Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi është marrë në pyetje nga Prokuroria e Gjykatës Speciale për disa orë në zyrën e tij, në Prishtinë, kurse Kadri Veseli në Slloveni.
“E di sigurt që Kadri Veseli ka qenë i ftuar. Unë nga burime ndërkombëtare e kam informacionin që ai ka dhënë dëshminë e tij në Slloveni, por këtë duan ta fshehin nga publiku. Me Thaçin, teksa zhvilloheshin hetime, intervista me të ka zgjatur disa orë në zyrën e tij në Prishtinë. Më është thënë që Thaçi ka dalë i mllefosur nga mënyra se si i janë prezantuar argumentet e prokurorisë gjatë hetimit. Edhe për të thuhet se ka ftesë dhe se ka dhënë deklaratë, por kjo po fshihet”, ka thënë Trajkoviqi në një intervistë për N1.
Dje edhe deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla, tha se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi janë marrë në pyetje nga prokuroria e Gjykatës Speciale.
Ai tha se Veseli është intervistuar në Frankfurt ndërsa për Thaçin tha se nuk e di lokacionin, por se “është intervistuar dy herë”.
“E ka ditur se s’është qeveri me jetë të gjatë dhe ka dashur të faktorizojë vetveten, e ka dashur të qeverisë si kryeministër në detyrë. S’ka dallim nga kryeministri dhe ai në detyrë. Ka mundur të shkonte sikur siç po flitet, e duket se është e vërtetë, edhe Kadri Veseli është intervistuar në rolin e kryeparlamentarit. Tashmë edhe Thaçi është intervistuar. Veseli në Frankfurt, e Thaçi dy herë në raste të ndryshme. Vendndodhjen nuk e di. Është intervistuar dy herë. E vazhdojnë të jenë në këto pozita”, ka deklaruar ai në KTV.
Komentet