Wilhelm zu Wied dhe zonja e tij Sofia gjatë mbërritjes në Durrës, Shqipëri
Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Esat Pasha me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Kabinetin e tij qeveritar e përbënin: 1. Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova-Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina-Ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore.
Princ Vidi në fronin e Shqipërisë
Regjimi i Vidit u sanksionua nga Statuti Organik i Shqipërisë[2], (ligji i parë themelor i shtetit shqiptar), i cili u përgadit nga KNK dhe bazohej kryesisht në vendimet themelore të marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Sipas nenit 1 të këtij Statuti, shqipëria shpallej:”Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Me nenin 2, Fuqitë e Mëdha garantonin gjithashtu tërësinë dhe paprekshmërinë e tokave të Shqipërisë në kufijtë që kishin caktuar ato. Me nenin 3 shteti shqiptar do të ishte asnjanës dhe kjo asnjanësi garantohej po nga Fuqitë e Mëdha. . . Sipas nenit 7 në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane princi Vilhelm Vid, i cili ishte kryetar i administratës civile e ushtarake dhe kishte të drejtë të emronte Këshillin e Ministrave. Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja kombëtare. Gjuhë zyrtare dhe e detyruar në shkolla ishte shqipja. Nga ana administrative, Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe(prefektura), të cilat ndaheshin në kaza(nënprefektura)dhe kazatë në nahije(komuna). Statuti Organik i Shqipërisë caktoi institucionet e larta të shtetit, përbërjen e forcave të armatosura, të administratës, të financave, të drejtësisë, të arsimit. . . dhe garantonte ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomike, shoqërore e politike.
Me tu vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise . Por qysh në fillim ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje ai hyri në bisedime me qeverinë ”vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Dhe për këtë qëllim Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për shqipërinë e Jugut oficerin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Ky shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e ”vorio-epirotëve”, Karapanon. Tomsoni, duke ditur se Fuqitë e Mëdha, KNK dhe vet princ Vidi nuk donin të kishin shumë kokëçarje, u premtoi grekëve disa të ”drejta të veçanta” për popullsinë e ”Epirit të Veriut”. Kompromisi i Tomsonit ngjalli protesta të ashpra në rrethet patriotike shqiptare. Edhe qeveria e Durrësit/e Turhan Pashës/poashtu nuk e pranoi këtë kompromis, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra e komisarit dhe u shpreh kundër çdo lloj autonomie për krahinat e jugut.
Në këto rrethana trupat greke për t´i realizuar planet e veta (pasi ishin tërhequr nga Korça më 1 mars) natën, duke gdhirë 2 prilli 1914 bënë një puç-komplot të armatosur më qëllim të pushtimit të Korçës. Mirëpo xhandarmëria shqiptare nën komandën e majorit holandez G. Sneller dhe korpusi i vullnetarëve me qindra fshatarë nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit, intervenuan shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër e shtypën puçin e komplotistëve grek. Repartet e xhandarmërisë shqiptare pastaj vazhduan marshimin e tyre për të marrë në dorëzim Kolonjën, Leskovikun, Ersekun etj. Dështimi i puçit të Korçës, vendosmëria e forcave shqiptare për të kundërshtuar çdo veprim shovinist e antishqiptar si dhe qëndrimi i ftohtë i Fuqive të Mëdha ndaj planeve aneksioniste greke që shkelnin edhe vendimet e Londrës, e bindën më në fund qeverinë greke dhe Jorgji Zografin, se nuk ishte e lehtë të sigurohej”autonomia”e plotë e krahinave jugore. Prandaj ata fuqive të mëdha u paraqitën kërkesa më të zbutura, duke pranuar tani autonominë e Korçës dhe të Gjirokastrës pa i shkëputur ato nga Shqipëria, por me kusht që të administrohen nga një guvernator me origjinë të huaj, xhandarmëria të formohej nga popullsia vendase nën komandën e oficerëve grekë me origjinë”epirote”. . . etj. Në të vërtet qeveria greke e bëri këtë për të fituar kohë në përpjekjet e tija për pushtimin e Shqipërisë jugore.
Qeveria shqiptare e Durrësit i hodhi poshtë këto kërkesa dhe për më tepër ajo mori vendim që të organizoheshin sa më parë reparte të reja të armatosura për të dëbuar nga krahinat e jugut pushtuesit grekë dhe për të vendosur atje administratën shqiptare. Ndonëse përballë aleancave politike ushtarake evropiane(Antantës dhe Bllokut Qëndror)Greqia mbante ende një qëndrim të papërcaktuar, ajo përkdhelej nga të dya palët, sepse ato lakmonin pozitën e saj strategjike. Më 24 prill 1914 fuqitë e mëdha, e njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime”vorio-epirotëve”dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare u detyrua më në fund, më 5 maj, t´ia besonte KNK zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve”vorio-epirot” u mbajtën në Korfuz.
Ato filluan më 10 maj dhe përfunduan më 17 maj me nënshkrimin e një protokolli, e që u quajt ”protokoli i Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. KNK pranoi gjithashtu edhe kërkesën e Spiromilos për t´i njohur krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej tani në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Meqenëse Italia luftoi energjikisht për arritjen e marrëveshjes së Korfuzit, për shkak të interesave të veta në Vlorë, Venizellua e kënaqi kërkesën e saj, duke i paraqitur parlamentit grek më 18 maj, projektligjin mbi lëshimin e Sazanit shtetit shqiptar dhe ky projektligj u miratua më 27 maj. Protokolli i Korfuzit do të fuqizohej pasi të ratifikohej nga qeveria shqiptare(më 23 qershor 1914) dhe nga qeveria”vorio-epirote” si dhe pasi të miratohej formalisht nga gjashtë fuqitë e mëdha. Njoftimi mbi nënshkrimin e marrëveshjes së Korfuzit e cila ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar, shkaktoi një indinjatë të thellë në tërë Shqipërinë.
Komentet