PRISHTINË – Më një paradë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) ka vazhduar shënimi i përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Para fillimit të paradës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qytetarëve të vendit ua uroi 11-vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se ushtarët e FSK-së janë krenaria e Kosovës dhe dëshmia më e mirë e suksesit dhe përparimit të vendit.
“Vetëm 11 vjet më parë u nisëm bashkë në rrugën e konsolidimit të Republikës së pavarur të Kosovës, dhe sot para nesh kemi një ushtri profesionale multi-etnike, e cila ka për qëllim të mbroj shtetin më të ri në Evropë dhe në botë, dhe të jetë e gatshme të kontribuojë për paqen në rajon dhe botë”, tha Thaçi.
Sipas tij, vendimi për të formuar ushtrinë ishte një mesazh legjitim historik. Presidenti i Kosovës tha se shtegu i ndërtimit të shtetit kërkonte mençuri dhe durim, dhe të dish se kur duhet të marrish vendime strategjike dhe kur të bësh kompromise.
“Duhet të arrijmë marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse, të përhershme me Serbinë, që siguron njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE. Jo për të harruar të kaluarën, por për të mos lejuar që të përsëriten vuajtjet dhe tragjeditë e kaluara”, tha Thaçi.
Ai tha më tej se në rrugën drejt ndërtimit të Kosovës, është i pazëvendësueshëm partneriteti me SHBA-të dhe me BE-në, si dhe me vendet e Evropës dhe ato të NATO-s.
Ky partneritet, tha më tej Thaçi, është i bazuar në parime dhe vlera të përbashkëta, dhe se Kosova gjithmonë doli fituese kur ishte përkrah partnerëve të saj strategjikë.
Pas kësaj vijoi një paradë ushtarake nga sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Ibrahim Rugova”, ku morën pjesë shumë qytetarë.
Para paradës ushtarake u mbajt një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës në të cilën folën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
Haradinaj tha se populli shqiptar është një popull që ka dhënë kontribut në Ballkan, por edhe në kontinentin e Evropës, popull i cili ka paguar çmimin e të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar kontinenti në shekullin e kaluar.
“Gjithë ne do të punojmë në vazhdimësi për konsolidimin e shtetit tonë, dhe do të punojmë për marrëdhënie të mira me fqinjët, me të gjithë. Jemi të interesuar për një marrëveshje tashmë të ditur të quajtur obligative dhe ligjore për njohje reciproke me Serbinë me kufijtë ekzistues dhe po ashtu jemi të interesuar në avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, tha Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit, Veseli, theksoi se secili vendim mbi Kosovën do të jetë shtetëror dhe institucional, dhe jo personal apo partiak.
“Në dialog nuk shkojmë vetëm për marrëveshje me Serbinë. Ne dialog shkojmë sepse rruga jonë, përcaktimi ynë, është që çdo mosmarrëveshje ta zgjidhim në mënyrë paqësore. Dhe po ashtu si shtet i pavarur dhe sovran marrim mbi vete edhe obligimet që përmban për ne ky sovranitet karshi rajonit dhe partnerëve tanë strategjikë si SHBA-të dhe BE”, ka thënë Veseli.
Veseli tha se Serbia ka merituar taksat nga shkaku i sjelljes së saj ndaj Kosovës, por se tashmë duhet menduar në mënyrë racionale dhe që vendimi lidhur me taksat duhet të jetë në përputhje me interesat strategjike të vendit në raport me Serbinë, por edhe në lidhje me SHBA-të dhe BE-në .
Në paradën ushtarake, si dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori William Walker, si dhe ambasadorë të vendeve mike të Kosovës.
Komentet