VOAL

VOAL

Moskë – Parashikimet e motit promovojnë bombardimet ruse në Siri

October 6, 2015

Komentet

BIRN: Markat perëndimore po financojnë dezinformimin rus në Ballkan

Në një intervistë për BIRN, Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira, BFMI, paralajmëron se mediat dhe faqet e internetit që përhapin narrativa pro-Kremlinit dhe krijojnë mosmarrëveshje etnike në Ballkan po financohen përmes reklamave algoritmike nga marka të famshme perëndimore.

Nga Besar Likmeta, BIRN

Kur në gusht të vitit 2022, një mosmarrëveshje për targat e automjeteve u përshkallëzua midis Prishtinës dhe Beogradit, mediat në rajon që shpërndanin narrativa pro-Kremlinit e ekzagjeruan, duke pretenduar se në Kosovë kishin shpërthyer luftimet dhe se forcat serbe kishin hyrë në territorin e saj.

Krahas titujve që ekspertët i lidhën me një fushatë dezinformimi rus, Antoinette Nikolova – korrespondente me bazë në Bruksel dhe drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira (BFMI) vuri re se ishin postuar reklama nga marka të njohura perëndimore.

“Reklamuesit po blejnë hapësirë reklamimi nga bursat, hapësirë reklamimi nga agjenci ndërmjetësuese; ata nuk e dinë se ku po shkojnë reklamat e tyre”, tha Nikolova në një intervistë në ZOOM nga Brukseli, ndërsa shtoi se reklama nga reklamues të famshëm si Lidl ose Volvo tani po shfaqen në lajme që pretendojnë se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u vra nga CIA.

BMFI pohon se kjo është për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies në zinxhirin e furnizimit të shërbimeve të reklamave digjitale, gjë që i bën ata jo vetëm të sigurojnë fonde për mediat që përhapin dezinformim, por edhe të legjitimojnë përmbajtjet e tyre të rreme.

“Nuk është mirë që reputacioni i kompanive të mëdha të lidhet me informacione të tilla”, tha Nikolova.

Një analizë e përbashkët nga NewsGuard dhe Comscore e botuar në vitin 2021, zbuloi se miliarda euro të ardhura nga reklamat dërgohen çdo vit drejt botuesve të keqinformimeve dhe dezinformimeve, përfshirë qindra miliona të ardhura që mbështesin pretendime të rreme shëndetësore, mite kundër vaksinave, dezinformime zgjedhore, propagandë dhe forma të tjera lajmesh të rreme.

Në një raport të botuar në dhjetor 2023, BFMI dhe organizata e pavarur e shoqërisë civile me qendër në Beograd, CRTA, zbuluan se markat globale që reklamonin në Ballkan po financonin faqe në Bullgari dhe Serbi që përhapnin dezinformim rus.

Në vitin 2024, më shumë se 60 vende do të mbajnë zgjedhje, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, superfuqinë më të madhe në botë, dhe dy konflikte të mëdha ushtarake në Evropë dhe Lindjen e Mesme kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë. Raporti i Rreziqeve Globale 2024 i prezantuar në konferencën e përvitshme të Davosit, njohu keqinformimin dhe dezinformimin si rrezikun më të madh afatshkurtër.

Më 26 prill, një grup ndërpartiak anëtarësh të Parlamentit Evropian u bëri thirrje markave globale që të ndalojnë reklamat në mediat që propagandojnë aktivisht dezinformimin pro-Kremlinit në Evropë përpara zgjedhjeve të ardhshme të BE-së, duke cituar raportin e BFMI-së.

Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanke për Media të Lira, BFMI.

Nikolova vuri në dukje Rusinë dhe Kinën midis fuqive të huaja që përhapin dezinformim në Ballkanin Perëndimor. Ajo vuri në dukje se disa vende në Ballkanin Perëndimor, si Bullgaria dhe Serbia, janë tradicionalisht afër Rusisë dhe mbajnë një marrëdhënie të ngushtë.

“Ata ndajnë një përkatësi gjuhësore dhe kristiano-ortodokse dhe kjo është shumë më e lehtë për Rusinë që t’i vendosë ata nën ndikimin e saj”, vuri në dukje ajo.

Megjithëse përpjekjet e Kinës për të ndikuar në rajon janë të krahasueshme me ato të Rusisë, Nikolova tha se Pekini është më pak agresiv se Kremlini.

“Për mendimin tim ata janë të fokusuar më shumë në përfitimet ekonomike”, tha ajo.

Nikolova vëren se narrativat anti-perëndimore në vende si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria po përhapen shpesh nga agjencitë e lajmeve që kanë mungesë parash, të cilat, të përballura me mungesa buxhetore, nuk e përballojnë dot abonimin në burime perëndimore si Associated Press ose Reuters.

“Nëse dëshironi të citoni Associated Press ose Reuters për shembull, normalisht ju duhet një abonim, i cili është mjaft i shtrenjtë për shumicën e këtyre vendeve”, tha ajo. “Rusia po e ofron atë shërbim falas, madje Kina po paguan agjencitë shtetërore që të preventivat e tyre, për të përdorur informacionin e tyre”, nënvizoi Nikolva, ndërsa shtoi se kjo përkthehet në fuqi të butë.

Ajo vuri në dukje se deri dy vjet më parë një agjenci lajmesh në një vend ballkanas publikonte 40 lajme në ditë nga agjencia shtetërore kineze Xinhua.

“Ishte qesharake sepse mund të lexoje një raport në lidhje me Gjermaninë ose Brukselin, për shembull, jo nga dikush në Berlin apo Bruksel, por duke cituar një agjenci kineze”, shtoi ajo.

Korrespondentja veterane e huaj vëren se sot më shumë se 70 për qind e informacionit që njerëzit marrin vjen nga rrjetet sociale. Nikolova thekson se në Bullgari burimi kryesor i informacionit është Facebook dhe në vende të tjera ish-platforma Tëitter “X”. Ajo tha se ka pasur probleme me personat që moderojnë përmbajtjen e platformave të rrjeteve sociale, veçanërisht në Bullgari.

Për fat të mirë, vëren Nikolava, Direktiva e sapo miratuar e Aktit të Shërbimeve Digjitale e BE-së ka prezantuar kërkesa  mbi platformat për sa i përket transparencës, llogaridhënies, zbatimit dhe aksesit të të dhënave për kërkuesit.

“Evropa është një lloj pioniereje në këtë”, tha ajo. “Megjithatë, nuk është e lehtë, sepse teknologjia po ecën më shpejt se njerëzit, organizata, rregulloret”, shtoi Nikolova.

Akti i Shërbimeve Digjitale është një direktivë e BE-së e miratuar në tetor 2022, që rregullon platformat dhe tregjet online, duke përfshirë rrjetet sociale, platformat e ndarjes së përmbajtjes, app store-t dhe platformat online të udhëtimit dhe akomodimit.

Sipas Komisionit Evropian, qëllimi kryesor i DSA-së është të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të dëmshme në internet dhe përhapjen e dezinformatave, duke garantuar sigurinë e përdoruesve, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të hapur të platformës online.

Nikolova vëren se si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe standardet për lirinë e medias, duke përfshirë DSA-në.

“Akti i Shërbimeve Digjitale është një hap i madh, sepse do t’u kërkojë platformave të moderojnë përmbajtjen, të marrin vendime për reklamat, që është një problem i madh, dhe gjithashtu të trajtojnë algoritmet e tyre, si dhe të përmirësojnë mediat që ndjekin standardet profesionale”, parashikoi Nikolova.

BMFI pohon se luftimi i dezinformimit nuk është një detyrë e lehtë dhe kërkon adresimin e çështjeve strukturore që ndikojnë në lirinë e medias, duke përfshirë pronësinë, financimin dhe rregullimin e medias. Organizata argumenton se një mjedis informativ i shëndetshëm është i rëndësishëm për lirinë e medias.

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska, tha ministri i Jashtëm, Stephane Sejourne.

Në një intervistë për gazetën e pavarur, Novaya Gazeta Europe, Sejourne tha se sipas vlerësimit të Parisit numri i përgjithshëm i viktimave ruse gjatë luftës, përfshirë të plagosurit, është 500.000.

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

“Evropa dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të vendosur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Veçse është i dukshëm dështimi i ushtrisë ruse. Ne vlerësojmë se ushtria ruse ka humbje prej 500.000, përfshirë 150.000 të vdekur”, tha ai.

“E gjithë kjo për çfarë?”, pyeti Sejourne. “E gjithë kjo mund të përmblidhet shkurt: për asgjë”, tha ai.

Rusia nuk i ka bërë publike humbjet e pësuara gjatë luftës kundër Ukrainës.

Në muajin shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 180.000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

Britania ka vlerësuar se afër 450.000 rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë.

Në prill, transmetuesi publik britanik, BBC, ka raportuar se më shumë se 50.000 pjesëtarë të ushtrisë ruse kanë vdekur. Këtë shifër, kjo media e ka bazuar në gazetarët e saj, vullnetarët dhe në grupin e pavarur medial, Mediazona.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për nisjen e “operacionin e posaçëm ushtarak” më 24 shkurt 2022, dhe që atëherë, lufta është shndërruar në një mizori të përgjakshme që e ka izoluar Rusinë nga Perëndimi.

Disa analistë ushtarakë besojnë se Rusia mund të jetë në prag të nisjes së një ofensive të re të madhe në Ukrainë.

Novaya Gazeta Europe u themelua nga gazetarët e gazetës kryesore të pavarur të Rusisë, Novaya Gazeta, pak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. REL

Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Personeli ushtarak rus ka hyrë në një bazë ajrore në Nigeri ku janë të stacionuar trupat amerikane, pas vendimit të juntës së Nigerisë për të dëbuar forcat amerikane nga vendi.

Oficerët ushtarakë në Afrikën Perëndimore kanë kërkuar nga SHBA-ja që të tërheqë rreth 1,000 trupa ushtarak, edhe pse deri në një grusht shteti vitin e kaluar nigerianët ishin partner kyç në luftën e Uashingtonit kundër kryengritësve xhihadistë që kanë vrarë mijëra njerëz.

Në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane njoftoi se forcat ruse nuk po përzihen me ato amerikane, por po përdorin një hangar të veçantë në bazën ajrore 101, ngjitur me aeroportin ndërkombëtar Diori Hamani në Niamey.

Siç raportohet, lëvizja e rusëve i rrit tensionet mes të dy ushtrive në një kohë kur rivaliteti ushtarak dhe diplomatik është gjithnjë e më i ashpër për shkak të luftës në Ukrainë.

Bëhet e ditur se ambasadat e Nigerisë dhe ato ruse në Uashington nuk kanë pranuar të komentojnë në lidhje me zhvillimin, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë detyruar të zhvendosin trupat nga disa vende afrikane pas grusht shtetit që sollën në pushtet grupe të etura për t’u distancuar nga qeveritë perëndimore.

Përveç Nigerisë, trupat amerikane janë larguar edhe nga Çadi, ndërsa forcat franceze janë larguar nga Mali dhe Burkina Faso.

Kjo gjendje po shfrytëzohet nga Rusia e cila po kërkon të forcojë marrëdhëniet me vendet afrikane. Për shembull, Mali është bërë një nga aleatët afrikanë më të afërt të Rusisë. Madje, Wagner është vendosur atje për të luftuar xhihadistët.

SHBA-ja ka ndërtuar bazën ajrore 201 në Nigeri me një kosto prej më shumë se 100 milionë dollarësh. Që nga viti 2018, ajo është përdorur për të shënjestruar luftëtarët e ISIS-it dhe al-Kaedas.

Por, kërkesa e nigerianëve për largimin e trupave amerikane, ngre shqetësime në Uashington për përhapjen e forcave ruse.

Deri më tash nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e trupave amerikane në Nigeri. sn

Cameron në Kiev: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ia ka premtuar të enjten Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ne do t’i japim tre miliardë funte çdo vit sa të jetë e nevojshme. Ne sapo kemi dhënë gjithçka që kemi sa i përket pajisjeve”, tha Cameron në një intervistë për Reuters gjatë vizitës në Kiev.

Pakoja prej tre miliardë funte ndihmë ushtarake për Ukrainën është më e madhja nga Britania deri tani, sipas tij.

“Disa prej tyre [pajisjeve] janë duke mbërritur në Ukrainë sot, derisa unë po qëndroj këtu”, shtoi ai.

Cameron tha gjithashtu se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët që ia jep Londra për t’i goditur caqet brenda Rusisë, dhe se i takon Kievin të vendosë nëse dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Cameron, i cili e udhëhoqi Britaninë e Madhe nga viti 2010 deri në vitin 2016 si kryeministër dhe u rikthye në frontin e politikës pak muaj më parë, u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të dytë në Kiev i sekretar i Jashtëm.

Ai e përshëndeti miratimin e paketës së shumëpritur të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në vlerë 60 miliardë dollarë.

“Kjo është tejet e rëndësishme, jo vetëm për shkak të armëve që do t’i sjellë, por edhe për shkak se do ta rrisë moralin e popullit këtu në Ukrainë”, nënvizoi ai. REL

Seancë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjën më 15 maj

Një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për Bosnjë e Hercegovinën më 30 prill 2024.

 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka caktuar një debat për Bosnjë e Hercegovinën për 15 maj.

Nuk është bërë e ditur se cila do të jetë tema konkrete e debatit e as kush do të flasë në seancë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me kërkesë të Rusisë, e mbajti të martën një seancë të jashtëzakonshme për Bosnjë e Hercegovinën. Moska e përmendi si arsye të diskutimit “prishjen e situatës së sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe”.

Debatet në Këshillin e Sigurimit po zhvillohen në kohën kur Serbia dhe politikanët e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, së bashku me aleatin e tyre Rusinë, po lobojnë kundër miratimit të një rezolute të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, e cila pritet të jetë në rend dite gjatë këtij muaji.

Të enjten, propozimi final për rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Në propozimin final për rezolutën, e cila iu dërgua Radios Evropa e Lirë nga Qendra Memoriale Potoçari, vendimi i OKB-së “për shpalljen e 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995, do të shënohet çdo vit”.

OKB-ja, siç thuhet në tekst, “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare t’i ruajnë faktet”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e Republika Sërpskas e mohojnë se është kryer gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995, duke e cilësuar vetëm si “krim” atë që kishte ndodhur.REL

Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

Selia e OKB-së në Nju Jork. Fotografi nga arkivi.

 

Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

“Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.

Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. REL

Pravda, rrjeti i dezinformimit të Rusisë, zgjerohet në Evropë pavarësisht ndalimeve

Pravda, një rrjet dezinformues dhe ish gazeta zyrtare e Partisë Komuniste të epokës sovjetike të Rusisë, po e zgjeron fuqinë e saj në BE.

Rrjeti rus i dezinformimit Pravda po zgjeron kontrollin e tij në Bashkimin Evropian pavarësisht përpjekjeve për ta ndaluar atë.

Kjo ka dalë nga një raport i ri nga Observatori Evropian i Mediave Dixhitale, një organizatë e pavarur e kontrollit të fakteve.

Agjencia franceze Viginum e operuar nga departamenti i tyre kombëtar i mbrojtjes dhe sigurisë (SGDSN) zbuloi për herë të parë aktivitetet e Pravda në shkurt si pjesë e një fushate të gjerë dezinformimi ruse në BE.

Pravda është gjithashtu ish gazeta zyrtare e Partisë Komuniste të Rusisë gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik.

“Disa javë pas publikimit të raportit, EDMO mund të konfirmojë se fushata është zgjeruar ndjeshëm në Evropë”, thuhet në një raport të fundit.

Faqe aktive në 19 vende të BE-së

Francezët gjetën një rrjet faqesh interneti të quajtur “Portal Kombat” që hapte faqe “kopjuese” të Pravda në gjuhë të ndryshme, si frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe anglisht, për të përhapur propagandën ruse.

Ajo që është e re në raportin e EDMO është krijimi i më shumë faqeve të internetit të Pravda në 19 vende të BE-së, përfshirë Greqinë, Italinë dhe Holandën gjatë një periudhe njëjavore nga 20 deri më 26 mars.

Disa vende, si Austria dhe Belgjika, nuk mbulohen drejtpërdrejt nga një faqe e re e Pravda-s, por kanë media të tjera që mund të ofrojnë informacion pro-Kremlinit, thuhet në raport.

Ka faqe të Pravda edhe në shtetet jo anëtare të BE-së si Norvegjia, Moldavia, Bosnja dhe deri në Tajvan dhe Japoni.

Të gjitha faqet e internetit citojnë media shtetërore ruse, si Tass ose RIA, dhe shpesh citojnë llogari pro-ruse të Telegramit që publikojnë në gjuhët vendore. Në disa raste, ato citojnë burime legjitime informacioni nëse zbulohet se janë pro-ruse.

Uebsajtet postojnë qindra artikuj në orë, diçka që studimi thotë se tregon se ka një element automatizimi në punën e tyre.

“Modusi i tyre i përbashkët i veprimit tregon qartë një koordinim pas publikimeve të tyre,” thuhet në raport.

Artikujt kanë tema të përbashkëta pro-ruse, si trupat franceze në terren në Ukrainë ose që elitat perëndimore “mbështesin një diktaturë globale që dëshiron luftën e tretë botërore kundër Rusisë”, vazhdon ai.

Pavarësisht furisë së faqeve të reja të internetit, EDMO thotë se ndikimi ka qenë shumë i vogël dhe “pothuajse inekzistent” në disa nga vendet e synuara. Por, kjo nuk do të thotë se faqet e internetit mund të përdoren për një fushatë dezinformimi të qëllimshme më afër zgjedhjeve evropiane në qershor.

“Dobësia e tij mund të jetë e paqëllimshme, por ka mundësi që ky të jetë një operacion “grep”, për të hetuar reagimet dhe masat e marra nga autoritetet lokale dhe të BE-së”, thuhet në raport. SYRI.NET

U raportua si vetëvrasje- BBC nxjerr dokumentin sekret: Si e ngacmuan seksualisht dhe vranë forcat iraniane të sigurisë adoleshenten që protestoi

Një adoleshente iraniane u sulmua seksualisht dhe u vra nga tre burra që punonin për forcat e sigurisë së Iranit, thotë një dokument i zbuluar që mendohet se është shkruar nga ato forca. 16-vjeçarja Nika Shakarami u zhduk nga një protestë kundër regjimit në vitin 2022.

Trupi i saj u gjet nëntë ditë më vonë, ndërsa qeveria pretendoi se ajo vrau veten. Akuzat e raportit BBC ia dërgoi qeverisë së Iranit dhe Gardës, por ende nuk është marrë një përgjigje. Me mbishkrimin “Shumë konfidencial”, raporti përmbledh një seancë dëgjimore mbi çështjen e Nikës të mbajtur nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) – forca e sigurisë që mbron krijimin islamik të vendit. Ai përfshin emrat e vrasësve të saj dhe komandantëve të lartë që u përpoqën të fshehin të vërtetën.

Raporti përmban detaje shqetësuese të ngjarjeve, të zhvilluara në pjesën e pasme të një furgoni të fshehtë në të cilin forcat e sigurisë po frenonin Nikën. thuhet se:
Njëri nga burrat e ngacmoi teksa ishte ulur mbi të. Pavarësisht se ishte e prangosur, ajo u kundërpërgjigj, duke shkelmuar dhe sharë. Kjo duket se i provokoi burrat që ta rrihnin me shkopinj. Ka shumë dokumente të rreme zyrtare iraniane në qarkullim, kështu që BBC kaloi muaj të tërë duke kontrolluar çdo detaj me burime të shumta.

Zhdukja dhe vdekja e Nika Shakarami u raportuan gjerësisht dhe fotografia e saj është bërë sinonim i luftës së grave në Iran për liri më të mëdha. Ndërsa protestat në rrugë u përhapën në të gjithë Iranin në vjeshtën e vitit 2022, emri i saj u bërtit nga turmat e tërbuara ndaj rregullave strikte të vendit për mbulesën e detyrueshme [hixhabin].

Lëvizja “Gruaja, Jeta, Liria” ishte ndezur vetëm disa ditë më parë nga vdekja e një gruaje 22-vjeçare, Mahsa Amini. Ajo vdiq nga plagët e marra në paraburgim nga policia, sipas një misioni faktmbledhës të OKB-së, pasi u akuzua se nuk mbante hixhabin e saj siç duhet. Në rastin e Nikës, familja e saj e gjeti trupin e saj në një morg më shumë se një javë pasi ajo u zhduk nga një protestë. Por autoritetet iraniane mohuan se vdekja e Nikës ishte e lidhur me demonstratën dhe, pasi kryen hetimin e tyre, thanë se ajo kishte vdekur nga vetëvrasja.

Pak para se të zhdukej, Nika u filmua në mbrëmjen e 20 shtatorit pranë Parkut Laleh në qendër të Teheranit, duke qëndruar në një kazan duke i vënë flakën hixhabeve. Të tjerët rreth saj brohorisnin “vdekje diktatorit” – duke iu referuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Vajza nuk mund të dinte në atë kohë është se ajo ishte në vëzhgim, siç e bën të qartë raporti i klasifikuar. Ekipi dërgoi një nga operativët e tij në turmë, duke u paraqitur si një protestues, për të konfirmuar se Nika ishte me të vërtetë një nga drejtuesit e demonstratës. Më pas, sipas raportit, ai thirri ekipin e tij për ta arrestuar. Por ajo iku.

Halla e saj i kishte thënë më parë BBC Persian se Nika i telefonoi një shoqeje atë natë për të thënë se ajo po ndiqej nga forcat e sigurisë. Kaloi pothuajse një orë para se ajo u pikas përsëri, thotë raporti, kur ajo u ndalua dhe u fut në automjetin e ekipit – një furgon. Nika ishte në pjesën e pasme me tre anëtarë të ekipit- Arash Kalhor, Sadegh Monjazy dhe Behrooz Sadeghy. Udhëheqësi i ekipit të tyre Morteza Jalil ishte përballë shoferit.

Grupi më pas u përpoq të gjente diku për ta marrë atë, thuhet në raport. Ata provuan të futeshin në një kamp të përkohshëm policie aty pranë, por u refuzuan sepse ishte i mbipopulluar. Kështu ata vazhduan në një qendër paraburgimi, 35 minuta larg me makinë, komandanti i së cilës fillimisht pranoi të pranonte Nikën. Por më pas ai ndryshoi mendje. “Nika vazhdimisht shante dhe këndonte,” thuhej në raport. “Në stacion në atë kohë ishin 14 femra të tjera të paraburgosura dhe perceptimi im ishte se ajo mund të acaronte të tjerat. Isha i shqetësuar se ajo do të shkaktonte një trazirë”, citon raporti.

Morteza Jalil kontaktoi edhe një herë Shtabin e tij të IRGC-së për këshilla, thotë raporti, dhe iu tha të shkonte në burgun famëkeq Evin të Teheranit.

Gjatë rrugës, ai tha se filloi të dëgjonte zhurma përplasjeje pas tij që vinin nga pjesa e pasme e furgonit në errësirë. Njëri prej tyre, Behrooz Sadeghy, tha se sapo ishte futur sërish në furgon pasi u refuzua nga qendra e paraburgimit, Nika kishte filluar të shante dhe të bërtiste.

“Arash Kalhor ia mbylli gojën me çorapet e tij, por ajo filloi të luftonte. Pastaj Sadegh [Monjazy] e vendosi në frigorifer dhe u ul mbi të. Situata u qetësua,” u tha ai hetuesve. “Nuk e di se çfarë ndodhi, por pas disa minutash ajo filloi të shante. Unë nuk pashë asgjë, dëgjoja vetëm përleshje dhe përleshje”. Por Arash Kalhor dha detaje të tjera rrëqethëse. Ai thotë se ndezi shkurt dritën e telefonit dhe pa Sadegh Monjazy “që kishte futur dorën brenda pantallonave të saj”.

Arash Kalhor tha pas kësaj ata humbën kontrollin. “Dëgjova shkopin që godiste të akuzuarën. Fillova të godas me shqelma dhe grusht, por vërtet nuk e dija nëse po i godisja djemtë tanë apo të akuzuarën.”, tha Kalhor. Por Sadegh Monjazy kundërshtoi deklaratën e Arash Kalhor, për të cilën ai tha se ishte i motivuar nga xhelozia profesionale. Ai mohoi të kishte futur dorën në pantallonat e saj – por tha se nuk mund ta mohonte se u “eksitua” teksa ishte ulur mbi të dhe i preku Nikës të pasmet. Ai tha se kjo e provokoi Nikën – pavarësisht nga fakti që duart e saj ishin të lidhura pas shpine – ta gërvishtte dhe të shtynte në mënyrë që ai të rrëzohej. “Ajo më goditi me shkelm në fytyrën time, kështu që më duhej të mbroja veten”. Nga kabina e furgonit, Morteza Jalil urdhëroi shoferin të tërhiqej.

Ai hapi derën e pasme për të zbuluar trupin e pajetë të Nikës, e cila kishte gjak në fytyrë dhe kokë. Kjo i bën jehonë gjendjes në të cilën nëna e Nikës thotë se e gjeti vajzën e saj në morg, dhe certifikatën e vdekjes së saj- marrë nga BBC Persian në tetor 2022 – e cila thotë se ajo u vra nga “lëndimet e shumta të shkaktuara nga goditjet me një objekt të fortë”. Udhëheqësi i ekipit Morteza Jalil pranoi se nuk u përpoq të zbulonte se çfarë kishte ndodhur. Raporti arrin në përfundimin se një sulm seksual shkaktoi përleshjen në pjesën e pasme të furgonit dhe se sulmi i ekipit 12 kishte shkaktuar vdekjen e Nikës. Raporti bie ndesh me narrativën e qeverisë për atë që ndodhi me Nikën. Gati një muaj pas varrimit të saj, televizioni shtetëror transmetoi rezultatet e hetimit zyrtar, i cili tha se Nika ishte hedhur për vdekje nga një ndërtesë.

Megjithatë, shumica e këtyre dokumenteve të falsifikuara janë të lehta për t’u dalluar, sepse ato dallojnë qartë nga formatimi zyrtar – duke treguar ndarje të gabuara dhe tituj të shkronjave, ose përmbajnë gabime të rëndësishme gramatikore ose drejtshkrimore.

Ato mund të përfshijnë gjithashtu sloganin ose logon e gabuar zyrtare për vitin nga e cila pretendojnë të kenë origjinën. Një tregues tjetër është gjuha që nuk përputhet me stilin shumë specifik që tenton të përdoret nga organet zyrtare iraniane. Dokumenti ku u përqendrua hetimi i BBC përmbante disa mospërputhje të tilla. Për shembull, forca policore “Naja” e cituar në raport njihej si “Faraja” në atë kohë.

Prandaj, për të testuar më tej vërtetësinë e dokumentit, BBC ia dha atë një ish-oficeri të inteligjencës iraniane, i cili ka parë qindra të ligjshme. Ai telefonoi arkivin e IRGC-së – duke përdorur një kod zyrtar të lëshuar çdo ditë për oficerët e lartë të inteligjencës në Iran – për të kontrolluar nëse dosja e çështjes ekzistonte vërtet dhe për çfarë bëhej fjalë. Ai mori konfirmimin se po, dhe se numri i raportit tregonte se ishte pjesë e një dosjeje prej 322 faqesh për protestuesit antiqeveritar në 2022. Të gjithë ekipi 12 – që ishin në seancë – janë të shënuar në raport dhe në të djathtë të emrave të tyre është grupi të cilit i përkasin: “Hezbollah”.bw

Presidenti kinez do të vizitojë Francën, Serbinë e Hungarinë

Presidenti kinez, Xi Jinping do të vizitojë Francën, Serbinë dhe Hungarinë nga data 5 deri më 10 maj, njoftoi të hënën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Kina dhe Franca kanë pasur komunikime strategjike dhe bashkëpunim praktik, tha zëdhënësi i ministrisë, Lin Jian, duke folur për udhëtimin e Xi në Francë.

“Është koha për të shtyrë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis Kinës dhe Francës në një nivel të ri dhe për t’i dhënë një shtysë të re zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE, për të dhënë kontribute të reja për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe përparimin botëror,” tha Lin Jian një konferencë të rregullt për media.

“Kina pret të punojë me Francën për të rritur më tej besimin reciprok politik, solidaritetin dhe bashkëpunimin”, tha ai.

Ndërsa me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, zëdhënësi tha se Xi Jinping do bisedojë mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe të diskutojë për përmirësimin e marrëdhënieve Kinë-Serbi. REL

Bilanci: Rusia ka humbur 467 470 ushtarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Rusia ka humbur 467,470 ushtarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022. Kështu raportoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ky numër përfshin 1,320 viktima që pësuan forcat ruse gjatë ditës së fundit.

Sipas raportit, Rusia humbi gjithashtu 7,285 tanke, 14,007 mjete luftarake të blinduara, 16,109 automjete dhe tanke me karburant, 11,985 sisteme artilerie, 1,051 sisteme raketash të shumëfishta, 778 sisteme të mbrojtjes ajrore, 348 avionë, 325 helikopterë, 5,26 dhe 26 helikopterë nëndetëse.
(BalkanWeb)

Propozimi në OKB: Masakra e Srebrenicës të njihet si gjenocid!

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.

“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.

Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.

Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.

Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.

Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.

“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.

Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.

“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës.

Refik Hoxhiq, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë për Exposenë se politika që ndjek Vuçiq sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

“Normalisht [kjo politikë sot] nuk i ka dhëmbët e njëjtë. Sot nuk është viti ’92 dhe qëllimet nuk mund të arrihen përmes rrugëve ushtarake, siç kanë menduar Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq. Por, në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike”, thotë Hoxhiq.

Ai thotë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Dodikut, i cili edhe më herët ka thënë se nuk është i pajtimit që Republika Sërpska të jetë pjesë e Bosnje e Hercegovinës.

Koraq, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë, thotë së Dodik po kërcënon tani në rrethana të tjera gjeopolitike, kur NATO-ja ka rritur praninë si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.

“Po të isha në vendin e tij, do të mendoja mirë se si mund t’i përgjigjet bota provokimit të tij, në kohën kur ajo ka prioritete të tjera, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindje të Mesme, tensionet rreth Tajvanit, por, në të njëjtën kohë, vëzhgon edhe atë që ndodh në Bosnje e Hercegovinë”, thotë Koraq.

Koraq dhe Hoxhiq presin që rezoluta për Srebrenicën të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por nuk presin që të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon.

Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ecët përpara, thotë Hoxhiq.

“Kjo është sikur të vendosësh një fashë të vogël mbi një plagë të madhe që ende rrjedh gjak. Nuk mund të ecët përpara, pa i pranuar këto krime. Por, kjo natyrisht nuk mund të pritet nga Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik”.

“Andaj, rezoluta nuk do të ndryshojë asgjë te ta, por do të shërbejë si një element në procesin e përballjes me të vërtetën për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe të Republikës Sërpska. Nuk dyshoj se kjo do të ndodhë, herët a vonë”, thotë Hoxhiq.

Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut tha se do t’u dërgojë një letër Kombeve të Bashkuara, në shenjë mbështetjeje për miratimin e rezolutës.

Edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.

“Elita intelektuale në Serbi është arrogante dhe e painteresuar për të ardhmen e Serbisë. Po të mos ishte kështu, a nuk do t’i thoshte presidentit Vuçiq të mos turpërohet duke luftuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, shkroi Kandiq në rrjetin X.

Por, disponimi midis disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Beograd është, po ashtu, ndryshe-ndryshe.

“Për mua është e pranueshme që për të gjitha viktimat të ketë një ditë përkujtimore – qofshin ato te ne apo kudo në botë”, thotë Mara.

“Rezoluta është e turpshme. Nuk duhet të miratohet. Unë nuk e arsyetoj krimin, por kush e karakterizon krimin ndaj serbëve?”, pyet Branisllav Kërsmanoviq.

“Mendoj se nuk ishte gjenocid. Nuk duhet shqyrtuar fare. Është politikë kundër Serbisë”, thotë Miqa Millovanoviq.

Kur e karakterizoi si gjenocid masakrën e Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës.

Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.

Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një luftë civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.

Nëse e miraton edhe rezolutën për Srebrenicën, blloku demokratik perëndimor do të mbyllte një kapitull të errët të viteve ’90, kur ndodhën të dyja këto gjenocide të mëdha, pasojat e të cilave rëndojnë ende. REL

Vazhdon arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi

Një burrë e shikon një dokumentar hulumtues nga lideri i ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, në Moskë, janar 2021.

 

Arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi ka vazhduar të rritet, pas arrestimit të dy gazetarëve të tjerë në fundjavë.

Associated Press raportoi të dielën se Sergei Karelin u arrestuar nga autoritetet ruse në rajonin Murmansk, nën akuzat për “ekstremizëm”, në lidhje me videot që ai gjoja i bëri për kanalin “Navalny Live” në YouTube.

Karelin, 41 vjeç, është gazetar dhe kameraman dhe kishte punuar edhe për Associated Press dhe Deutsche Welle gjithashtu.

Ai u arrestua vetëm një ditë pasi një gjykatë në Moskë urdhëroi paraburgosjen e gazetarit Konstantin Gabov të shtunën për akuzat e njëjta.

Karelin dhe Gabov i mohojnë akuzat.

Kanali “Navanly Live” u themelua nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny.

Rusia e ka intensifikuar shtypjen e mediave të pavarura prej se e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.REL


Send this to a friend