Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot një aktivitet me rastin e 100-vjetorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në këtë aktivitet, kryetarja në detyrë, Elisa Spiropali mbajti një fjalim patetik ku tha se qeveria është e angazhuar për të luftuar korrupsionin dhe për pavarësinë e KLSH-së.
“Sinergjia mes parandalimit dhe ndëshkimit ishte që në gjenezë, edhe atëherë kur përvoja dhe burimet njerëzore ishin inekzistete. Kuvendi i angazhuar në luftën ndaj korrupsionit ndaj kërkon bashkëpunimin tuaj”, tha mes të tjerash ajo.
Por ironia është se thuajse një vit më parë, qeveria e Edi Ramës bëri gjithçka për të bllokuar raportin vjetor të KLSH-së në Kuvend.
Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte evidentuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.
Kurse për vitin paraardhës, atë 2022, abuzimet kapnin një nivel rekord prej 1.1 miliardë euro vetëm në 9 muaj.
Por Kuvendi i Spiropalit, që tani flet për pavarësi dhe luftë ndaj korrupsionit, pengoi raportin e KLSH-së.
Madje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Shalsi, propozoi që KLSH të vihet nën kontroll.
Kuvendi miratoi para një viti projektvendimin “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik”, një strukturë që pritej të kishte në objekt të punës së saj kontrollin e KLSH-së.
Sipas rezolutës së miratuar nga maxhoranca socialiste, KLSH duhet të bëjë transparente kohëzgjatjen, planin dhe grupin e auditimit, duke i vendosur kufij dhe kritere në mënyrën si do të kontrollohen institucionet publike.
Mazhoranca do t’i përcaktojë KLSH-së çfarë duhet të kontrollojë dhe si duhet ta kontrollojë dhe më e rëndësishmja grupet e auditimit duhet t’ia tregojnë qeverisë me emra, që kjo e fundit të ketë mundësinë t’i kapë rrugës dhe të “përgatisë raportet siç duhet”.
Erion Braçe, krahas Eduart Shalsit, ka qenë më i zëshmi nga rilindasit për vënien nën kontroll të KLSH. sn