se:- “Rreth 58% e totalit të të burgosurve ndodhen në qeli në pritje të një vendimi për të cilin pritet mesatarisht 253 ditë dhe nën një masë të tillë janë mbi 2500 personale. E krahasuar me Evropën, Shqipëria është nga 3-4 herë më keq ose për 100 mijë banorë Evropa numëron 41 personale në paraburgim ndërsa Shqipëria ka 110 persona”.
Renditja e këtyre fakteve flet më shumë se ironizimi dhe relativizimi që një politikan në qeverisje i bën mbrojtjes së korrupsionit në nivelet më të larta të drejtimit të shtetit, administratës shtetërore dhe klientelës që ushqejnë njëri tjetrin me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në se do të paralelizonim shifrat e paraburgimit dhe të shkonim me mendësinë Chat-iste të Ballës, çështja e protestës qytetare i bie që asaj t’i duhet të zgjasë edhe 4 muaj të tjerë në mënyrë që thirrjet për dorëheqje për shkak të korrupsionit t’i bien në vesh drejtësisë. Deri  atëherë sa drejtësia ta kishte për gjykim çështjen, ose deri atëherë kur vijnë zgjedhjet e reja dhe parti-shteti ndryshon ligjet dhe sundon demokratikisht.
Me mendësinë e rilindësve dhe taktikat mbrojtëse e kemi kuptuar jo vetëm një herë se kryetari i GPS  Balla e bën mazhorancën dhe parti-shtetin që të mos duket ujk. 
Edhe kur duhet të themi se “Delja e Zezë” që ai u tregoi gazetarëve që ta gjenin përmes Chat GPT-isë, e hidhura e saj është se “Delja e Zezë” është gdhendur në memorien dixhitale botërore si politikë e vdekur. Është një epitaf për Rilindjen Socialiste.
Balla mbahet mend të ketë thënë dikur se:-“Unë jam bariu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste” (ose “bariu i tufës”).
Jo pa shkak kjo rastësi na bën lidhjen e arsyetimit politik të rilindësve në kuvend dhe në qeveri, në administratë dhe kudo si patronazhistë se janë të shpëlarë në tru , janë të manipuluar ideologjikisht, janë deputetët e listës së mazhorancës 
 të kryetarit Rama.
Kujtoni Ramën me përgjegjësinë e tij vetëm brenda një jave. Tiranë-Nju Jork-Tiranë-Bruksel e kthim.
Për sa kohë ai sot flet për luftërat hibride dhe IA (Inteligjencën Artificiale), që i kanë prishur imazhin dhe i kërcënojnë qeverisjen të mos harrojmë se vetëm për një vit pas prezantimit dhe emërimit të aplikacionit “Diella” (Ministre Digjitale) me rezolucion korruptiv dhe “i lindi fëmijët e saj”*,  u arrit që socialistët në parlament të veprojnë në bllok (83-1)* duke u dalluar vetë jo thjeshtë si “delja e zezë”, por si realiteti i zi që ka mbuluar korrupsioni.
 
________
*Rasti kur deputetja Marjana Koçeku (Neomalësorja) u kërcënua për lënien e mandatit.
 
29 Shtator, 2026
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend