Kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari, ka shpjeguar hartën e ndarjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në Jon, nëse do të aplikohej e drejta për t’u zgjeruar me 12 milje.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Meçollari ka treguar se aplikimi i këtij parimi që buron nga Konventa e Montego Bay mund të bëhet vetëm në rastet kur distanca e brigjeve mes dy vendeve është më shumë se 24 milje.
Sipas ish-zëvendëskomandantit të Forcës Detare, kufiri i detit territorial nuk mund të shkojë përtej vijës delimituese të vendit fqinj, përballë ose për krah. Duke ilustruar hartën e punuar nga ai për gazetën “Panorama”, Meçollari thotë se nëse Greqia do të aplikonte 12 miljet detare në ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë, atëherë ajo do të merrte edhe gjithë rrethin e Sarandës dhe jo vetëm detin.
Po ashtu, sipas tij, edhe Shqipëria nga ana tjetër, me aplikimin e 12 miljeve do të shkonte deri në mes të ishullit të Korfuzit. Për shkak se brigjet mes Shqipërisë dhe Greqisë në pjesën e tyre më të madhe janë më pak se 24 milje larg, Meçollari thotë se përcaktimi i vijës delimituese mes dy vendeve mund të bëhet vetëm me një marrëveshje, duke përdorur vijën e mesit si parim për ndarjen e ujërave territoriale.
I vetmi rast sipas kapitenit Artur Meçollari, kur deti territorial i një vendi mund të cenojë vijën delimituese, është atëherë kur dy vendet bëjnë marrëveshje për një gjë të tillë.
Më tej, në intervistën e tij ai thotë se gjithë kjo çështje që është krijuar në javën e fundit, më shumë është e lidhur me politikën e brendshme greke, por edhe me tensionet në rritje të muajit të fundit me Turqinë, pikërisht për ndarjen e kufirit detar në pjesën lindore të detit Egje, por edhe të Mesdheut.
Po flitet gjerësisht dhe ka një shqetësim të gjerë lidhur me zgjerimin e gjerësisë së detit territorial të Greqisë me 12 milje detare në detin Jon. Çfarë thotë Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit për këtë çështje?
Shqetësimin e qytetarëve e konsideroj të ligjshëm. Natyrisht, ata kanë të drejtë të shqetësohen për fatin e vendit të tyre. Historia e Shqipërisë së 100 viteve të fundit, por edhe marrëveshja detare me Greqinë e vitit 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, na mëson se duhet të jemi vigjilentë, profesionistë dhe të orientuar nga interesi kombëtar.
Sot, për fat të mirë, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, orientues dhe detyrues për të gjithë. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit ose siç njihet UNCLOS 1982, filloi të firmoset në Montego Bay të Xhamajkës më 10 dhjetor 1982. Ajo ishte produkt i një pune 13-vjeçare të përfaqësuesve të pothuajse të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. UNCLOS 1982 hyri në fuqi më 16 nëntor 1994 dhe sot, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së janë palë e saj.
Deti Harta
Natyrisht, ka shtete që nuk e kanë ratifikuar, si SHBA dhe Turqia, por ajo tashmë është në fuqi. Neni 3 i UNCLOS 1982 i jep të drejtën çdo shteti bregdetar të shpalli gjerësinë e detit territorial, por jo më shumë se 12 milje detare, kjo e matur nga vija bazë, e cila mund të jetë normale (bregu i detit), e drejtë (që në zhargonin e përditshëm është një vijë imagjinare që bashkon kepet më të dala në breg) dhe e kombinuar (me të dyja metodat).
Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial shkakton spostimin e “kufirit të jashtëm të detit territorial”, që sipas nenit 4 të UNCLOS 1982 është një vijë imagjinare e baraslarguar nga vija bazë, aq sa është gjerësia e detit territorial të shpallur.
Kufiri i jashtëm i detit territorial kufizon atë me detin ndërkombëtar dhe jo me detet kombëtare të shteteve fqinje, në krah apo përballë. Kjo do të thotë që zgjerimi i detit territorial mund të bëhet në ato hapësira gjeografike ku bregdeti i shtetit fqinj, në krah apo përballë, është më e madhe se 24 milje detare dhe ky zgjerim bëhet me shpallje nga shteti bregdetar.
Ky deklarim i Greqisë për zgjerimin e detit territorial në 12 milje detare po interpretohet si zgjerim i ujërave greke drejt ujërave shqiptare…
Kjo gjë nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. UNCLOS 1982 është e qartë për këtë. Sipas nenit 15 të saj, nuk lejohet shtrirja e detit territorial përtej vijës delimituese. Për këtë, neni shprehet se “asnjë nga dy shtetet nuk do të ketë të drejtën …… për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme, pikat e së cilës janë të baraslarguara nga pikat më të afërta të vijave bazë, nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të dy shteteve”. Mirëpo, Konventa po në këtë nen lejon që shteti bregdetar mund të shtrijë detin territorial përtej kësaj vije “përveç kur është bërë një marrëveshje ndërmjet tyre”, pra jo në mënyrë të njëanshme, siç parashikon neni 3 i UNCLOS 1982 zgjerimin e detit territorial. Neni 15 e bën këtë parashikim kur shtetet vendosin me vullnetin e tyre dhe me marrëveshje të shkëmbejnë sipërfaqe të deteve territoriale respektive përtej vijës delimituese. Ky shkëmbim mund të ndodhë për t’i krijuar akses një shteti bregdetar pa dalje në detin ndërkombëtar (rasti Kroaci-Slloveni) ose arsye të tjera. Sllovenia nuk ka dalje të lirë në detin ndërkombëtar dhe anijet e saj ushtarake, por edhe joushtarake, duhet të kalojnë nëpër detin territorial të Kroacisë ose Italisë. Në këto rrethana, anijet sllovene duhet të kalojnë në përputhje me regjimin e kalimit paqësor. Kur ka kërcënim të sigurisë kombëtare, shtetet bregdetare gëzojnë të drejtën e pezullimit të përkohshëm dhe jodiskriminues të kalimit paqësor për anijet ushtarake, por edhe joushtarake. Për të evituar këto situata dhe për të garantuar lirinë e lundrimit dhe lëvizshmërinë operacionale të anijeve të saj ushtarake, Sllovenia ka kërkuar që të bëjë kompensim të deteve territoriale me Kroacinë, duke krijuar një korridor të lirë nëpër detin territorial të Kroacisë. Kjo kundërshti vijon qysh prej 25 vitesh. Edhe pse Sllovenia e fitoi në Gjykatën e Arbitrazhit, Kroacia ka vendosur të mos e zbatojë vendimin.
Nëse kjo është e qartë, përse gjithë ky keqkuptim?
UNCLOS 1982 është një kuadër ligjor ndërkombëtar kompleks dhe tepër voluminoz. Ai është i shkruar në formë narrative, por kur trajtohen çështjet e përcaktimit të hapësirave detare (me shpallje apo delimitim) në mënyrë të njëanshme, me marrëveshje apo vendim gjykate, ato kthehen në vija imagjinare në det, shpesh të kërkuara edhe me koordinata gjeografike. Njohja dhe zbatimi i kësaj konvente nuk është thjesht një çështje juridike, por kërkon edhe njohuri e kulturë detare. Gjeometria e hapësirave detare është komplekse. Hapësirat detare në shumë raste, edhe pse përfaqësojnë regjime juridike të ndryshme, mbivendosen nga pikëpamja gjeografike në një hapësirë tredimensionale. Të gjitha hapësirat detare të shtetit bregdetar maten ose delimitohen nga vija bazë, e cila ka një ndikimin thelbësor. Interpretimi me pragmatizëm i dispozitave të UNCLOS 1982 për vijën e drejtë bazë sjell përfitime për shtetin bregdetar. Paradoksalisht, në janar të vitit 2008, në mes të negociatave, u shfuqizua ligji nr. 8771 “Për kufirin shtetëror në RSH” dhe rrjedhimisht, edhe vija e drejtë bazë e Shqipërisë. Shqipëria me vullnetin e saj ndryshoi rregullat në mes të lojës, duke shkaktuar dëme të ndjeshme për Shqipërinë në marrëveshjen e vitit 2009. Vija e drejtë bazë e Shqipërisë, ndërtuar në vitin 1970, modifikuar në vitin 1976 dhe depozituar në OKB në vitin 1990, është një nga produktet shkencore më të arrira të specialistëve detarë dhe juristë në Shqipëri. Më poshtë kam prezantuar në skemë ilustruese, e cila nuk duhet të konsiderohet si hartë për qëllime delimitimi. Nëse do të supozonim se zgjerimi i gjerësisë së detit territorial shtrihet përtej vijës delimituese, këtë e shpjegon skema e mëposhtme. Skema tregon se si do të shtrihet deti territorial i Greqisë (12 milje detare) duke nisur në mes të gjirit të Borshit dhe duke përfshirë të gjithë Rrethin e Sarandës. Kurse Shqipëria do të shtrihej (12 milje detare) duke përfshirë pothuajse pjesën më të madhe të pjesës veriore të ishullit të Korfuzit. Kjo skemë provon se në asnjë rast, zgjerimi i detit territorial, i shpallur nga shteti bregdetar në mënyrë të njëanshme, nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të detit territorial.
Grupi i mëparshëm negociator pretendon se gjatë negociatave kishin marrë në konsideratë gjerësinë e detit territorial të Greqisë 6 milje detare. Si është e vërteta?
Siç e shpjegova, gjerësia e detit territorial nuk ndikon në përcaktimin e vijës delimituese të deteve territoriale midis dy shteteve. Kjo, pasi vija delimituese është vijë me distanca të barabarta nga brigjet respektive, e modifikuar për rrethana të veçanta ose tituj historikë sipas rastit. Detet territoriale delimitohen deri në distancën 12 milje detare nga brigjet e të dy shteteve, pavarësisht gjerësisë së shpallur të deteve territoriale. Kjo është e shprehur në UNCLOS 982, por dhe në praktikën ndërkombëtare, me qëllim për t’iu lejuar shteteve të ndryshojnë gjerësinë e detit territorial sipas vullnetit, pa cenuar marrëveshjet e arritura. Në vitin 2009, vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë e detit territorial u përcaktua deri në distancën 12 milje detare nga dy bregdetet, që i korrespondonte pikës 139 të vijës së marrëveshjes. Kur u hartua ajo marrëveshje, Greqia kishte shpallur gjerësinë e detit territorial 6 milje detare dhe Shqipëria zero milje detare. Pavarësisht metodologjisë së përdorur, me këtë raport të gjerësive të deteve territoriale u përcaktua vijë delimituese, e pandikuar nga këto gjerësi.
Skema Detare
SKEMA, SI NDAHEN KUFIJTË DETARË
Kufijtë detarë dhe ndarja e tyre janë normuar ndërkombëtarisht nga Konventa UNCLOS e Montego Bay në vitin 1982. Ajo është ratifikuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përjashtim bën vetëm SHBA-ja dhe Turqia, të cilat nuk e kanë ratifikuar këtë Konventë.
Si ndikon shpallja e gjerësisë së detit territorial të Greqisë në marrëdhëniet me Turqinë?
Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial, për aq kohë sa bëhet në përputhje me dispozitat e UNCLOS 1982, është çështje e vullnetit të brendshëm të shtetit bregdetar. Në ndryshim nga deti Egje, për zgjerimin e gjerësisë së detit territorial në Jon dhe Mesdheun Qendror, për aq sa e njoh këtë çështje, nuk parashikohen kufizime nga traktati i vitit 1931. Çështja është se me çfarë lidhet qëllimi i Greqisë me këtë zgjerim: të heqë dorë nga pretendimet për zgjerim në detin Egje, apo ta shtyjë këtë objektiv në kohë? Kam bindjen se pavarësisht çfarë synon Greqia, regjimi detar në detin Egje do të jetë pjesë e axhendës së bisedimeve të ardhshme me Turqinë për regjimin detar në Mesdheun Lindor. Gjithsesi, pretendimet e Greqisë për zgjerim në detin Jon dhe Mesdheun Lindor janë një raport i saj me të drejtën ndërkombëtare.
A kanë ndikim në punën e grupit negociator kundërshtitë detare midis Turqisë dhe Greqisë?
Një nga parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare është që marrëveshjet midis shteteve nuk duhet të cenojnë interesat e shteteve të tjera. Marrëveshja e ardhshme duhet të jetë neutrale lidhur me kundërshtitë, që shtete të ndryshme kanë me njëri-tjetrin. Gabimi i bërë në marrëveshjen e vitit 2009 nuk duhet të ndodhë më. Ky fakt është evidentuar edhe në vendimin e GJK-së, i cili ka cilësuar edhe nenin 2 të marrëveshjes problematik në lidhje me Kushtetutën. Në marrëveshjen e vitit 2009, titulli i marrëveshjes fshihte thelbin e marrëveshjes, duke evidentuar delimitimin e shelfit kontinental, ndërsa rreth 80% e vijës delimituese ishte për detin territorial. Po ashtu, neni 2 i marrëveshjes përcaktonte regjimin juridik të palëve përtej vijës delimituese. Juridiksioni i shteteve në hapësirat detare, përtej vijave delimituese, është marrëdhënie midis shtetit bregdetar dhe të drejtës ndërkombëtare. Titulli i marrëveshjes së arritur në vitin 2009, i kombinuar me nenin 2, në thelb ishte ndërhyrje në interesat e palëve të tjera (direkte ose indirekte) me një marrëveshje dypalëshe./ Panorama.al
Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili me gjasë do të zbatohet për shkak të votave që mazhoranca ka në Kuvend, tregon se ndarja e re nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve.
Partia Socialiste, në draftin që dorëzoi në Kuvend, propozoi konsolidimin e 15 bashkive: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.
Sipas të dhënave të Censit 2023, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 kanë më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre janë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.
Pusteci, me vetëm 1.8 mijë banorë, është bashkia më e vogël në vend, por vijon të ruhet si njësi më vete. Edhe Konispoli, me 4.9 mijë banorë, ka popullsi të përafërt me Fushë-Arrëzin dhe shumë më të vogël se disa prej bashkive që shkrihen.
Analiza e të dhënave të Censit 2023 tregon se riorganizimi nuk kufizohet vetëm te bashkitë me popullsi shumë të vogël.
Humbin statusin bashki me mbi 20 mijë banorë
Në listën e njësive që humbasin statusin e bashkisë janë përfshirë edhe bashki relativisht të mëdha, me mbi 20 mijë dhe deri në 31 mijë banorë.
Në total, 15 bashkitë e parashikuara për t’u bashkuar me bashki më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së vendit. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë, ndërsa gjysma kanë më shumë se 14.8 mijë banorë.
Bashkia më e madhe që pritet të humbasë statusin është Maliqi, me 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.
Pas Maliqit, njësitë më të mëdha që shkrihen janë Dimali, me 28.1 mijë banorë, Cërriku, me 25.2 mijë, dhe Divjaka, me 24.9 mijë banorë. Këto katër bashki kanë së bashku rreth 109 mijë banorë dhe përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së njësive që preken nga reforma.
Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi, me 18.8 mijë banorë, Patosi, me 18.2 mijë, dhe Belshi, me 17.1 mijë banorë.
Në total, 7 nga 14 bashkitë që shkrihen kanë më shumë se 15 mijë banorë, ndërsa 9 prej tyre kanë mbi 10 mijë banorë.
Bashkitë e tjera të përfshira në variantin e PS-së janë Rrogozhina, me 12.6 mijë banorë, Klosi, me 12.2 mijë, Selenica, me 9.6 mijë, dhe Poliçani, me 8.8 mijë banorë.
Në fund renditen Fushë-Arrëzi, me 4.9 mijë banorë, Këlcyra, me 4.4 mijë, dhe Libohova, me më pak se 2.8 mijë banorë.
Konsolidimi rrit madhësinë mesatare të bashkive
Me kalimin nga 61 në 47 bashki, popullsia mesatare teorike për një bashki do të rritej nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.
Në praktikë, rritja do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e 14 bashkive do të shpërndahen te njësitë pritëse.
Konsolidimi synon të krijojë bashki me administrata më të mëdha dhe me bazë më të gjerë popullsie dhe të ardhurash. Por përfshirja e njësive si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka tregon se reforma nuk po eliminon vetëm bashkitë që janë bërë të paqëndrueshme për shkak të tkurrjes demografike.
Në disa zona po shkrihen njësi që kanë më shumë banorë se shumë prej bashkive që do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Kjo e zhvendos debatin nga pyetja se cilat bashki janë shumë të vogla, te mënyra se si janë zgjedhur qendrat që do të konsolidohen dhe njësitë që do të ruajnë statusin administrativ. (Monitor)
Ndërsa Rama e Gogu trumbetojnë mbylljen e Kapitullit 24 për drejtësinë, emërojnë në krye të Ministrisë së Drejtësisë Alban Mësonjësin, bashkëshortin e ish-prokurores Ornela Rrumbullaku, të shkarkuar nga vettingu. Ai ka 4 kompani offshore në ‘Panama Papers’ dhe është skeduar për pastrim parash e mafie bastesh. Në dorë ka korrespondencën sekrete me SPAK-un, EUROPOL-in, FBI-në dhe DEA-në…
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe ministri Toni Gogu po trumbetojnë se së shpejti do të mbyllet Kapitulli nr. 24 “Për drejtësinë”, kanë emëruar në kupolën e Ministrisë së Drejtësisë një ekzemplar të aktivitetit kriminal në parajsat fiskale, pastrimin e parave dhe mafien e basteve.
Ky është Alban Mësonjësi, i cili u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë më 28 prill 2026, një muaj e gjysmë pasi Toni Gogu filloi detyrën si ministër; emërim që u bë pa garë, me letra figure penale false, në shkelje të rëndë të ligjit dhe kaloi plotësisht në heshtje.
Pavarësisht se kush e ka rekomanduar dhe propozuar formalisht, emërimi i Alban Mësonjësit si titullari nr. 2 i Ministrisë së Drejtësisë dëshmon faktin se Edi Rama nuk po i shkëput lidhjet me eksponentë të botës së krimit, madje i emëron në kupolën e Ministrisë së Drejtësisë, në kulmin e negociatave me BE-në.
Kryeministri Edi Rama ka pasur informacione nga SHISH-i, Anti-mafia, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe nga agjencitë partnere për përfshirjen e Alban Mësonjësit në aktivitete kriminale me kompani offshore dhe fshehje miliona euro në parajsat fiskale, nëpërmjet rrjetit “Panama Papers”.
Dhe hetimi që komisioni i vettingut i bëri pasurive të bashkëshortes së tij, ish-prokurores Ornela Rrumbullaku, zbuloi se Alban Mësonjësi ushtronte aktivitet krimesh financiare ndërkombëtare me 4 kompani offshore në Shqipëri, Qipro e Panama, të futura në listën e zezë botërore të skandalit “Panama Papers”.
Për shkak të aktivitetit të bashkëshortit, prej të cilave kishte siguruar shumë pasuri e llogari bankare të paligjshme në bashkëpunim me eksponentë të krimit, u vërtetua se prokurorja Ornela Rrumbullaku ishte bashkëpunëtore dhe u shkarkua nga të dy shkallët e vettingut.
Provat e përfshirjes së Alban Mësonjësit në rrjet krimesh financiare të parajsave fiskale dhe mafien e basteve janë publikuar nga agjencitë partnere ndërkombëtare e zyrtarisht nga komisioni i vettingut, nga policia Antikrim dhe institucionet e drejtësisë shqiptare.
Por profili i tij kriminal, edhe me bashkëshorten të përjashtuar nga drejtësia si bashkëpunëtore, nuk e ka penguar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Toni Gogu që, më 28 prill 2026, Alban Mësonjësin ta emëronin Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
Në këtë detyrë që kërkon Certifikatë Sigurie të nivelit më të lartë, Alban Mësonjësi, si eksponent i botës së krimit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ka në dorë korrespondencën sekrete të ministrit Toni Gogu dhe të drejtorive të Ministrisë së Drejtësisë.
Ka në dorë informacionet që ministri i Drejtësisë shkëmben me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e SHISH-it, Drejtuesin e SPAK-ut, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Interpol-in, EUROJUST-in, FBI-në, DEA-në, EUROPOL-in etj.
Ai ka mbështetjen e Edi Ramës, pasi nuk është rastësi që Alban Mësonjësi ka qenë shef Sektori në Ministrinë e Brendshme, Drejtor në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Turizmit, megjithëse aktiviteti i tij kriminal ishte skeduar nga agjencitë gjurmuese.
Ndërsa pas daljes së emrit të tij në rrjetin kriminal të parajsave fiskale, Edi Rama e emëroi Alban Mësonjësin Drejtor Juridik dhe Drejtor të Pasurive në Bashkinë Vlorë, nga ku e shkarkoi për falsifikim e grabitje të tokave dhe trojeve në qytet e bregdet.
Më pas, Edi Rama e emëroi Anëtar të Këshillit Drejtues të Kadastrës së Përgjithshme dhe në Agjencinë e Importeve; ndërsa 3 muaj më parë e emëroi Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që mban fjalime për plotësimin e standardeve të drejtësisë./Pamfleti
Një nga mjetet më të rralla detare gjermane të Luftës së Dytë Botërore është zbuluar pas 83 vitesh në fundin e detit Jon. Bëhet fjalë për një anije të vogël luftarake LS 6, që deri sot konsiderohej e humbur dhe që, sipas të dhënave historike, mund të jetë e vetmja e këtij lloji e ruajtur në botë.
Zbulimi nuk ishte rezultat i rastësisë, por i një kërkimi që kishte nisur prej 13 vitesh. Gjithçka filloi pas analizimit të të dhënave nga arkivat ushtarake gjermane, të cilat zbuluan një zonë të mundshme ku LS 6 kishte humbur në shtator të vitit 1943, gjatë tërheqjes së saj nga Korfuzi drejt Pireut.
Informacioni kaloi te studiuesi i historisë, Giorgos Karelas, i cili në bashkëpunim me zhytës dhe kërkues organizoi një përpjekje shumëvjeçare për gjetjen e mjetit detar.
Hapi vendimtar erdhi kur në fundin e detit u identifikua një objekt në një thellësi rreth 96 metra, në zonën e gjerë detare pranë Prevezës.
“Fakti që mjeti ishte ndërtuar prej alumini për të qenë më i lehtë dhe se ishte fundosur gjatë tërheqjes, më bëri ta konsideroja një objekt jashtëzakonisht interesant për kërkime historike dhe zhytjeje”, u shpreh Karelas, duke shpjeguar arsyen që nxiti kërkimin e gjatë.
Konfirmimi përfundimtar u krye nga ekipi AegeanTec, i cili realizoi një zhytje teknike të vështirë duke përdorur pajisje me qark të mbyllur frymëmarrjeje.
Teksa zhytësit iu afruan fundit të detit, silueta karakteristike e një mjeti të vogël të shpejtë filloi të shfaqej nga errësira e Jonit. LS 6 qëndronte pothuajse në pozicion vertikal mbi fundin ranor dhe ishte ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht dekadave të kaluara nën ujë. Panorama
—-Përshkallëzimi i të keqës në Kosovë po rritet pothuajse gjeometrikisht me pasoja shumë të mëdha.E tillë është natyra e formacioneve politike të pa përgjegjshme , të pa moralshme politikisht dhe hajnive të pandalshme .Ashtu si në historitë më të tmershme .Nese nuk ndodhë ndonjë transformim pozitiv të rrjedhave shoqërore dhe politike, por jo më këto garnitura me logjikë autokratike e profitereske, që nuk përkojnë më këtë fillim shekull,sigurisht se nuk do të kemi punët mirë….
Logjika e të menduarit nga shekulli I kaluar ende nuk është flakur të shumica e njerëve të politikës .Politikanët po promovojnë politika të tilla si diqka shumë normale dhe të vetëkuptuehsme , dhe ata mbeten në pushtet, të rrethuar nga mbështetja mediatike mercenareske.Kjo politikë prodhon paqendrueshmëri dhe është një spirale dhuneJemi dëshmitarë të luftërave të tmershme që morën jetën e mija njerëzve, e ish Jugosllavia ka mundur të shpërbëhët pa luftë.Ky solucion nuk u pelqye nga Serbia e fashiste, e cila bëri qmos që më luftë të formojë Serbinë e Madhe.Këtë Millosheviqit nuk ia lejoj NATO e cila ndali makinerinë shfarosëse të shovenizmit serbomadh në Ballkan.Ne këtë shekull njerëzit duan të ruajnë jetën e tyre të zhveshur sepse vendet e origjinës nuk mund tua premtojnë këtë.Valët e largimeve masive nga Kosova nuk u ndalën asnjëherë nga pas lufta.Pse? Sepse asnjë pushtet nuk ofroj kushte që gjenerata e re të inkuadrohet në rrjedhat shoqërore dhe politike të vendit.Ata nga strukturat politike qëllimisht u lanë pas dore.Lufta për pushtet dhe të mira pamterjale e bë e tmershme dhe nga kjo logjikë profitereske kjo klasë politike nuk u lirua kurrë deri më sot.Këtu në Kosovë , është bërë normale dhe shoqërisht e pranueshme që çdo negativitet të përceptohet si diqka normale dhe e natyrshme për mentalitetin kombëtar.Meqenëse bëhët fjalë për njerëz dhe zakone , ne do të promovojmë atë në qdo mënyrë.Kështu po merret mandati duke kënaqur nevojën për çdo llojë të pushtetit politik dhe shoqëror.Kur ne lejojme që të dominonjnë antivlerat , çdo statistikë tregon se jemi të mjerë.Vlerat nuk po përfaqësojnë asgjë, se ato po hudhën poshtë nga njerëzit e pa moral politik.Shkollat po prodhojnë njerëz të pa arsimuar, të cilët nuk kan mundësi të hynë sot në tregun e punës , që popullësia po humbet masivisht, që ndjenja e dinjitetit dhe krenarisë është diqka që ekziston në paranoja , që ndjenja e ankthit dhe depresionit mbizotëron vazhdimisht dhe po bllokon qdo veprim që shpresa të zgjohet.Gjithmonë po jemi të poshtëruar nga të mjerët e politikës, për të cilët është normale të vjedhesh mundin dhe ndjersën e popullit!Vlerat e luftës tonë çlirimtare dhe çdo vlerë tjetër po i vjelin strukturat e caktura politike , të cilat e kan humbur respektin e shumicës të popullit.Shumica prej tyre janë bërë milionerë dhe pa fije turpi po luajnë lojëra të ndyta politike më fatin e qytetarëve. Kam frikë së për një kohë të gjatë do të jemi të ekspozuar ndaj këtij pushtimi propagandistic , dhe së shoqëria jonë po humb nga gjalleria dhe progresiviteti, duke e shëndrruar në diqka të mjerueshme, që fundi nuk i dihet.Përshkallëizmi i të keqës në Kosovë po rritet pothuajse gjeometrikisht me pasoja shumë të mëdha.E tillë është natyra e formacioneve politike të pa përgjegjshme , të pa moralshme politikisht dhe hajnive të pandalshme .Ashtu si në historitë më të tmershme .Nese nuk ndodhë ndonjë transformim pozitiv të rrjedhave shoqërore dhe politike, por jo më këto garnitura me logjikë autokratike e profitereske, që nuk përkojnë më këtë fillim shekull,sigurisht se nuk do të kemi punët mirë.Demokracia dallon diametralisht nga koncepti komunist madje dhe ai racist.Pranimi i koncepteve të vjetra politike çon në tensione të vazhdueshme dhe mundësi gjithmonë të hapura për dhunë.Kjo nuk i nevoitet aspak vendit dhe qytetarëve. Pa ndërthurje dhe bashkëveprim, nuk ka përparim, dhe për këtë arsye as koncept të së ardhmes…
Në protestën e radhës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë sjellë në shesh një sërë pankartash me mesazhe ironike dhe kritike ndaj zhvillimeve politike në vend.
Një prej pankartave tërhoqi vëmendjen me shkrimin: “O SPAK, po burra a lini me barrë, po pys për një shok”, e shoqëruar me një fotomontazh të kryeministrit Edi Rama shtatzënë.
Pankarta ironizonte lajmet e publikuara në media lidhur me pretendimet se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku mund të jetë shtatzënë, si një mënyrë për të shmangur një masë më të rëndë sigurie në procesin gjyqësor.
Ndërkohë, një tjetër mesazh në shesh ironizonte lidhjet mes politikës dhe korrupsionit, përmes një “njoftimi martese” mes Politikës dhe Krimit dhe se qytetarët tashmë kërkojnë divorcin e tyre.
Po ashtu, protestës i ishte bashkuar edhe një qytetar i moshuar me një pankartë të vendosur mbi trup, ku shkruhej: “Bab Hekri proteston me çunat dhe gocat. Ata e dinë më mirë…”
Mes pankartave të tjera ishte edhe ajo me mesazhin: “Pushtetarët me rroga të larta, populli numëron qindarkat!” Panorama
Protesta e 66-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama është shoqëruar edhe këtë herë me mesazhe simbolike nga qytetarët pjesëmarrës.
Në sheshin ku zhvillohet tubimi, protestuesit kanë vendosur një mbishkrim gjigant me bojë të bardhë dhe shkronja të mëdha, ku lexohet: “KOHA PËR LLOGARIDHËNIE!”.
Përmes këtij mesazhi, pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën e tyre që kryeministri Edi Rama të mbajë përgjegjësi për qeverisjen, duke e konsideruar llogaridhënien si një nga kërkesat kryesore të protestës.
Mbishkrimi u bë një nga elementët më të spikatur të tubimit, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe duke përforcuar mesazhin që protestuesit kanë përcjellë përgjatë protestave të përditshme.
Protesta kundër qeverisë vijon prej 66 ditësh, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. gsh
Këto radhë i shkruaj për atë sorollop politikanësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qeverinë e këtij vendi, të cilët i njihni të gjithë. Edhe pse nuk i përmend me emër, cilido nga ju e di se për kë e kam fjalën. Arketipi i këtij lloji politikani është kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Të tjerët (kryetari i Kuvendit, i komisionit të ligjeve & Co) janë thuajse si ai: nënkryetarucë të vegjël nën sqetullën e Kryetarit të partisë dhe të qeverisë, që përpiqen t’i ngjajnë atij në çdo gjë.
E imitojnë Kryetarin sa dinë dhe sa munden. Veç në gjatësi jo, sepse këtë tipar fizik nuk e kanë. As në veshje, sepse nuk janë piktorë dhe u mungon çdo shije e ndjeshmëri estetike. Flasin me zhargonin, tonin dhe gjestet e Kryetarit të tyre dhe kjo i bën të duken tejet qesharakë.
Nuk kanë asnjë nga cilësitë që zakonisht shquajnë udhëheqësit e vërtetë. Ngrenë zërin si Kryetari i tyre. E pse të mos e bëjnë? Duan të dëgjohen. Në fund të fundit, a nuk është Ai, kryetari, që ua ka dhënë postet që mbajnë dhe përgjegjësitë që shpërdorojnë?
Janë arrogantë e prepotentë me këdo që e konsiderojnë më poshtë se vetja, por servilë deri në nënshtrim përballë kujtdo që ka pushtet mbi ta, sidomos ndaj Liderit të Madh.
Duan të kenë autoritet, por autoriteti nuk lind nga hiçi, nuk dhurohet, nuk blihet dhe as nuk është një privilegj që buron nga posti që mban. Ai ndërtohet, fitohet e meritohet. Autoritetin nuk ta jep pushteti; ta japin aftësitë intelektuale e profesionale, që ata nuk i kanë, si dhe integriteti moral e cilësitë karakteriale që unë ua vë në dyshim.
Për njerëz të tillë, autoriteti është sinonim i autoritarizmit. Por edhe autoritarizmi i tyre, si gjithçka tjetër që i karakterizon, është një karikaturë groteske.
Pushtetin që u është dhënë e konsiderojnë të merituar e të patundshëm. Harrojnë se Ai që ua ka dhënë mund edhe t’ua heqë sa hap e mbyll sytë: me një përshëndetje të ftohtë “natën e mirë”, ose me një telefonatë të papritur, ashtu si në një prej poezive të Dritëro Agollit kur një njeri “i ashpër në ton” i thotë tjetrit: “S’të dua më, në telefon”.
Këta njerëz shtiren si të fortë, por në të vërtetë janë të pasigurt, të trembur e të dobët. “Forca” e tyre është thjesht refleks i forcës së Kryetarit. Sa kohë që mbahen nën sqetullën e tij, ndihen të mbrojtur. Por e dinë fare mirë se ajo sqetull nuk mund t’i mbrojë pafundësisht nga ligji i pashmangshëm i gravitetit politik.
I përfytyroni dot nesër këta njerëz, kur të mos kenë më ofiqet që gëzojnë sot. Mund të kenë para, mund të kenë grumbulluar pasuri, sepse pushteti ua ka bërë të mundur. Por do të jenë të braktisur e të përbuzur, madje edhe nga shumë prej atyre që dikur i kanë votuar. Pa postet dhe pa pushtetin që kanë sot, nesër do të jenë Askushë. gsh
Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në studion e News24, ka bërë një analizë të situatës politike në vend, duke u ndalur te synimet e qeverisë për reformën e re territoriale, valën e protestave, si dhe goditjet e njëpasnjëshme nga skandalet dhe SPAK.
Duke komentuar lëvizjet e fundit të ekzekutivit për ndarjen e re administrative, Mërtiri u shpreh se qëllimi kryesor i kryeministrit është kontrolli i plotë i pushtetit vendor nëpërmjet centralizimit:
“Rama kërkon të përqendrojë pushtetin vendor në disa duar dhe kërkon më pak bashki, që të ketë më pak njerëz për të kontrolluar më lehtë.”
Mërtiri parashikoi se kriza politike do të intensifikohet ndjeshëm gjatë muajit shtator, për shkak të gjallërimit të Tiranës dhe rikthimit të studentëve, çka do ta bëjë të pamundur menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë:
“Mendoj se pjesëmarrja në protestë në shtator do jetë edhe më e madhe, sepse Tirana do jetë më e gjallë, do rikthehen studentët, do jetë e vështirë për t’u menaxhuar nga qeveria. Po ashtu, kjo qeveri nuk rri dot pa skandale dhe në çdo skandal që mund të shpërthejë do sjellë dyndje njerëzish në sheshe.”
Sipas tij, çdo goditje ndaj qeverisë do të shërbejë si një katalizator për rritjen e rezistencës qytetare, por edhe për çarjen e mundshme të radhëve brenda vetë maxhorancës:
“Çdo goditje e qeverisë do sjellë trimërimin e zërave kundër Edi Ramës, dhe pse jo, brenda vetë PS do të dalin zëra që do e kundërshtojnë, që i kemi parë edhe deri më sot.”
Në përfundim, analisti u ndal te roli i SPAK dhe situata e vështirë në të cilën ndodhet ekzekutivi përballë çështjeve të hapura penale:
“Kemi SPAK që ka shumë çështje në hetim dhe do të luftojë një qeveri që ka humbur legjitimitetin; gjithnjë e më e vështirë do të jetë për qeverinë që të mbijetojë.”
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat shtesë pesëvjeçar për të zbatuar masat e kërkuara për mbrojtjen e Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit, duke shmangur për momentin përfshirjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Organizata thekson se degradimi i vlerave të jashtëzakonshme universale të zonës nuk është ndalur.
Vendimi u mor nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s gjatë sesionit të tij të 48-të, pas shqyrtimit të raportit mbi gjendjen e ruajtjes së Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit.
“Pesë vite nuk janë fitore”
Inxhinieri dhe ambientalisti Arian Merolli e cilëson të gabuar entuziazmin e shfaqur nga zëvendëskryeministri gjatë mbledhjes online të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, pas vendimit për të mos e futur Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
“Zëvendëskryeministri ishte shumë i gëzuar që Rajoni i Ohrit nuk u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Mua kjo më habiti, sepse do të ishte më mirë të ishte futur në atë listë. Kjo do të rriste presionin e UNESCO-s dhe të institucioneve ndërkombëtare mbi qeverinë për të marrë masa konkrete për mbrojtjen e rajonit”, thotë Merolli.
Sipas tij, afati pesëvjeçar i dhënë nga UNESCO rrezikon të mos sjellë rezultat nëse mungon vullneti politik.
“Pas pesë vitesh kjo qeveri mund të mos jetë më në pushtet dhe mund të thotë: ‘Punë e madhe, nuk jemi më ne’. Prandaj nuk i shqetëson fakti që u dha një afat pesëvjeçar. Shqetësimi im është nëse ata e dinë çfarë duhet të bëjnë gjatë këtyre pesë viteve. Unë besoj se nuk e dinë”, vijon ai.
Sipas inxhinierit Arian Merolli, strategjia e hartuar me kërkesë të UNESCO-s për menaxhimin dhe rivitalizimin e Liqenit të Ohrit duhet të shoqërohet me një plan të detajuar zbatimi, me afate dhe buxhete të përcaktuara. Ai thekson se Maqedonia e Veriut e ka avancuar këtë proces duke e kaluar strategjinë në mbledhjen e qeverisë dhe duke krijuar një grup ndërinstitucional për zbatimin e saj, ndërsa Shqipëria mbetet pas në këtë drejtim.
“Plani i detajuar duhet të kalojë bashkë me buxhetin në qeveri. Mund të thuash se do ta zbatosh strategjinë, por nëse nuk përcakton se nga do të gjenden fondet dhe kush do të jetë përgjegjës për zbatimin, atëherë ajo mbetet vetëm një dokument”, shprehet Merolli, duke shtuar se rekomandimet e UNESCO-s mund të japin rezultat vetëm nëse ka vullnet politik nga të dyja vendet.
Presioni i betonit
Për Shqipërinë, UNESCO mirëpret nisjen e punimeve konservuese në Kishën Paleokristiane të Linit dhe përpjekjet për forcimin e mbrojtjes ligjore të Linit dhe gadishullit të tij. Megjithatë, organizata shpreh keqardhje për mungesën e progresit në përballimin e presioneve nga zhvillimi urban dhe turistik.
Në veçanti, ajo thekson se nuk është bërë përparim në rishikimin dhe zvogëlimin e projektit pesëkatësh në Tushemisht, në pezullimin e projektit “Drilon–Tushemisht Waterscape”, në rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Pogradecit për të përjashtuar urbanizimin në zonat ekologjikisht të ndjeshme, si dhe në ndalimin e avancimit të rrugës së bypass-it të Pogradecit. UNESCO kërkon që këto projekte të mos vijojnë derisa të hartohen dhe të shqyrtohen vlerësimet e ndikimit.
“Tushemishti është dëmtuar rëndë. UNESCO ka shprehur keqardhje për mënyrën se si po ndërhyhet në zonë dhe ka kërkuar pezullimin e punimeve derisa projektet dhe specifikimet teknike të miratohen nga institucionet shkencore të saj. Ata kanë thënë se do t’i dërgojnë, por nuk e di çfarë është bërë deri tani”, shprehet Merolli.
Citizens ka raportuar edhe më herët për presionin e ndërtimeve në Parkun e Drilonit, si projekti “Pyjet e Drilonit”, një projekt që parashikon 8 struktura, të cilat arrijnë deri në gjashtë kate.
Merolli përmbyll se, përveç ndërtimeve që po e vendosin këtë rajon në rrezik, shqetësim mbetet edhe mosfunksionimi i rrjetit të ujërave të zeza, si dhe mungesa e menaxhimit të peshkimit. Sipas tij, askush nuk e di saktësisht se sa peshk zihet në liqen, pasi mungon regjistrimi i peshkatarëve dhe një bazë të dhënash e nevojshme për menaxhimin e burimeve.
Pa të dhëna të sakta, thekson ai, nuk mund të ketë një menaxhim funksional dhe të qëndrueshëm të liqenit.
Liqeni i Ohrit shtrihet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me një sipërfaqe rreth 358 km² dhe thellësi maksimale 288 metra, duke e bërë një nga liqenet më të thellë dhe më të vjetër në Evropë. Ai ka një biodiversitet unik, me shumë specie endemike të faunës dhe florës, ndërsa rreth tij ndodhen qytete historike, përfshirë qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut./citizens.al/
Në Shqipëri është bërë zakon që çdo masë të paketohet si reformë, e madje të thuhet se ‘është kërkesë nga BE-ja’. Edhe propozimi për ndarjen e re territoriale e administrative, nuk i shpëtoi hileve të politikës së vjetër, ku vëmendjen po e merr numri i bashkive, duke i bishtnuar thelbit të problemit.
Nuk ekziston asnjë kërkesë e BE-së që lidhet me madhësinë apo numrin e bashkive në Shqipëri, sepse kjo është çështje e brendshme. BE-ja kërkon që Shqipëria të fuqizojë demokracinë vendore, kapacitetet dhe burimet financiare, pasi njësitë vendore janë garantuesit e standardit europian në jetën e përditshme, përmes ofrimit të shërbimeve.
Një reformë e vërtetë duhet të hapë një debat mbi çështjet themelore të qeverisjes vendore, që janë çështje të demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje.
Pas ndarjes territoriale të 2015 bashkitë u bënë më të mëdha, por kompetencat u rrudhën. Raporti qendër-periferi u shpërfill. Kjo solli edhe braktisjen e zonave të caktuara të vendit. Raporti i bashkive me komunitetin u zbeh. Tirana dhe bashkitë në vijën e bregdetare tregojnë sesi asetet më të çmuara dorëzohen nga lart tek një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët ‘informohen’ kur vendosen gardhet dhe mbërrijnë betonierat.
Planifikimi urban, administrimi i ujësjellës-kanalizimeve, mbetjeve, plazheve, zonave të mbrojtura apo funksioneve të tjera, ushtrohen kryesisht nga lart. Kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë trajtohen si zgjatim i qeverisë dhe jo si të zgjedhur të popullit. Sfida nuk është numri i bashkive, por kalimi i pushtetit nga zyra e kryeministrit drejt të zgjedhurve vendorë.
Shpenzimet publike që administrohen nga pushteti vendor në Shqipëri, si përqindje e totalit të financave publike, mbeten dukshëm më të ulëta se mesatarja e vendeve të BE-së. Pa burime financiare dhe pa kompetenca, nuk mund të gjykohet efektiviteti i një bashkie. Para se të ndryshohen kufijtë administrativë, duhet të rishikohet modeli i financimit të pushtetit vendor.
Shqipëria ka nevojë për një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Pjesa më e madhe e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik përqendrohet në Tiranë dhe përreth saj. Zonat e tjera, në rastin më të mirë, përfitojnë nga turizmi sezonal, por nuk arrijnë të krijojnë ekonomi të qëndrueshme dhe shërbime publike që u japin qytetarëve mundësinë të ndërtojnë jetën në zonën e tyre.
Çdo reformë mbështetet mbi disa kritere. Cilat kritere janë përdorur për shkrirjen e disa bashkive, ndërsa të tjera me karakteristika të ngjashme mbeten të pandryshuara? Një reformë me ndikim kaq të madh te njerëzit duhet të jetë shtetkonsoliduese dhe me mirëkuptim të gjerë politik e shoqëror.
Përpara se të ndërmerret një tjetër riorganizim, duhet të tregohet qartë se përfitimet afatgjata tejkalojnë kostot dhe se problemet ekzistuese nuk mund të zgjidhen përmes reformimit të kompetencave, financimit dhe organizimit institucional pa ndryshuar kufijtë administrativë.
Bashkia nuk është vetëm një njësi administrative. Ajo përfaqëson identitet historik, kulturor dhe social. Nëse komunitetet nuk konsultohen realisht por veç formalisht, siç tregojnë reagimet dhe protestat në disa zona të vendit, qytetarët do të ndihen të anashkaluar dhe do ta perceptojnë reformën si të imponuar nga lart.
Mënyra sesi do të veprohet më tej me ndarjen territoriale do të përcaktojë edhe “kufirin” e Shqipërisë së re. Pasi do të tregojë nëse politika ka nxjerr mësim nga protestat e muajve të fundit, të cilat kanë të bëjnë me atë se kush e si merren vendimet në emër të popullit.
Një nga vendimet e para të kryeministrit të sapozgjedhur britanik ishte kalimi i pushtetit nga qeveria në drejtim të bashkive. A është ky një mësim për ne shqiptarët? A është praktika e labursitëve një udhërrëfyes edhe për socialistët shqiptarë?
Shqipëria ngjan me një njësi administrative ku pushteti është i përqendruar te zyra e kryeministrit. Çdo politike e re, duhet të jetë e kundërt me përqendrimin e pushtetit. Duhet të synojë komunitetet. Shqiptarët duhen dëgjuar për mënyrën sesi e shohin të ardhmen aty ku jetojnë dhe të vendosin për të. Referendumi duhet të konsiderohet për ndryshime me ndikim të tillë.
Demokracia vendore duhet të jetë një shtyllë e rëndësishme e Shqipërisë së re. Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë që kalon pushtetin nga lart poshtë, nga qendra në periferi, për të ndërtuar një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Vetëm kështu shqiptarët do ndjehen të kuptuar, të parë, të respektuar anekënd Shqipërisë.
Në ditën e 65-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë lënë një tjetër mesazh simbolik në bulevardin përpara Kryeministrisë.
Protestuesit kanë formuar me shkrim gjigant në shesh mesazhin “NO DEALS”, “Nuk ka marrëveshje!“, duke përcjellë qartë qëndrimin e tyre se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit nuk është e negociueshme.
Mesazhi u shoqërua me pankarta të tjera të mbajtura nga protestuesit, ndërsa qytetarët vijuan marshimin dhe tubimin e përditshëm kundër qeverisë në rrugët e Tiranës. bw
Tre muaj pasi makineritë e rënda ndërhynë në zonën e mbrojtur Pishë Poro- Nartë për t’i hapur rrugën një kantieri për ndërtimin e resortit luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Prokuroria e Vlorës njofton se ka nisur hetime për 4 akuza.
Në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN, Prokuroria e Vlorës thotë se ka regjistruar procedimin penal me nr. 772.
“Ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 772 të vitit 2026, për veprën penale të ‘Ndërtimi i paligjshëm’, ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’, ‘Prerja e paligjshme e pyjeve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës,” thuhet në përgjigje.
Por pavarësisht se kanë kaluar 3 muaj nga ndërhyrja, prokuroria bëri të ditur se nuk ka ende persona nën hetim për akuzat. “Ky procedim është në hetim dhe në regjistrin e veprave penale nuk ka të regjistruar emër të personi nën hetim,” deklaroi Prokuroria.
Ky është hetimi i dytë i lidhur me projektin. Më 10 qershor, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro mbi transaksionet me vlerë 128 milionë euro për shit-blerjen e tokës në zonë me kërkesë të SPAK. Prokuroria dyshon për pastrim parash, ndërsa ka lëshuar urdhër arresti për Artur Shehun, i cili dyshohet edhe se ka tjetërsuar pronësinë në tokën ku zhvillohet projekti përmes dokumenteve të falsifikuara. Shehu dhe 19 të tjerë po hetohen mbi atë që u njoh gjerësisht si “Korporata Aruba”.
Punimet në zonën e mbrojtur u dokumentuan fillimisht nga aktivistët mjedisorë në fund të prillit, duke shkaktuar më vonë një nga lëvizjet më të mëdha anti-qeveritare në vend që prej viteve ’90, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
BIRN gjeti atëherë se punimet, kryesisht shtrim rrugësh brenda zonës së mbrojtur, një rrethim me tela me gjemba dhe sheshimi i territorit për ndërtimin e një kampi punëtorësh, u bazuan në një letërkëmbim mes kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Sipas dokumentit, kompania njoftohej se Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit i kishte dhënë më 29 prill 2026 një leje për punime kantieri, por bëhej gjithashtu me dije se leja ende nuk ishte firmosur dhe pritej plotësimi i kushteve të vendimit.
Ndërhyrja alarmoi menjëherë organizatat mjedisore, PPNEA dhe AOS, të cilat e denoncuan zhvillimin si një shkatërrim të jashtëligjshëm të habitateve prioritare të Bashkimit Europian dhe monumenteve të natyrës. Organizatat e mjedisit kanë akuzuar se nën petkun e “punimeve përgatitore”, u ngrit rrethimi me tela me gjemba dhe ekskavatorët hapën mbi 7.4 kilometra rrugë të reja, sheshuan pjesë të pyllit dhe ndërtuan ura betoni mbi kanalet jetike që lidhin lagunën me detin. Sipas ekspertëve, kjo ndërhyrje ka krijuar një dëm të pariparueshëm duke e fragmentuar fizikisht territorin përpara se të kryhen procedurat e detyrueshme ligjore dhe pa një studim mjedisor.
Qeveria përfshi kryeministrin Edi Rama i mbrojti fillimisht punimet duke i referuar ato si zhvillime në tokë private dhe punime përgatitore. Përkundër këtyre pretendimeve fillestare muaj pasi punimet u ndaluan, në përpjekje për të mbrojtur ndërhyrjen, Rama tha në një intervistë për median britanike Channel 4 se rruga mespërmes zonës së mbrojtur u bë për të ndihmuar komunitetin.
Zhvillimet në këtë zonë dhe dhunimi i një banori protestues shërbyen si shkëndijë për një prej protestave më të gjata kundër qeverisë në vend. Prej më shumë se dy muajsh, qindra e mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugët e Tiranës apo edhe në diasporë për të kërkuar ndalimin e projektit, anulimin e ligjeve kontroverse që e mundësojnë atë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Projekti masiv “Zvërnec Peninsula” i bërë publik në vitin 2024 nga Kushner, po zhvillohet nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., e cila është e regjistruar në Katar ashtu si kompania simotër Albania Land Development që u fut në proces të blerjes së tokës. Të dy kompanitë zotërohen në fund nga tre kompani, Assets Real Estate Ventures LLC, e regjistruar në Katar me përfitues fundorë vëllezërit miliarderë Moutaz Al-Khayyat dhe Ramez Al-Khayyat, Global Travel Retails SA e regjistruar në Luksemburg, me pronësi të panjohur dhe JAMCO Global LLC e regjistruar në Delaware, gjithashtu me pronësi të panjohur./Reporter.al
Komentet