VOAL – Siç njofton agjencia zyrtare Kuna, pardje u nda nga jeta Emiri i Kuvajtit, Shejh Sabah al-Ahmad al-Jabir al-Sabah, i cili ka drejtuar shtetin e pasur me naftë në Gjirin Persik që nga viti 2006.
Emiri ishte ndërmjetës për paqësimin e konflikteve në rajon. Ai gjithashtu u përpoq të qetësonte krizën diplomatike midis një aleance rreth Arabisë Saudite dhe Katarit që nga viti 2017.
Para se të bëhej Emir i Kuvajtit, Sabah ishte ministër i jashtëm nga 1963 më 1991 dhe nga 1992 më 2003. Si ministër i jashtëm, Sabah rivendosi marrëdhëniet ndërkombëtare të Kuvajtit pas Luftës së Gjirit. Ai ishte gjithashtu zëvendëskryeministri i parë ndërsa shërbente si ministër i jashtëm. Ai ishte ushtrues detyre i ministrit të financave nga viti 1965 deri më 1967. Ai ishte kryeministër dhe sundimtar de facto në 2003–06, për shkak të shëndetit të keq të Jaber III.
Mes shumë nderimeve nga shumë vende të botës, Emiri i Kuvajtit u vlerësua edhe nga autoritetet e Shqipërisë. Më 12 prill 2008 u shpall Qytetari Nderi i Tiranës. Ndërsa më 27 maj 2012 u dekorua me Kordonin e Madh të Urdhërit të Skënderbeut nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.
Në një status të tij, me rastin e ndarjes së Emirit të Kuvajtit nga jeta, z. Kujtim Morina, ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Emiratin e Kuvajtit shkruan: Gjatë qeverisjes së tij, Ai i forcoi marrëdhëniet me Shqipërinë, dyert e institucioneve të Kuvajtit kanë qenë gjithnjë të hapura dhe dashamirëse për ne si dhe njohu pavarësinë e Kosovës. Urime për Emirin e ri të Kuvajtit, Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al Sabah që bëri betimin dje para Parlamentit dhe me besimin se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej.
Komentet