Postribas e shkodranë, ju jo vetëm ishit dëshmitarë të një historie të tmerrshme, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj historie, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, me gjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shembull për brezat e ardhshëm. Kjo është tepër e rëndësishme, sepse për shumë shqiptarë, siç e dini, pasojat nga abuzimet e të drejtave të tyre të njeriut në të kaluarën, mbeten ende plagë të gjalla jo vetëm në kujtimet e tyre personale, por edhe në shoqëri, në përgjithësi si shenja të pashlyeshme të krimeve dhe abuzimeve nga regjimi diktatorial nën të cilin ata kanë jetuar – madje edhe 25 vjet pas shembjes së komunizmit. Në këtë përvjetor të kryengritjes antikomuniste të Postribës, më lejoni të kaloj në vëmendje të lexuesit një mesazh të ikonës antikomuniste shqiptare, shkodranit, të mbijetuarit të diktaturës, aktivistit të të drejtave dhe lirive të njeriut, Prof. Sami Repishtit, ku u drejtohej ish-të përndjekurve politikë të Vlorës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ku ai theksonte: Kurrë kombi ynë nuk mund të eci përpara duke mos dënuar krimin komunist apo duke përdor fenomenin “harresë” siç është përdorur këto 25 vite pluralizëm. Repishti citon, më kujtohet shoku i burgut, Hamit Kazazi, njëri nga të pesë vëllaznit e familjes fisnike shkodrane Kazazi. Një ditë gjatë drekës, ai e ndërpreu, u ngrit, ndezi nji cigare, e ra në mendime të thella. Tre vllazën ishin vra. I katërti ishte në burgun e Burrelit, ai në moçalet e Vloçshtit. Nuk e trazova. E pashë me dhimbje e kur shikimet tona u ndeshën, ai tha me nji za sikur dilte nga varri: “Ç’kuptim ka jeta për mua? Edhe me dalë i gjallë nga kjo gropë e zezë ku kemi ra, unë nuk kam ku të shkoj. Në tryezën e familjes sime, tre vende do të mbeten bosh përjetë… e unë vëllau do të pyesim veten, ç’të keqe i kemi ba Shqipërisë që na trajton kështu? Unë nuk pres mirëkuptim nga ata që jetojnë vetëm për nji copë buke… e janë shumë nga ata. Të tjerët do të kritikojnë ose do të jenë të lodhun nga vuajtjet e tyne që nuk lanë vend për mirkuptim … Vëlla i dashtun, jemi vetëm, tmerrsisht vetëm, dhe kjo më frikson”. Sot, mendoj për vllaun e vuajtjeve, Hamit Kazazi… e dhjetëra mijëra si ai që u kalbën nëpër burgjet e punës së detyrueshme e të dëbimit nën komunizëm që mbuluen Shqipërinë për afër gjysëm shekulli… e familje të tana të pafaj, si nana ime, motra e vëllau akoma fëmijë, e pyes veten si shoku i im: “ç’të keqe i kemi ba Shqipërisë”…
Para disa muajsh vendin tonë e vizitoi Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulc, i cili në fjalimin e tij gjatë vizitës në Kuvendin e Shqipërisë, deklaroi se është e rëndësishme që të kujtohet historia, që të mos harrohen ngjarjet tragjike të historisë së kaluar, pasi nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë. “Pajtimi, – u tha deputetëve shqiptarë udhëheqësi europian nga Gjermania, – nuk mund të ndodhë në qoftë se nuk pranohen dhe në qoftë se nuk flitet për vuajtjet dhe dhimbjet e së kaluarës dhe në qoftë se nuk pranohen si të tilla”. Te ne, edhe sot mbas 25 viteve nuk është dënuar krimi komunist 45-vjeçar, me gjithë sjelljen fisnike tonën që përbuzi hakmarrjen. Postriba na kujton: Duhet dokumentuar dhe dënuar krimi për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë. Duhen informuar brezat e rinj për të kaluemen tonë tragjike që mos të përsëritet. Kjo është nji detyrë primare për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Çdo shqiptar duhet të bëhet palë në dënimin e krimeve të komunizmit, se kështu u shërbehet jetëve njerzore të pafajshme shqiptare. Postriba dhe Shkodra na kujton dhe detyron të luftojmë “harresen”, këtë nocion të politikës që e motivuar politikisht e përdori gjatë këtij 25-vjeçari pluralizëm kundra ish-të përndjekurve politikë. Komunistët kanë vrarë me mijëra burra e gra, dhe ti harrojmë sakrificat e tyre, këta dëshmorë të lirisë do të vdesin përfundimisht. Dhe po të ngjasë kjo, ne jemi të gjithë përgjegjës. Ne duhet çdo ditë të ballafaqojmë përpara shqiptarëve të vërtetën e krimit, dhe të ndalojmë këtë helmatisje antikombëtare… që bëjnë ideologët dhe historianët e diktaturës. E dyta, Postriba na kujton se ne antikomunistët shqiptarë, ish-të përndjekur politikë, të kemi solidaritet në nesh. Të duam njëri-tjetrin dhe të mos ngelemi peng i politikës komuniste, që na ka përçarë dhe ka ndërtuar murin e ndarjes që ne mos të jemi pjesë e politikëbërjes. Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shpëtuese.
Nuk jetohet vetëm me bukë dhe për bukë. Mazhoranca e majtë që ka pushtetin politik të dhuruar nga një e djathtë e fragmatizuar nuk ka nxjerrë mësime nga e kaluara e saj ideologjike staliniste, por fatkeqësisht e përdor atë ideologji për të mbajtur pushtetin duke bërë veprime arbitrare nëpërmjet pushtetit. Në vitin 1997 kur erdhi në pushtet nëpërmjet dhunës dhe kaosit të firmave piramidale, tregoi se nuk është reformuar, përkundrazi, forcoi pushtetin me ligje “demokratike” dhe ndërtoi skemën e korrupsionit duke e deklamuar si formë të demokracisë. Po kjo mazhorancë, atë vit që mori pushtetin përdori armën në parlament, duke plagosur deputetin e opozitës, Azem Hajdarin. Mbasi dorëzoi pushtetin në vitin 2005, erdhi në qeverisje në vitin 2013, me vota të vjedhura dhe duke përfituar nga pushteti i degraduar i së djathtës, në aleancën që krijoi me LSI-në, një grup i ekstremit të majtë dhe tepër i korruptuar. Mbasi mbushi parlamentin me individë të inkriminuar dhe të babzitur me korrupsion, deputetët e saj i kthyen institucionet në arena përleshjeje me armë, siç ndodhi në Laç para pak kohësh. Këta nderojnë kriminelet që vranë postribasit e shkodranët, dibranët e vlonjatët, korçarët e tiranasit. Mentalitetit utopist i komunizmit e ka kthyer qeverisjen e vendit në një pashallëk krimi ku të drejtat dhe liritë e njeriut shkilen çdo ditë, duke pushuar nga administrata specialistët dhe duke i mbushur me militantë ekstremistë. Një jetë pa liri, pamvarsi e dinjitet nuk vlen të jetohet. Postriba antikomuniste na kujton për breznitë e ardhshme që nuk duhet të rijetojnë komunizmin, të ngrejmë zanin tonë sa ma nalt që mundemi, të punojmë sa ma shumë e me sistem, të mobilizohemi me gojë e shkrim me manifestime publike e sidomos me forcën e votës së lirë që të ringjallim interesimin kombëtar e ndërkombëtar për padrejtsitë që jetojmë sot, dhe të zgjedhim si përfaqësues të së drejtës kolegët tanë që kanë jetuar vitet e shtypjes së militantizmit të çmendun komunist. Ne vetë e familjet tona, le të nxjerrim në dritë dokumentacionin e duhun akuzues dhe ta bëjmë publik, materialin pedagogjik për edukimin e të rinjve me frymën e demokracisë që siguron lirinë e dinjitetin e çdo qytetari, pamvarsisht nga ndryshimet e bindjeve politike që kemi. Kjo nuk është Shqipëria për të cilën luftuan postribasit e shkodranët. Kjo nuk është Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarëve të lirë për të cilën kemi andruar në këto 25 vite. Shqipëria, për të rrojtur e për të lulëzuar, duhet të spastrohet nga gjithë qelbësirat e vjetra, duhet të riorganizohet në një bazë të re dhe në një mënyrë që tërë forcat morale dhe materiale të popullit të zhvillohen pa pengim.
“Dielli”, 24 janar 1925, Faik Konica. Aktuale kjo profeci e Konicës!
* Fjala e mbajtur në Postribë me rastin e 69-vjetorit të kryengritjes së parë antikomuniste në Europë
Komentet