Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, e fshehur prej muajsh, i ka thënë BBC-së se është plotësisht e vetëdijshme për “rreziqet” që po merr duke udhëtuar drejt Norvegjisë për të marrë Çmimin Nobel të Paqes.
Machado u shfaq në Oslo në orët e para të mëngjesit, duke përshëndetur nga ballkoni i një hoteli. Ishte dalja e saj e parë publike që nga janari. Udhëtimi i saj sekret u bë pavarësisht një ndalimi zyrtar të udhëtimit dhe kërcënimeve të qeverisë së Venezuelës për ta shpallur “të arratisur”.
Në një moment emocionues, 58-vjeçarja iu përgjigj qindra mbështetësve që ishin mbledhur jashtë hotelit në kryeqytetin norvegjez, duke u dhuruar puthje e duke kënduar së bashku me ta. Më pas ajo doli jashtë dhe i përshëndeti nga afër, madje duke kapërcyer edhe barrieren e sigurisë për t’u afruar me turmën.

“Maria! Maria!” brohorisnin mbështetësit, duke ngritur telefonat për të regjistruar momentin historik.
Më herët gjatë ditës, vajza e saj, Ana Corina Sosa, pranoi Çmimin Nobel të Paqes në emrin e së ëmës. Instituti Nobel e nderoi Machado-n për “luftën e saj për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura drejt demokracisë” në Venezuelë.
Deri të mërkurën në mbrëmje, Machado, nënë e tre fëmijëve, nuk i kishte parë fëmijët për rreth dy vjet, pasi i kishte larguar nga vendi për sigurinë e tyre. Në intervistën për BBC pas daljes së saj në ballkon, ajo tha se kishte humbur diplomimet e tyre, si edhe dasmën e vajzës dhe të njërit prej djemve. Panorama


Komentet