Përkundër qasjes së kreut të Partisë për specifikën historike të Shqipërisë “as Lindje as Perëndim”, pa demonstrata e protesta, autori i promemories argumenton natyrën represive dhe karakterin terrorist të regjimit sunduar nga ortodoksia komuniste. “Nëse në Shqipëri nuk ka protesta masive, shkruan Shehu duke polemizuar me Alinë, nëse nuk ka kurrfarë lëvizjeje disidente, po ka qetësi sociale, ka “unitet të popullit rreth Partisë”, kjo i detyrohet represionit edhe më të skajshëm, sesa në shumë vende ku ka protesta masive, lëvizje disidente, apo edhe përleshje me armë; se s’është e denjë për t’u mburrur me entuziazëm e brohoritje të ekzaltuara, përderisa në Rajhun III kishte më shumë”.
Në shtjellimin e idesë për të formatuar një shoqëri të hapur e liberale, djali i ish-kryeministrit i sugjeron lidershipit komunist për të reformuar sistemin në mënyrë të tillë që t’i krijojë popullit mundësinë për ta shprehur lirisht vullnetin e vet, mbi të gjitha për çështjet politike e sociale.
“Pretendohet, -shprehet Shehu, -se një mundësi e tillë te ne është bërë prej kohësh realitet; mirëpo për çfarë lirie mund të flitet kur shprehja e çdo pikëpamjeje që divergon ndaj pikëpamjes së pushtetit është penalisht e dënueshme me afate burgimi aspak të shkurtra, përpos që në praktikë më së shpeshti një i dënuar i tillë presekutohet e diskriminohet për gjithë jetën, madje jo vetëm individualisht, po edhe si familje, deri te fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve?”.
Në numrin e kaluar publikuam pjesën e parë të letrës së Shehut, që dominohej nga një mori pyetjesh mbi të vërtetat e regjimit vrastar në Shqipëri. Si mund të shpjegohet, shprehet ai, që numri i të burgosurve politikë shqiptarë është i përafërt me numrin e të burgosurve në Argjentinë aty nga fundi i viteve ’70, në kushtet e jashtëzakonshme të një diktature ushtarake të sapovendosur? Si mund të shpjegohet, që në praktikën e internimeve për motive politike regjimi ekzistues në Shqipëri mbetet ende në fund të shekullit XX, një trashëgimtar i denjë, e tashmë ekskluziv në shkallë europiane, i dinastisë mesjetare të Romanovëve?
Si mund të shpjegohet që nëse në Korenë e Jugut, në kohën e Cun Du Thuanit të karakterizuar nga demonstrata masive që po e shpejtonin agoninë e diktaturës, nxitësit apo organizuesit e një demonstrate mund të dënoheshin me jo më tepër se deri 7 vjet burg,-në Shqipëri, një njeri dënohet me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, për të vetmin faj pse ka shprehur pikëpamje të kundërta me regjimin?
Kur në Afrikën e Jugut, vijon Shehu, mbahet në burg prej 26 vitesh një Nelson Mandela, fjala e të cilit çon peshë gjithë kombin për ta shkallmuar nga themelet aparteidin, te ne, në një situatë të qetë mbahen burgjeve dhe me afate po aq të gjata sa të Mandelës, me dhjetëra fatkeq, të cilët nuk kanë pasur e nuk kanë kurrfarë influence politike, kurrfarë ideje dhe qëllimi politik?
Nuk kam arritur të marr me mend, shtjellon në vazhdim autori i letrës, se si i vlerësonte të tilla fakte as babi im, i cili ka përgjegjësi në lidhje me to, si një nga krimet historike të këtij regjimi, paçka se propaganda zyrtare, duke e akuzuar për krime fiktive, e ka shkarkuar kësodore nga kjo përgjegjësi për krime reale.
Pjesa e dytë e letrës së hapur
Të repektuar zotrinj,
Nëse në vendin tonë nuk ka protesta masive, sado në minaturë, nese nuk ka asnjë lloj aktiviteti subersiv në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëse nuk ka kurrëfarë lëvizje disidente, po ka qetësi sociale, ka “unitet të popullit rreth Partisë”, e gjithë kjo i detyrohet një represioni edhe më të skajshëm, se sa në shumë vende ku ka protesta masive, lëvizje disidente, apo edhe përleshje me armë.
(Mund të thuhet se nuk ka qetësi sociale thjesht në kuptimin e mungesës së kundërshtimit, po ka entuziazëm, ka brohoritje të ekzaltuara. Ka vërtet, po kjo s’është e denjë për t’u mburrur, përderisa në Rajhun III kishte më shumë. Historia e kohëve më të reja njeh mjaft raste kur një politikë represive asfikson frymën e mirëfilltë liberale të një populli, duke përftuar kësisoj aparencën e konsesusit të përgjithshëm.
Kështu në vendet e Evropës Lindore staliniste dhe neostaliniste, veçanërisht në DDR, për tre dekada e gjysëm qysh nga shtypja me tanke e revoltës punëtore të 1953-shit; kështu në Kinën e Maos dhe në Kinën e sotme, mbas hekatobmës së Ten An Menit; kështu edhe në Korenë e Veriut (për të përmendur shembujt më të ngjashëm me kazusin shqiptar për nga mekanizmat materiale e shpirtërore të diktaturës).
Por historia ka treguar gjithashtu, dhe po vazhdon të tregojë në mënyrë tepër elekuente cili është vullneti i lirë politik i popullit, menjëherë sapo të tilla sisteme represioni i kanë toleruar shprehjen e lirë të vullnetit politik, dhe në atë masë që e kanë toleruar, qoftë edhe përkohësisht.
Ju zoti kryetar i Partisë dhe i shtetit në një fjalim të viteve të fundit e keni vënë theksin te diferenca specifike historike e Shqipërisë në raport me BRSS dhe satelitët e tij, duke nxjerrë së këndejmi si një rrjedhojë logjike, se fenomentet që po ndodhin në ato vende, tek ne nuk do të përsëriten dhe se ecuria e mëtejme historike e vendit tonë do të jetë, prandaj, e ndryshme nga e atyre vendeve.
Nuk kam asnjë objeksion ndaj arsyetimit të mësipërm shikuar në vetvete (as ndaj premisave, as ndaj konkluzionit); megjithatë, lidhur me thënen tuaj lind pyetja, ose më mirë një varg pyetjesh: Cila është atëherë specifika historike e Shqipërisë?
Mos vallë është fati ynë historik që të veçohemi ndër vendet evropiane, perëndimore dhe lindore, për numrin e madh të të burgosurve politikë, për afatet e tejzgjatura të burgimit, për praktikën mesjetare të internimeve?
Apo ndoshta mund të përqasemi për nga specifika historike me Korenë e Veriut? Apo mos vallë mund të mendohet se në kundërshtim me vet ligjet e përgjithshme të zhvillimit të shoqërisë si dhe me ecurinë e sotme historike botërore, dhuna mund të sigurojë tek ne nënshtrimin ad eternum? 6 Në fjalimin programatik të mbylljes së Plenumit VIII të Komitetit Qëndror të PPSH, si dhe në fjalime të tjera të kohëve të fundit të zotit Ramiz Alia shfaqet shqetësimi për faktin se shtetet perëndimore dhe sidomos SHBA, gjithëherë e më këmbëngultazi po dalin në skenën politike ndërkombëtare si flamurmbajtës të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa në një fjalim të parvjetshëm të zotit Foto Çami thuhet se mbajtja e këtij flamuri nuk i takon Perëndimit, por vetëm RPS të Shqipërisë. Nëse është me të vërtetë kështu, atëherë përse nuk ndërrmerreni botërisht ndonjë iniciativë në emër të të Drejtave të Njeriut, qoftë dhe vetëm për të dalë në shesh e vërteta e për të demaskuar spekulimet shqetësuese të shteteve perëndimore? Natyrisht ata që kanë sjellë në pushtet e që ndihmojnë në vazhdimësinë e diktaturave të përgjakshme të tipit latinoamerikan, ose që nxjerrin përfitime financiare kolosale me shitjen e armëve, nuk meritojnë të lëvdohen se mbrojnë të Drejtat e Njeriut, sikurse, të paktën gjer më sot, për asnjë shtet humanizmi nuk ka qënë e nuk është raison d’Etat, po përkundrazi, kjo e fundit është antinjerëzore për nga vet kuintesenca:
Për shtetin njeriu është “material njerëzor”, objekt amorf për t’u manipuluar, propensitet natyror egoist për t’u disiplinuar në funksion të asaj që Makiaveli e quan “egoizëm i shenjtë i Princit” . Po kështu të Drejtat e Njeriut si devizë e politikës së jashtme të SHBA është funksionalisht analoge me “principe des nationalitées” si devizë e politikës së jashtme të Napolonit të Vogël.
Megjithatë, do t’i kalonim përshqitazi çështjes nëse do të mjaftoheshim me epitetin “djallëzor” pa u ndalur për të reflektuar mbi shkaqet që e bëjnë të mundshme një të tillë strategji më propagandistike të shteteve të Perëndimit, dhe veçanërisht të SHBA si një akuzë diskretituese ndaj regjimeve komuniste.
Teoria e Etikës na thotë se çdo imperativ moral që ka një dimesion universal, mbarënjerëzor, siç është imperative për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, është nga ana tjetër, i lidhur për domosdoshmëri me një realitet konkret të caktuar si me një pol të kundërt: e mira s’mund të shfaqet idealisht, si imerativ moral, po të mos egzistojë realisht e kundërta e saj, që konsiderohet si një e keqe./AFRIM IMAJ
Komentet