VOAL

VOAL

I dashur President Trump: Embargo totale, duhet vënë edhe Serbisë sepse ajo hapur e mbështet Maduron! – Nga Hysen Ibrahimi*

May 1, 2019

Komentet

“Shqipëria në BE pa Edi Ramën” Diaspora protestë në Bruksel, para zyrave të KE: SHISH, KAYO dhe AKSHI – skandalet e vërteta

Shqiptarët e Diasporës mbajtën sot më 3 tetor një protestë në orën 16:00, përpara Komisionit Evropian në Bruksel, me thirrjen “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”.

Protesta synon të përcjellë në institucionet evropiane kundërshtimet e organizatorëve ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa një prej kërkesave kryesore të tyre është dorëheqja e pakushtëzuar e kryeministrit Edi Rama.

Përmes protestës në kryeqendrën evropiane, Diaspora synon që këto kërkesa të dëgjohen edhe pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Për të folur mbi tubimin, aktivistja e protestave në Milano ka udhëtuar sot drejt Brukselit, ndërsa në një lidhje për News24 ajo tregoi detaje nga tubimi i sotëm.

Suela Medini, aktiviste: Diaspora ka marrë vendimin që do të vazhdojë me protesta dhe nuk do ndalet. Diaspora ka thënë se e do Shqipërinë pa kryeministrin Edi Rama, të cilin e shikojnë si personin që ka sjellë keqqeverisje dhe korrupsion galopant në vend.

Edhe skandalet e fundit shikohen më tepër si heqje vëmendje ndaj skandaleve të vërteta si tek SHISH, tek AKSHI, tek KAYO etj. Ne duam që Komisioni Europian të anulojë ligjin e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura dhe të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama.

E gjithë diaspora është në këmbë që të vijë në Tiranë dhe synimi është një, që kryeministri të japë dorëheqjen. Ne do jemi në shesh deri në rrëzimin e një qeverie antikombëtare, që populli shqiptar nuk i meriton më.

Pa diplomë, por me vizion miliardësh- Kush është emigranti shqiptar që po sfidon gjigantët e Inteligjencës Artificiale

Startup-i milanez Domyn ka siguruar 1,1 miliardë dollarë për të ndërtuar superkompjuterin “Colosseum” – dhe pas kësaj qëndron një burrë me një histori të pazakontë: Uljan Sharka, një refugjat nga Shqipëria që u largua për në Itali i vetëm në moshë të re dhe, pa diplomë universitare, arriti të ndërtojë një kompani të Inteligjencës Artificiale (IA) me vlerë disa miliardë dollarë.

 

Nëntë të dhjetat e fondeve të mbledhura janë kapital borxhi – një praktikë standarde mes rivalëve amerikanë, por e rrallë në Evropë. Fondet nuk do të shkojnë për studiuesit, por për pajisje harduerike: superkompjuterin “Colosseum” në Italinë jugore, të cilin Domyn po e ndërton së bashku me Nvidia-n dhe grupin teknologjik të Abu Dabit, G42.

Qendra e të dhënave do të funksionojë me rreth gjashtë mijë çipa dhe do të jetë në gjendje të trajnojë modele gjuhësore me më shumë se një trilion parametra. Ndryshe nga shumë konkurrentë, Domyn nuk e merr me qira fuqinë kompjuterike – ajo e zotëron atë plotësisht.

Momenti i zgjedhur nuk është i rastësishëm. Në shkurt, Komisioni Evropian shpalli nismën “Frontier AI Grand Challenge”, duke kërkuar një kompani që do të merrte mandatin për të ndërtuar një model gjuhësor evropian të nivelit botëror.

Në qershor u gjet fituesi: konsorciumi EUROPA, të cilin Domyn e udhëheq së bashku me institutet gjermane Fraunhofer. Sipas Komisioneres së BE-së për Sovranitetin Teknologjik, Henna Virkkunen, “Evropa mund ta përcaktojë vetë drejtimin në fushën e IA-së së avancuar (frontier AI).”

Shpërblimi i Domyn-it nuk do të jetë para, por kohë kompjuterike – deri në 2,5% të kapacitetit të rrjetit evropian të superkompjuterëve EuroHPC për një vit të plotë. Modeli që po zhvillohet pritet të ketë më shumë se 400 miliardë parametra, të mbështesë të gjitha 24 gjuhët zyrtare të BE-së dhe të publikohet nën një licencë të hapur.

Nevoja urgjente për një pavarësi të tillë është theksuar nga ngjarjet e muajve të fundit: SHBA-ja ka kufizuar qasjen e të huajve në modelet më të avancuara të Anthropic dhe OpenAI, ndërsa disa vende, përfshirë Republikën Çeke, kanë ndaluar përdorimin e “DeepSeek” të Kinës në institucionet qeveritare.

Vetë Sharka ka premtuar se modeli do të shfaqet brenda një viti, do të trajnohet nga e para dhe – çka është thelbësore – do të mund të përdoret lirisht në serverët e vetë kompanive.

Është një pretendim i guximshëm, por Sharka ka dëshmuar më shumë se një herë se nuk ka frikë të marrë përsipër rreziqe. Ai ka lindur në Shqipëri dhe, si adoleshent në vitet ’90 – kohë kur vendi po përjetonte varfëri dhe trazira – u largua i vetëm drejt Italisë.

Ai kishte pasur gjithmonë pasion kompjuterët që në fëmijëri dhe e mësoi italishten ndërsa punonte në fushën e teknologjisë së informacionit (IT). Nuk mori kurrë një diplomë universitare dhe mungesa e saj për pak sa nuk i mbylli pikërisht dyert që ai dëshironte më së shumti t’i hapte.

Kur Apple prezantoi iPhone-in e parë, Sharka vendosi se donte të punonte për gjigantin kalifornian. Ndonëse pa diplomë universitare, ai përfundoi programin e certifikimit të kompanisë – dhe ia doli mbanë: nga viti 2012 deri në 2015, ai arriti të shkonte në Silicon Valley dhe të punonte si zhvillues e konsulent pikërisht në selinë qendrore të Apple.

Ishte në Amerikë që ai vuri re një mangësi: softuerët e korporatave ishin tejet të rëndomtë dhe të vështirë në përdorim krahasuar me teknologjinë e destinuar për konsumatorët.

Në vitin 2016, Sharka u kthye në Milano dhe themeloi kompaninë iGenius. Produkti i saj i parë, Crystal, u mundësonte njerëzve pa njohuri teknike të bënin pyetje mbi të dhënat e korporatës duke përdorur gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme.

Ajo ide u shndërrua në një koncept më të gjerë: bankat, kompanitë e sigurimeve, sektori i energjisë dhe industria e mbrojtjes nuk duan ta marrin me qira inteligjencën artificiale – ato duan ta zotërojnë atë. Kështu, së bashku me kolegët, Sharka filloi të zhvillonte sisteme të inteligjencës artificiale që mund të funksiononin drejtpërdrejt në serverët e vetë klientëve, veçanërisht në industri të rregulluara rreptësisht.

Në vitin 2024, iGenius u bë një “einhorn” (unicorn) – një kompani me vlerë mbi një miliard dollarë. Qershorin e kaluar, ajo u riemërtua Domyn. Ende dihet pak për raundin e ri të financimit të kompanisë; informacioni u bë i ditur vetëm nga portali i specializuar Sifted. Më herët ishte konfirmuar se vlera e Domyn kishte kaluar tashmë dy miliardë dollarët, e ndihmuar edhe nga blerja e një startup-i tjetër italian, Oròbix.

Që ambiciet e Sharkës të mos mbeten thjesht fjalë në letër, i gjithë kontinenti ka nevojë që ato të realizohen: skena evropiane e inteligjencës artificiale ende mbetet prapa asaj të SHBA-së dhe Kinës. gsh

Shqiptarët e Diasporës nesër në protestë para Komisionit Europian, aktivistja: Mesazhi i qartë, “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”

Me 3 tetor në orën 16:00 shqiptarët e Diasporës kanë njoftuar protestë në Bruksel përpara Komisionit Europian.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj theksoi se shqiptarët e Diasporës do të japin një mesazh të qartë se shqiptarët duan Shqipërinë në BE, por pa Edi Ramën.

“Nesër më 3 tetor në orën 16:00 shqiptarët e diasporës nga të gjitha qytetet europoane do të mblidhen në Bruksel përpara Komisionit Europian sepse institucionet e BE meritojnë të dëgjojnë edhe një version tjetër përveç versionit të Edi Ramës dhe Ursula von der Leyen. Ne jemi këtu dhe shqiptarët e Diasporës në Bruksel. Ne themi “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”, tha aktivistja Sidorela Vatnikaj.

KARAFILAT QË PËRQAFOJNË “KARIATIDET ”… Kujtime DR. EDUARD A. SKUFI

ATHINE

 

Ka udhëtime që nisin shumë kohë përpara, qysh në fëmijëri. Ato lindin, si pa kuptuar në imagjinatën tonë. Fillojne si ëndrra, nga një përrallë e treguar, në një imazh që mbetet diku thellë në kujtesë dhe pret vite të tëra, e si përçudi një ditë bëhet e vërtetë… Për nënën time, Akropoli dhe Kariatidet kishin qenë, pjesë e asaj ëndrre. Që nga fëmijëria, në imagjinatën e saj, ai ishte një vend i largët e i magjishëm, ku gurët dukej sikur ruanin histori njerëzore dhe ku zonjat prej mermeri, Kariatidet qëndronin të heshtura, aq madhështore,si personazhe të një përralle të lashtë, të treguar nga i ati… Ajo një fëmijë rreth pesë vjeç, që priste darkën, teksa dritëhija e oxhakut vallëzonte mbi fytyrën e saj dhe në prehrin e babait, të dëgjonte ndonjë përrallë të bukur. Ato “përralla”, ishin ndryshe nga të tjerat, sepse ishin dritare drejt një madhështie mistike, që i pasuronte shpirtin e brishtë, e ngadalë ktheheshin në dije, e në urtësi të heshtur. “E lamë tek Akropoli, mandej me zërin melankolik, vazhdoi në greqisht, “Kariatidha thea mu, omorfia mu, zografia mu”( kariatida zota ime, bukuria ime, piktura ime), ky është dhe titulli i mitit, filloi të tregonte babai, me zërin e tij të qetë,“ aty pranë tij është tempulli Erektion. Ku gjashtë gra të gdhendura në mermer, që mbi kokë mbajnë peshën e tij.

 

Kariatidet Dhe e rrëmbyera në Londër

 

Janë Kariatidet, “gratë-shtylla”, që zëvendësuan kollonat Jonike, heroinat e heshtura të Athinës. Thuhet se vinin nga Sparta dhe se, si një formë ndëshkimi, u murosën në gur, duke u shndërruar në një dedikim të përjetshëm për Athinan dhe Poseidonin. Por koha, në vend që t’i harronte, i bëri të pavdekshme. Për gati tre mijë vjet, ato kanë qëndruar aty, të palëkundura nën qiellin e Athinës, si një simbol i forcës, i triumfit dhe i bukurisë që nuk njeh moshë. Bukuria e tyre nuk mbeti vetëm në mermer; ajo u kthye në admirim, në art, në kujtesë. Kariatidet dëshmuan se figura e gruas në botën helene nuk ishte thjesht një zbukurim, por një mishërim i fuqisë, hijeshisë dhe madhështisë. Por, një natë të errët dimri, shekujt e qetësisë u thyen. Një skocez, jo aq fisnik, Lordi Elgin, quhej, vjedhurazi shkuli një prej tyre, nga vendi ku kishte qëndruar për shekuj. E rrëmbeu nga Akropoli dhe e çoi larg, në Londër, ku sot qëndron në Muzeun Britanik, larg motrave të saj. Dhe kështu, nga gjashtë, mbetën vetëm pesë… Pesë gra prej mermeri që ende mbajnë mbi supe peshën e tempullit, por edhe peshën e një mungese, që koha nuk ka mundur ta harrojë. Gojëdhëna thotë se, që prej asaj dite, Kariatidet e mbetura, ndryshuan shprehjen e fytyrës. Sikur dhimbja për motrën e larguar, të kishte gdhendur mbi mermer një trishtim të ri, një dhimbje që nuk u tret me shekujt, por mbeti e ngrirë në sytë e tyre. Dhe ndoshta, kur i sheh sot, nuk sheh vetëm pesë gra prej guri. Sheh pesë motra që vazhdojnë të presin, të heshtura, krenare, të pathyeshme…duke mbajtur mbi kokë jo vetëm tempullin, por edhe kujtimin e dhimbshëm, të asaj që iu mor përgjithmonë!” Unë e shikoja e mahnitur, tregonte mamaja, kur papritmas e pyeta, -Baba, këtu, gratë që shkojnë në Kavalonë për të mbushur ujë, mezi mbajnë mbi kokë, një shtamë të vogël. Po Kariatidet, si mund ta mbanin mbi kokë gjithë atë peshë mermeri? Pastaj, me sytë ende të ngulur mbi to, shtova me padurimin e një fëmije: -Sa qejf kam t’i shoh nga afër! Në verë, kur të shkojmë në Korfuz për pushime, a mund të shkojmë edhe në Athinë, që t’i vizitojmë? Babai më pa me admirim dhe, ndërsa më ledhatonte flokët, m’u përgjigj: -Në dashtë Zoti, do të bëhet. Por, Zoti nuk e deshi…Sepse vetëm një vit më vonë, im atë humbi papritur jetën, duke lënë pas një boshllëk, që koha nuk mundi ta mbushte kurrë. Dhe ato pak fjalë, por të mënçura, të thëna me zërin e tij të qetë, më mbetën gjatë në zemër, si një ëndërr, si një premtim i ndaluar, që koha mbase një ditë, do ta çonte drejt së vërtetës… Sapo mamaja mbërriti në Athinë, më përqafoi me gjithë mallin që kishte mbledhur në shpirt. Dhe atë dëshirë që e kishte mbajtur aq gjatë brenda vetes, më në fund ma tha…Ndërkaq, ajo uli kokën e prekur, ndërsa sytë iu mbushën me lot. Me një zë të dridhur, sikur po nxirrte nga thellësia e shpirtit një breng të ruajtur, për një jetë të tërë, vazhdoi: E kam ruajtur atë dëshirë si një ëndërr, për rreth gjashtëdhjetë e pesë vjet…E kam mbajtur gjallë diku thellë në zemër, edhe atëherë kur koha më mësoi, të mos prisja më. Por ja që tani, pas kaq shumë vitesh, koha po më dhuron surprizën më të bukur pikërisht atë, që dikur e besoja të humbur përgjithmonë. …Në mbrëmje, kur u ktheva nga klinika, i solla një manual arkeologjik mbi Kariatidet. E përqafova dhe u ula pranë saj. E vështroja gjatë, me një admirim që më vinte natyrshëm. Bukuria dhe fisnikëria e saj nuk ishin shuar; përkundrazi, dukej sikur koha, në vend që ti a fshinte, i kishte dhënë një tjetër dritë. Me atë buzëqeshje të ëmbël, që dukej se ishte bërë pjesë e qënies së saj, më ngjante si një hyjni e zbritur në tokë, diku mes engjëjve dhe perëndive. Dhe, pa e ditur as vetë pse, fillova t’i lexoja me zë manualin. “Kariatidet, ose vajzat e Karyait, një qytet i lashtë në Peloponez, vallëzonin në ekstazë, duke adhuruar perënditë dhe duke mbajtur mbi kokë shportat e shenjta, kanephora, të mbushura me objekte kushtuar hyjnive. Sipas legjendës, ato u dënuan me skllavëri, pasi tradhtuan Athinën. Megjithatë, në kujtesën e artit helen, ato mbetën njëkohësisht simbol i bukurisë dhe i forcës.” Ndalova për një çast dhe e vështrova sërish, ajo më ndiqte me vëmendje, e emocionuar. Në faqet e manualit thuhej se kompozimi skulptural i Kariatideve i atribuohej Alkamenesit dhe arkitekturës së Erektheionit, si një dedikim hyjnive. Por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte gjenialiteti i fshehur në detaje: gërshetat e tyre të trasha nuk ishin vetëm një dekoracion i bukurisë femëror. Ato shërbenin edhe si një përforcim strukturor, duke mbajtur peshën mbi kokë të epikranidhës dekorative, pa e ndryshuar finesën e qafës dhe elegancën e tyre. Ato nuk pozuan, por u kovertuan në kolona mermeri. Sa e jashtëzakonshme ishte kjo! Edhe në gur, gruaja nuk ishte krijuar vetëm për t’u admiruar, por dhe për të mbajtur peshën e një tempulli, pa humbur hijeshinë. Për të mbajtur mbi vete barrën e botës, pa e shformuar bukurinë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndronte një nga të vërtetat më të bukura të artit helen: figura e gruas nuk ishte vetëm mishërim i finesës dhe bukurisë, por edhe i qëndresës, fuqisë dhe madhështisë”. E mbylla manualin me këtë frazë dhe e pashë përsëri, ajo ishte si e hipnotizuar…Mama, vazhdova. Kjo dëshmon mbi vlerën që kishte figura e femrës në artin dhe kulturën helene, duke treguar se femra zinte një vend të rëndësishëm, në idealet estetike dhe shpirtërore të grekëve të lashtë. Për një çast, nuk dija nëse po lexoja për Kariatidet, apo dhe për nënat si ajo, që fati i dënoi, dhe ato shfaqeshin, si një version i Kariatideve. Vetëm se, në vend të gurit, mbartnin mbi supe dhimbjen, humbjet dhe heshtjet e një jete të tërë, që nuk mundën ti rrëzonin. Duhej të qëndronin në këmbë, edhe kur brenda tyre gjithçka ishte duke u shembur. Por ajo nuk mund të dilte nga ato impresione,…“besoj, nesër në mëngjez do të shkojmë për ti vizituar”, më tha. Të nesërmen, në mëngjes, u nisëm familjarisht me taksi. Në shtatorin e vitit 1992, “përralla” mori udhë. Gjatë rrugës, lexoja në sytë e Mamës, dëshirën dhe padurimin për të mbërritur. Ishte një padurim i çuditshëm, i ngjashëm me atë të një fëmije, që pret të shohë për herë të parë diçka të magjishme. -Mama, i thashë, do të të tregoj diçka interesante. Kishin kaluar gati tridhjetë shekuj dhe Kariatidet vazhdonin të qëndronin aty, të paprekura nga koha, si një simbol i përjetshëm admirimi. Shumë arkitektë, ndër shekuj, ishin përpjekur t’i imitonin. Kishin projektuar ndërtesa me kolona dhe figura të ngjashme, duke kërkuar të përsërisnin atë bukuri të lashtë, por ato shembeshin. Nuk mundën ta deshifronin, atë gjeometri të harmonisë simetrike, -vazhdova. As sistemin e përpiktë të proporcioneve trupore, të mbështetur mbi modulin e “raportit të artë”. Sepse ajo që duket si bukuri e thjeshtë, në të vërtetë është një rend i fshehtë, një matematikë e heshtur, që vetëm mjeshtrit e mëdhenj, dinin ta përkthenin në harmoni, mbi mermer. Mamaja heshti për një çast, pastaj shtoi: Mrekullitë nuk përsëriten. Kur mbërritëm në Akropol, ajri dukej sikur mbante ende diçka nga fryma e lashtësisë. Gurët, kolonat, qielli i hapur mbi Athinë, gjithçka krijonte ndjesinë se koha kishte ndaluar për pak çaste. Atëherë mamaja shprehu dëshirën të blinte, një buqetë me karafila të kuq.U befasova, por nuk e pyeta menjëherë, pse. Ndoshta sepse e kuptova, se ajo buqetë nuk ishte thjesht një tufë lulesh, ishte një mënyrë për t’i dhënë formë lidhjes shpirtërore të krijuar, një ndjenje që nuk gjente dot fjalë. Një përshëndetje mirënjohjeje, për bukurinë, për kohën, për kujtesën. Dhe nga ajo “përrallë” e paharruar, që ia shndërroi ëndrrat e fëmijërisë, në dije të përjetshme, kishte mbetur edhe një dëshirë e vogël, e thjeshtë, por e parealizuar: që një ditë, pranë statujave të Kariatideve, të vendoste një buqetë me karafila të kuq…

 

Me karafilat e kuq në Akropoli

 

Dhe, për një çast, më dukej sikur karafilat do të vendoseshin jo vetëm përpara gurëve të lashtë të Akropolit, por edhe përpara vetë mrekullisë së asaj jete. Akropoli, për ne nuk ishte vetëm si event turistik apo takim me historinë, por si njerëz që po hynim për pak çaste, brenda një kujtimi, që kishte jetuar për dekada në zemrën e nënës. Nën qiellin e kaltërt të Athinës, ndriçimit të saj, mes bardhësisë së mermerit dhe reflekseve të Mesdheut, karafilat e kuq dukeshin pothuajse triumfues, aq të gjallë përballë gurit, aq njerëzorë, përballë përjetësisë. Nëna ime me karafilat në dorë, mu duk si para një rituali të shenjtë, u përkul diçka mërmëriti, dhe ndërkaq vendosi buqetën me respekt, pranë Kariatideve. Karafilat e kuq përballë përjetësisë. Mandej, pa e shkëputur vështrimin prej tyre, mbështeti dorën tek ulliri shekullor, e më tha ngadalë, thuajse në konfidencë:

 

Kariatidet dhe karafilat e mamasë

 

“Paradoks helen…Një grua që mban mbi supe peshën e një bote të tërë, e megjithatë nuk e humbet as bukurinë, as stoicizmin, as atë hijeshi të heshtur, që e bën dhimbjen të duket, si një formë e lartë force. Ato përcjellin idenë se dënimin e kthyen në fitore, vuajtjen në dinjitet dhe fatin në përjetësi”. Mua jo vetëm që më pëlqeu ajo retorikë, por veç asaj më intrigoi vazhdimin e mendimit: Por, ndoshta, aty fshihet edhe diçka më e thellë: një shprehje e dinjitetit dhe idealizmit të figurës femërore, e një gruaje që nuk pranon të mbetet vetëm viktimë e fatit, por e shndërron fatin e saj, në një trajtë të shkruar me gjuhën e shpirtit. Mbase është edhe një hap, drejt emancipimit simbolik e kulturor, një çast kur gruaja nuk paraqitet më thjesht si frymëzim, si muzë apo si tragjedi, por si vetëdije, si forcë dhe si kujtesë e gjallë e kohës. Në kohët moderne, Kariatidat interpretohen si simbol i fuqisë, dinjitetit dhe kontributit të gruas në shoqëri, si një perceptim i ri në kontekstin e emancipimit.”

 

Kjo foto e fundit me babanë, në vitet 1930, gjatë pushimeve në Korfuz, i mbeti

 

…Për momentin m’u afrua një burrë plak, Bravo, na tha, më emocionuat, nga jeni ju. Nga Shqipëria ju përgjigja unë. Ai mbeti me një pamje habije në fytyrë, shprehje ku çudia ndërthurej me admirimin e heshtur. Mesa dukej, ishte një gjest jo i vogël për të tjerët, por për nënën time ishte një përmbushje. Një ëndërr fëmijënore që, kujtesa kishte zgjedhur ta ruajë të gjallë, pas shumë vitesh, kishte gjetur më në fund, skenën ku duhej të shkëlqente. Karafilat e kuq nuk ishin thjesht lule, ishin një përshëndetje nga e tashmja, për atë ëndërr të vjetër, kurorëzim i asaj madhështie historike. Një kujtim që udhëtoi nga rrëfimet e fëmijërisë deri te gurët e lashtë të Athinës, një copëz dashurie njerëzore vendosur përballë asaj, që kishte sfiduar shekujt. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndronte bukuria e atij çasti: Kariatidet qëndronin të palëvizshme si gjithmonë, ndërsa ne kalonim përmes kohës, duke admiruar atë bukuri stoike. Kariatidet, një bukuri helene e përjetësuar në mermer; “pa lifting”, një elegancë që koha vetëm e fisnikëron. Por për disa minuta, pranë tyre, koha u ndal…Mbeti vetëm një buqetë karafilash të kuq, një nënë me ëndrrën e fëmijërisë, ku e kishte çuar zëri i të atit dhe ne dëshmitarë të një “përralle”, që më në fund ishte bërë realitet…

* * *

Por surprizat, dukej sikur ndiqnin njëra-tjetrën, si të ishin shkruar diku në enigmën e fatit…Ishim duke shëtitur me time shoqe në Ermou, pranë Monastirakit, në një ditë të bukur janari të vitit 2024. Dhe, papritur, përballë nesh u shfaq një mrekulli: një mural mbresëlënës, i shtrirë mbi fasadën e një godine klasike, sikur koha vetë të kishte lënë aty një mesazh. Ajri i ftohtë i dimrit, i kthjellët si një kujtim i largët, dukej sikur zgjonte në heshtje kujtime të vjetra, për t’i lënë të rrënjoseshin të rejat edhe më thellë në shpirt. Një piktor rruge, INO quhej, na befasoi me artin e tij të fuqishëm e të pazakontë. Në mur qëndronin Kariatidet madhështore, të brishta, të heshtura. Por sytë e tyre… ah, sytë e tyre dukej sikur mbanin gjithë dhimbjen e botës. Nga ta rridhnin lotë në blu të kthjellët, si kristale deti, si pika kujtese që nuk mund të thaheshin kurrë.Qëndruam gjatë përballë tyre, e në atë çast, arti pushoi së qeni vetëm art. Në fytyrat e Kariatideve lexova atë dhimbje që e njihja, një mungesë që e mbaja brenda vetes. Në heshtjen e tyre më erdhi zëri i nënës sime, ajo prani e shenjtë, që jeta tashmë ma kishte marrë, por që koha nuk kishte mundur ta fshinte. Nëna ime ishte larguar nga kjo botë, por atë ditë, mes rrugëve të Athinës, ajo m’u kthye për një çast, mes a tij requiemi. M’u kthye përmes atyre syve të përlotur, përmes atyre lotëve që shkëlqenin si kristale deti, përmes heshtjes së një murali që dukej sikur vajtonte bashkë me mua. Dhe kuptova se disa vepra arti nuk i shohim thjesht me sy, i shohim me botën tonë, me plagët tona. Ky requiem i heshtur për Kariatidet u bë, në shpirtin tim, një requiem për nënën…

 

Murali i Kariatideve mes lotëve bie

 

Një elegji e bukur, e dhimbshme dhe e papritur, që më kujtoi se dashuria për ata që kemi humbur nuk vdes kurrë; ajo thjesht ndryshon formë dhe, herë pas here, gjen mënyra të çuditshme për t’u kthyer…Atë ditë, në zemër të Athinës, mes gurëve të lashtë, ngjyrave të artit, ndërsa qyteti jetonte ritmin e tij përreth nesh, një mural i heshtur më foli për nënën time. Dhe lotët e Kariatideve u bashkuan me lotët e mi…

 

Tragjike! Goditi kokën gjatë ndeshjes së futbollit, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar Asllan Gjana në Greqi

Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, pasi një futbollist 16-vjeçar, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.

Asllan Gjana, pjesë e skuadrës Byronas Kavala, po luante kundër Aiandas Panagias në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur vetëm në minutën e dytë të takimit u përplas rëndë. Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas përplasjes, ai humbi ndjenjat. Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Në vendngjarje u thirr edhe shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.

16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.

Klubi Byronas Kavala reagoi me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të futbollistit të tij. “Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit. “Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi. bw

“Vetëm largimi i Ramës na ndal”, media gjermane jehonë për protestat e “Flamingove të Frankfurtit” që vijojnë prej 4 muajsh

Në një zonë të mbrojtur natyrore në Shqipëri thuhet se do të ndërtohet një resort luksoz, i cili lidhet me familjen e presidentit amerikan Trump. Projekti ka shkaktuar një valë protestash, në të cilat tashmë bëhet fjalë për më shumë sesa vetëm mbrojtjen e natyrës. Edhe në landin Hesen të Gjermanisë po zhvillohen protesta.

Nga Dennis Stockfisch, HESSENSCHAU
Ata janë pjesë e “Flamingove të Frankfurtit”, dega e Hesenit e protestave të mëdha të flamingove në Shqipëri. Shumica e pjesëmarrësve i përkasin diasporës shqiptare. Vetëm në Hesen jetojnë më shumë se 11.000 shqiptarë dhe shqiptare.

Këto grupe protestuese të diasporës ekzistojnë në të gjithë Evropën. Në Londër, Berlin dhe Vjenë protestojnë njëkohësisht edhe grupe të tjera ‘flamingosh’, të cilat lidhen përmes video-telefonatave në një ekran.

Nga Frankfurti në Tiranë
Prej rreth katër muajsh, “Flamingot e Frankfurtit” mblidhen çdo javë për të protestuar. Përveç kësaj, ata organizojnë së bashku me grupe të tjera ‘flamingosh’ udhëtime drejt Shqipërisë, për të mbështetur atje protestat e mëdha.

Një prej tyre është 25-vjeçarja Laura Pohumi. Ajo jeton prej gjashtë vitesh në Gjermani dhe është bashkë-organizatore e protestave në Frankfurt. “Kam shumë shoqe dhe shokë që janë çdo ditë në protestë dhe që nuk do të ndalen. Kjo më bën shumë krenare”, shpjegon ajo gjatë tubimit. “Ne thjesht duam që zëri ynë, si shqiptarë dhe shqiptare në të gjithë botën, të dëgjohet.”

Vala më e madhe e protestave prej dekadash
Zemra e protestave vazhdon të jetë kryeqyteti shqiptar, Tirana. Atje njerëzit dalin prej rreth katër muajsh çdo ditë në rrugë dhe protestojnë kundër qeverisë së tyre. Në periudha të caktuara, në këto protesta marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Gjithçka filloi në maj, në një pjesë të plazhit në Zvërnec, në jugperëndim të Shqipërisë. Atje, dhe në ishullin përballë, Sazan, thuhet se do të ndërtohen resorte luksoze. Sipas raportimeve të mediave, kostot vlerësohen në rreth katër miliardë euro.

Një pjesë e resorteve të planifikuara ndodhet në mes të një zone të mbrojtur natyrore, ku, ndër të tjera, jetojnë flamingot. Prandaj vjen edhe emri i lëvizjes: protestat e flamingove. Disa madje flasin për një “Revolucion të Flamingove”.

“Kujt i përket Shqipëria?”

Fillimisht të nisura si protestë mjedisore, protestat e flamingove sot janë një nga lëvizjet më të mëdha kundër qeverisë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. “Nuk bëhet më fjalë vetëm për flamingot, një zonë të mbrojtur natyrore apo një resort luksoz”, shpjegon Andreas Bachmann, drejtues i studios së ARD-së për Evropën Juglindore. “Bëhet fjalë për pyetjen: Kujt i përket Shqipëria – qytetarëve apo investitorëve me lidhje të mira me elitën politike?”

Projekt ndërtimi me përfshirje të një figure të njohur
Fakti që ky projekt ka një potencial kaq të madh politik përplasjeje, ndoshta lidhet edhe me një investitor të njohur, i cili pikërisht këto lidhje me elitën politike mund t’i ketë: Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Së bashku me gruan e tij Ivanka Trump, e cila është shprehur publikisht në favor të projektit, Kushner është në qendër të kritikave.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, një kompani investimesh e lidhur me të ka marrë nga autoritetet shqiptare statusin e një “investitori strategjik”. Kjo do të thotë, për shembull, procedura më të shpejta të miratimit për projektet e ndërtimit.

Shqiptarët kanë frikë nga “shitja” e vendit
Shumë shqiptarë dhe shqiptare kanë ndjesinë se qeveria e tyre nuk vepron në interes të popullsisë dhe se është e interesuar vetëm për pasurimin personal, thotë protestuesja Laura Pohumi.

“Njerëzit që punojnë për këtë qeveri nuk duan që ne të jemi një vend me rregulla. Ata thjesht duan të fitojnë shumë para, pavarësisht se nga vijnë ato.” Kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe udhëheqjes politike në vend nuk janë të reja. Demonstruesit ankohen, në njëfarë mënyre, për një shitje të vendit të tyre. Prandaj edhe slogani qendror i protestave është: “Albania is not for sale” – “Shqipëria nuk është në shitje.”

Nuk duket fundi i protestave
Aktualisht nuk duket një fund i protestave të flamingove. Sipas korrespondentit të ARD-së, Bachmann, qeveria shqiptare është e vendosur ta zbatojë këtë projekt dhe, në perspektivë, edhe projekte të tjera: “Edi Rama i sheh investimet e mëdha ndërkombëtare, si të thuash, si programin e tij të modernizimit për Shqipërinë.”

Ai dëshiron të tregojë se Shqipëria është e hapur ndaj investitorëve të mëdhenj dhe se nuk do të ndalojë çdo projekt vetëm për shkak të protestave. Demonstruesit duken të vendosur. Në Frankfurt, Laura Pohumi përgjigjet kështu kur pyetet se sa gjatë mund të vazhdojë kjo: “Ne do të ndalojmë vetëm kur Edi Rama të japë dorëheqjen si kryeministër.” bw

Autorë shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Göteborg 2026- Nga Gladiola Jorbus

 

 

Më 24–27 shtator 2026, në Göteborg të Suedisë u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Librit – Bokmässan Göteborg 2026, një nga ngjarjet më të mëdha letrare dhe kulturore në vendet nordike. Panairi u mbajt në ambientet e Svenska Mässan dhe gjatë katër ditëve mblodhi autorë, poetë, botues, përkthyes, studiues, profesionistë të kulturës dhe lexues nga vende të ndryshme. Organizatorët e përshkruajnë Bokmässan si ngjarjen më të madhe kulturore të vendeve nordike, me qindra ekspozues dhe një program të gjerë me seminare, biseda letrare, prezantime dhe takime me autorë.

Në këtë atmosferë të pasur letrare, letërsia shqipe u përfaqësua edhe përmes shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë në Suedi, ndër ta Rizah Sheqiri dhe Sokol Demaku, duke sjellë pranë publikut suedez dhe ndërkombëtar zërin, përvojën dhe krijimtarinë e autorëve shqiptarë të diasporës.

Një nga pjesëmarrjet e dokumentuara në programin zyrtar ishte ajo e shkrimtarit Sokol Demaku, i cili më 24 shtator zhvilloi një takim në kuadër të programit të Medborgarskolan, ku u diskutua për poezinë, shkrimin dhe identitetin, si dhe për librin e tij të ri “Örnens land: Av mödrars tårar blev havet salt”.

Po në kuadër të panairit, Sokol Demaku prezantoi veprën e tij edhe në stendën e Sol förlag, ku lexuesit patën mundësi ta takonin autorin dhe të merrnin autografin e librit. Vepra trajton historinë moderne të Shqipërisë, identitetin, humbjen, lirinë dhe përvojën e një shoqërie të përballur me diktaturën, luftën, izolimin dhe sfidat e demokracisë.

Rizah Sheqiri, poet dhe shkrimtar shqiptar në Suedi, është gjithashtu një emër i njohur në jetën letrare shqiptare dhe suedeze. Ai ka një veprimtari të gjerë krijuese dhe ka botuar dhjetëra vepra, një pjesë e të cilave janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Përvoja e tij në letërsi dhe në veprimtarinë kulturore e ka bërë një nga zërat e rëndësishëm të letërsisë shqiptare në diasporën suedeze.

Pjesëmarrja e autorëve shqiptarë në një ngjarje të tillë nuk është vetëm një prezantim individual i krijimtarisë, por edhe një mundësi për të afruar gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe me lexuesit suedezë dhe ndërkombëtarë. Përmes librit dhe përkthimit krijohen ura të reja komunikimi ndërmjet kulturave.

Panairi i këtij viti kishte në qendër tema të tilla si Québec-u si mysafir nderi, arsimi popullor dhe lojërat, ndërsa programi përfshinte gjithashtu tema mbi poezinë, letërsinë, demokracinë, lirinë e shprehjes dhe rolin e leximit në shoqëri.

Dita e fundit – takime dhe “Stafeta e Leximit”, shënoi ditën e katërt dhe të fundit të këtij edicioni të Bokmässan. Për autorët dhe miqtë e librit ishte një ditë e mbushur me takime me poetë, shkrimtarë, botues dhe dashamirës të letërsisë.

Në përfundim të panairit u zhvillua edhe “Stafeta e Leximit”, një veprimtari që e vë në qendër aktin e leximit dhe bashkimin e njerëzve përmes librit. Pjesëmarrja në këtë aktivitet i dha një kuptim të veçantë ditës së fundit të panairit, duke e mbyllur këtë event katërditor me fjalën e shkruar dhe të lexuar.

Për pjesëmarrjen dhe mundësinë e prezantimit të krijimtarisë së tij në këtë panair ndërkombëtar, autori Demaku shprehu mirënjohje për Sol Förlag, Medborgarskolan dhe Sveriges Författarförbund, si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e letërsisë që e mbështetën gjatë këtyre ditëve.

Bokmässan Göteborg 2026 dëshmoi edhe një herë se libri mbetet një hapësirë e fuqishme takimi mes njerëzve dhe kulturave. Për komunitetin shqiptar në Suedi, prania e autorëve si Rizah Sheqiri dhe Sokol Demaku në këtë skenë është një mundësi për ta bërë më të dukshme krijimtarinë shqipe dhe për të vazhduar dialogun kulturor mes Shqipërisë, Kosovës, diasporës shqiptare dhe shoqërisë suedeze.

 

Göteborg, 27 shtator 2026

Si mund të harrohen ato mizori!- Nga Emine S. HOTI Norvegji

       

 

 

Bota dhe drejtësia duhet të dënojnë kriminelët e vërtetë serbë, që kryen krime gjakatare mbi popullin paqedashës të Kosovës (Dardanisë).

 

Gjenocidi dhe krimet serbe,

tronditën atëherë popujt e botës,

si mund të harrohen ato mizori,

të kryera në zemër të Evropës!?

 

Ata masakruan popullin dardan,

vranë mijëra gra, pleq e fëmijë,

për të fshehur dëshmitë e krimit,

gjithçka e bën shkrumb dhe hi.

 

Me gjenocidin e tyre barbar,

ata kërkuan të “vrisnin” lirinë,

për qëllimet e tyre sunduese,

donin të shuanin historinë.

 

Ata kryen në popull terror,

hodhën kudo helmin e zi,

kryen masakra të përbindshme,

që të të zhduknin ty, Dardani.

 

Bota duhet të zgjohet, të reagojë,

të mos rri indiferente e në rehati,

që fara e së keqes t ‘mos përhapet,

të mos shndërrohet në epidemi.

Atentati në Athinë- Në shënjestër 30-vjeçari Denis Luli! Dyshimet se urdhri u dha nga Klodian Lekocaj, i njohur si kreu i mafies së burgjeve

Bëhet me dije se lokali “Amora”, i cili ra pre e sulmit me kallashnikov rezulton në pronësi të 30-vjeçarit Denis Luli. Në makinën e autorëve dyshohet se ishin katër persona, ndërsa 10-vjeçarja shqiptare nuk dihet nëse kishte lidhje me pronarin.

 

GREQI- Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mesnatën e së premtes në Greqi në lokalin “Amora”, ku një 10-vjeçare mbeti e plagosur. Bëhet me dije se lokali “Amora”, i cili ra pre e sulmit me kallashnikov rezulton në pronësi të 30-vjeçarit Denis Luli. Në makinën e autorëve dyshohet se ishin katër persona, ndërsa 10-vjeçarja shqiptare nuk dihet nëse kishte lidhje me pronarin.

Ajo ndodhej në vendin e ngjarjes bashkë me nënën e saj, e cila e transportoi privatisht drejt spitalit pas plagës së marrë në pulpë. Më pas policia gjeti të djegur mjetin në Aspropirgo dhe brenda tij ndodhej edhe një kallashnikov. Sipas policisë, dyshon se shënjestër e sulmit ishte 30-vjeçari Denis Luli, person me precedentë penalë.

Ai rezulton i arrestuar në 2015 në një parcelë të mbjellë me marijuanë, ku gjatë aksionit Luli hapi zjarr ndaj forcave të policisë greke. Për ngjarjen, ai u dënua dhe u lirua me kusht në vitin 2021 nga burgu i Malandrinos. Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme, policia dyshon se ajo është porositur nga 49-vjeçari nga Berati, Klodian Lekocaj, i njohur gjerësisht si Klod Cara. Ai rezulton i burgosur prej vitesh si autor direkt dhe porositës i shumë ngjarjeve të rënda në Greqi.

Kush është Klodian Lekocaj

Klodian Gjon Lekocaj, 49 vjeç, i njohur edhe si “Klod Cara”, “Luli” dhe “Ilia”, është një emër i njohur për autoritetet dhe mediat greke, ku është përmendur në disa hetime dhe çështje të rënda kriminale. Media greke e ka cilësuar si një nga figurat kryesore të të ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”.

Lekocaj, nga ana e tij, i ka mohuar akuzat në daljet publike, duke deklaruar se është i pafajshëm dhe se është përdorur nga persona të tjerë. Emri i tij është lidhur ndër vite me akuza për vrasje me pagesë, trafik droge, gjobvënie, arratisje nga burgjet dhe organizim të aktiviteteve kriminale.

Në disa prej këtyre rasteve, akuzat janë bazuar në dëshmi, përgjime dhe hetime të autoriteteve greke. Lekocaj është arrestuar disa herë në Greqi dhe ka pasur edhe arratisje nga burgu. Në vitin 2014 u arrestua në Athinë, ndërsa në vitet e fundit emri i tij është rikthyer në hetime për ngjarje të tjera kriminale.

Në vitin 2025 u akuzua për porositjen e një atentati ndaj dy shqiptarëve, ndërsa në maj të po këtij viti u përfshi në një incident në burgun e Koridhalosit, ku dyshohet se mori peng dy gardianë. Ndërsa, në shkurt 2026, policia greke e arrestoi sërish, duke e akuzuar për lidhje me një rrjet që fuste drogë në burg. Po atë muaj, Lekocaj mori përsipër autorësinë e plagosjes së të dënuarit shqiptar Dhimo Meci.

Në prill 2026, autoritetet greke e lidhën sërish me një rrjet shpërndarësish droge në Athinë, duke e akuzuar se qëndronte pas aktivitetit të tyre. Pavarësisht akuzave të shumta, përgjegjësia penale për secilën prej tyre duhet të përcaktohet nga drejtësia greke./Dosja.al

Artistët na e sollën Shqipërinë në Itali- Nga Florim Zeqa

 

Në mbrëmjen e 21 shtatorit në Teatrin “Marcello Mascherini”, nën patronatin e Këshilltarit Komunal, z. Ervin Ramaliu në Azzano Decimo (PN) u mbajt koncerti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga Tirana.

 

Shqipëria e këngëve dhe valleve të traditës popullore

 

Programin e hapi koreografi Enkel Zhuti, ideator dhe organizator i këtij eventi muzikor, i cili i falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti, Dott, Massimo Piccini (Kryetar i komunës në Azzano Decimo), Paul Vatamanu (Kryetar i Këshillit Komunal), dhe të madhin Ervin Ramaliu (Këshilltar Komunal i Deleguar për Politikat e Emigracionit), të cilët prezantuan me nga një fjalë përshendetëse.

Kurse programin artistik e hapi moderatorja e shkëlqyer dhe më përvojë në prezantimin e eventeve kulturore në Shqipëri, Suela Demiri e cila i falenderoj të gjithë organizatorët e këtij eventi artistik dhe ju urojë mirëseardhje me fjalët e shpirtit të gjithë atyre që ishin të pranishëm në këtë mbrëmje të hareshme; “Ne nuk kemi ardhur thjesht për një koncert, ne kemi ardhur këtu për t’iu sjellur këtu Shqipërinë e këngëve dhe valleve, të traditës, të ritmeve, të ngjyrave dhe energjinë e jashtëzakonshme të shqiptarëve”.

 

Muzika, këngët dhe vallet janë arti më i bukur që e kuptojnë të gjithë popujt e botës

 

Vërtetë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës na bëri të ndjehemi krenarë jemi që jemi shqiptarë.

Ishin 33 artistët e kalibrit kombëtar me kostume të llojllojshme që i sollën në mesin e mërgimtarëve vallet dhe këngët më të bukura nga të gjitha trevat shqiptare nga jugu në veri të Shqipërisë.

Muzika, vallet dhe kostumet e bukura tradicionale tashmë janë një trashëgimi e njohur jo vetëm për komunitetet e tjera në Itali, por e njohur edhe nga UNESCO.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore e dëshmoj se këngët dhe vallet janë elemente të fuqishme për bashkimin e njerëzve dhe përhapjen e kulturës sonë edhe përtej kufijve të shtetit shqiptarë, duke dhënë mesazhin e paqes, integrimit dhe bashkëjetesës mes popujve.

Ishte ky një privilegj i madh dhe i jashtëzakonshëm për të gjithë mërgimtarët që t’i përcjellin nga afër ajkën e artistëve të kalibrit kombëtarë, të cilët i shpalosën para nesh vlerat artistike dhe muzikore, kostumet dhe traditat tona popullore.

Të gjitha këngët dhe vallet ishin live të përcjellura nga tingujt e bukur të instrumenteve tradicionale popullore nga mjeshtrit e orkestrës profesioniste nga Tirana.

Padyshim, secili prej tyre e meriton të vlerësohet për përformancën e shkëlqyer para publikut, por meqë numri i tyre ishte i madh, po ju themi nga zemra të gjithëve, faleminderit që na kënaqët dhe na mbushët shpirtin me atdhedashuri me këngët dhe vallet e bukura popullore nga të gjitha trevave etnike.

Shqipëria edhe pse një vend i vogël në hartë, ka shumë begati popullore, tradita, ngjyra kostumesh tradicionale të cilat varijojnë nga njëra krahinë tek tjetra, porqë e kanë një gjë të përbashkët-shpirtin e shqiptarit, atë që e bartë secili mërgimtarë në vendin e huaj, që na e sollën artistët nga Shqipëria.

Të gjithë këngëtarët dhe valletarët ishin në nivelin e lartë profesional dhe artistik, të cilët e elektrizuan atmosferën në ambientet e Teatrit “Mascherini” në Azzano Decimo.

Falenderim për Drejtorin Artistik të Ansamblit, z. Sokol Marsi, për Koreografin Genc Kastrati si dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Operas dhe Baletit, z. Aulon Naçi.

 

Organizim i shkëlqyer dhe madhështorë

 

Mërgimtarët në Azzano Decimo dhe rrethinë, asnjëherë më parë nuk e kanë përjetuar një organizim kaq të shkëlqyer dhe madhështorë! E gjithë kjo është meritë e punës së palodhshme të veprimtarit të devotshëm të çështjes kombëtare, të madhit Ervin Ramaliu i ndihmuar nga bashkëshortja Flogerta Baça dhe vajza Alisa Ramaliu, të cilat e mbështetën fuqishëm me tërë qenjen e tyre gjatë gjithë kohës duke i dhënë forcën dhe kurajon shpirtërore. Përderisa Ervini forcën shpirtërore e kishte nga familja, mbështetjen morale e gjeti tek bashkëpunëtorët dhe miqtë e vërtetë dhe të sinqertë, të cilët i dhanë vullnet dhe kurajo deri në përmbylljen e këtij aktiviteti kulturor.

Ne shqiptarët kemi arsye të ndjehemi krenarë me punën dhe angazhimin vlerëmadh dhe shumëdimensional të bashkombasit tonë, Ervin Ramaliu, veprimtarë i çështjes kombëtare dhe Këshilltari i parë komunal në pjesën veriore të Italisë, i cili me dinjitet të lartë po i prezanton vlerat tona kombëtare dhe më përkushtim të madh po i organizon dhe mbron të drejtat e të gjithë emigrantëve në rajonin ku jeton. Të lumtë Ervin, jeni krenaria jonë kombëtare!

 

Realizimi i një ëndrre jetësore

 

Pjesëmarrës në këtë event të madh kombëtarë ishin mërgimtarët e ardhur nga disa provinca dhe qytete të pjesës veriore të Italisë, filluar nga Pordenone, Trieste, Vicenza, Treviso etj.

Po ashtu, në këtë ngjarje prezent ishin kamerat televizive, gazetar dhe publicist të mediumeve shqiptare dhe atyre italiane, si Mirella Piccini gazetare nga Gazzettino, Florim Zeqa nga Kosova Sot dhe International Web Post.

Turneu i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në Itali ishte ëndërr kahmotshme e organizatorit dhe koreeografit Enkel Zhuti, i cili ëndrrën e tij e realizoj në katër qytete: Breschia, Torino, Azzano Decimo dhe Rovereto, kurse për shumicën e mërgimtarëve takimi me Ansamblin Kombëtar ishte ëndërr jetësore.

Shqiptarët e emigruar në Itali e gjetën një atdhe të dytë, duke marrë me vete gjuhën, identitetin, kulturën dhe traditat e bukura shqiptare.

Vitet kaluan, por shqiptarët mbetën të njëjtë, ata që ishin dekada më parë, me mallin dhe dashurinë, me shpresën e pashuar për kthim në atdheun e tyre, e cila vlon si vullkan në shpirtin e secilit mërgimtarë!

 

Na mbanë shpresa reale, që në dekadën e dytë të mileniumit të tretë do ta realizojmë edhe ëndrrën e madhe të bashkimit të trojeve tona etnike!

 

Zoti e bekoftë idealin e bashkimit kombëtar!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti i bekoftë mërgimtarët!

 

Florim Zeqa, 23.09.2026

“Duam shtet, jo pushtet! Rama e sheh veten në grackë” – Aktivisti nga Milano paralajmëron përshkallëzim të protestave kundër qeverisë: Grevë urie dhe bllokim infrastrukture!

Aktivisti Aleks Vulaj, në një prononcim për televizionin News24 nga Milano, ka përcjellë mesazhin e prerë të diasporës dhe protestuesve kundër kabinetit qeveritar të udhëhequr nga Edi Rama, duke kërkuar me ngulm ngritjen e një qeverie teknike për të garantuar të ardhmen e vendit.

Gjatë fjalës së tij, Vulaj theksoi se revolta qytetare kërkon rikthimin e shtetit të së drejtës dhe se reagimet e kryeministrit tregojnë se pushteti ndodhet nën panik dhe pa rrugëdalje.

 

Aktivisti nëvizoi se krijimi i një ekzekutivi teknik është i realizueshëm dhe mbetet e vetmja garanci për të ecur drejt standardeve evropiane:

“Kërkojmë qeveri teknike, rënien e pushtetit të Edi Ramës. Ne duam shtet, jo pushtet. Patjetër që e shohim të mundur organizimin e qeverisë teknike. Kjo na jep forcë dhe shpresë. Ne do ecim drejt ëndrrës së madhe evropiane. Reagimet e kryeministrit janë negative sepse e sheh veten në grackë dhe nuk di nga t’ia mbajë.”

 

Vulaj bëri me dije se rezistenca e diasporës nuk do të kufizohet vetëm në tubimet jashtë vendit, por do të zhvendoset drejtpërdrejt në Shqipëri me masa radikale reagimi nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen:

 

“Ne këtu në Milano do vijojmë protestat, por do vijmë edhe në Shqipëri. Ose do shkojmë në grevë urie nëse nuk marrim reagim, ose do ketë protestë pa ndërprerje! Do bllokohet infrastruktura dhe do ketë përshkallëzim nëse nuk ka reagime.”

Erinda Medolli: Unë gjeta poezinë si një mënyrë për ta nxjerrë dhimbjen në dritë dhe për ta lehtësuar shpirtin- Intervistoi Sokol Demaku

 

 

Baza e një shoqërie të shëndoshë është familja, ndërsa një familje e fortë ka nevojë edhe për vlera shpirtërore. Personalisht besoj te Zoti dhe mendoj se shoqëria jonë është larguar disi nga ajo lidhje e shenjtë me Krijuesin

Për mua, dhimbja e njeriut është si një ajsberg: të tjerët arrijnë të shohin vetëm një pjesë të vogël të tij, ndërsa peshën më të madhe secili e mban të fshehur brenda vetes.

Bisedë me Erinda Medoli një poete të re me plotë entuziazëm për jetën dhe peozinë që jeton dhe vepron ne Norvegji.

 

Unë gjeta poezinë si një mënyrë për ta nxjerrë dhimbjen në dritë dhe për ta lehtësuar shpirtin

 

Ju lutë për një prezantim të shkurtër.

 

Jam Erinda Medolli, poete dhe autore shqiptare, me origjinë nga Devolli. Kam përfunduar studimet në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, në fushën e mësuesisë, si dhe Masterin Profesional. Prej disa vitesh jetoj në Norvegji, ku krahas jetës familjare dhe punës vazhdoj të kultivoj pasionin tim për letërsinë dhe veçanërisht për poezinë.

 

Deri më sot kam botuar shtatë vëllime poetike dhe krijimtaria ime ka kapërcyer kufijtë e gjuhës shqipe, duke arritur te lexuesi edhe përmes përkthimeve dhe botimeve në gjuhë të tjera. Poezinë e shoh si një pjesë të pandashme të jetës sime: një mënyrë për të kthyer përjetimin, dhimbjen, dashurinë, shpresën dhe zërin njerëzor në fjalë.

 

 

Përveçse një poete, poezia juaj tashmë është e njohur në disa gjuhë. Si e përkufizoni rolin e poetit/es në jetën bashkëkohore?

 

Për mua, poeti është zëri i asaj që shpesh mbetet e pathënë. Ai nuk shkruan vetëm për veten, por bëhet zë i ndjenjave, dhimbjeve, ëndrrave dhe shqetësimeve të një shoqërie.

Në një kohë kur jeta ecën me ritëm të shpejtë dhe njerëzit shpesh harrojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin, poezia na rikthen te ndjeshmëria njerëzore.

 

Besoj se poeti nuk ka për detyrë ta ndryshojë botën me forcën e fjalës, por mund ta zgjojë ndërgjegjen e saj.

Një varg mund të mos ndryshojë menjëherë një realitet, por mund të ndryshojë mënyrën se si një njeri e sheh atë.

Për mua, pikërisht këtu qëndron fuqia dhe përgjegjësia e poetit në jetën bashkëkohore.

 

 

Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Çka mund të na thoni për fillimet tuaja dhe atë çka kultivoni sot?

 

Në fakt, poezinë e kam zbuluar relativisht vonë në jetën time. Isha 28 vjeçe kur shkrova për herë të parë një poezi dhe deri atëherë nuk e kisha menduar se mund të kisha prirje apo talent për të shkruar. Madje, gjatë viteve të shkollës, prirja ime më e fortë ishte matematika. Ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe unë vetë u befasova kur zbulova një anë tjetër të vetes, shumë më të ndjeshme dhe krijuese.

 

Ajo poezi e parë hapi një derë që më pas nuk u mbyll më. Fillova të kuptoj se përmes vargut mund të shprehja ndjenja, përjetime dhe mendime që ndonjëherë fjala e zakonshme nuk arrinte t’i përcillte.

 

Me kalimin e viteve është pjekur edhe krijimtaria ime. Nga përjetimet personale kam kaluar gjithnjë e më shumë te temat njerëzore e shoqërore: gruaja, dashuria, familja, mërgimi, liria, padrejtësia, paqja dhe shpresa. Nëse dikur poezia ishte një zbulim i papritur për mua, sot ajo është bërë një pjesë e pandashme e identitetit tim.

 

 

Nga e merrni frymëzimin për poezinë tuaj? Çfarë është tema apo subjekti në to?

 

Frymëzimin e marr nga vetë jeta.

Nga ajo që kam jetuar,

nga njerëzit që takoj,

nga një histori që dëgjoj,

nga një padrejtësi që më prek,

por edhe nga dashuria, familja, natyra, mërgimi dhe

çastet e vogla që ndonjëherë mbartin emocione të mëdha.

 

Në poezinë time gruaja zë një vend të veçantë. Më frymëzon forca e saj për t’u ringritur, për të dashur dhe për të vazhduar përpara.

 

Nuk e kërkoj me çdo kusht një temë për të shkruar. Zakonisht është tema ajo që më gjen mua. Duhet të më prekë diçka fort që të lindë një poezi. Kur një ndjenjë nuk më lë të qetë, atëherë e kuptoj se ajo kërkon të bëhet varg.

 

Krijimtaria juaj ka kaluar tashmë edhe në gjuhë të tjera. Çfarë ju shtyu drejt përkthimit të poezisë suaj?

 

Dy vëllimet e mia të fundit, “Grua – Zemra që S’Pushon” dhe “Zemra e një Gruaje”, janë përkthyer në anglisht dhe suedisht. Aktualisht jam duke punuar që krijimtaria ime të vijë së shpejti edhe në gjuhën norvegjeze dhe polake.

 

Për mua, përkthimi është një urë që e çon poezinë përtej kufijve të gjuhës dhe vendit ku ajo ka lindur. Duke jetuar në mërgim, kam kuptuar edhe më shumë se ndjenjat njerëzore nuk kanë kombësi. Dashuria, dhimbja, shpresa, liria apo forca e një gruaje kuptohen në çdo gjuhë.

 

Dëshira ime është që poezia ime të mos mbetet vetëm brenda kufijve të gjuhës shqipe, por të ketë mundësinë të takohet me lexues të kulturave të ndryshme. Përkthimi, për mua, nuk është vetëm kalimi i fjalës nga një gjuhë në tjetrën; është udhëtimi i një ndjenje nga një shpirt te një tjetër.

 

 

Çka ka botuar deri më tani Erinda dhe çka mund të presë lexuesi prej jush në të ardhmen?

 

Deri më sot kam botuar shtatë vëllime poetike. Dy më të fundit, “Grua – Zemra që S’Pushon” dhe “Zemra e një Gruaje”, kanë arritur te lexuesi edhe në gjuhën angleze dhe suedeze.

 

Por krijimtaria ime nuk është ndalur te poezia. Prej disa vitesh jam duke punuar me romanin tim, një projekt që kërkon kohë, përkushtim dhe pjekuri. Paralelisht, gjatë viteve kam shkruar vazhdimisht edhe vjersha për fëmijë, të cilat deri më sot nuk i kam botuar si një vëllim më vete.

 

Shpresoj që brenda vitit të mund t’i sjell lexuesit si romanin, ashtu edhe vëllimin me vjersha për fëmijë. Nuk është gjithmonë e lehtë ta ndërthurësh krijimtarinë me jetën dhe punën fizike në emigrim, por për mua të shkruarit nuk është thjesht një angazhim që kërkon kohë; është një nevojë e shpirtit. Prandaj, edhe mes lodhjes së përditshme, përpiqem gjithmonë të gjej një copëz kohe për fjalën.

 

Kur kemi të bëjmë me poezinë, çfarë është ajo që lë gjurmë tek ju dhe ju shtyn të merreni me të?

 

Tek unë lë gjurmë poezia që ka shpirt dhe vërtetësi. Më tërheq fjala që lind nga një ndjenjë e sinqertë dhe arrin të prekë një tjetër shpirt. Për mua, aty fillon dhe aty jeton poezia.

 

 

Si e kalon një ditë pune në mërgim Erinda?

 

Jeta në mërgim më ka mësuar të mos i druhem asnjë pune të ndershme. Për dy vite kam punuar si pastruese, më pas për nëntë muaj si shitëse, ndërsa prej pak kohësh punoj si kuzhiniere. Sot kam kushte shumë të mira në punë dhe ndihem e vlerësuar në atë që bëj.

 

Edhe pse dita është e ngarkuar, përpiqem të mos e lë pas dore pasionin tim. Kam hapësirën time në punë dhe, gjatë pushimeve të vogla, shpesh gjej disa minuta për të shkruar një varg, një mendim apo një ide. Kështu, mes punës dhe përditshmërisë së emigrimit, përpiqem të ruaj gjithmonë një copëz kohe për Erindën poete.

 

 

 

Si është Erinda nga natyra?

 

Jam natyrë e qetë, e ndjeshme dhe shumë e shoqërueshme. Më pëlqen natyra, lulet dhe njerëzit pozitivë. E çmoj shumë miqësinë dhe jam gjithmonë e gatshme të bëj më të mirën për njerëzit që kam pranë. Besoj se energjia e mirë që u japim të tjerëve, në një mënyrë apo tjetër, na rikthehet.

 

Ju jeni një poete shumë e talentuar, si e ndieni veten në mërgim?

 

Nuk më takon mua ta quaj veten të talentuar; këtë ia lë lexuesit ta vlerësojë. Unë besoj shumë më tepër te puna dhe këmbëngulja. Për mua, talenti mund të jetë vetëm 2%; pjesa tjetër është punë, përkushtim dhe dëshirë për t’u përmirësuar çdo ditë.

 

Në mërgim e ndiej edhe më shumë këtë. Asgjë nuk të dhurohet, por çdo hap fitohet me punë. Edhe krijimtarinë time e shoh në të njëjtën mënyrë: si një rrugë ku kam ende shumë për të mësuar.

 

Nëse do të kishit mundësinë të jepnit ndihmesën tuaj në realitetin që jetojmë ne shqiptarët, ku mendoni konkretisht se duhet ndryshuar diçka?

 

Për mua, baza e një shoqërie të shëndoshë është familja, ndërsa një familje e fortë ka nevojë edhe për vlera shpirtërore. Personalisht besoj te Zoti dhe mendoj se shoqëria jonë është larguar disi nga ajo lidhje e shenjtë me Krijuesin.

E shoh shoqërinë shqipëtare si shoqëri pa Zot. Do të doja më shumë afrim drejt krijuesit.

 

Do të dëshiroja të shihja më shumë fëmijë, të rinj dhe familje të ndërtuara mbi dashurinë, dhe përgjegjësinë para Zotit.

Besoj se një shoqëri është më e shëndetshme kur mban të lidhur mardhënien me Zotin. Respekton disa regulla prej frikës së të keqes.

Shoqërisë shqiptare i mungojnë shumë gjëra përveç besimit dhe Respektit për Zotin , në drejtimin e dhunës në familje do të doja të shtoja institucione mbëstetëse për Gruan . Është në planet e mia dhe shpresoj të jap kontribut në këtë fushë.

 

Nëse letërsia apo poezia nuk do të ishte e preferuara juaj, në çfarë fushe do ta gjente veten Erinda?

 

Besoj se do ta gjeja veten te piktura. Më ka pëlqyer që në fëmijëri dhe gjithmonë kam ndier një afërsi të veçantë me ngjyrat. Kam gjithashtu një dashuri të madhe për muzikën dhe instrumentet. Nëse nuk do të shkruaja me fjalë, ndoshta do të përpiqesha të shprehja atë që ndiej përmes ngjyrave ose tingujve.

 

Na flisni pak për fillimet e karrierës suaj. Kur keni filluar të merreni me poezinë dhe pse pikërisht poezia?

 

Siç e përmenda, kam filluar të shkruaj në moshën 28-vjeçare. Por pyetjes “Pse poezia?” ndoshta i jam përgjigjur më së miri vetë në një nga poezitë e mia të para:

 

“Pse u bëra poeteshë?

Sepse për të më dëgjuar nuk po gjeja veshë.

Dhimbjen kur e shkruaj,

më duket sikur e zbraz një peshë.”

 

Për mua, dhimbja e njeriut është si një ajsberg: të tjerët arrijnë të shohin vetëm një pjesë të vogël të tij, ndërsa peshën më të madhe secili e mban të fshehur brenda vetes. Unë gjeta poezinë si një mënyrë për ta nxjerrë atë peshë në dritë dhe për ta lehtësuar shpirtin. Ndoshta pikërisht për këtë zgjodha poezinë ose, më saktë, poezia më zgjodhi mua.

 

A kujtoni ndonjë kohë kur mendoni se keni dështuar në këtë fushë?

 

Nuk mendoj se kam dështuar në poezi, prej saj vetëm kam fituar: jam pasuruar shpirtërisht, jam fisnikëruar, jam rritur si njeri.

 

Sigurisht, kur lexoj poezi të bukura dhe  poetë të mëdhenj, ndonjëherë më duket vetja e vogël. Por jo aq e vogël sa të heq dorë; përkundrazi, aq sa të kuptoj se kam ende shumë për të mësuar, për të punuar dhe për t’u përmirësuar.

Besoj se poezia nuk është një garë ku njëri duhet të zërë vendin e tjetrit.

Çdo poet ka zërin, ndjeshmërinë dhe mënyrën e vet unike të të shkruarit.

Në art askush nuk është i tepërt, për sa kohë ka diçka të sinqertë për të thënë.

Sa e keni pas të vështirë dhe sfiduese të jeni këtu ku jeni sot?

 

Sa e keni pasur të vështirë dhe sfiduese të jeni këtu ku jeni sot?

 

Vështirësinë e parë e kam pasur me mosbesimin tek vetja. Kur fillova të shkruaja, nuk e dija nëse ajo që krijoja do të kishte vlerë edhe për të tjerët. Por kur nisa t’i publikoja poezitë dhe pashë se lexuesi i mirëpriti, kjo më dha kurajë të mos ndalesha.

 

Një tjetër sfidë është ana ekonomike. Shpesh autori shqiptar duhet ta përballojë privatisht botimin, promovimin dhe rrugën e librit deri te lexuesi. Mendoj se na mungon edhe një rrjet më i gjerë dhe më i organizuar që libri dhe autorët e rinj të kenë më shumë mundësi të njihen e të afirmohen.

 

Do të dëshiroja të kishte më shumë struktura gjithëpërfshirëse që t’i bashkonin autorët dhe t’u krijonin hapësira. Sot shumë prej nesh përpiqemi ta bëjmë këtë përmes shoqatave, grupeve letrare dhe miqësive krijuese. Megjithatë, çdo vështirësi më ka mësuar se në këtë rrugë duhet shumë punë, durim dhe këmbëngulje.

 

 

Përveç artit të të shkruarit, si e kaloni kohën e lirë?

 

Të them të drejtën, koha ime e lirë është e kufizuar. Jam nënë e dy fëmijëve, punoj dhe pas pune më duhet të ndjek edhe aktivitetet dhe nevojat e tyre. Dita ime ndahet mes punës, familjes, shtëpisë, përgjegjësive financiare dhe shkrimit.

 

Përpiqem të jem një nënë e pranishme, një amvisë e kujdesshme dhe njëkohësisht të mos e humbas Erindën që shkruan dhe ëndërron. Ndoshta koha ime e lirë nuk matet me orë; janë ato çaste të vogla që arrij t’i ruaj për familjen, për veten dhe për një varg të ri.

 

Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?

 

Lumturinë nuk e kërkoj te gjërat e mëdha. Më bën të lumtur mirëqenia e fëmijëve të mi, qetësia e tyre dhe fakti që kam arritur, me punën dhe forcat e mia, të ndërtoj një jetë të pavarur. Kur në fund të ditës kam një çati mbi kokë, një jastëk ku të mbështes kokën dhe shoh shtëpinë time të mbushur me libra, lule dhe fëmijë që qeshin, mendoj se jam shumë e pasur.

 

Ndërsa më mundon dhimbja njerëzore, sidomos kur prek fëmijët, familjen dhe njerëzit që nuk kanë mundësi ta ndryshojnë lehtë realitetin e tyre. Ndoshta për këtë arsye kam mësuar ta çmoj kaq shumë atë që dikur mund të dukej e zakonshme: paqen brenda shtëpisë. Për mua, kjo është një nga format më të mëdha të lumturisë.

 

Po të kishit mundësinë të zgjidhnit, ku do të jetonit?

 

I adhuroj udhëtimet dhe udhëtoj sa herë që kam mundësi. Kam një dëshirë të madhe ta shoh botën, të njoh vende, njerëz dhe kultura të ndryshme.

Por të udhëtosh është një gjë, ndërsa të gjesh vendin ku ndihesh në shtëpi është diçka tjetër.

 

Nga të gjitha vendet, Norvegjia është vendi ku jam ndier më e sigurt dhe ku kam gjetur qetësinë time. E dua natyrën, mënyrën e jetesës dhe ndjesinë e sigurisë që më jep ky vend. Ndonjëherë më duket sikur Norvegjia ishte krijuar edhe për një natyrë si e imja.

 

Ndihem me fat që sot shtëpia ime është këtu.

Botën dua ta shoh të gjithën, por në Norvegji dua gjithmonë të kem vendin ku kthehem.


Send this to a friend