“Jam martuar me Shqipërinë. Një letër futbollistëve, jemi në histori”, kanë qenë fjalët që ka shkruar në adresën e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” si një status trajneri i Kombëtares sonë të Futbollit, Gianni De Biasi, i cili i është referuar edhe intervistës së tij më të fundit dhënë për gazetarin Roberto Condio në prestigjozen italiane “La Stampa”.
Orët e fundit, mediet në vend kanë ngritur dyshimet, ndërkohë që disa prej tyre edhe kanë spekuluar për të bërë “lajm” të ardhmen e drejtuesit më të suksesshëm dhe historik, të kombëtares sonë, ku çdo ekran apo portal informativ online nuk ka ngurruar të shkruaj se De Biasi është duke u larguar dhe braktisur kombëtaren tonë.
Destinacionet e mundshme sipas medieve janë bankina e kombëtares së Greqisë apo ajo e skuadrës së dytë të kryeqytetit italian “Lazios”.
Ndërkohë që së fundmi De Biasi pasi ka marrë edhe përqafimet dhe urimet e kryeministrit Italian Matteo Renzi, i cili e ka uruar trajnerin e kombëtares sonë për kualifikimin historik të Shqipërisë në një prononcim gjatë një emisioni sportiv në radion italiane “RTL 102.5”, në vend është përhapur lajmi se de Biasi do të ndërrojë vend me Igli Taren, ish futbollistin e Kombëtares sonë i cili aktualisht është në pozicionin e drejtorit sportiv në skuadrën italiane të Lazio-s.
Ky lajm ka marrë hov nga një interviste e dhënë e De Biasit për sportiven prestigjoze “Gazzetta Dello Sport” dhe “Corriere Dello Sport” ku trajneri i kombëtares sonë ka folur edhe për portalin “La Lazio Siamo Noi” dhe i pyetur për raportet me Taren pasi ka shprehur se ka kontakte të shumta dhe marrëdhënie mjaft të mira me të, ka bërë dhe një propozim me shaka për rikthimin e Iglit në vend, duke propozuar ndryshimin e roleve, transmeton atsh.
Paralelisht me “Propozimin” që De Biasi i ka bërë Tares, një tjetër media në vend shkruan se Gianni De Biasi e ka lënë të hapur mundësinë për të drejtuar përfaqësuesen Greke të futbollit”.
Në një intervistë për një radio greke, pasi tekniku italian ka sqaruar edhe detajet e kontratës e cila skadon më 31 dhjetor 2015, trajneri i Shqipërisë është shprehur se do të ishte i interesuar që të drejtonte Kombëtaren e fqinjit tonë jugor.
Ndërkohë që vetëm shqiptarët e Kosovës nuk janë treguar aspak dyshues, skeptikë, apo spekulativë si kolegët e tyre në Shqipëri kundrejt “lajmit” të “akordit” të De Biasit me ndonjë klub apo përfaqësuese tjetër.
Komentet