Bashkëpunimi apo marrëveshjet ndërmjet fuqive të mëdha apo superfuqive qëndrojnë si një ligj i pandryshueshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërkohë që funksionaliteti i një bashkëpunimi të mundshëm kushtëzohet jo vetëm nga përkimi i interesave apo objektivave reciproke, apo edhe nga tradita edhe filozofia si përfaqësuese në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare e superfuqive apo fuqive respektive.
Zgjedhja e Donald Trump-it si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozimet për ndërhyrje subversive, por të sofistikuara ruse në funksion të fitores së tij si dhe inicimi i një hetimi të posaçëm nga prokurori special Robert Muellersi dhe ekipit të tij, të mandatuar nga institucionet amerikane, ngriti një valë spekulimesh e aludimesh në lidhje me kursin e ri të politikës së jashtme të administratës së re amerikane. Ndërsa në Europë dhe në rajone të tjera të botës, shqetësimi kishte të bënte me çështje të skemave të mëdha të diplomacisë botërore, e tillë, natyra, uniteti si dhe sfidat e reja të NATO-s, politika e re aziatike, amerikane apo modifikimet e qëndrimeve përkundrejt realiteteve komplekse të Lindjes së Mesme; përbrenda hapësirës shqiptare, në Shqipëri, më shumë sesa në pjesët e tjera të kësaj hapësire, u ngritën pretendime në formën e spekulimeve se një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi mund të diktohej më shumë se gjithçka tjetër nga një “koordinim” amerikano-rus si një risi në diplomacinë botërore, e cila ndërlidhej me situatën postzgjedhore presidenciale të 2016 në SHBA. Ndërkohë që në Shqipëri këto spekulime i detyrohen më shumë se gjithçka tjetër një kombinimi të një paditurie me një lloj dëshire dashakeqëse të disa “aktorëve”, të cilët një prirje e tillë do t’i rikonfrontonte në pozitat e tyre ende të pacenuara, në vigjilje procesesh juridike, të cilat në sfond kanë ndryshimin e rregullave të politikës aktuale.
Me të gjitha gjasat, nëpërmjet operacionit të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, ka pasur për synim më shumë se gjithçka tjetër nxitjen e një turbullire në SHBA në formën e një ndasie të brendshme. Duke vepruar sipas traditës së shtetarëve tradicionale rusë, pra i motivuar nga një hakmarrje historike, sipas së cilës SHBA-të duhej të mbaheshin si përgjegjës kryesorë për shthurjen e fuqisë dhe influencës së Rusisë leniniste si dhe zhvendosjen e pranisë së saj rrotull kufijve aktualë të Rusisë, Vladimir Putini nuk i kalibroi pasojat e këtij operacioni në një perspektivë afatgjatë. Një ndërhyrje e tillë do ta përballte atë dhe Rusinë me një reagim të institucioneve, pra, demokracisë amerikane, duke e shënjuar gjithashtu atë në memorien po të shoqërisë amerikane si një ngjarje që do të ushqejë natyrën e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në vitet apo dekadat e ardhshme.
Dhe paradoksalisht në këto momente, kur ende nuk është mbyllur hetimi përfundimtar për Presidentin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij përkundrejt mundësisë së pikëtakimeve të mundshme të tyre dhe “misionarëve” të Kremlinit, raportet amerikano-ruse janë në pikën e tyre më të ulët, që nënkupton pozitat e ngrira konfliktuale.
“Peng” të traditës së tyre, mendësitë mbizotëruese te të dyja shoqëritë, e bënin të vështirë kuptimin reciprok të filozofisë dhe normave nëpërmjet, të cilave trajtohen problematikat komplekse të diplomacisë ndërkombëtare. Teksa Vladimir Putini projektonte ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016, duhet të përllogariste se cili do të ishte rezultati, përmbysja e një tradite e mendësie kërkonte të njëjtën hapësire kohore, që prej kur ajo ekziston ose mund të jetë thjesht mision i pamundur.
Rezultoi se aktualisht, pothuajse të gjitha dosjet e diplomacisë botërore, duke startuar nga problemet me Iranin, duke kaluar në krizën e tejzgjatur, por vendimtare në Ukrainë, duke kaluar tek ajo e Venezuelës apo rritja e potencialit ushtarak amerikan në Poloni si dhe në zona të tjera strategjike në Europë, të gjitha sfidat e sipërpërmendura, duke përfshirë edhe problemin Kosovë-Serbi, nuk janë kurrsesi një nënprodukt i ndodhive aktuale, por prodhime të një procesi historik, i cili tashmë ka kaluar në një etapë pasuese. Premisat e mësipërme në lidhje me ecurinë dhe rezultatet e këtij procesi shmangin spekulimet për një koordinim të fshehtë amerikanorus apo atë të një lobingu “intensiv” të Serbisë pranë elementëve kyç me një peshë caktuar në administratën Trump në trajtimin e ecurisë së problemit shqiptaro-serb, i cili mishërohet në marrëdhëniet Kosove-Serbi si dhe projeksionet për një marrëveshje definitive. Në këtë drejtim, SHBA-ja dhe Rusia do të reflektojnë traditën dhe filozofinë autentike të trajtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të kombinuara me interesa të mirëfillta gjeopolitike. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta miratonin një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, në të cilën do të reflektohej një zgjidhje që u shkon për shtat skemave gjeostrategjike të Amerikës në rajon, e cila në thelb synon integrimin e rivalëve problematikë në NATO si dhe në BE, si garant i ruajtjes të një strukture rajonale të mbështetur në ekuilibra reciprokë si dhe detyrimet e aderimit po në këto aleanca.
Mirëpo, duke iu përmbajtur traditës e filozofisë amerikane, i gjithë ky proces i zgjidhjes së problemit Kosovë-Serbi nuk duhet të pasqyroje kurrsesi kalkulimet e një sipërmarrje të pastër të real-politikës, ku gjithçka vërtitet mbi përfitimet dhe rikompensimet, por edhe duhen të marrë në konsideratë disa norma të etikës që asociohen jo vetëm me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me vullnetet popullore, megjithëse se sfidat në Ballkan janë të veshura me dukuri specifike.
Rusia, nga ana e saj, do t’i peshojë gjasat dhe rezultatet e një marrëveshjeje KosovëSerbi në mënyrë strikte në përshtatje me pikëpamjen e saj gjeopolitike ndaj Ballkanit, e cila orientohet mbi këto hipoteza: -Në përfundim të kësaj marrëveshje, do të rrezikoheshin pozitat e influencës aktuale ruse në Serbi, si pika e saj kryesore mbështetëse në Ballkan?
-A do t’i shërbente kjo zgjidhje shtrirjes dhe konsolidimit të skemave amerikane në Europë?
Në kontrast me SHBA-në, Rusia privilegjon në këto raste më tepër një analizë si dhe një përfitim strategjik gjakftohtë sesa një marrje në konsideratë të asaj që quhet si qëndrimi popullor në përcaktimin e marrëveshjeve vendimtare. Për më tepër, nëse mundësia përvijohet, diplomacia ruse do t’i paraqesë precedentët e rastit të Kosovës si një referencë për problematikat gjeopolitike rrotull saj, në zhvillim e sipër.
Fuqitë demokratike të globit, e tillë SHBAtë, shquhen për nga një karakteristikë, krahasimisht me fuqitë jodemokratike, atë të kontinuitetit të traditës. Të mbështetura mbi norma e principe demokratike prej ku buron edhe mendësia e të vepruarit edhe në politikën e jashtme, pra, filozofia e tyre e marrëdhënieve ndërkombëtare, cilado qoftë përmasa e ngjarjes dramatike që përjetohet, vazhdimësia në trajtimin e sfidave të politikes së jashtme nuk ndërpritet. Ato shihen si etapa të caktuara të një procesi historik dhe shqyrtohen duke u mbështetur mbi norma që përbëjnë traditën dhe filozofinë e politikës së jashtme amerikane. Nëpërmjet këtij filtri po kalojnë të dyja proceset, me të cilat po përballet bota shqiptare; ai i një zgjidhjeje të pranueshme dhe përfundimtare të konfliktit Kosovë-Serbi si dhe ai i ecurisë së Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Që të dyja proceset, për nga natyra e sfidës, diferencohen nga njeri-tjetri. Nëse në rastin e Kosovës përmbajtja e sfidës imponon edhe nuanca pragmatike, në atë të Shqipërisë maniera të tilla nuk përfshihen. Aty bëhet fjalë për institucione të reja në një drejtësi të re, për të përmbysur ligjësitë e vjetra dhe antihistorike të politikës se tranzicionit shqiptar. Kjo sipërmarrje po realizohet nëpërmjet etapave të pandërprera dhe me një qëndrim të pandryshueshëm nga SHBA-të, duke i rrezuar një nga një spekulimet dhe aludimet, të cilat rrjedhja e ngjarjeve po i minimizon hap pas hapi, duke iu afruar kësisoj çeljes së etapës përfundimtare, asaj të “spastrimit” politik, e cila parashikohet të jetë unike.
*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Komentet