VOAL

VOAL

Deklarata e Pavarësisë niset për në qendrat kryesore të Kosovës

February 16, 2019

Komentet

UGSHPD bisedon në studio me deputeten e pavarur Mariana Koçeku: Mbështetja ndaj të rinjve lidhet me përgatitjen e një klase të re politike, me horizonte të gjera dhe orientim të fortë euroatlantik

Bisedë në studio me deputeten e pavarur Mariana Koçeku

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës

Alba Kepi: Mirë se vini në rubrikën tonë “Bisedë në studio”, zonja Mariana Koçeku. Ne jemi Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, i krijuar në qershor 2021 me misionin për të kontribuar në informimin sa më profesional të opinionit publik shqiptar, mbi parimin e së vërtetës dhe në shërbim të demokracisë.

Në këtë rubrikë ftojmë deputetë, analistë dhe figura me ndikim në opinionin publik dhe në zhvillimet politike, sociale e ekonomike të Shqipërisë.

Në këtë bashkëbisedim marrin pjesë anëtarët e bordit drejtues të Unionit: presidentja Elida Buçpapaj, Skënder Buçpapaj, nënkryetari Artan Kutra, Genc Burimi, Ardian Murraj dhe unë, Alba Kepi.

Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, në maj 2025, Unioni ynë kishte statusin e vëzhguesit dhe i ndoqi nga afër zgjedhjet, veçanërisht për shkak të aplikimit për herë të parë të votës së diasporës.

Faleminderit që pranuat ftesën tonë.

“Neomalësorja” dhe rruga drejt politikës

Elida Buçpapaj: Mariana, ju jeni një vajzë e re 25 vjeçare që keni lindur në Dukagjin, një margaritar i natyrës shqiptare, me ekosistem genuin ku gërshetohet kultura shpirtërore, me emra si Lek Dukagjini, Besa Shqiptare e Cikli i Kreshnikëve dhe kultura materiale si xhubleta Trashëgimi e Unesco-s apo lahuta, një krahinë krejtësisht e masakruar gjatë diktaturës dhe izoluar gjatë tranzicionit. Ju u identifikuat me projektin “Neomalësore”, një nismë ekologjike dhe turistike që synon të ndërthurë modernen me autenticitetin e zonës dhe u shdërruat në një simbol të rinisë së shkolluar që e le Europën për t’ju kthyer rrënjëve e për të shërbyer si shembull për rikthimin e rinisë shqiptare, si apel për ta shpëtuar Atdheun nga shpopullimi e zhbërja. Më pas ky projekt u bë edhe një lloj paradhome drejt politikës. Çfarë përfaqëson për ju “Neomalësorja”? A mund të vazhdojë kjo lëvizje edhe tani që jeni deputete e pavarur? Dhe a ka lidhje me biznesin tuaj familjar?

Mariana Koçeku: Së pari dua t’ju falënderoj shumë për ftesën dhe për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi tema me interes publik dhe kombëtar.

Unë vij nga Dukagjini. Aty kam lindur dhe jam rritur me prindërit e mi, ashtu siç janë rritur edhe paraardhësit tanë. Është një trevë jashtëzakonisht historike dhe e pasur në aspektin etnografik e antropologjik. Në dy shekujt e fundit, shumë të huaj, antropologë, studiues e diplomatë, kanë shkruar për këtë trevë, shpesh më shumë sesa vetë shqiptarët.

Pikërisht këto studime më kanë zgjuar interesin dhe dashurinë për vendin tim.

Jam rritur në breg të Drinit, pranë liqenit të Komanit. Babai im ka qenë kapiten dhe ka kontribuar në ndërtimin e hidrocentralit. Gjithmonë kemi pasur një varkë pranë shtëpisë. Nëse do të përmblidhja simbolet e fëmijërisë sime, do të ishin mali, kulla dhe varka. Me to jam rritur dhe ato kanë qenë pjesë e identitetit tim.

Pasi studiova shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Tiranë dhe një pjesë të studimeve në Itali, vendosa të kthehem në vendlindje dhe të merrem me një pronë të vogël që më kishin lënë trashëgim gjyshi dhe babai.

Ideja e “Neomalësore” ka brenda të vjetrën dhe të renë. Kam dashur të krijoj një përplasje, por edhe një bashkëjetesë mes tyre, sepse besoj se e vjetra e ka gjithmonë brenda vetes të renë.

Qëllimisht kam dashur ta ruaj sa më autentike, pranë identitetit të zonës. Për mua ka qenë edhe një mënyrë reflektimi dhe kujtese për atë që kanë kaluar të parët tanë për të mbijetuar në ato zona, larg vëmendjes dhe investimeve të sistemeve politike.

“Neomalësorja” më ka rritur jashtëzakonisht shumë, ashtu siç besoj se edhe unë e kam rritur atë me kalimin e kohës. Është krijimi im, të cilin e nisa pasi u ktheva nga studimet, me mbështetjen e madhe të familjes, veçanërisht të nënës sime.

Kemi pritur turistë nga e gjithë bota, nga universitete prestigjioze evropiane deri te njerëz të industrisë së filmit. Është një punë e bërë me shumë pasion, që synon të ndërgjegjësojë komunitetin tim, sidomos brezin tim, mbi vlerat e atij vendi.

Braktisja e Dukagjinit nuk ka ardhur nga dëshira e banorëve, por nga halli dhe mungesa e kushteve bazike për të jetuar.

Përfshirja ime në politikë erdhi gradualisht si rrjedhojë e asaj që kisha ndërtuar me “Neomalësoren”. Projekti u promovua edhe në media ndërkombëtare dhe më pas pata disa oferta politike.

Pranova për dy arsye kryesore: harresën ndaj komunitetit të Dukagjinit dhe mungesën e infrastrukturës, shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe shumë shërbimeve të tjera; dhe, së dyti, dëshirën për t’u angazhuar si një vajzë e re në një komunitet ku mundësitë për gratë dhe të rinjtë kanë qenë shumë të kufizuara.

Këto ishin arsyet që më shtynë të angazhohesha politikisht dhe të kandidoja për deputete me Partinë Socialiste.

Nga deputete e PS-së te deputete e pavarur

Alba Kepi: Ju qëndruat dhjetë muaj si deputete e Partisë Socialiste. Sot jeni deputete e pavarur. Cila ishte ngjarja apo çështja që Ju shtyu të ndërprisnit këtë rrugëtim brenda PS-së?

Mariana Koçeku: Kam qëndruar dhjetë muaj si deputete e Partisë Socialiste dhe tashmë prej disa muajsh jam deputete e pavarur.

Para angazhimit politik kam qenë aktive në çështjet mjedisore. Në vitin 2018 kam qenë ndër organizatorët dhe aktivistët e protestës studentore për përmirësimin e arsimit të lartë shqiptar. Në kohë kam ndërmarrë edhe aksione mjedisore për Drinin dhe për problematika të tjera të lumenjve dhe zonave rurale e urbane.

Vetë projekti im ka qenë thellësisht ekologjik, i bazuar në një lidhje të fortë me natyrën, komunitetin dhe prodhimtarinë lokale.

Kur hyra në Kuvend, tentova të ndërmarr disa nisma, veçanërisht për Drinin. E njoh shumë mirë atë zonë dhe e di se sa e izoluar ka qenë.

Sot turizmi ka sjellë një ringjallje të madhe, falë edhe përpjekjeve të banorëve. Por pikërisht në këtë moment kur zona po përjeton zhvillim, përballemi me ndotje masive që vjen nga zona të ndryshme, përfshirë edhe përtej kufirit.

Kjo kërkon një aksion urgjent të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një tjetër moment i rëndësishëm për mua ishte ajo që ndodhi në Rrjoll dhe veçanërisht në Zvërnec. Për mua ishte një sinjal shumë i qartë mbi mënyrën se si po trajtohen zonat e mbrojtura dhe natyra shqiptare.

Mjedisi është thelbi i qenies sime politike.

Protesta që nisi në fund të majit më bëri të reflektoj se unë mund ta përmbush më mirë rolin tim si deputete duke qenë e pavarur sesa pjesë e një formacioni politik me të cilin nuk bashkëndaj më disa qëndrime.

Protesta më ka frymëzuar dhe më ka udhëhequr drejt funksionit tim si deputete. Besoj se si e pavarur mund t’i ushtroj më plotësisht kompetencat që Kushtetuta i njeh deputetit.

Veriu, shpopullimi dhe mungesa e investimeve

Skënder Buçpapaj: Politika ndaj veriut të Shqipërisë ka qenë historikisht një çështje e ndjeshme. Rajoni vazhdon të ketë probleme të mëdha infrastrukturore dhe shpopullimi.

Si e shikoni politikën ndaj veriut dhe çfarë do të duhej të ndryshonte?

Mariana Koçeku: Kam vënë re një mungesë të theksuar vëmendjeje dhe veprimi, sidomos në zonat rurale. Kjo ka çuar në një shpopullim shumë të madh, veçanërisht të moshave të reja.

Në zonën ku jam rritur ka tre hidrocentrale: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Megjithatë unë jam bërë 22 vjeçe pa pasur energji elektrike në shtëpi.

Agroturizmin tim e kam nisur pa energji elektrike. Edhe ardhja e energjisë elektrike në dy vitet e fundit ka ardhur përmes një iniciative dhe bashkimi të komunitetit dhe me investimet e vetë banorëve, jo të shtetit.

Nëse marrim parasysh edhe qarkun e Kukësit, i cili përballet me probleme të mëdha ekonomike pavarësisht pasurive natyrore, është legjitime të ngrihet pyetja mbi mënyrën se si shpërndahen burimet dhe financat publike në territor.

Për të ndryshuar situatën duhet të ndërhyhet në disa drejtime: arsim, energji elektrike dhe infrastrukturë. Pa rrugë dhe pa lidhje mes komuniteteve nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm.

Është e rëndësishme edhe ndërgjegjësimi qytetar.

E vlerësoj shumë kontributin e diasporës. Diaspora, veçanërisht ajo në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm përmes remitancave, kontributit kulturor e social, por edhe duke ndërtuar institucione dhe vepra publike që shpesh duhej t’i kishte ndërtuar shteti.

Do të duhej një vullnet më i madh politik dhe bashkëpunim më i fortë mes komuniteteve, përtej ngjyrave politike, për të kërkuar atë që u takon.

Çfarë vlere ka “kartoni” i një deputeti të pavarur?

Ardian Murraj: Si e keni përjetuar ndryshimin nga mazhoranca në pozicionin e deputetes së pavarur? Çfarë vlere ka vota e një deputeti të pavarur në një parlament ku në fund vendos shumica?

Mariana Koçeku: Të qenit deputete e mazhorancës të jep privilegje dhe akses më të madh. Por ky komoditet nuk ka qenë kurrë fokusi im.

Kalimi në statusin e deputetes së pavarur bazohet në vlera dhe parime. Sot kam diçka shumë të rëndësishme: lirinë për të vepruar në bazë të ndërgjegjes dhe bindjeve të mia.

Do të votoj për ligje dhe qëndrime politike që besoj se janë në të mirën publike dhe në të mirën e qytetarëve.

Në këtë mënyrë mund t’i ushtroj më plotësisht kompetencat që më njeh Kushtetuta.

Mendoj gjithashtu se Shqipëria duhet të përdorë më shumë mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë, përfshirë referendumin. Mund të marrim si referencë Zvicrën.

Besoj se qytetarët shqiptarë janë të gatshëm për një kulturë më të drejtpërdrejtë demokratike.

A do të krijojë një parti politike?

Artan Kutra: Protesta ka vijuar për një kohë të gjatë. Nëse kjo lëvizje do të merrte një formë politike, a do të ishit Ju në krye të një partie të re?

Mariana Koçeku: Unë nuk kam pasur dhe nuk kam pretendim mbi protestën apo mbi ecurinë e saj. Protesta më ka motivuar mua dhe më ka udhëhequr në veprimet e mia politike.

E kam mbështetur me pjesëmarrje, por edhe në institucione ndërkombëtare dhe në mediat ndërkombëtare.

Nuk mendoj se fitorja e protestës është domosdoshmërisht krijimi i një formacioni politik. Ajo ka pasur edhe fitore sociale e politike, sepse ka krijuar një kulturë të re proteste.

Nëse në të ardhmen kjo protestë do të përkthehej në një formacion politik, do ta mbështesja, sepse besoj shumë te të rinjtë që janë pjesë e saj.

Nëse unë do të jem pjesë apo jo, nuk mund ta them. Unë tashmë kam një funksion politik: tribunën e parlamentit.

Tre vitet e ardhshme si deputete e pavarur

Genc Burimi: Nëse nuk ktheheni në PS dhe nuk i bashkoheni një partie të re, çfarë alternative shikoni për të ardhmen politike?

Mariana Koçeku: Vendimi im është që deri në fund të këtij mandati të vazhdoj si deputete e pavarur.

Besoj se në këtë mënyrë e kryej më mirë funksionin tim, pa militantizëm politik, duke qenë zë i kauzave qytetare.

Nuk e përjashtoj ekzistencën e mundësive të tjera politike në të ardhmen, por dua të ec me hapa të sigurtë, siç kam bërë deri tani.

Për sistemin elektoral dhe listat e mbyllura

Unë mendoj se duhet bërë një dallim i qartë midis asaj që është politike dhe asaj që është partiake.

Partiakja është shumë më e kufizuar. Ndërsa vetë gjendja njerëzore është politike.

Nuk kam besim të mirëfilltë te ndonjë parti politike që më përfaqëson ashtu siç mendoj se duhet, mua dhe qytetarët shqiptarë.

Edhe sistemi ynë elektoral nuk e konsideroj aspak demokratik në formën aktuale. Unë vetë jam rezultat i listave të mbyllura, por jam kundër listave të mbyllura.

Shqipërisë i duhet një sistem më i hapur, ku qytetarët të kenë rol më të madh në përcaktimin e kandidatëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Shpesh kemi parë në Kuvend figura që nuk flasin, nuk marrin kauza dhe krijojnë një boshllëk të madh mes përfaqësimit dhe qytetarëve.

Për atë që do të ndodhë pas tre vitesh, do të vendosin koha dhe qytetarët.

A ka një program politik për të ardhmen?

Genc Burimi: Të bësh politikë do të thotë të parashikosh dhe të kesh një vizion. A e keni menduar se ku do të jeni pas dy apo tre vitesh?

Mariana Koçeku: Roli i deputetit nuk është domosdoshmërisht të krijojë subjekte politike.

Kemi parë shumë subjekte politike të krijuara në Shqipëri. Nuk kam asgjë kundër krijimit të alternativave të reja, por nuk do t’ia falja vetes që të ngutesha.

Kam vetëm një vit në politikë dhe besoj se çdo njeriu i duhet kohë për t’i dëshmuar vetes dhe qytetarëve se çfarë është i aftë të bëjë politikisht dhe institucionalisht.

Roli i deputetit është të flasë në parlament, të jetë aktiv në komisione, të propozojë nisma ligjore dhe të jetë në kontakt me realitetin e komuniteteve.

Nuk kam frikë. Po të kisha frikë, nuk do të kisha marrë vendimet politike që kam marrë deri tani.

Nuk jam vetëm. Politikisht nuk mund të jesh kurrë vetëm. Njerëzit do të vendosin nëse identifikohen apo jo me atë që bëj dhe them.

Protesta, ndryshimi dhe roli i diasporës

Elida Buçpapaj: Ju simbolizoni GjenerataZ – që në Shqipëri është edhe shtylla kryesore e protestës, a do të na sjellë kjo gjeneratë, ndryshimin e kërkuar politik, kur kryeministri si darë e shtetit vazhdon shtrëngimin për t’ja marrë frymën shoqërisë dhe protestës, me censurë, me polici, me të gjitha mjetet e mundêshme e të bollshme që i ka shteti, i akuzuar rëndom për lidhjet e tij me të fortët e krimit të organizuar? Protestuesit thonë se ky Parlament nuk i përfaqëson. Shqiptarët dhe diaspora kërkojnë ndryshime thelbësore. A i bashkoheni kësaj pritshmërie dhe si mund të ndodhë ndryshimi?

Mariana Koçeku: Mendoj se shqiptarët nuk duhet të presin më. Kanë pritur mjaftueshëm dhe kjo pritje ka prodhuar edhe një lloj pasiviteti.

Nevojitet një mprehje e vetëdijes individuale, komunitare dhe qytetare.

Bashkimi i diasporës me kauzat qytetare dhe jehona e tyre në mediat ndërkombëtare ka sjellë edhe vëmendje institucionale.

Diaspora është parë shpesh si një aset elektoral. Mendoj se nuk është parë sa duhet si një burim kapacitetesh, profesionalizmi dhe përvoje që mund t’i shërbejë zhvillimit të vendit.

Kjo duhet të ndryshojë.

Kemi një momentum politik që nuk duhet nënvlerësuar. Protesta duhet të mbështetet me konsistencë dhe qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj asaj që bëjnë institucionet dhe përfaqësuesit e tyre.

Edhe mosveprimi është politik.

A e shihni veten në pushtetin lokal apo në Evropë?

Alba Kepi: Ju jeni shumë e lidhur me territorin tuaj. A e keni menduar ndonjëherë që kontributi Juaj mund të ishte më konkret në pushtetin lokal, në një këshill bashkiak apo në drejtimin e një bashkie? Apo e shihni veten në një të ardhme të largët në Parlamentin Evropian?

Mariana Koçeku: E respektoj shumë rolin e deputetit dhe forcën demokratike që mund të ketë për ndryshime shoqërore e politike. Ndihem mirë në këtë format përfaqësimi.

Nuk e kam konsideruar përfaqësimin lokal si një objektiv të afërt. Aktualisht jam e fokusuar në atë që jam dhe në rritjen graduale të cilësisë së përfaqësimit që ofroj si deputete.

Uroj që shumë të rinj të përgatitur të bashkohen në parlament, të rinj që janë larg militantizmit partiak dhe më të frymëzuar nga nevojat qytetare dhe mendësia evropiane.

Mendoj se Shqipëria nuk ka qenë kurrë në krizë për figura profesionale dhe me integritet. Ka qenë më shumë në krizë për lidership me kapital moral.

Jam optimiste për të ardhmen, sepse shqiptarët që kanë jetuar jashtë kanë një referencë të drejtpërdrejtë se si funksionon një shoqëri demokratike dhe e shëndetshme.

Kjo rrit edhe kërkesat dhe pritshmëritë ndaj politikës shqiptare.

Çfarë kërkon Perëndimi nga brezi i ri shqiptar?

Elida Buçpapaj: Duke ju ndjekur aktivitetet tuaja vë re se jeni shumë e ftuar dhe e mirëpritur si nga mediat europiane, ( në parantezë, marr si shembull intervistën tuaj në Revistën britanike më të vjetër të botës The Spectator, ku një nga ish kryeredaktorët ka qenë ish kryeministri Boris Johnson),  ashtu edhe nga ftesat në vendet e zonës Euro-Atlantike, sapo jeni kthyer nga Brukseli, kishit ftesë nga parlamenti belg. Ju ishit e ftuar po ashtu në Forumin Strategjik të Bledit, Slloveni, ku u diskutua siguria, demokracia dhe e ardhmja e Ballkanit, kur për mendimin tim demokracia në Shqipëri është e nivelit nën zero, në Bled u takuat edhe me kryeministrin hungarez Péter Magyar, që simbolizon erën e re që largoi  Orban, i të njëjtit lloj me Vuçiq, Robert Fiko apo Edi Rama? A mund të na tregoni se çfarë pret Perëndimi nga ju si pjestare e gjeneratës së re shqiptare?

Mariana Koçeku: Kam qenë pjesë e disa tryezave dhe takimeve me liderë dhe institucione politike perëndimore, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Perëndimi po i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit, por edhe fuqizimit të të rinjve.

Duke pasur parasysh sistemet dhe kulturat politike që kanë kaluar vendet tona, ekziston bindja se brezi i ri mund të jetë më pak i ndikuar nga këto mentalitete.

Mbështetja ndaj të rinjve lidhet me përgatitjen e një klase të re politike, me horizonte më të gjera dhe me një orientim të fortë euroatlantik.

Mendoj se edhe mbështetja që kam marrë lidhet me këtë kuadër.

Protesta pas më shumë se 100 ditësh

Skënder Buçpapaj: Si e shikoni protestën sot, krahasuar me fillimet e saj?

Mariana Koçeku: Protesta ka qenë në kulmin e saj kur unë isha në Bruksel, pak ditë pas largimit tim nga Partia Socialiste.

Ka pasur një rënie natyrale të vrullit dhe pjesëmarrjes, sidomos pas një vere me temperatura shumë të larta. Por ajo që ka rëndësi është se protesta vazhdon.

Ajo ka vazhduar çdo ditë, pa ndalesë, dhe kjo e bën një shembull të veçantë të rezistencës qytetare.

Për mua ka rëndësi edhe fakti që kjo protestë ka sjellë vëmendje ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, ndaj çështjeve mjedisore dhe ndaj diskutimit për zonat e mbrojtura.

Alba Kepi: Zonja Koçeku, ju falënderojmë për këtë bisedë.

Mariana Koçeku: Faleminderit shumë. E shijova shumë këtë bisedë. Jam mirënjohëse që pata mundësinë t’ju takoj, edhe pse virtualisht, dhe shpresoj që të kemi mundësi të takohemi edhe fizikisht në Tiranë apo në vendet ku jetoni përtej kufijve të Shqipërisë.

Ju falënderoj të gjithëve për këtë bashkëbisedim.

Dorëheqja e Ramës kërkesë e panegociueshme- 115 ditë qëndresë! Qytetarët sërish në shesh, protestë kundër qeverisë: Shqipëria kërkon revolucion, ju erdhi fundi

Mbahet sot protesta e 115 kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë.

Sot bëhen 115-të qëndresë, revoltë, rezistencë.

Protesta e 115-të pritet të vijojë me të njëjtin format, me grumbullimin e qytetarëve, fjalimet e aktivistëve dhe më pas marshimin në rrugët e Tiranës.

Në protestat e ditëve të fundit janë dëgjuar sërish thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Shqipëria po bën revolucion”.

Protestuesit kanë mbajtur gjithashtu pankarta me mesazhe kundër korrupsionit dhe për ndryshimin e mënyrës së përfaqësimit politik.

Një prej mesazheve të përsëritura gjatë marshimeve ka qenë edhe “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare.

Në ditët e fundit, aktivistët kanë ngritur gjatë fjalimeve edhe çështje të tjera politike, mes tyre ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, mënyrën e përfaqësimit në Kuvend, Reformën Territoriale, zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.

Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave dhe të marshimeve në kryeqytet.

Qëndresa e përditshme, sipas tyre, do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet në qendër të tubimeve. bw

UGSHPD: KËSHTU I SHFAROSIM ZOGJTË!

 
Në qoftë se:-“… para pak muajsh kur isha në Strasburg fola për Zvërnecin  si deputet i Vlorës do të doja të flisja përpara kolegëve si edhe të atyre të opozitës edhe për banorët e kësaj zone dhe se si ata e përjetojnë e atë që ne synojmë të gjithë që është zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë tonë. Për familjet që presin prej vitesh certifikatën e pronës dhe për të rinjtë që kërkojnë punë të mirëpaguar që ata të qëndrojnë  në Vlorë, për sipërmarrësin që kërkon të investojë (e pse jo), pse duket  këtu  që jemi mbledhur që të kërcënojmë sipërmarrësit dhe jo t’i mirëpresim dhe për banorët që detyrimisht nuk pranojnë që zhvillimi të cenojë natyrën  qoftë edhe dinjitetin”, kështu e çeli diskutimin e tij ish Ministri i Mbrojtjes  Pirro Vengu në Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipëri Bashkimi Evropian.
Terminologjia e zgjedhur prej deputetit socialist i prek pjesërisht problemet.
Kemi edhe një ‘element’, të pestë.
Janë shpendët!
Qindra mijë autoktonë dhe miliona që emigrojnë përjetësisht duke folenizuar dhe duke u riprodhuar në Lagunën e Nartës.
Siç transmetohet me këtë pjesë ligjërimi, flitet për deputetin në një territor si Vlora dhe në Strasburg BE-në.
Paralelizohet detyra me fjalën kolegë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, pra Kuvendin e RSH dhe BE-në.
Flitet për problemet siç janë banorët, familjet, çështjet e pronësisë (të pazgjidhura) dhe flitet për investime, rritje punësimi të popullatës dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Me një shikim dhe kuptim të shpejtë a mund të kapet se çfarë është lënë jashtë nga kjo metodë përgjithësuese?
Me siguri mund kuptohet infrastruktura turistike (rrugë, ujësjellës kabllo elektrikë dhe telekomunikacioni digjital), ndërtimet në Zvërnec dhe Sazan.
Ajo që nuk zihet tani me gojë mbetet Aeroporti i Vlorës i hedhur për zgjidhje gjyqësore ndërkombëtare.
Ndërsa ajo për të cilën nuk flitet fare janë burimet natyrore, flora dhe fauna, biodiversiteti dhe ekosistemi i Lagunës së Nartës dhe Lumi Vjosa deri në grykë derdhjen e vet.
Në se për këto nuk flitet atëherë çfarë presim të zgjidhet?!
Me vëmendje e kemi ndjekur trajtimin e propagandës shtetërore. Në 113 Ditë rresht për Protestën Qytetare shkruhet shabllon në lajme; “Vijon protesta…” dhe asnjë herë nuk harrohet fjalia “Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin ‘Skënderbej’ dhe nisën marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e … të protestave kundër investimit në Zvërnec”.
Ky është i vetmi konstatim dhe e vetmja hapësirë që politika dhe mediat pranë pushtetit i bëjnë protestës.
Sa për muajt e kaluar kur flitet për Strasburgun, në një deklaratë ai që është bashkë kryetar i Takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipëri Bashkimi Evropian, Taulant Balla shprehej në muajin Korrik, 2026:-Ekziston Parku Kombëtar i Vjosës dhe Parku i Nartës. Nuk janë një park i vetëm. Parku i Vjosës është zonë e mbrojtur 100 për qind dhe Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka një park të tillë. Në këtë aspekt duhet të mësoni prej nesh, jo të na jepni mësime.”*
Pra i është thënë në sy dhe me arrogancë Evropës:-“…duhet të mësoni prej nesh, jo të na jepni mësime”
A mund të presë publiku një qendrim më ndryshe se sa ky?
Sa për skemat përfituese se si u gjet “njolla e aeroportit ekzistues”, “ku u gjetën paratë” dhe se si “përfundoi në bllokim ndërkombëtar koncesioni” i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës që shkeli çdo parashikim dhe premtim, fitues del natyra. 
Do të jetë linja “Adriatik Flyway”*
Në se respektohen kërkesat për ndryshimin e Ligjit 21/2024 dhe në se zbatohen rezolutat evropiane për mjedisin, në vend të VIA-s Vlora mund të ketë Universitetin dhe Qendrën më të madhe studimore për Biodiversitetin, Florën dhe Faunën tokësore dhe ujore si dhe të shpendëve migratorë.
Duke ndjekur Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipëri Bashkimi Evropian mungesa e këtij trajtimi ra në sy sikurse edhe prania e profesionistëve mjedisorë të fushës.
Do të ishte një shembull edhe më i fuqishëm, angazhimi dhe protesta qytetare pranë mjediseve të takimit mes politikanëve vendas dhe atyre të BE-së.
Deputeti socialistë theksoi se:-“… një leksion i nxjerrë nga ditët e protestave është pikërisht ose gjykoj unë se duhet ndërtuar ai model ku qytetari është partner i zhvillimit dhe jo thjeshtë spektator…”
Po mirë more duhet thënë:-A e dëgjuat juve parlamentarë të nderuar publikun, apo edhe vetë me kartonat në duar keni hedhur poshtë ose keni kaluar çfarë ju është ofruar?!”.
Ju lutemi ta kurseni talljen…
Anuloni Ligjin 21/2024!
Strasburgu ka zbarkuar në Tiranë.
 
___
*ATSH
*Adriatic Flyways- korridori i fluturimeve të shpendve migratorë në Mesdhe.
Qendrime të UGSHPD
 
21 Shtator, 2021
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“Kombi na thërret” 114 ditë protestë, qytetarët mblidhen edhe sot para Kryeministrisë: Rama jep dorëheqjen!

Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon edhe këtë të hënë në Tiranë, duke hyrë në ditën e 114-të të qëndresës së përditshme të qytetarëve.

Pas protestës së 113-të të zhvilluar të dielën, ku qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, protestuesit rikthehen sërish në rrugët e kryeqytetit. Në tubimin e një dite më parë, mesazhet kryesore ishin kundër qeverisë, ndërsa një prej kërkesave të përsëritura ishte dorëheqja e kryeministrit.

Protesta e 114-të pritet të vijojë me të njëjtin format, me grumbullimin e qytetarëve, fjalimet e aktivistëve dhe më pas marshimin në rrugët e Tiranës.

Në protestat e ditëve të fundit janë dëgjuar sërish thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Shqipëria po bën revolucion”. Protestuesit kanë mbajtur gjithashtu pankarta me mesazhe kundër korrupsionit dhe për ndryshimin e mënyrës së përfaqësimit politik.

Një prej mesazheve të përsëritura gjatë marshimeve ka qenë edhe “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare. Në protestën e 113-të, pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, marshimin e morën në dorë studentët, gratë dhe vajzat.

Në ditët e fundit, aktivistët kanë ngritur gjatë fjalimeve edhe çështje të tjera politike, mes tyre ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, mënyrën e përfaqësimit në Kuvend, Reformën Territoriale, zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.

Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave dhe të marshimeve në kryeqytet. Qëndresa e përditshme, sipas tyre, do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet në qendër të tubimeve.bw

113 ditë protesta- Televizioni australian pasqyron revoltën e shqiptarëve kundër Ramës: Kërkohet dorëheqja e kryeministrit

Protestat qytetare në Shqipëri, që kanë hyrë në ditën e 113-të, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, protestat janë trajtuar nga SBS Dateline, programi australian i gazetarisë investigative, i cili ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri, ku mijëra qytetarë protestojnë në shesh për çdo natë.

Emisioni në fjalë sqaron se protesta nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të parashikuar në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe mënyrës së funksionimit të sistemit politik në Shqipëri.

Në prononcimet për gazetaren Jennifer Scherer, protestuesit shprehen se synojnë ndryshimin e sistemit dhe kërkojnë një reagim të fortë qytetar. “Ne po përpiqemi të sjellim një ndryshim sistemi. Kemi nevojë për një ndryshim thelbësor. Tani është koha”, shprehet një prej protestuesve.

Për emisionin ka folur edhe aktivisti Jurgen Shpërdhea, i cili ka argumentuar se Shqipëria ka potencialet e nevojshme për të qenë një vend i pasur. Ai ka vënë në dukje edhe pjesëmarrjen e fëmijëve në protestë, të cilët i janë bashkuar thirrjeve të qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama.

Protestues të tjerë kanë thënë se pjesëmarrja e tyre në tubime lidhet me dëshirën për të ndikuar në të ardhmen e vendit dhe për të kërkuar ndryshime politike.

Në emision është përfshirë edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Ai ka deklaruar se protestat nuk mund të përcaktojnë fatin e projekteve dhe zhvillimin e vendit, duke shtuar se kjo nuk do të ndodhë për sa kohë ai është në drejtimin e qeverisë.

“Përparimi në Shqipëri dhe projekti nuk mund të përcaktohen nga protestat në rrugë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jo sa kohë jam unë në krye”, citohet Rama. bw

Revolta kundër qeverisë nuk ndalet- Mbahet sot protesta e 113! Qëndresa vazhdon, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Tirana pritet të jetë sërish sot në fokus të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me zhvillimin e tubimit të 113-të radhazi.

Qytetarët pritet të mblidhen gjatë pasdites për të vijuar protestën dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Tubimi i sotëm zhvillohet vetëm një ditë pas protestës së 112-të, e cila u shoqërua me marshim në disa prej rrugëve të kryeqytetit dhe me thirrje kundër qeverisë.

Gjatë protestës së djeshme, qytetarët brohoritën “Edi Rama, jep dorëheqjen!”, “Arresto Ballukun, arresto Ramën!”, “Ju erdhi fundi!” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!”.

Protestuesit e konsiderojnë dorëheqjen e kryeministrit një nga kërkesat kryesore të tyre, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e qëndresës dhe pjesëmarrjen në protestat e radhës.

Protesta e 113-të pritet të nisë gjatë pasdites në Tiranë, ndërsa mbetet për t’u parë shtrirja e marshimit dhe itinerari që do të ndjekin protestuesit. bw

Qytetarët nuk e ndalin aksionin dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës, mbahet sot protesta e 112

Mbahet sot në Tiranë protesta e 112 kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish pasditen e sotme për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta vjen një ditë pas tubimit të 111-të, i cili u shoqërua me marshime në rrugët e kryeqytetit dhe me thirrje të forta kundër qeverisë.

“Edi Rama, jep dorëheqjen!”, “Arresto Ballukun, arresto Ramën!”, “Ju erdhi fundi!” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve gjatë tubimit të kaluar.

Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave.bw

UGSHPD: KAZINOJA E RILINDJES SOCIALISTE

(Klodiana Spahiu “All in”:-“… unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen”)

Ka shkelur fort me të majtën kur ka hipur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë Ministrja e sapo betuar e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale Klodiana Spahiu për të fituar jo vetëm besimin, por edhe për të ruajtur integritetin profesional që në rast se nuk e mban një zotim si ky:-” Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen”, e përforcojmë deklaratën; do të jap dorëheqjen.

Që prej 2009 në parlament me gjithë ndryshimet që Rilindja Socialiste e kryetarit dhe kryeministrit Rama ka bërë në përfaqësim numerik dhe në përmbajtje, përvoja 17 vjeçare e saj duket e dobishme në mandatin e 4 jo vetëm për besnikërinë e provuar, por edhe për bastin 2 milion dollarë (afërsisht me 26 milion lekë me kursin e këmbimit valutor), që hodhi në kazinonë socialiste që në interpelancën e parë gjatë ditës së Enjte 17 Shtator, 2026.

E bëjmë këtë krahasim me kazinonë pikërisht për të kuptuar një aspekt se si lidhen me paranë pushtetarët. Buxhetin dhe arkën e shtetit si dhe menaxhimin e financave nga ministrja përkatëse Spahiu, pas tre të dështuarve të njëpasnjëshëm Beqaj (arrest shtëpie), Manastirliu (e thirrur në SPAK dhe e promovuar si Kandidate për kreun e Bashkisë Tiranë), Sala (e sapo dorëhequr).

Kur paraja/korrupsioni hyn në mes krahasimi me kazinonë na i përcakton si duhet lojtarët dhe varësinë e tyre me lojën. Dikush mbetet, dikush rrezikon, të tjerë ushqehen dhe luajnë pa e kuptuar se e thellojnë borxhin për shkak të varësisë.

Varësia (adiction*) që njihet si term mjekësor nuk e ka më mirë kuptimin e saj se sa në lidhjet me paranë, korrupsionin dhe narkotrafikun për të cilat qeveria shqiptare është vënë në fokusin e organizatave ndërkombëtare të specializuara që luajnë një rol kryesor në parandalimin, hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme në mbarë botën  dhe sigurisht të medias në përgjithësi dhe asaj investigative në veçanti.

Befasohesh kur një interpelancë që fillon nga ana e ministres Spahiu ku deklarohen se janë vetëm 100 orët e para të uljes në tavolinë dhe se në se deri në fillim të 2027 po nuk e mbajti premtimin ajo do të largohet.

Kërkesa është në fakt prej kohësh nga publiku që të bëhet puna dhe të bëhet me cilësi dhe me humanizëm.

A e dini se në faqen e facebook-ut ministrja Klodiana Spahiu vetëm pas 100 orëve të para ka 9 segmente video ?

Kush i prodhon?!

Le të themi 7 deri tani në total pasi dy janë marrë nga faqja e Kuvendit, por të kujdesesh me 7 mesazhe propagandistike dhe t’i finalizosh ato me mbledhjen e “drejtuesve të institucioneve në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në të Premtet e çdo jave në orën 17:00 nën tematikën Prania Besnike”, kjo formë dhe veprim e tejkalon shkallën dhe cilësinë e patronazhimit. Ajo tregon se administratën, specialistët, mjekët dhe pacientët i kthen në aktorë të ideologjisë së Rilindjes Socialiste.

E turpshme që në 100 orët e para…

Duke e ndjekur me vëmendje këtë lojë dhe filma të shkurtër propagande facebook-u, tërhoqi vemendjen një mesazh që nuk i arrin takimet e së Premtes, por i shërben për sa ka mbetur në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pa një përgjigje, besojmë se duhet përforcuar pasi ngjan me zërin dhe kërkesat e fjalës së lirë në protestat e kryeqytetit plot 111 ditë. Pikërisht poshtë zyrës së kryeministrit dhe tryezës së kazinosë të kabinetit qeverisës. Një qytetar P.K shkruante ndër të tjera:-“Për personat me Aftësi të Kufizuar nuk kam patur asnjëherë përkrahje dhe që dr. Klodi e njeh mirë djalin që është 43 vjeç. Të shohim dhe mbajmë shpresën se historia e djalit tim është si nëpër filma”.

Në se kjo është një histori 43 vjeçare kthesa nga ministrja dhe justifikimi mund të jetë i kollajshëm. Në fakt është njësoj i barabartë me një nga më të freskëtit në ditët e para të protestës kur një prindi*, babai i një fëmije me status invaliditeti u arrestua gjatë shpërthimit të protestave pasi kërkonte ndihmë në pajisjet mjekësore që nuk i mbulonte pikërisht kjo ministri.

Histori të tjera dhe të ngjashme janë të shumta, por ajo që na lidh me çështjen është se ideologjizimi i pranisë besnike në pushtetin e rilindësve është një sistem që është hedhur dhe i ka aty themelet. Propaganda vetëm sa e lustron duke dhënë premtime. Ndryshimet janë zëvendësim lojtarësh e fytyra të reja që e provojnë kazinonë e kabinetit të kryeministrit. Boshatisin xhepat, futen në borxhe, detyrohen të përvetësojnë për të luajtur dhe “fatkeqësisht” kur kapen shkojnë pas hekurave pa e kuptuar adiction-in , varësinë nga pushteti.

‘All in’, tani është radha e Spahiut pas kurdisjes së 100 orëve dhe daljes së videoklipeve të para propagandistike.

Teksa punohej për këtë shënim një tjetër titull i ri u shfaq në facebook-un e ministrisë., Onkologjiku i QSUT.

Pa dashur të keqkuptohemi me rastin e pacientit në nevojë, fabula e videos propagandistike shënon:-“Nënë Liliana prej ditës së sotme po trajtohet në Spitalin Onkologjik në QSUT, pa qenë nevoja të udhëtojë vajtje-ardhje nga Elbasani”.

Tani për qartësim

Ku u gjet ky humanizëm?…

Ku ishte kjo empati e munguar?…

Çfarë ka ndodhur që nuk po i besojmë as syve pas 100 orëve të para?!

Në thelb do të sqarojmë jo dëshirën për të parë dorëheqjen në fillim të 2027 nëse ministrja Klodiana Spahiu nuk e mban premtimin pasi së pari kjo qeveri nuk shkon dot aq gjatë. Fjala është për propagandën dhe menaxhimin.

Janë dy rastet vetëm deri tani që duan vëmendje me ministren e sapo emëruar; 1- Check up falas nga mosha 70 dhe 2-PET Scan.

E para sipas video njoftimit fton esëll grup moshën për vizita falas nga ora 8-11 në Klinikën Nr.2 Tiranë. Pyetja sa do të jetë fluksi dhe si do të mbulohen kërkesat. Si do të sigurohet rradha e pritjes kur këtë moshë e angazhon që të paraqitet dhe ca më shumë esëll. Orari i bukur vendosur nga e Hëna në të Shtunën ka në mes edhe ditë e pranisë besnike ku padyshim vjelja e mesazheve do të frymëzojë për zgjedhjet e ardhshme.

E dyta PET Scan-i, ka me vete provën e menaxhimit me taksat dhe paratë e qytetarëve. Një pajisje profesionale kushton nga 200 mijë deri në 2 milion. Çdo qytet mund ta kishte atë bashkë me personelin në se qeverisja do ta kishte bërë punën edhe këto 13-14 vite.

Ka edhe një shembull të dytë menaxhues në qoftë se ka përkushtim dhe dëshirë për t’i shërbyer qytetarëve. Me një ose disa pajisje PET-Scan të lëvizshme vetëm me 70 mijë dollarë në muaj personeli mjekësor mund t’i shkojë më pranë qytetarëve në nevojë duke ju ulur edhe transportin sikurse filmat propagandistikë vazhdojnë.

Në fund të këtij shënimi dhe sidomos kur flitet për problematikën në shëndetësinë shqiptare dikush mund të shprehej se përse ky shënim shpreh pakënaqësinë tani kur “shyqyr që sapo ka filluar punë dhe diçka po ndryshon”, po të ishte i vërtetë rezultati do të përgëzohej padyshim.

Rastet që përmenden kur krahasohen me kazinonë, i përmbys llogaritë. Videoklipet dhe propaganda janë menaxhim i bindjeve ideologjike deri në adiction për rilindësit dhe Ramën të cilës kura nuk i është gjendur.

Ajo që është e dukshme dhe e krahasueshme do të ishte përmes pyetjes:-Më mirë një Laborator i lëvizshëm PET Scan-i me qira mujore 70 mijë dollarë apo 80 mijë euro pagesë për një incenerator që nuk ekziston.

Premtimi i Spahiut është plotësisht i mbajtshëm për sasinë e parave.

Ndaj entuziazmi i saj ishte “ALL IN”.

All in deri kur në orët e vona për të treguar forcën e katronave, në kazinonë e buxhetit u shfaq edhe vetë kryelojtari Rama.

Një mesazh me dhunë kartoni, një mesazh Propagandistik, Politizues, Besnik dhe aspak më me një koncept ekonomik.

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

_______

*ALL -in- të luash me gjithçka sa ke.

* Kazino,sipas Ligjit pika 15. është një zonë e veçantë për zhvillimin e lojërave të fatit, ku lojtarëve u ofrohet mundësia për të luajtur me mjetet e lojërave të fatit, si makina të tipit slot, video-lotari ose makina elektronike, me shumë lojtarë, si dhe tryeza loje të quajtura “lojëra live”.

*ATSH-Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen

* Altin Hila- arrestuar /shoqëruar nga policia gjatë protestës më 3 Korrik, 2026. Brenda 24 orëve qytetarët grumbulluan 115 mijë euro ndihma.

* PET Scan- tomografia me emetim pozitronesh, një analizë imazherike që jep pamjet se si funksionojnë në nivel qelizor organet dhe indet në trupin e njeriut. Çmimi nga 200 mijë deri në 2 milion dollarë. Imazheria Mobile, si një qendër shëtitëse mund të merret me qira mujore nga 20 mijë deri në 70 mijë dollarë).

18 Shtator, 2026

Pankarta pikante nga protesta e 111: Mandati nuk fshin gabimet

TIRANA– Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar ditën e sotme, ditën e 111-të të revoltës kundër klasës politike. Qytetaret janë ngritur në protestë nën thirrjet “Rama në burg! Berisha në burg!”, “Opozitë e shitur”.

Qytetarët kanë përcjellë mesazhet e tyre edhe përmes pankartave të vendosura në shesh, ku spikasin kritikat ndaj qeverisë dhe thirrjet drejtuar drejtësisë./Dosja.al

“SPAK bëj gati prangat” 111 ditë revoltë, protestuesit sot sêrish në shesh: Rama jep dorëheqjen!

Vijon sot në Tiranë protesta e 111-të kundër qeverisë, pas protestës së 110-të të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.

Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht në zonën e sheshit “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Protestuesit përcollën sërish thirrje kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas përfundimit të tubimit, organizatorët paralajmëruan vijimin e protestave edhe gjatë ditës së sotme.

Por ndryshe nga ditët e tjera, ditën e djeshme protesta nisi që në orën 10 me nisjen e seancës plenare në Kuvend.

Tubimi u shoërua me tensione, përplasje me policinë dhe disa të ndaluar. bw

Protesta para Parlamentit dhe tensionet në rrugët e Tiranës, policia shoqëron 25 persona

Të paktën 25 persona janë shoqëruar nga policia në Komisariatin numër 1 në Tiranë nga policia pas protestës së zhvilluar para Parlamentit gjatë seancës plenare dhe tensioneve në rrugët e kryeqytetit.

Edhe protesta e sotme u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.

Duke përsëritur thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, disa protestues rrëzuan kazanët e mbeturinave në rrugë në afërsi të selisë së Partisë Demokratike në shenjë revolte, ndërsa deputetët ndodheshin brenda sallës së Parlamentit. Panorama

“Koha për mosbindje civile!” 110 ditë revoltë! Qytetarët protestojnë para Kuvendit, pasdite zhvendosen para Kryeministrisë

Protesta e qytetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyn sot në ditën e 110-të, ndërsa këtë herë aksioni është paralajmëruar të zhvendoset edhe para Parlamentit gjatë paradites.

Prej 110 ditësh, qytetarë dhe aktivistë mblidhen në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe ndalesa para institucioneve.

Për sot është paralajmëruar një protestë në orën 10:00 para Parlamentit, pikërisht në kohën kur Kuvendi pritet të zhvillojë seancën plenare. Thirrja për pjesëmarrje u përsërit edhe gjatë protestës së 109-të, të zhvilluar një ditë më parë.

“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte thirrja e bërë gjatë tubimeve, ndërsa aktivisti Arben Kola deklaroi se protesta para Kuvendit synon të shënojë një tjetër fazë të aksionit qytetar.

“Nesër është protestë te Parlamenti që në orën 10:00, ku ka seancë”, deklaroi Kola gjatë protestës së mbrëmshme, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen tubimit.

Protesta e sotme vjen pas tubimit të 109-të, kur qytetarët nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë u përsëritën kërkesat për largimin e Ramës dhe u shfaqën pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë.

Gjatë protestës së një dite më parë morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët artikuluan kritika ndaj qeverisë dhe kërkuan vijimin e protestave. Profesori Lush Susaj bëri thirrje që tubimet të vijojnë në mënyrë paqësore, duke theksuar se protesta duhet të mbështetet te “durimi, rezistenca dhe qëndrueshmëria”.

Një pjesë e diskutimeve të protestës së 109-të u përqendrua gjithashtu te zhvillimet në Hagë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, ndërsa protestues të ndryshëm shprehën qëndrimet e tyre për këtë çështje.

Protestat e ditëve të fundit nuk janë kufizuar vetëm në qëndrimin para Kryeministrisë. Qytetarët kanë zhvilluar marshime në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa një prej kërkesave të përsëritura ka qenë edhe lirimi i protestuesve të ndaluar gjatë tubimeve të mëparshme.

Me hyrjen në ditën e 110-të, vëmendja zhvendoset sot te Parlamenti. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të mblidhen para godinës gjatë zhvillimit të seancës plenare, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë më pas aksioni dhe nëse protesta do të rikthehet në itinerarin e zakonshëm drejt Kryeministrisë dhe rrugëve të tjera të kryeqytetit. bw


Send this to a friend