Marrëveshja e nënshkruar në Uashington hap rrugën për negociata zyrtare mes dy vendeve pas dekadash armiqësie, ndërsa SHBA e cilëson “hapin e parë” drejt stabilitetit në kufirin verior të Izraelit.
Pas dekadash konflikti dhe mungese marrëdhëniesh zyrtare, Izraeli dhe Libani kanë hedhur të premten një hap të rëndësishëm diplomatik, duke nënshkruar në Uashington një marrëveshje kuadër të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja konsiderohet historike, pasi krijon bazën për nisjen e negociatave zyrtare mes dy vendeve dhe për zbatimin e një plani që synon uljen e tensioneve përgjatë kufirit.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua pas pesë raundeve negociatash intensive, në të cilat u angazhua personalisht edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Ky është fillimi i fillimit. Kemi shumë punë përpara nesh. Sot hodhëm hapin e parë dhe, ndonjëherë, ai është edhe më i vështiri”, deklaroi Rubio gjatë ceremonisë.
Marrëveshja parashikon një proces gradual, ku ushtria izraelite do të tërhiqet fillimisht nga zona të caktuara të Libanit jugor, ndërsa kontrolli do t’i kalojë ushtrisë libaneze. Megjithatë, Izraeli ka bërë të qartë se tërheqja e plotë do të varet nga çarmatimi i Hezbollahut dhe garancitë që grupi nuk do të rikthejë praninë e tij ushtarake pranë kufirit.
Sipas televizionit izraelit Channel 12, faza e parë do të zbatohet në dy zona pilot, ndërsa Izraeli do të vazhdojë të mbajë pozicione përgjatë “Vijës Blu” derisa të përmbushen kushtet e sigurisë.
Në një deklaratë pas nënshkrimit, kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti marrëveshjen një “arritje të rëndësishme”, duke theksuar se “siguria e Izraelit vjen e para” dhe se prania ushtarake në zonën e sigurisë do të vazhdojë derisa Hezbollahu të mos përbëjë më kërcënim.