Në rubrikën voal.ch kujton po sjellim ekspozitën e fëmijësve të shkollës shqipe në Lozanë. Kjo ekzpozitë i takon qershorit të vitit 2014. Tani Albiona, Arbënorja, Arta, Eda, Elza, Ensari, Ermira, Erza, Gëzimi, Rina, Toskani, Hana, Lora, Emma, Leona, Sibel, Jetmira, Gonxhja, Edita, Marigona, Drenusha, Sara, fëmijët e dikurshëm janë të rinj dhe të angazhuar në rrugët e jetës. Voal.ch u uron rrugën e mbarë dhe u jep një porosi që gjuhën shqipe ta ruajnë si thesar në zemrat e tyre !
—————
Duke u nisur nga qëllimi fisnik për të nxitur talentin e nxënësve tanë në fushën e artit figurativ, nën përkujdesjen e piktorit tonë z. Samedin Asllani, Shkolla Shqipe nga Lozana organizoi një ekspozitë me punime të bëra gjatë orëve të mësimit të lëndës së artit figurativ.Pos nxënësve që tani vijojnë mësimin e rregullt në ekspozitë morën pjesë edhe disa nga ish nxënësit e saj të cilët po ashtu punimet e tyre i krijuan së bashku gjatë orëve të parapara për këtë aktivitet shkollor.
Për të respektuar punën e tyre si dhe për kënaqësinë e nxënësve dhe prindërve të tyre po i shënojmë më poshtë emrat e nxënësve pjesëmarrës në ekspozitë: Albiona, Arbënorja, Arta, Eda, Elza, Ensari, Ermira, Erza, Gëzimi, Rina, Toskani, Hana, Lora, Emma, Leona, Sibel, Jetmira si dhe ish nxënësit: Gonxhja, Edita, Marigona, Drenusha, dhe Sara.
Në ekspozitë u paraqitën 22 punime prej të cilave 16 ishin punime në pëlhurë. Për nga tematika pikturat ishin nga më të ndryshmet si pamje nga natyra jonë e bukur, lule e kafshë të ndryshme, motive nga vendlindja ose personazheve të ndryshme të veshura me veshje kombëtare. Me një fjalë, në sy bie menjëherë tematika fëmijërore e ekspozitës.
Ishte kënaqësi të shikosh punimet e larmishme të nxënësve me ngjyra shpeshherë të ndezura dhe tërheqëse. Edhe pse shumica prej tyre për herë të parë kanë pasur rastin të pikturojnë në pëlhurë prapëseprapë frymëzimi dhe ndjenjat e shprehura në pikturë përmes ngjyrave të bukura dhe shijeve të holla na bëjnë për vete
Kjo ekspozitë mendoj se e arriti qëllimin e saj parësor: të mundëson dhe të nxitë talentin krijues të nxënësve tanë në lëmin e artit figurativ.
Por, në anën tjetër kjo ekspozitë e nxënësve kishte për qëllim që të tërheq kureshtjen e bashkëmoshatarëve të tyre si dhe të bashkëkombësve tanë. Në ekspozitë, pos nxënësve dhe prindërve të nxënësve tanë që ekspozuan, numri i mysafirëve tjerë ishte shumë i vogël.
Mjetet tona të informimit dhe shoqatat e ndryshme që veprojnë në Lozanë e gjetiu në kanton e injoruan tërësisht këtë ngjarje. E njëjta gjë vlen edhe për përfaqësuesit tanë diplomatik këtu në Zvicër.

Përgatiti: ISNI IDRIZI, Fotot: LULI IMERI
Komentet