…Në dhomën gjysmë të errët, ku mbrëmja dukej se kishte harruar të largohej, një dritë e zbehtë binte mbi fytyrën e një portreti të pikturuar. Ishte piktura e Amedeo Modiglianit, me atë fytyrë të zgjatur, të heshtur, ku sytë e zbrazët, dukej sikur nuk i përkisnin më botës së të gjallëve ndoshta, nuk ishte më sy, por një boshllëk; një mungesë që nuk e mbushte dot as drita, as imagjinata.Përballë saj,në heshtjen e rëndë të dhomës, pranë një abazhuri, rrinte Mario G., pensionist italian, i ardhur nga Napoli në Vlorë mbas viteve ’80,me të shoqen, mama Vala e quante,për të kaluar vitet e mbetura të jetës.Gjë që u quajt nga opinioni, si surprizë apo paradoks i kohës. Mama Vala kishte lënë një djalë,Kristaqin, që në kohën e luftës dhe tashmë u kthye pranë tij.Kështu ata jetonin veçmas,në një apartament, pranë dhe larg të birit.Mariua një njeri i formuar nga librat, udhëtimet, kujtimet dhe ato përvoja që, me kalimin e viteve, nuk treten, por shtresëzohen në shpirt,si copëzat e një mozaiku të vjetër. Kishte sjellë me vete xhentilesën,kulturën e një jete të tërë, por edhe një dobësi të brishtë: shikimin, që pak nga pak po e tradhtonte.Nuk dihej se kur kishte filluar saktësisht mundimi.Ndoshta ditën kur e kishte parë për herë të parë pikturën, ndoshta shumë më vonë, kur sytë e tij nisën të humbnin sigurinë e dritës. Që atëherë, fytyra e pikturuar nuk rrinte më e varur në mur, ajo ishte bërë një prani.Një dëshmitare e heshtur, një pyetje që nuk merrte përgjigje,një vështrim pa sy, që dukej se dinte më shumë sesa duhej.Pse nuk më sheh?-pëshpëriste ai ndonjëherë, pa e kuptuar nëse po i drejtohej pikturës, apo vetes…
Portreti i A.Mogdilianit
Piktura heshtte. Apo ti më sheh mua pa sy, në mënyrë tinzare?-vazhdonte ai,duke ndier se në atë boshllëk të pikturuar fshihej diçka,që nuk mund ta emërtonte.Jashtë, nata zbriste mbi qytet. Brenda, ai druhej nga drita dhe nga mungesa e saj.Drita e tepërt i plagoste shikimin; errësira ia zgjonte fantazmat.Mes të dyjave, ai kërkonte një vend ku të mund të pushonte,një copëz qetësie ku sytë të mos i kujtonin vazhdimisht atë që po humbiste.Por piktura rrinte aty.E ndriçuar në gjysmëterr, ajo dukej sikur mbante në fytyrën e vet një sekret të vjetër: se njeriu nuk vuan gjithmonë nga ajo që sheh, por ndonjëherë nga ajo që nuk arrin më të shohë; nga boshllëku që zë vendin e një gjëje të dashur dhe pastaj, dalëngadalë,bëhet vetë prania më e fuqishme e jetës së tij.Dhe kështu, çdo mbrëmje, italiani dhe njeriu pa sy, mbeteshin përballë njëri-tjetrit, të lidhur në një dialog pa fjalë.Njëri kishte humbur diçka nga drita e botës;tjetri dukej sikur kishte lindur nga mungesa e saj.
Autoportret i Marios
Në atë dhomë, asnjëri nuk ishte krejtësisht i verbër dhe asnjëri nuk shihte vërtet.Ndoshta, mendonte pensionisti,ky ishte mallkimi i syve:të mos dinin nëse kishin frikë nga errësira që po vinte, apo nga ajo që kishte filluar të jetonte brenda tyre.Në vend të syrit, një boshllëk i ftohtë, jo errësirë, sepse edhe errësira ka një prani. Por një mungesë që të vështron pa të parë,të intrigon.Ku fytyra ruante trajtat njerëzore,por diçka në të ishte fshirë. Dhe pikërisht kjo mungesë fillon të mbushë dhomën, të pushtojë mendimet,të bëhet më e pranishme se çdo objekt tjetër.Për një njeri që po humb sigurinë e shikimit, piktura nuk është më thjesht pikturë: është një pyetje pa përgjigje, një pasqyrë që nuk pasqyron asgjë, apo pasqyron për dikë mjaft, por që të shtang, nuk të lejon të largohesh prej saj.Njëfarë shikimi i kthyer nga brenda, i fshehur, që reflektonte përballë saj, fobinë për dritën e syve të tij.Dy realitete të ndryshme takohen, përballen dhe fillojnë të ushqejnë ankthin e njëri-tjetrit.
Dialogu i heshtur me pikturën
Pyetja që lindëte kjo skenë, nuk ishte nëse piktura e frikësonte Marion, por përse ai kishte nevojë ta shihte vazhdimisht atë që, njëkohësisht dëshironte ta shmangte.Mario rrinte ulur në kolltukun e tij të vjetër, me duart e mbështetura mbi të.Nuk e kishte menduar që admirimi i asaj pikture do t’i kthehej në makth! Sytë i ndjente të lodhur.Nuk e dinte nëse shihte më pak nga dobësimi i shikimit, apo nga ankthi se mos ajo që shihte, nuk do të ishte më e njëjta.Apo e kishte pushtuar obsesioni për dritën?! Ndërkaq ndjeu një të ftohtë rrënqethës t’i përshkonte shpirtin.Të kam kthyer me fytyrë nga muri disa herë, pëshpëriti,…por prapë më duket se je përballë meje. Si është e mundur që një copë kanavacë me ngjyra, të mos më lërë të qetë?…Për një çast, mendoi të merrte një copë pëlhure dhe ta mbulonte pikturën, por nuk lëvizi, diçka e frenonte. E kuptoi se dëshira për ta mbuluar, për ta fshehur, nuk ishte kurrë aq e fortë, sa ajo dëshirë e dhimbshme, për ta riparë sërish… Ndërkaq mama Vala dremiste në kanape, e shkëputur tashmë nga Tv dhe Rai1. Mario, me një ndjesi të thellë nostalgjie, kërkoi të shkëputej nga makthi që ende i rëndonte shpirtin. Shuajti dritën e spotit që ndriçonte pikturën dhe, nën dritën e zbehtë të abazhurit, mori lapsin e nisi të vizatonte portretin e vet. Me kujdes të veçantë, theksoi sytë, sikur të donte të përjetësonte në ta, gjithçka që koha kishte zbehur, por që kujtesa ende e ruante të gjallë. Pastaj, me një përmallim të heshtur, e mbështeti portretin mbi një kornizë, duke e lënë të qëndronte aty, mes dritës dhe hijes, si një copëz e harruar e vetvetes. Dhe ashtu i lodhur, ulur në kolltuk,e mundi gjumi. Drita e agimit e gjeti në poliklinikë. Shkoi në kartotekë për të marrë një numër për vizitë, te okulisti që dëshironte. Justina, infermierja, e priti me mirësjellje dhe i dha një numër shtesë, pasi numrat e zakonshëm kishin mbaruar. Veç ai i kishte marrë masat, duke thurur që më parë fijet e interesimit për vizitën time. Unë, ndërkaq, sapo po dilja nga nënkalimi i gjashtëkatëshit, në udhën që më çonte drejt spitalit, u gjenda para një të papriture. Aty më prisnin Kristaqi, si djali i Marios, së bashku me Agimin, dy modistët dhe miqtë e mi, të cilët, me një kureshtje të veçantë, interesoheshin për të. Ishte sikur lajmi për vizitën time të kishte mbërritur para meje, duke zgjuar pritshmëri, e duke mbledhur rreth vetes njerëz që e respektonin. Mbasi mbarova operacionet në spital, u nisa për në poliklinikë, me intensivitetin e rutinës. Aty ishte një arenë e vërtetë, me shumë njerëz në konfuzion e grindje, një mizaskenë që i kishte të gjitha. Fillimi i vizitës ishte thuajse si opium, i cili vendoste në mënyrë magjike qetësinë… Vizita e Marios ishte më shumë se një takim mjekësor: një dialog i këndshëm kulturash, zhvilluar në italisht. Pasi i shpjegova gjendjen e syve, praninë e kataraktit dhe glaukomës, caktuam ditën e ndërhyrjes.Aty, shpresa dhe ankthi, buzëqeshja e ngrirë dhe besimi, takoheshin në një çast të veçantë. Një çast pothuajse i shenjtë, ku shpirti i mjekut dhe ai i të sëmurit bashkohen në heshtjen e një besimi të përbashkët.
…Një ditë të bukur pranvere, e shtunë 15 Mars 1986,dita që zgjodha të operoja Marion.Unë zakonisht nuk operoja të shtunë, por e zgjodha atë ditë,pasi isha mjek roje dhe mund ta kontrolloja më me kujdes, dekursin e tij postoperator.Sapo mbrita në spital e thirra në dhomën time, për një suport psikoterapeutik dhe për ta çliruar nga ankthi. Dukej tepër i stresuar, mbasi e kapa nga dora për ta qetësuar, paralelisht i mata pulsin dhe i spjegova me qetësi, procedurën e interventit. Një praktikë që e aplikoja shpesh. Ai më ndiqte me kujdes dhe vëmendje, tërësisht i përqëndruar. Në përfundim ju afrua dritares, drejtoi sytë nga qielli,bëri kryqin, mandej u dëgjua lehtë Ave Maria…Doktor, Më falni por duhet të bëja ritualin religioz. Juve jeni ateist?! Jo të gjithë ju përgjigja unë. Dëshiron që gjatë operacionit të dëgjohet muzikë, e pyeta. Ai sikur u tjetërsua nga gëzimi dhe u lirua nga stresi: Grazie. Më vini nga regjistratori im,“O sole mio”, të Eduardo di Capua, në zërin manjifik të Enrico Carusos. Uli kokën dhe pëshpëriti nën zë, melankolik, vargjet e asaj lirike napoletane: “ Che bella cosa na jurnata ’ e sole …O sole mio sta nfronte a te”…Dhe mandej, mes këtyre melodive filluam operacionin.Kështu unë operova për herë të parë në karrierën time, nën tingujtë e muzikës. Aplikova interventin e kombinuar të kataraktit dhe të glaukomës. Gjithçka kaloi shpejt dhe normalisht. Me zërin e mrekullueshëm të atij tenori të madh, përfundoi dhe operacioni. Mario i impresionuar nga procedura e aplikuar, më falenderoi pa ngurruar, në italisht: “Dottore molto grazie, tu sei fantastico”. Unë e shoqëroja me buzëqeshje dhe me krenarinë që të sjell suksesi. Ishte një eksperiencë interesante.
Pas një jave, kur gjatë vizitës në poliklinikë, pata kënaqësinë e pafundme të shihja me sytë e mi, rezultatin e operacionit në syrin e djathtë të Marios. Ishte një çast që më mbushi shpirtin me gëzim e emocion. Drita që kishte nisur të shkëlqente në syrin e tij nuk ishte më vetëm dritë shikimi, por një rreze e fuqishme që i kishte ndriçuar gjithë qenien, i kishte zgjuar shpresën dhe i kishte rikthyer gëzimin e jetës. Mario nuk përmbahej dot. Lotët i rridhnin si një fëmije që, pas një pritjeje të gjatë e plot ankth, sheh më në fund të përmbushet ëndrra e tij. Ishte aq i mbushur me emocion, sa fjalët i dukeshin të vogla, përballë asaj që ndiente në zemër. Nuk dinte si ta shprehte mirënjohjen, si ta përkthente në fjalë atë lumturi që i buronte nga shpirti. Në sytë e tij të përlotur lexohej gjithçka: lehtësimi, shpresa, gëzimi dhe një falënderim i thellë, që nuk kishte nevojë për fjalë. Në ato çaste, kuptova edhe një herë se sa e madhe mund të jetë vlera e një ndërhyrjeje mjekësore: ajo nuk i rikthen njeriut vetëm dritën e syve, por edhe dritën e shpirtit, besimin te jeta dhe buzëqeshjen që ndonjëherë fati, ia ka lënë në hije. Dhe lotët e Marios, të pastër e të sinqertë, u bënë për mua shpërblimi më i bukur, një dëshmi e gjallë se përtej mjeshtërisë së duarve, mjekësia është mbi të gjitha humanizëm dhe dashuri për njeriun. Ishte e diel, 30 mars. Një nga ato të diela pranverore, kur natyra zgjohet ngadalë nga heshtja e dimrit, ndërsa shpirti, pa e kuptuar pse, ndien një mall të lehtë për gjithçka që ka ikur e nuk kthehet më. Atë ditë, Mario më befasoi me një surprizë të veçantë. Erdhi në shtëpinë time me një pako në dorë, i veshur me një kostum të zi dopiopet, me papijon të kuq dhe një borsalinë të zezë, që shkëlqente lehtë mbi kokë. Kishte diçka solemne në paraqitjen e tij, një elegancë të një kohe tjetër, ku vitet nuk kishin arritur t’ia zbehnin hijeshinë. Pasi u ul në divanin pranë dritares, vështrimi i tij u ndal te lulet e bardha të kumbullës, që kishin çelur dhe qëndronin mbi degë si një kurorë e brishtë. Ishte një bukuri e qetë, pothuajse e shenjtë, nga ato pamje që të kujtojnë se jeta di të rilindë edhe atëherë kur koha, në heshtje, vazhdon të marrë me vete gjithçka. Mario i soditi për pak çaste lulet, pastaj u kthye nga unë dhe, me një buzëqeshje të përmbajtur, tha: -Sot, doktor, kam një festë të dyfishtë. Unë buzëqesha. E kisha parë në televizor se, ajo e diel përkonte me Pashkët katolike. -E kuptoj, i thashë. Për njërën festë na ka njoftuar televizioni.Ai më pa me atë shprehjen e tij të veçantë, ku serioziteti përzihej me një lloj humori të hollë, dhe m’u përgjigj: -E di, doktor, që për njërën të ka informuar televizioni. Por tjetra është po aq e shenjtë për mua. Sot kam përvjetorin e tetëdhjetë e pestë të lindjes sime. Pikërisht sot! Gëzoj dy ndriçime: ndriçimin e dritës së syrit dhe ndriçimin e shpirtit. Teksa shqiptoi fjalët e fundit, bashkoi duart dhe bëri shenjën e kryqit, me një përkushtim. Ishte një gjest i thjeshtë, por në atë çast m’u duk sikur përmblidhte brenda aq shume emocione, shpresa e mirënjohje. Pastaj ngriti pak pakon, që mbante pranë vetes dhe vazhdoi: -Në këtë pako kam një tortë, të cilën e porosita në Turizëm, në “Adriatik”, tek maitre-i, zoti Andrea. Kam gjithashtu edhe një shishe shampanjë. Një dhuratë e vogël, në krahasim me tuajën. E tha këtë me një kënaqësi të përmbajtur, sikur po më besonte një sekret të bukur, një gëzim që kishte pritur gjatë për ta ndarë me dikë. Për një çast, vështrimi im u kthye përsëri nga lulet e bardha të kumbullës. M’u duk se ato, me brishtësinë e tyre, i ngjanin vetë jetës së njeriut: çelin në heshtje, shkëlqejnë për pak kohë dhe, pa bërë zhurmë, një ditë i lëshojnë petalet në erë dhe humbasin. Por ndoshta pikërisht për këtë arsye bukuria e tyre është kaq prekëse: sepse e dimë që nuk do të zgjasë përgjithmonë. Mariua para se të largohej, më tha me mirësjelljen e tij të zakonshme, me një “noblesse oblige”: -Nuk dua t’ju preokupoj, doktor, por sonte ju pres bashkë me zonjën, për një vizitë në shtëpinë time. E falënderova për ftesën, ndërsa ai u ngrit nga divani, e shoqërova me mendimin, për përvjetorin e tij dhe për atë mënyrë kaq njerëzore, kaq të ndjerë, me të cilën kishte zgjedhur ta përshëndeste jetën në një ditë të shenjtë. Kuptova, sepse vitet mund të na i rëndojnë hapat, mund të na thinjin flokët, e të na mbushin kujtesën me hije, por për sa kohë shpirti vazhdon të kërkojë dritë, njeriu nuk është ende i dorëzuar përpara kohës, pikërisht për këtë arsye, e bën çdo lule, çdo buzëqeshje dhe çdo takim njerëzor edhe më të çmuar. U përgatitëm sipas “protokollit” të festës, morëm me vete një shishe verë Vlosh, nga Narta dhe u nisëm drejt Marios. Sapo kaluam pragun e dhomës, na mbështolli tradita italiane, me atë alegrinë dhe ngrohtësinë e saj të veçantë, ku festa nuk është thjesht një datë në kalendar, por një mënyrë për të ndarë gëzimin, shijen dhe shpirtin e jetës.Tryeza e “Risurrezione di Cristo”, me zambakët e bardhë, trëndafila krem, qirinj të gjatë në shandanë të artë dhe një mbulesë linoje fine në të bardhë qumështi, në qendër, një kryq i vogël elegant floriri, vezët në ngjyrë ari, krijonin një atmosferë të këndshme, solemne dhe aristokratike.
Solemniteti i tavolinës në Pasqua Catòlica
Në një kënd të padukshëm të dhomës, nën një mantel dantele, më tërhoqi vëmendjen një skulpturë, që ndriçonte nën dritën e zbehtë të qiririt. Mariua më kapi nga krahu: “ Una miniatura dell’ opera magica di Antonio Maraini,‘ La Vergine et l’angelo d’annunzio’. Por ajo që më befasoi, ishte portreti i një të riu, një portret sa i bukur, aq edhe enigmatik. Në vend të syve, fytyra e tij mbartte një zbrazëti të pazakontë, një mungesë që nuk e kisha hasur kurrë më parë. Sikur piktori të kishte lënë qëllimisht dy hapësira të heshtura, ku shikimi nuk depërtonte dot dhe ku misteri i shpirtit mbetej i pazbuluar. Piktura ishte kurorëzuar me një kurorë lulesh, që i jepte portretit një hijeshi të veçantë, një bukuri të brishtë, thuajse të përhumbur. – Kjo është një vepër e famshme e maestros Amedeo Modigliani, piktorit të shquar me origjinë toskane, një prej figurave të veçanta të artit modern, me një jetë bohemë dhe një fund tragjik.Doktor, juve, si okulist, ju ka tërhequr veçanërisht mënyra se si ai i trajton sytë: sy pa brendi, pa shprehje, sikur të fshehin pas vetes, një botë që nuk mund të lexohet lehtë. Kësaj veçantie autori i atribuoi një thënie intriguese: «Unë do t’i pikturoj sytë tuaj kur të gjej shpirtin tuaj…» Ishte pikërisht kjo pikturë që më solli tek ju, më tha, përpara se të niste të më rrëfente dramën që kishte përjetuar…Më pas, tryeza u mbush me shije të traditës italiane si: agnello al forno, fellata napoletana, torta pasqualina, colomba pasquale– ëmbëlsira tradicionale në formën e një pëllumbi, simbol i paqes dhe i ringjalljes. Biseda vazhdonte, shijet përziheshin me aromat e festës dhe rrëfimi i saj shpaloste ngadalë dhimbjen me haren e vet…Por mendimi im kishte mbetur atje: te ai portret, te sytë që nuk shihnin, te boshllëku që fliste më shumë se një vështrim i gjallë dhe pranë tij njeriu mozaik. Së fundi, piktura u bë pasqyrë e shpirtit të Marios, ndërsa sytë e tij shprehnin atë që fjalët nuk mund ta thoshin. Rikthimi i shikimit i hapi dritaren e gjërave të dukshme, ndërsa arti mes pikturës, i çeli dritaren përtej asaj që shihet. Ajo ishte shprehje jo vetëm e identitetit të tij, por dhe metafora e jetës. Dhe sa më shumë mendoja për të, aq më shumë më dukej se Modigliani nuk kishte lënë sytë bosh nga mungesa e shpirtit, por nga pamundësia për ta shprehur atë plotësisht, përmes një vështrimi të zakonshëm. Ndoshta, për të, shpirti nuk zbulohej menjëherë, duhej depërtuar përtej pamjes, përtej heshtjes, përtej asaj që sytë mund të tregonin. Sepse ndonjëherë, ajo që nuk shohim në sytë e dikujt, është pikërisht ajo që shpalos të na tregojë, me shpirtin e vet…

Komentet