Prej dje komentuesit e ndeshjes dhe shtypi e mediat zvicerane, kanë përmendur simbolin e shqiponjës me dy koka që bënë me gjestikulacion pas golave Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Këtë simbol për solidaritet e ka bërë edhe Lichtsteiner, kapiteni i kombëtares të Zvicrës!
Dhe për t’i paraprirë çdo paragjykimi për simbolin shqiptar është reaguar menjëherë.
Tages-Anzeiger sjell fjalët e trajnerit të kombëtares kroatit Vladimir Petkoviç: “Shqipëria, Kosova? Kjo gjë nuk është një çështje. Këtu në Kaliningrad, Zvicra luan kundër Serbisë. Futbolli nuk është politika.” Ky ishte mesazhi që ekipi kombëtar zviceran dëshiron të vendosë përpara ndeshjes.”
Pastaj ndeshja doli sikur dihet. Dy golashënuesit ishin Xhaka dhe Shaqiri.
Për shqiptarët Xhaka dhe Shaqiri ishin vetë shqiponja në flamur!
Pa lidhje me politikën por me lidhje me krenarinë kombëtare!
Për 20 Minuten, më të lexuarin gratis në Zvicër, dhanë shpjegime të tre, Kapiteni i Kombëtares zvicerane dhe dy golashënesit:
“Ishte thjesht emocion, nuk dua të diskutoj politikën”, tha Xherdan Shaqiri.
Granit Xhaka u shpreh “Shqiponja me dy koka nuk ishte një mesazh ndaj kundërshtarit, ishte një përshëndetje për njerëzit nga e kanë prejardhjen prindërit e mi, për ata që më përkrahin si fansa. Ishte emocion i pastër, nuk ishte një reagim i vetëdijshëm “.
Edhe Kapiteni Stephan Lichtsteiner ka dhënë shpjegimin e tij: “Nuk mendoj se zviceranët kanë një problem me të, sepse ne e dimë se ata janë me shtetësi të dyfishtë. S’ka lidhje me provokim. Si kapiten, nuk kam asnjë problem me këtë. Kishte kaq shumë tension dhe unë mendoj se është e drejtë ta kremtojmë atë gjerësisht.”
Më bukur atë që ka ndodhur e përshkruan portieri i kombëtares zvicerane Yann Sommer: “Përpara ndeshjes si skuadër ne thamë se në një ndeshje futbolli nuk mund të flitet për asgjë tjetër veç për futboll. Dhe ne nuk deshëm që të flisnim për asgjë tjetër. Por ne nuk mund të gjykojmë për gjëra që nuk kemi qenë asnjëherë dëshmitarë më parë sikur kjo që ndodhi. Këtu futen edhe emocionet”
Sommer ka shumë të drejtë!
E cili fallxhor parashikoi se do të shënonin duke përcaktuar fitoren e kombëtares zvicerane dy zvicerano-shqiptarë?
Për fitoren e Zvicrës u gëzuan dhe u bënë fansa të gjithë shqiptarët.
Pse provokim qenka ky?!
Jo nuk ka si të jetë provokim.
Zviceranët u çmendën prej gëzimit se skudara e tyre fitoi, edhe shqiptarët u çmendën prej gëzimit se Zvicra fitoi dhe dy golat i bënë dy shqiptaro-zviceranë.
Shqiponja dykrenore është simboli kombëtar i shqiptarëve, i një kombi që ka vuajtur dhe vazhdon e vuan. Shqiptarët kanë përjetuar drama e tragjedi nga ish-pushtuesit, nga diktaturat, por sot edhe nga mungesa e standarteve të demokracisë, ndërsa Graniti dhe Xherdani, si përfaqësues të rinisë shqiptare, janë arsye për t’u emocionuar. Kur ka rini të motivuar si Graniti dhe Xherdani, ka shpresë edhe për vendet nga e kanë prejardhjen lojtarët dhe shqiponja dykrenore.
Zvicra është shteti model për shqiptarët, ku ata kanë gjetur strehë dhe sukses, prandaj e duan Konfederatën Helvetike. Lojtarët shqiptarë që luajnë me kombëtaren, duan t’i japin Zvicrës atë çka kanë marrë prej saj. Zvicra i bëri ata që janë dhe ata ia shpërblejnë me dashuri, pasion dhe përpjekje maksimale për të siguruar fitoren.
Dhe fitorja deh, edhe kur nuk ke pirë, fitorja deh, pa marrë parasysh se je zviceran apo shqiptar!
Fitorja sportive e Zvicrës është krenari kombëtare legjitime edhe për zvicranët, edhe për shqiptarët!
S’ka koment tjetër!
Komentet