Vera e re në fuçinë e vjetër
Kur mendohej se kësaj rinie i ishte mpirë truri; Kur mendohej se kësaj rinie i shkonte më mirë blerja e biletës për në Rinas se sa përballja me realitetin; Kur mendohej se kësaj rinie i ishte mbushur mendja top se vetmja bibliotekë ishte kafeneja e lagjes; Kur mendohej se për këto arsye shpresa në këtë vend kishte vdekur, ndodhi ajo që s’pritej: Tashmë studentët nuk janë thjeshtë në një protestë për t’i hequr pagesën e lëndëve të mbartura. Protesta ka marrë pamjen e një uragani për të cilin askush nuk di dhe nuk mund të japë kohëzgjatjen, goditjen që do marrë qeveria, por edhe ndryshimet që pritet të sjellë në jetën politike dhe sociale. Nga kjo lëvizje, më e madhja që pas vitit 1997, dalin disa konkluzione që së pari tregojnë situatën që është duke kaluar Shqipëria dhe së dyti, se ky është një reagim masiv popullor ku studentët shërbejnë si pikënisje. Kjo u tregua edhe kur studentët nuk lejuan që protesta të politizohej teksa përzunë një pedagog që sipas tyre ishte pjesë e forumeve të Partisë Socialiste.
SITUATA NË VEND, MË KEQ SE KUR ISHTE KEQ
A ju kujtohet se si nisi revolucioni i dhjetorit 1990? Në qytetin Studenti ikën dritat dhe studentët dolën në rrugë. Kërkuan drita, por vetëm 24 orë më pas kërkuan rrëzimin e komunizmit. A ju kujtohet se si nisi reagimi popullor në 1997? Vetëm 200 kreditorë në sheshin e Flamurit në Vlorë kërkuan kthimin e parave, por vetëm 2 javë më pas një masë e madhe njerëzish kërkuan rënien e qeverisë dhe shteti u rrëzua si të ishte një pirg rëre. Mjaftojnë këta shembuj për të treguar se protesta e studentëve nuk është vetëm për rritjen e tarifës për lëndët e mbetura. Nuk është as për reformën në arsimin e lartë. Është një reagim qytetar që i kapërcen protestën e “mbetësve”. Është një reagim masiv ndaj situatës së rëndë që ndodhet vendi. Pamundësia ekonomike ka prekur një masë të madhe të popullsisë, 330 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në 7 vitet e fundit sipas INSTAT, rrjedhimisht kemi një rini studentore që ka kuptuar dhe ndjerë qartë situatën e jetesës së prindërve dhe të vetes së tyre. Është një zhgënjim nga ajo pritshmëri e madhe në 2013 kur të majtët morën pushtetin dhe me vete nuk kishin thjesht 1 milion vota, por një shpresë që nuk ishte parë në asnjë moment tjetër në këto 28 vjet në Shqipëri.
ARROGANCA QEVERITARE DHE TURKU NË MENDJE
Kryeministri Edi Rama ishte i kthjellët ende në 8 gusht 2015 kur në një letër të gjatë u drejtohej ministrave të vetë se me arrogancën që tregonin kishin turkun në vete. Tashmë që kanë kaluar 4 vjet e 3 muaj qeverisje natyrisht që ministrat e tij nuk janë shndërruar nga turq në amerikanë, anglezë apo gjermanë. Arroganca është shtuar. Ajo është vertikale dhe është shpërndarë masivisht. Nis natyrisht që nga vetë kryeministri, te ministrat, te drejtorët e mëdhenj e të vegjël, te kryebashkiakët e mëdhenj dhe të vegjël që imitojnë shefin e tyre, e deri te roja i godinës së kryeministrisë. Këtë e kanë kuptuar dhe ndjerë edhe studentët. E kanë ndjerë në fakultete, në punët e prindërve, në institucionet e shërbimit dhe kanë kuptuar se shumica e zyrtarëve nuk funksionojnë sikur aty janë të përkohshëm, por për ta jo vetëm detyra që kanë, por edhe vetë jeta e tyre është e përhershme. E pavarësisht kthjelltësisë së Ramës në 2015 dhe zbulimit të arrogancës te të tijtë, kjo cilësi jo vetëm nuk u zhduk, por u shtua. Askush nuk u ndëshkua prej ministrave apo drejtorëve arrogantë. Dhe ata nuk mund të ndëshkohen më. Aktualisht është vonë për Ramën t’i largojë. Tashmë nuk rrezikohen ministrat, por e gjithë anija. “Jeni prekur nga arroganca me njëri-tjetrin dhe me njerëzit…, ose mbyteni turkun brenda jush, ose përgatituni për të lënë anijen”, – u shpreh Rama më 8 gusht. E derisa nuk i largoi nga anija, tani vetë anija është duke u mbytur.
PD SI ZJARRFIKËSE
Studentët thonë se protesta është zonë e ndaluar për politikanët. Ironia shkon në ekstrem kur më shumë se impenjimi dhe mbështetja e PD në këtë protestë një pjesë e njerëzve pyesin: A do ta shuajë edhe këtë protestë Partia Demokratike siç bëri me protestën e Kukësit? Pyetja me frikë dha një lloj përgjigje të shtunën kur në përvjetorin e 27-të të lëvizjes së 8 dhjetorit 1990, kryetari Lulzim Basha nuk arriti të mbledhë më shumë se 200 mbështetës në qytetin “Studenti”. E pra, një nga arsyet e uraganit studentor është edhe opozita. Studentët kanë kuptuar qartë se qeveria është problemi dhe PD nuk është zgjidhja. Vetëm ish-kryetari historik i PD, Sali Berisha, tha se protesta e banorëve të Kukësit në fillim të këtij vitit e gjeti Partinë Demokratike të papërgatitur. E pra kur një forcë opozitare gjendet e papërgatitur do të thotë që ajo forcë ka shumë probleme. Se si një opozitë është e papërgatitur, këtë vetëm kryetari i saj Basha mund t’i japë përgjigje. Kur nuk mbështet fort ata që protestojnë. Kur largon nga partia potencialet e saj, kur bën selektime me gazetarë dhe media të veçanta dhe më e rëndësishmja kur nuk krijon besim, masa e njerëzve kanë të drejtë të pyesin: A do ta shuajë edhe këtë protestë Partia Demokratike?
POLITIKË JASHTË REALITETIT
Çudia është se kjo ndodh në të dy kampet, si në qeveri por edhe në opozitë. Nëse marrim në shqyrtim vetëm dy politikane deputete që partitë respektive PD dhe PS i mbajnë si ikonat e vlerësimit të tyre kuptohet qartë se partitë kanë humbur lidhjen me realitetin. Çlidhje ka me realitetin që ndodh në Shqipëri Grida Duma e PD-së dhe Blerina Gjylameti e PS-së? Nuk besojmë se ka ndonjë naiv që beson se Grida Dumës i qan zemra për jetën e vështirë që po kalojnë këto ditë banorët e Unazës së madhe dhe se dalja e tyre në rrugë është përjetim i madh i saj. Nuk besojmë se ka ndonjë naiv që beson se Grida Dumën nuk e zë gjumi për tarifat e larta të studentëve. Dhe nuk besojmë që ka ndonjë naiv që beson që Grida Duma mezi pret të jetë në pushtet që të ndryshojë gjendjen e Shqipërisë.
E dyta Blerina Gjylameti, kryetare e degës së Tiranës në PS, deputete në këtë zonë që nuk ka shkuar një herë të vetme aty. Zhaneta Haxhia, një studente, banore e kësaj zone, i kërkoi publikisht Gjylametit të shkonte të takonte banorët. Por ajo jo vetëm nuk ka shkuar atje edhe pas ditës së 20-të, por nuk ka bërë përpjekjen më të vogël as për të kontaktuar qoftë edhe një banor të vetëm. Sot kjo studente është pjesëmarrëse në të dyja protestat, edhe atë të unazës së re si banore që preket direkt dhe si pjesë e protestës së studentëve.
E pra, Duma dhe Gjylameti, janë simbolikat se si një politikan nuk jeton me realitetin, nuk ka lidhje me të, jeton një kohë tjetër dhe nuk e percepton punën në politikë si shërbim duke qenë atje. Por ndërsa e para duke reklamuar veshjet e shtrenjta dhe e dyta me statusin e një gruaje të mirë nuk kanë lidhje me këtë punë.
E pra, zoti Rama dhe zoti Basha nuk bëhet politikë me personazhe jashtë realitetit. Për të mos shtuar këtu sidomos ata ta mazhorancës që të qenit jashtë realitetit e tregojnë hapur ditën e seancës së Parlamentit.
Zoti kryeministër, ju mjafton të shikoni setin e fotografive të fotografit të Kuvendit, Agim Rama për të parë se si deputetkat e tua bëjnë paradë mode, bëjnë garë deri ku mund të shkojë stili aristokrat shqiptar dhe si kopjojnë deri mbretëreshën e Mbretërisë së Bashkua me kapele në kokë, por që në vlera intelektuale konkurrojnë me personazhin Linda Morina.
Të enjten më shumë kemi një garë veshjesh, garë look-u e jo garë diskutimesh, idesh e ballafaqimesh. Më shumë bëjnë paradë mode se sa mendojnë se çfarë diskutojnë. Më shumë mendojnë se ç’model flokësh do mbajnë këtë herë se çfarë replike do bëjnë. Epo kjo mënyrë ngjall irritim te publiku. Aq më tepër te studentët që krahasojnë gratë e parlamentit me mamatë e tyre që jo vetëm nuk mund të kenë në trup veshje Armani, Gucci, Versace, por nuk arrijnë të sigurojnë paratë që fëmijët e tyre të ndjekin studimet.
PËRPJEKJA E POLITIKËS PËR ZGJIDHJE POLITIKE
Duket qartë që kryeministri Edi Rama më të lehtë e ka ta zgjidhë politikisht këtë protestë se sa në një ballafaqim me studentët. Mjeshtëria e tij dhe përvoja bëjnë që mezi pret që në lojë të futet opozita sepse me atë e ka më të lehtë. Nëse vihet re ligjërimi politik i Ramës, por edhe analizat komente e mbështetësve të tij në mend vihet re një impenjim që protesta të kanalizohet si politike. Nëse kjo do të ndodhte, këtu Rama do të ndodhej në habitatin e vet. Zgjidhja spektakolare që ai i dha protestës së çadrës në pranverën e vitit të shkuar është akoma në mendjen e shqiptarëve. Prandaj çdo zgjidhje politike me dy palë, qeverinë dhe opozitën, do të sjellë fitoren e Ramës. Në të kundërt qeveria do të vihet seriozisht në vështirësi. Për këtë arsye politizimi i protestës shikohet nga njëra anë manovër e forcave politike dhe nga ana tjetër, një kundërshtim i hapur nga ana e studentëve.
Komentet