Udhëtimi im i parë në Kosovë ishte në nëntor të vitit 1989 për të sfiduar Sllobodan Millosheviqin rreth okupimit brutal ushtarak të Kosovës në marsin paraprak dhe për t’i takuar gazetarët dhe aktivistët e të Drejtave të Njeriut (Zenun Çelajn, Zekeria Canan dhe të tjerët) fshehurazi në shtëpitë e tyre dhe për të raportuar përsëri te miqtë tanë në Kongresin e SHBA-së, kongresistët Tom Lantos e Ben Gilman dhe senatorin Bob Dole.
Kam takuar Dr. Ibrahim Rugovën në atë udhëtim kur ai ishte kreu i “Shoqatës letrare të Kosovës” dhe mendova se ai mund të fillonte një lëvizje demokratike në Kosovë. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ngriti fonde për ta sjellë atë dhe dymbëdhjetë kolegë të tij akademikë dhe të shoqërisë civile në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 1990, për të dëshmuar në një seancë të përbashkët të Senatit dhe të Shtëpisë së SHBA-së për kërcënimin e Sllobodan Millosheviqit dhe regjimit të tij diktatorial dhe komunist ndaj aspiratave demokratike të Kosovës, të Sllovenisë, të Kroacisë dhe të Bosnjës. Pjesa tjetër është histori.
Duke parë zhvillimin e partive politike dhe të zgjedhjeve dhe nevojën për një qeveri për të menaxhuar një shoqëri shumicë shqiptare dhe të gjithë njerëzit në Kosovë, i shoh problemet ekonomike dhe dështimet demokratike sot më qartë se kurrë më parë.
Pas shumë zgjedhjesh që nga përfundimi i luftës së NATO-s në qershor 1999 dhe gjykimit ndaj Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në Hagë më 2002-n, dhe edhe pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja në vitin 2008, Kosova mbetet e ndarë më shumë se kurrë.
Zgjedhjet e fundit konfirmojnë edhe një herë se Qeveria e Kosovës është e bazuar kryesisht në patronazhin e partive politike dhe të personaliteteve me pak transparencë. Kjo ka penguar një evolucion natyror në një demokraci pjesëmarrëse, një ekonomi tregu e bazuar në punë reale (jo emërime dhe patronazh), duke i lënë kosovarët të varur nga remitancat nga jashtë dhe të cenueshëm nga ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë.
Thënë shkurtimisht, ekonomia dhe e ardhmja e Kosovës është bërë peng i partive, i patronazhit dhe i personaliteteve të korruptuara politike. Dhe kjo i ka lejuar disave që të bëhen jashtëzakonisht të pasur për shkak të lidhjeve me parti politike, ndërsa shumica mbetet relativisht e varfër dhe e varur nga remitancat, nga familjet jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.
Pse ka aq shumë politikanë në Kosovë që qëndrojnë shumë mirë ekonomikisht? E para se, partitë politike drejtohen si klube private, duke shpërndarë vende pune për vota dhe besnikëri partiake, jo për meritë dhe nuk po promovojnë të mirat publike për të gjithë popullin e Kosovës.
Gjithashtu, ekziston një mungesë e madhe e transparencës rreth asaj se si është akumuluar pasuria në Kosovë dhe kush me të vërtetë zotëron pasuritë në Kosovë dhe cilët politikanë të korruptuar i kanë fshehur pasuritë e fituara ilegalisht në bankat zvicerane apo të Qipros.
Kjo mungesë transparence ka krijuar mungesë të besimit të publikut në mesin e qytetarëve të Kosovës.
Kërkimi i fuqisë politike dhe i pasurisë nga “liderët” politikë ka çuar në një ekonomi të tipit mafioz, ku korrupsioni depërton në të gjitha nivelet e qeverisjes, duke i shtyrë njerëzit e arsimuar të largohen nga Kosova për të punuar dhe për të jetuar diku tjetër, ligjërisht apo ilegalisht. (Nju-Jork, 5 korrik 2017)
Komentet