Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se do të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe nga ajo e udhëheqësit të Partisë Laburiste.
Ai u zotua se do të bëjë gjithçka që është në dorën e tij, për të garantuar një transferim të rregullt të pushtetit.
Duke folur para Zyrë së Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër, e njohur si Downing Street 10, ai tha se marrja e detyrës, dy vjet më parë, ishte “momenti më krenar” i jetës së tij.
Ai tha se u fut në politikë për të pasur mundësinë që të përmirësojë jetën e miliona njerëzve, dhe shtoi se çdo vendim i tij ka pasur për qëllim të vendosë në plan të parë “vendin që e do”.
Starmer mori pushtetin pas zgjedhjeve të përgjithshme më 4 korrik 2024, kur Laburistët fituan bindshëm dhe i dhanë fund 14 vjetëve të qeverisjes konservatore.
Ai tha se procesi për zgjedhjen e pasardhësit do të fillojë më 9 korrik, ndërsa rivali i tij, Andy Burnham, shihet si kandidati kryesor.
“Pyetja që partia ime po më bën tani, është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për të na udhëhequr në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Unë e kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar për këtë pyetje dhe e pranoj atë me mirësi”, tha Starmer.
Largimi i tij e çon Britaninë drejt liderit të saj të shtatë në dhjetë vjetët e fundit.
PresionI në rritje
Presioni ndaj Starmerit ishte rritur prej muajsh, por u thellua të premten e kaluar, kur Andy Burnham, kryetar i bashkisë Greater Manchester, fitoi bindshëm një zgjedhje parlamentare për t’u rikthyer në Uestminster, apo Parlamentin britanik.
Ai mposhti një kandidat nga partia Reform UK e Nigel Farage, e cila ka kryesuar sondazhet kombëtare për më shumë se një vit.
Kjo fitore forcoi bindjen brenda Laburistëve se Burnham – një politikan me përvojë dhe aftësi të forta komunikimi – mund ta ringjallë partinë, e cila ka humbur mbështetje nën drejtimin e Starmerit.
Starmer i falënderoi kolegët e tij për mbështetjen dhe tha se, pas largimit nga “posti më i madh në vend”, do të kalojë më shumë kohë në “detyrën më të rëndësishme”.
“Të jem bashkëshorti më i mirë që mundem, për gruan time të jashtëzakonshme Vic, e cila ka qenë një mbështetje e fortë e imja në kohë të mira dhe të vështira”, tha ai.
“Dhe, të jem babai më i mirë që mundem për fëmijët e mi të mrekullueshëm, të cilët janë krenaria dhe gëzimi im”, shtoi kryeministri në largim, duke përqafuar bashkëshorten e tij përpara se të kthehej brenda në Downing Street 10.


