Sundimtarit … pikërisht pas fitores në zgjedhjet e mesvitit, iu fanit nga yjet e një qielli, që është i hapur për t’u vështrue veç nga soji i sundimorëve, diçka që nuk ia shprehu askujt. Por në ecjet, në fjalët, në shikimin, në mërmërimat e në vetmimin e tij, kjo ndihej. Vendosi të ndërmerrte një kontakt paselektoral dhe të kuptonte se çfarë e shqetësonte popullin më tepër. Tani do të kuvendonin hapur, e kjo do të ishte e rëndësishme për qeverisjen e mandatit të dytë…. Edhe ajo pjesë e popullit që kishte mbetur e ndrydhur dhe nuk kishte marrë pjesë në votime, u çlirue duke ndier zemrën e hapur të fitimtarit zgjedhor.
Populli tregoi fakte të korrupsionit në administratë, e kjo e tronditi krejtësisht, po e bëri të papërmbajtur, gati idhnak: “Po si more ju drejtuesit e institucioneve qeveritare, hipotekarë, legalizues, spitaldrejtues, leshdredhues keni arritur deri këtu, e ma keni lodhur popullin tim kaq të dashur?!…” U pikëllue e u përmallue, dhe ndihej fort nën faj: ” Flisni… flisni, ju erdhi dita o popull, tani jam më pranë jush se kurrë”…. I çuditur e zhgënjyer edhe me besnikët e tij më të afërt, ishte tejet i tronditur që nuk e kishin njoftuar në kohë e t’i fluturonte në skëterrë që të gjithë hajdutët. Po cilët hajdutë?!… pasi ata ishin shumë. U shkëput ca ditë nga gjithë njerëzia, nga miqtë e të gjithë lajkatarët, nga plazhet po e po.
“Po, çfarë deti të më njomë, çfarë dielli të më ngrohë mua, kur popullit tim m’i kanë bërë kaq të zeza”?! “U dëshpërue – thonë ata që i rrinë pranë – me i ardhë keq gurit e drurit” dhe gjeti një të dijshëm që mund ta ndihmonte, të kuptonte diçka më tepër se si, se ku, se cilët e kishin mashtruar kaq rëndë.
* * *
I dijshmi ( fallgjori ) u fut në kasollen e tij të vetmuar e po përziente lëndën magjike në errësirë, krejt i pandikuem nga bota përjashta. Kishte mbledhur veç ëndrrat e mbrame të sundimtarit, që ta ndimonin për të nxierrë në dukje shumë dukuri, të cilat kishin ndodhur pa dijeninë e tij… Dikur, i dijshmi doli nga skuta e errësirës dhe u shfaq në paradhomë me fytyrë të përvuajtur, i tretur e i mveshur në djersë nga mundimi. Zuri t’i fliste sundimtarit që rrinte i ulur aty me bërrylat mbështetur në tavolinë dhe kokën të mbledhur midis duarsh ….Në atë pritje pezullie u ndie si krisja e qiellit nga një shkreptimë rrufeje, thirrja: “LSI“, e kjo thirrje e përmendi sundimtarin dhe bulëriti aty për aty “Pooo… LeeSeeIii… E gjete! Ata më kanë vjedhur gjatë mandatit të pare.” Ndërkohë i dijshmi thirri: “DOGANAT“, aty sundimtari duket sikur u mpak dhe priti në heshtje…. Kur u dëgjua “TATIMET“, ky qe moment i trishturar dhe u rëndua së tepërmi, pastaj u dëgjua “OSHE” , oshe… mbështeti ballin në tavolinë e dëgjonte si i përhumbur oeeeee. Pastaj kumtuesi thirri “CHEKAPI ” dhe u krijue një lëndë prej zërash, e filloi t’i vinte si jehonë eeee kapi, eee kapi, eeekapiii … dëgjuesi nuk kishte asnjë mundësi me lëvizë, ndërsa kumtimi vazhdonte, “Ha ha ha HASHASH“, “Lo lo lo LOJRA FATI“, ” Te te TENDERAT” “tenderi A , tenderi B,C,D,E,F, G…ZH“, po kur kishte arritur çasti dhe i dijshmi kumtoi “K” apo “S”, diçka e përzieshme si krye apo sundim. Deshi të ngrihej patjetër “Mos është fjala për mua” mendoi, u mblodh si iriq, por nuk kishte pikën e fuqisë. Jehona ngjitej nga humnera e popullit të tij, me tingujt e 36 gërmave të alfabetit … “LEJE NDERTIMI” …po ku ku uuuuu dhe mori ngjyrimin kukuuuu…e i dijshmi ishte i zbehtë në të verdhë si drita e hënës, kishte vuajtur për ta përpunuar me saktësi këtë kumtim, a thue se vinte duke u tretur në çdo thirrje të radhës. Dikur tha: “Ministri A, ministri B … deputeti X, deputeti Y“, tashmë i dijshmi ishte i tretur e thuajse i shprishur dhe mund ta besoje se po dalloje përmes e përtej trupit të tij, kur thirri… e njëhërësh u tret krejtësish. Kryesunduesi u rrënqeth, aty mbeti një hije që do ta shoqëronte Sundim Sundin.
Sundimori mundi të ngrinte kryet e të shihte përjashta nga dritarja hënën që ndriçonte fort, kumtuesin nuk e shihte askund, veç hijen. U ndie më i lehtë, por prap i këputur doli përjashta, ndërsa po lehtësohej më tepër, jehonat po shkonin e shuheshin.
Gjëmimet në krye po i treteshin, ndërsa ecte dhe ndiente ta mblidhte veten e të lehtësohej, jehona që nuk i ndahej ishte “LeeeSeeeIiii”, bile që ajo të rritej thirrri vete “LeeeSeeeIiiiiiiiiiiii”, aty do të peshonte e gjithë vjedhja, “pjesa tjetër- mendoi- po lahej nën dritën e hënës dhe me mëngjesin do të ishte e pastër” .
Hieja e të dijshmit e shoqëronte. Befas shkundet, rrënqethet… shikon hije të shumta, dëgjon zëra : “N … u vetvra në qeli … ju më varët përditë nga pak, ata përpara teje . Ti , Ti më tërhoqe litarin… dëgjoj vaje,vaje .Vetvritet një tjetër … edhe një tjetër”…. Numri i hënave po shtohej përflakur në përgjakje, çfarë është kjo botë përjashta, thue se hëna kishte rënë mbi mal, ishte coptuar në hëna të vogla dhe ato po digjeshin duke u rritur me përmbytje pyjore e qiellore. Nuk kishte parë zjarre të tilla kurrë.
Sapo sundimtari arriti, ashtu në jerëm, në pallatin e pashallëkut të tij, kryelajmësi e njoftoi me butësi që të mos i prishte gjendjen shpirtërore, por i duhej të kryente detyrën …”Pasha, lumturi, zoti im ! Në malin e dhive të kuqe kanë rënë zjarre…. Por ndoshta janë ngjarje që do të sjellin edhe të mira”. “Zjarre?! Po, po i kam parë edhe unë… Po ç’janë këto zjarre?!” – tha Sundim Sundi dhe hodhi shikimin e turbullt aty pranë, sikur po pyeste një të padukshëm, ndoshte hijet. Se kujt i tha, se pse e tha, se çfarë ndërmendi si i ndërkyer?!… kjo nuk dihet, por ka dhe hamendsime. Kryelajmësi priti sa u kthjellue pak e pushoi foluri perçart Sundim Sundi dhe për ta lehtësuar tha: “Nëpër ato shpella thuhet se kalojnë natën hajdutët, dhe kultivuesit e asaj bimës së bekuar, pas të cilës, policia e shtetit është lodhur aq shumë duke i numëruar që të kenë të dhëna të sakta, për të ditur fitimshitjet dhe kur të jetë nevoja, për të burgosur punëmjeranët. Ndërsa disa nga agjentët tanë kanë humbur jetën duke u ngjitur tinës për atje, për të verifikuar saktësinë e të dhënave policore, prandaj sonte do të digjen në zjarre ata që na janë fshehur, janë mbetjet e fundit. Zjarret këtë verë u bënë më të shpeshta se kurrë, e patjetër kjo sëmundje e rëndë që nuk po na ndahet mund të sjellë diçka tjetër, më të mirë. Do të digjen, shkrumb e hi do bëhen strofkat e trafikantëve tinzarë, që punuan pa i ndarë fitimet me ne e nuk i zinte dot askush, dhe pas verifikimit të thëngjinjëve e hirit, mund të njoftohet edhe për djegien e tyre nëpër zjarre”.
Kryenjëshi apo Sundim Sundi, siç i thoshin disa vagabonda mendoi: “Po sikur ministritë, kryeministria, parlamenti, presidenca, prokuroria, gjykatat dhe pallatet e partive të ishin të rrethuara me pyje dhe të merrnin flakë e të digjeshin kur ne të ishim brenda?! Çfarë fatkeqësie do të ishte për popullin, ku do t’i gjente këto mendje kaq të ndritura… do të mbaronte” – po edhe qeshi, duke u zhytur në përhumbje – “po këta të mbaruar janë …ndoshta nuk do të vinin në krye “horra” si puna jonë.” I vetëtiu kjo nëpër mendje krejt padashje dhe njëkohshëm e kundërshtoi atë, ndoshta ngjallje shkëndije nga pavetdija: “Po ne do ta krijojmë një popull tonin, ky ka marrë fund”. Ndërkohë një grua e kërrusur 99-vjeçare iu shfaq me shkop në dorë, doli mu aty ku u tret hija e fallgjorit. E kqyri njëshin që prap ishte i jerëmt dhe i plogët, dhe dukej se po nisej për të dalë për dikund. “Ndaluni pak”- i tha -” po kush je ti ?” Nuk mori përgjigje. “A mos je Njëshi? Po si m’i fike dritat në ditët e mbrame të jetës?! Me thuej, në cilin hidrocentral ke punue
Komentet