Këtë konspekt të hisorisë ma detyrojnë zhvillimet e fundit dhe doemos ato të pritshme në Kosovë dhe për Kosovën.
Më 2019 pritet të nënshkruhet “marrëveshja përfundimtare e normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi”. Është ky një vit tejet i ngarkuar me jubilé të Kosovës nga më kundërthënësit në historinë njerëzore.
Sa përmenden jubiletë e Kosovës, mendja shkon natyrshëm tek 12 qershori 1999, njëzet vite më parë, kur në kryeqytetin e Prishtinës hynë forcat e NATO-s dhe makineria gjakatare millosheviçiane e luftës u largua nga Kosova, madje, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, 5 kilometër në vijë ajrore larg kufijve të Kosovës.
Jubileu i ndritshëm dhe i lavdishëm i Lirisë së Kosovës nuk do të thirrej nga historia nëse nuk do të kishte antinomin e tij, 23 marsin 1989. Më 23 mars 2019 bëhen 30 vjet qëkur Kosovës i hiqej autonomia të cilën kishte 15 vjet e gati një muaj që e gëzonte. Kështu prisheshin pëfundimisht e tragjikisht ekuilibret mbi të cilat mbahej Federata Jugosllave. Popujt ish-jugosllavë, më parë kroatët, pastaj boshnjakët dhe, më në fund, shqiptarët e Kosovës përballeshin me një genocid të pashembullt, të cilin e ndërmerrte Sllobodan Millosheviçi në krye të ultranacionalizmit serbomadh. E gjithë kjo tragjedi ndodhte mu në zemër të Evropës, para syve të Evropës dhe të botës, në mbarim të Shekullit XX dhe në prag të Shekullit XXI, në mbarim të Mijëvjeçarit të Dytë dhe në prag të Mijëvjeçarit të Tretë.
Më 2019 bëhen 45 vjet prej kur Kosova e fitoi autonominë më 28 shkurt 1974, kur hynte në fuqi Kushtetuta e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, e bazuar në kushtetutat e ndryshuara të Federatës dhe të Republikës së Serbisë. Ishte kjo kushtetuta e parë e Kosovës.
Autonomia nuk kishte qenë dhuratë për Kosovën. Që më 27 nëntor të vitit 1968 i gjithë populli i Kosovës ishte ngritur në demonstrata të fuqishme masive ku kërkonte botërisht njohjen e statusit të Republikës për Kosovën, të drejtën e Kushtetutës, të drejtën e statusit të kombit, të drejtën e përdorimit të lirë të Flamurit Kombëtar, të drejtën e themelimit të Universitetit në Kosovë, të drejtën e dygjuhësisë, të drejtën e inkuadrimit në punë sipas strukturës kombëtare të popullsisë së Kosovës e tjerë.
Demonstratat do të shtypeshin në mënyrë të përgjakshme, me vrasje, plagosje dhe me burgosje masive të demonstruesve dhe organizatorëve. Në vijim, në shkurt 1969, me Ligj Kushtetues nga krahinë e thjeshtë e Serbisë, emërtohet Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, më 15 shkurt 1970 do të themelohej Universiteti i Prishtinës, do të fitohej e drejta e flamurit kombëtar dhe gjuha shqipe do të njihej si gjuhë zyrtare krahas serbishtes.
Autonomia e Kosovës e vitit 1974 u sulmua pandërprerë dhe me përshkallëzime nga Serbia dhe serbët, shteti dhe institucionet serbe, propaganda serbe. Sëmurja për vdekje e Titos dhe pastaj vdekja e tij i dhanë hov ringjalljes së ultranacionalizmit shovinist serbomadh. Kjo pati si kundërveprim ngritjen e Kosovën në këmbë me kërkesën për Republikë dhe të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi për të përmirësuar statusin e tyre në federatë, ku ishin kombi i tretë pas serbëve dhe kroatëve, por njiheshin si kombësi bashkë me romët e të tjerë dhe trajoheshin më keq se të gjithë këta. Nga viti 1981 Kosova u përball me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me praninë e madhe policore e ushtarake, me burgosje dhe diferencime masive.
Disa muaj para se të hiqte autonominë e Kosovës, Milosheviçi kishte detyruar të jepnin dorëheqje udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë të Kosovës. Në fillim të 1989 Kuvendi Serb propozoi amendamentet kushtetuese ku do të hiqej fjala “Socialiste” nga titulli Republika e Serbisë, heqjen e pavarësisë së institucineve të rajoneve autonome siç ishte Kosova, dhe riemërimin e Kosovës si Provinca Autonome e Kosovës dhe Metohisë.
Më 23 mars 1989, në një situatë të rëndë shtetrrethimi, radhët e para të sallës së Kuvendit Krahinor të Kosovës u mbushën me njerëz të panjohur. Deputeti Riza Lluka e kuptoi komplotin, doli në foltore dhe kërkoi largimin e tyre. Lluka, me dy gishtat lart tek foltorja, i fiksuar nga mediat ndërkombëtare, do të mbetej simbol i rezistencës dhe përfaqësimit të shumicës shqiptare. Nga deputetët shqiptarë që nuk u frikësuan dhe arritën të votojnë kundër heqjes së autonomisë janë Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha, dy të tjerë abstenojnë, ndërsa 25-30 prej tyre nuk janë të pranishëm në sallë.
Në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, do të dilnin minatorët e kompleksit Trepça, të cilët do të bënin grevën tetëditore të urisë 20-28 shkurt 1989 në zgafellën e Stan Tërgut. Me minatorët do të solidarizohej gjithë populli i Kosovës.
Më 28 mars 1989, miratohej kushtetuta e re e Serbisë, ku Kosova do të kthehej në Kosovë-Metohi, thjesht si krahinë serbe. Këtë emërtesë Serbia e përdor për Kosovën në të gjitha komunikimet e saj zyrtare. Pasi Serbia suprimonte edhe Kuvendin e Kosovës, ndalonte mediat shqipe, ndalonte simbolet kombëtare shqiptare, ndalonte arsimin shqip, largonte nga institucionet dhe vendet e tjera të punës të gjithë shqiptarët, në Kosovë do të rikthehej sistemi klasik i aparteidit, si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, ku 5 për qind e popullsisë, me mbështetjen e makinerisë policore dhe ushtarake të Beogradit, do të sundonte ndaj 95 për qind të popullsisë, e cila nuk kishte asnjë të drejtë kombëtare, qytetare apo njerëzore. Në këto kushte lindte shteti paralel i Ibrahim Rugovës që fillonte me Deklaratën e 2 Korrikut 1990 të shpalljes së Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, me referendumin e Kosovës për shkëputje nga Jugosllavia, me funksionimin e Qeverisë së Kosovës në mërgim, të Presidencës në Kosovë dhe të autoriteteve lokale në krejt Kosovën.
23 marsi 1989 do të hynte në histori si “Vdekja e Jugosllavisë”. Me heqjen e autonomisë së Kosovës, duke pasë nën domimin e saj dy krahinat dhe Malin e Zi, Serbia merrte supremacinë në Jugosllavi, çka nuk e pranonin sllovenët, kroatët, boshnjakët. Ithtarë të Millosheviçit, populistë të djathtë e të majtë në vende të ndryshme, sot thonë se kryekasapi i Ballkanit donte, me të drejtë, të mos lejonte shpërbërjen e Jugosllavisë. Se si do të ishte Jugosllavia e Millosehviçit e tregon më së qarti Kosova e pas 23 marsit 1989. Te Kosova e atyre ditëve dhe më vonë, joserbët e Jugosllavisë e shikon të nesërmen e tyre.
1989, viti i 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, është viti i kulmimit të figurës së Sllobodan Millosheviçit, tek i cili e gjen mishërimin e vet ideal ultranacionalizmi serbomadh. Ai e zbulon këtë tek vetvetja pikërisht në Kosovë, ku e kishte dërguar Stamboliçi pas ankesave të panumërta të serbëve të atjeshëm se diskriminoheshin nga shumica shqiptare. I katapultuar në politikë nga presidenti i Serbisë Ivan Stamboliç, Millosheviçi, pasi rrëzon tutorin e tij, pastron krejt klasën politike të Serbisë, sulmon dhe trondit klasat politike të njësive të tjera federative. Frymëzim dhe platformë e tij është Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë i 24 shtatorit 1986, me kryeautor Dobrica Qosiçin, ku Tito akuzohet për veprimtari antiserbe, i cili kishte pasur një projekt për eliminimin e plotë të Serbëve nga Kosova. Përkrahëse e Millosheviçit është edhe Kisha Ortodokse Serbe. Më 28 qershor 1989, 600 vjet pas betejës së Fushë Kosovës, këtu mblidhen qindra mijëra serbë dhe Millosheviqi mban një fjalim luftënxitës. Atje ku ka serbë është Serbi: me këtë moto, gjatë gjithë vitit trenat anembanë federatës mbartën turma serbe të cilat manifestuan nëpër sheshet dhe nëpër stadiumet qendrore të kryeqyteteve të federatës. Nën komandën e Milosheviçit, më 19 nëntor 1989 mblidhen një milion manifestues në Beograd.
Më 15 janar 2019 mbushen 20 vjet nga masakra masive e Raçakut e kryer nga makineria serbe e luftës kundër shqiptarëve. Në vijim, masakra të tilla të panumërta masive, mbushin 20 vjet. 20 vjet mbushen nga eksodet masive të shqiptarëve të detyruar nga makineria serbe e luftës. Rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës, 20 vjet më parë, u dëbuan me dhunë për në Shqipëri dhe Maqedoni. Qindra mijë të tjerë u detyruan të fshihen nëpër pyje.
Më 2019 shënohen edhe jubiletë e vrasjes së dhjetë mijë shqiptarëve të pafajshëm, foshnja, fëmijë, gra, shumë prej tyre shtatzëna, pleq, të sëmurë, invalidë. Shënohen edhe jubiletë e zhdukjes së mijëra shqiptarëve të tjerë të pafajshëm, eshtrat e të cilëve u shpërndanë nëpër varreza masive në Kosovë e Serbi, u fundosën nëpër lumenj apo u dogjën nëpër krematoriume. Shënohen edhe jubiletë e mbi njëzet mijë viktimave të përdhunimeve nga paramilitarët dhe militarët serbë.
Më 2019 shënohen jubiletë e disa prej betejave më të rëndësishme çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, shënohen përvjetorët e rënies së shumë dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës.
Më 2019 mbushen njëzet vjet nga Konferenca e Rambujesë, ku Serbia nuk u tregua aspak bashkëpunuese. Më 18 mars u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë nga delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike, ndërsa serbët dhe rusët refuzuan. Më 24 mars 1999 filloi fushata 78 ditore e bombardimeve ajrore kundër makinerisë serbe të luftës, e cila gjunjëzoi Millosheviçin. Nga trampolinë e Millosheviçit, Kosova u shndërrua në varr të Millosheviçit. Një vit më vonë ai rrëzohet, pastaj dërgohet në Hagë, ku vdes më 2006.
Më 2019 mbushen 20 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës e 9 qershorit 1999 e cila detyronte Serbinë të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe RFJ-së, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Më 12 qershor 1999, e përsërisim, forcat e NATO-s filluan të hyjnë në Kosovë dhe forcat policore e ushtarake serbe filluan të tërhiqen nga Kosova.
Viti 2019 është edhe viti i 630 vjetorit të Betejës së Kosovës, të zhvilluar në tokë shqiptare nga një koalicion ballkanik përballë ushtrisë osmane të Sulltan Muratit, betejë që u humb falë tradhtisë së Serbisë, kryesueses së koalicionit, në shkëmbim të një vasaliteti të privilegjuar në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Udhëheqësit e sotëm të Serbisë, në krye të klasës politike që solli Millosheviçi gjatë sundimit të tij, më vonë edhe Shesheli, kryestrateg i spastrimeve etnike në Vojvodinë, Serbi, Kosovë, Bosnjë e tjerë, duan të shpërblehen me tokë shqiptare në shkëmbim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Dhe kjo pritet të ndodhë, siç e shënova në fillim të këtyre radhëve, pikërisht në këtë vit kaq të ngarkuar me jubilé të Kosovës, shumë prej të cilëve nga më tragjikët në historinë njerëzore.
Ky është, me pak fjalë, viti 2019 që i kanoset, prej nesër, Kosovës. Dhe të gjithëve.
Komentet