Parlamenti i Serbisë miratoi në datën 29 maj ligjin e propozuar nga ministria e Mbrojtjes e Serbisë për marrëveshjen midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, qeverisë së Maqedonisë, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Serbisë dhe qeverise së Sllovenisë, mbi krijimin e “Forcave Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“. Ne motivimin e ministrit serb të Mbrojtjes, kur iu drejtua deputeteve të parlamentit për miratim në datën 29 maj, si edhe në datën 26 maj, kur e paraqiti për herë të parë në parlament, ishte se “Pjesëmarrja e Serbisë në Forcat Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“ kontribuon ne forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse“.
Pa hyrë në arsyetimin se si kjo forcë ushtarake rajonale mjekësore e Ballkanit do ta forcojë, pse do ta forcojë dhe kujt i intereson në Ballkan që të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Serbisë, ajo që kërcet menjëherë në këtë marrëveshje të re, është mungesa në këtë marrëveshje dhe në këto forca të reja ushtarako-mjekësore rajonale e shtetit të pavarur ballkanik të Kosovës. Pa hyre në arsyetimin se perse duhet krijuar një forcë ushtarake mjekësore e vetëm gjashtë shteteve të Ballkanit, menjëherë lind pyetja e madhe strategjike: Perse mungon Kosova? Si mundet Shqipëria të behet pjesë e një marrëveshjeje rajonale dhe të marrë pjesë në një forcë, mekanizëm apo organizatë të rajonit, pa u thirrur dhe pa qenë anëtare me të drejta të plota në atë formacion rajonal edhe Kosova?
Sipas formulimit zyrtar të kësaj force ushtarako-mjekësore në këtë marrëveshje të gjashtë shteteve, dhe që gjendet në ligjin e miratuar nga parlamenti i Serbisë në 29 maj, është fjala: 1- për një force ushtarake, dhe 2- për një forcë ushtarake mjekësore të Ballkanit. Nuk mendoj se është rastësi formulimi “Forcat Ushtarake Mjekësore“ dhe nuk është përkufizuar për shembull „ekipi mjekësor rajonal apo instituti mjekësor rajonal ushtarak“, etj. Dikush në rajon ka pasur interes të theksuar që të krijohet një fushë e bashkëpunimit ushtarak të Serbisë me shtetet e tjera të rajonit. Dikush ka pasur interes që Kosova të neglizhohet si shtet i pavarur, por edhe t‘i mohohet e drejta për t‘u përfaqësuar me forcat e saj të armatosura në një mekanizëm ushtarak rajonal, qoftë edhe mjekësor.
Në një artikull me titull: “Serbia udhëheq Forcat Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“, portali serb „diplomacyandcomerce.rs“ shkruante se “Forcat Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“ janë forca multinacionale të caktuara me qëllime të një rangu të gjerë të operacioneve për t‘iu përgjigjur situatave të krizave, veçanërisht kur është fjala për fatkeqësi natyrore dhe të tjera në Ballkanin Perëndimor. Ky është shembull unik i bashkëpunimit në rajon„. Se çfarë ka “unike“ për Serbinë në këtë bashkëpunim të Forcave Ushtarake Mjekësore të Ballkanit nuk shpjegohet, por dyshimet janë se Beogradi mund të përpiqet të realizojë forma të aktivizimit të shteteve të tjera të rajonit në veprimtaritë e bazës ruse të Nishit në Serbi, si koperturë e veprimtarive diversioniste të Rusisë në rajon. Është një përpjekje, të cilën e ka synuar prej kohësh Serbia, kur në vitin 2011 ka pasur përgjigje pozitive nga Shqipëria për pjesëmarrje, kurse në vitin 2015 Moska i ka dërguar Shqipërisë projektmarrëveshjen dypalëshe për pjesëmarrje në bazën e Nishit, identike me atë, që Rusia ka nënshkruar me Serbinë.
Paqartësi shton perimetri gjeografik i kësaj “Force Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“. Nuk mund të pretendojnë përfaqësimin e gjithë Ballkanit gjashtë shtetet e përfshira, në një kohë që janë lëne jashtë gjashtë shtete të tjera, sepse Ballkani ka 12 shtete. Nuk është e qarte pse pranuan të krijojnë këtë organizate ushtarake vetëm këto gjashtë shtete, nga të cilat pesë janë shtete të dala nga ish-Jugosllavia dhe vetëm Shqipëria nuk është, dhe nuk kuptohet se me çfarë logjike i është bashkuar këtij grupi pakuptim. Ne këtë organizatë ushtarako-mjekësorë të “Ballkanit“ mungojnë Turqia dhe Greqia, Bullgaria dhe Rumania, të gjithë shtete të NATO-s.
Nga pikëpamja e interesit shtetëror dhe kombëtar të Shqipërisë, në një marrëveshje shumëpalëshe rajonale për krijimin e një force ushtarake të përbashkët, në dac të jetë mjekësore, në dac të jetë artistike, në dac të jetë logjistike, është e pakuptueshme të mungojë Kosova. Padyshim, përjashtimi i Kosovës ka qenë kërkesë e Serbisë, e cila kohët e fundit po demonstron një agresivitet të jashtëzakonshëm për mohimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. E konfirmoi këtë Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili premtoi solemnisht ditën e betimit se do të punojë ta kthejë Kosovën në Serbi. E konfirmoi këtë edhe kryeministri ad interim, Ivica Daçiç, që lavdëroi Rusinë pse ka mbështetur Beogradin për të bllokuar njohjen e Kosovës. Loja e diplomacisë serbe dhe ruse në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës është e kuptueshme, dhe në atë terren mundësitë e Shqipërisë janë të kufizuara. Por kjo është e papranueshme në rajon, ku Shqipëria ka të drejtën e vetos dhe ka barazinë diplomatike me të gjithë partnerët e rajonit. Është e papranueshme, që Shqipëria të pranoje të jetë pjesë e një organizate të Forcave Ushtarake Mjekësore Rajonale, kur në të nuk është ftuar të jetë pjesëmarrëse edhe Kosova.
Me pjesëmarrjen e saj në organizata rajonale, ku nuk ftohet Kosova, Shqipëria me dashje apo pa dashje i shkon lojës së Serbisë për mosnjohjen e Kosovës. Shqipëria duhet ta ketë vijë të kuqe të diplomacisë e dhe të shtetit të saj refuzimin e pjesëmarrjes në çdo organizatë, organizim apo asosacion rajonal, ku nuk ftohet si anëtare edhe Kosova. Aq me tepër në një organizate ushtarake rajonale, e cila pavarësisht etiketës ushtarake mjekësore, është pjese e Forcave të Armatosura të shtetit pjesëmarrës, gjë që e bën edhe me delikate fushën dhe objektin e bashkëpunimit.
Përderisa Kosova është njohur nga 111 shtete të botës dhe është pjesëtare e organizatës se vetme rajonale, SËCP, dhe e nismave të tjera rajonale, nuk mund të quhet e kuptimte t’i mohohet pjesëmarrja në këtë forcë të re ushtarake mjekësore ne rajon. Nuk mund të mos lindë dyshimi se përse Serbia e pranon pjesëmarrjen e Kosovës në organizatën “Ballkan 6”, ku bëjnë pjese gjashtë shtete te të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, dhe refuzon ta pranoje në këtë mekanizëm të ri ushtarak rajonal. Përgjigjja duhet të jetë se Serbia e konsideron nismën “Ballkan 6” si një rrugë për krijimin e “Jugosllavisë se re”, ku ajo përfshin të katër shtetet, qe kane dalë nga Jugosllavia, plus Shqipërinë, (që shkon nga t’i thonë).
Ne organizatën e re ushtarake “Forcat Ushtarake Mjekësore të Ballkanit” mungon me dëshirën e saj Kroacia, shtet anëtar i NATO-s dhe i BE, një shtet që deri në vitin 2013 ishte pjesë e procesit të stabilizim- asocimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Refuzimi i Kroacisë për të marrë pjesë shpreh rezervën e madhe, që ka diplomacia dhe shteti kroat ndaj këtij mekanizmi ushtarak mjekësor rajonal. Është një rezervë, qe ka të bëjë me shtetin kryesor të interesuar për këtë forcë ushtarake rajonale, me Serbinë. Nuk mund të justifikohet hapi i pakuptimtë i pranimit të pjesëmarrjes nga Shqipëria me alibinë e sponsorizuesve apo me karakterin humanitar të organizatës ushtarake mjekësore. As njëra dhe as tjetra nuk mbulojnë dot gabimin e madh të mos përfshirjes së Kosovës si shtet në këtë Force Ushtarake Mjekësore rajonale. Çdo sponsor perëndimor i kësaj nisme ushtarako-mjekësore meriton respekt, por nuk duhet harruar se nuk ka gjithmonë përputhje interesash kombëtare të shtetit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar me ato të njërit apo tjetrit shtet të NATO-s apo të BE. Ne rastin konkret, pjesëmarrja në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare dhe konfirmimi i Kosovës si shtet sovran dhe i barabarte me të gjithë shtetet e tjera të rajonit, është një interes strategjik shtetëror dhe kombëtar i pa negocueshëm, i cili prevalon mbi gjitha arsyetimet dhe alibitë e momentit.
Deri tani nuk është parë në media ndonjë informacion nëse parlamenti i Shqipërisë e ka miratuar e ratifikuar edhe ai këtë marrëveshje për krijimin e organizatës se “Forcave Ushtarake Mjekësore të Ballkanit“. Kjo duket se i mbetet parlamentit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, dhe ai parlament duhet ta refuzoje miratimin dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke vene kushtin e pranimit vetëm në rastin kur pjesë e kësaj organizate do të jetë edhe Kosova.
Komentet