Një ditë shiu gjatë Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian mbajtur më 16 Maj, 2025 në Tiranë as nuk i shpëlau gjurmët digjitale për votën e diasporës dhe as nuk i uli temperaturat në Komiteti Olimpik Shqiptar/Parku Olimpik* kur për një javë zhvillohet ndeshja (numërimi i votës së diasporës).
Dy-tre ngjarje që shkëpusin vëmendjen nga numërimi i votës dhe zhvillimet e tjera të pritshme janë ato të diplomacisë dhe politikës së jashtme që Rama po kërkon të ndikojë dhe zhvillimet e pritshme brenda vendit.
Një ditë pas mbylljes së Samitit dhe kohë së zhvillimit të Forumit Ndërkombëtar “Nisma e Investimeve të Ardhshme”, kryeministri me zgjedhjet në xhep vazhdon me postimet e një klime të qetë duke propaganduar për një pikë të re e tërheqjes turistike në Tiranë “Shtëpia e Evropës”.
Për zgjedhjet dhe drejtësinë formula e Ramës tashmë njihet që është heshtja dhe tërheqja e fijeve të influencës. Përsa ai duket i sigurt me zgjedhjet, ku fletët e votimit kanë tejkaluar numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje, drejtësia jo si task-force në këtë rast për krimin zgjedhor, por krimin në përgjithësi ka arritur në një nivel të ri. Autorët e krimit jo vetëm që ikin në drejtim të pa ditur, por ikin në drejtim të paditur duke lënë pas vetëm gjurmën e automjeteve të shkrumbuara (?!).
Pyetja shtrohet se çfarë forme qeverisjeje do të marrë Shqipëria tani që synon të bëhet thellësisht me ngjyrën e Rilindjes Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë?
Paracaktimi i Samiteve të Evropës, Forumit Ndërkombëtar të Investimeve, Giro d’Italia një javë më parë e dhanë efektin para dhe pas elektoral, pa pas “zjermit evropian” popullor të përshëndetjes së fitores me meritë.
Kjo atmosferë ndjehet kudo.
Në Shqipëri dhe Diasporë dhe fatkeqësisht shkon drejt një 16 vjeçari i njohur si mandati i katërt.
Kjo atmosferë mbetet e nderë edhe pse nga një raport me ndërkombëtar Rama mban qëndrim duke dashur të zgjojë dëgjimin e SHBA-ve pas ardhjes së Trump 47 në Shtëpinë e Bardhë duke ju dukur një 4 vjeçar i gjatë përpara ku Rama nuk ka kohë të zgjedhë mes 1- autokratit 12 vjeçar, 2- modeli i rezistencës si një globalist progresivist apo sorosian i shoqërisë së hapur në Evropë me politikat e njohura për shpopullimin, emigracionin dhe sistemin e drejtësisë e burgosjen e opozitës apo tek tjetra 3- ecjen pro amerikane e cila me komprometimin e zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 po jep shenjat e para të një izolimi me shenjat e pas Luftës së Dytë Botërore.
Përse i sjellim në vëmendje këto krahasime?
I sjellim sepse Rama po mbahet si i vetmi person pas 1912 që po bën shtet.
Ju shiti shqiptarëve rrugën “Vetëm me Edin në BE” dhe Pasaportën e BE në vitin e largët 2030, në një kohë që rreth 100 mijë shqiptarëve në diasporë (48, 220 kërkesa të pa pranuara dhe 51, 056 zarfe që nuk shprehën votën), nuk ju mundësua votimi në porcionin e 245 936 personave që janë 5-6 herë më pak se numri i shqiptarëve që janë larguar, por që kanë të drejt vote ky shtrembërim numrash kërkon një analizë të thellë.
Kjo situatë me sytë e diasporës kur sheh se në qendër të Tiranës ndërtohet “Shtëpia e Evropës” për “Ndërtimin e një bote të re” të rrethuar nga propaganda e kryeministrit i cili thotë se pas mbarimit të funksionit hapet një pikë tërheqëse për turistët, ky mendim është vajtues. Shqipëria e shpopulluar dhe pa rini, ku dëgjohet se u bë edhe oferta e 600 kompanive globale përmes Forumit Ndërkombëtar të Investimeve, frika është se në ç’mënyrë do të kontrollohen korrupsioni dhe pushteti i autokratit që nënshkruan ofertat e investitorëve strategjikë, por ku shqiptarët mbeten jashtë.
A kanë garanci shqiptarët, kur edhe pse me një votë të hedhur në mjediset e paraburgimit Durrës, Kryetari i Bashkisë në afatet e tejkaluara pa u paraqitur në detyrë hedh mesazhin: –“E keni parë se si do të duket sheshi fundor në Bulevardin e Ri? Një projekt i mbetur me vlerën e 11 milion dollarëve nga Katari*.
Veprimtari të tilla me ndërkombëtarë mes një procesi zgjedhor kur votat janë numëruar dhe hidhen të tjera mesazhe besueshmërie për një mandat të katërt një ngjyrësh dhe kur nga bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama në platformën e korporatave globale ekonomike sipas propagandës së ATSH veçohet :- Linda Rama: Shqiptarët i besuan Edit mandat të fortë, u lidh filli mes prindërve dhe ëndrrës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa*. Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit e kuptojnë mirë se sa mund të jetë shtrembëruar vota prej pushtetit.
Diaspora këtë mentalitet politik në drejtimin e shtetit matet ta thotë edhe përmes fjalëve të mendimtarëve patriotë që nuk kanë të krahasuar me mënyrën se si politika do ta përdorë diasporën shqiptare pa e vlerësuar dhe sidomos atë të SHBA-ve që ka mbajtur themelet institucionalë të shtetit shqiptar me dijen, shtypin dhe fjalën e lirë dhe me besimin në zot para se të shpallej pavarësia.
Mjafton të përmendim Konicën kur shkruante “Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës juglindore”, në prag të Luftës IIB për të kuptuar edhe vlerat e identitetit dhe trashëgimisë kulturore dhe gjuhës që kanë rrezik të shpërbëhen nga idetë gjithëpërfshirëse të një bote të re që ushqen largimin dhe mplakjen dhe nuk ndërton urat e komunikimit për rikthimin me prioritet të rinisë shqiptare, popullsisë me moshë të re.
Një fushatë politike sado e pabarabartë ka lënë gjurmë në dy mesazhe. BE 2030, futjen në rutinën e jetës së kontrolluar nga propaganda e pushtetit dhe pak ekonomi ku uji, energjia, infrastruktura, shkollat, spitalet do të jenë prezente në bisedat e përditshme në 5 vite të gjata. Dhe mesazhi i dytë nga opozita PD – Shqipëria Madhështore, 100 ditë reforma dhe përmirësim i dukshëm.
Populli kishte mundësi të bënte zgjedhjen e vet dhe ta mbronte të shenjtë votën.
Sot jemi një javë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Numërimi vazhdon.
Nuk pritet më thjeshtë fituesi.
Por pritet ndërtimi i një sistemi dhe zhvillimi i një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të lirë nga gjithë shqiptarët, për Shqipërinë.
________
*nën vartësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit/ ministre Ogerta Manastirliu-Sekretare Politike e PS e Tiranë
* 18 Maj, 2025 Shqiptarja . com- Veliaj sjell projektin e sheshit ceremonial në fund të Bulevardit të Ri: Një tjetër hap drejt Tiranës moderne
*ATSH 17 Maj, 2025
18 Maj, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)