Punimet për projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) janë në vazhdim e sipër me ndërtimin e dy stacioneve për kompresorë, deklaroi zëvendës ministri i Shqipërisë për Energji dhe Industri, Ilir Bejtja.
Në një prononcim për AA-në, Bejtja tha se instalimi i tubacionit tashmë ka filluar në tre lokalitete në Shqipëri, përfundimi i të cilave pritet të bëhet deri në vitin 2018-të.
“Mendoj se deri në vitin 2018 instalimi do të përfundojë, por tani po punohet në stacionet e pompave me kompresorë. Ndërkohë, ne po presim të marrim licencë për punimet nën det, të cilat do të nisim menjëherë”, tha zyrtari shqiptar.
Projekti TAP synon të lidhë tubacionin e gazit natyror Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Greqi-Turqi dhe të kalojë përmes veriut të Greqisë në Shqipëri, dhe përmes Detit Adriatik të kalojë në territorin e Italisë jugore, ku do të lidhet me rrjetin italian për gaz natyror i cili menaxhohet nga kompania Snam.
I tërë projekti është i gjatë 878 kilometra me një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metra kub në vit, me të cilin do të transportohet gazi i Azerbajxhanit në disa tregje të Evropës.
Bejtja pohoi se projekti TAP do të ndihmojë ekonominë e Shqipërisë, në atë mënyrë që përmes nevojave për realizimin e tij do të hyjnë mbi një miliardë euro investime.
“Të gjitha këto para do të hyjnë në ekonomi, ndërkohë që investimet do t’i bëjnë kompanitë shqiptare”, nënvizoi ai.
Sipas tij, përmes projektit aktualisht janë të punësuar rreth 2000 persona të cilët janë të angazhuar në sektorin e transportit, ambientit, ndërtimit, dhe nga totali i të punësuarve, 90 për qind janë shqiptarë.
Bejtja tha se në një periudhë afatgjate, numri mund të shkojë në 3000, por edhe më shumë.
“Në fazën e fundit të ndërtimit, parashikohet që numri i të punësuarve të shkojë mes 5.000 dhe 7000 persona”, shtoi më tej Bejtja, sipas të cilit, pasi të përfundojë projekti numri i të punësuarve të përhershëm do të jetë rreth 700.
Në pyetjen nëse Shqipëria do të importojë gaz nga TAP-i, ai u përgjigj se Shqipëria nuk do të importojë gaz nga 10 miliardë metrat kub, që fillimisht do të dërgohen tek konsumatorët evropianë.
“Na janë garantuar 0.3 miliardë metra kub, vetëm për termocentralin e Vlorës”, tha ai.
Investimet e kompanive turke
Ministri shqiptar përshëndeti investimet që kompanitë turke kanë bërë në sektorin e energjisë, minierave dhe rafinimit por edhe në shumë sektorë tjerë në vend.
Energjia elektrike e prodhuar nga impiantet e ndërtuara nga kompanitë turke mund të eksportohet në Turqi, konfirmoi Bejtja, duke shtuar se nuk ka kufizime për këto kompani.
“Nuk kërkojmë nga ato të paguajnë për eksportin, madje as në tatimet ndërkufitare nuk aplikojmë TVSH ose dogana. Kemi interkoneksione të mjaftueshme që e bëjnë të lehtë eksportin në Greqi, nëpërmjet Kosovës dhe Bullgari nëpërmjet Malit të Zi. Pra, ekziston mundësia për të eksportuar qoftë në Turqi apo në ndonjë tjetër vend në fqinjësi. Mund të bëjnë biznes të mirë në Shqipëri”, nënvizoi Bejtja për të shtuar se Shqipëria është vend me kosto të ulët të energjisë elektrike nga shkaku se ka rrjedhë të mjaftueshme të ujit përgjatë tërë vitit.
Ministri shqiptar tha se Turqia dhe Shqipëria nuk janë vende fqinje për të shtuar se bashkëpunimi në sektorin e energjisë elektrike është shumë më i lehtë për vendet që kufizohen me njëri-tjetrin. Megjithatë, ai beson se çdo bashkëpunim me vendet jo-kufitare në këtë fushë, do të ishte i dobishëm për të gjithë palët e interesuara. aa
Komentet